back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Gjueti lepujsh në pyjet e veriut – nga Avis Gjyshja

Gazeta

Avis Gjyshja në Tagish Lake - Skagway 2017
Avis Gjyshja në Tagish Lake – Skagway 2017
Gjueti lepujsh në pyjet e veriut
nga Avis Gjyshja

Pothuaj rregullisht, këto pak vitet e fundit, aty nga mesi i tetorit, unë, ime shoqe dhe fëmijët e vajzës, e kemi kthyer në traditë që të dalim për një apo dy ditë nëpër pyje për të parë ngjyrat e vjeshtës.
Këtë vit vjeshta erdhi vonë në Michigan, dhe natyrisht edhe piku i ngjyrave ishte i vonë. Dhe në vijim të traditës, zumë një hotel në veri për këtë fundjavë.
Por..
-Jo gjyshi! – thanë kalamajtë, – Këtë të djelë është festa e halluinit dhe ne nuk vijmë dot.
Dhe planet ndryshuan, ndërsa mua m’u kujtua ky postim i vjetër për një ngjarje që ka ndodhur ca vite më parë, gjatë një gjuetie në Upper Peninsula të Michiganit, dhe thashë me vehte: “Ky është një tregim i mirë për të gjithë ata që e pëlqejnë festën e halluinit.

Kur shoh vargjet e patave të egra të ikin për në veri, unë e ndjej që më zgjohet malli i vjetër për aventura dhe për viset e misteret e vendeve të largëta. Kam mall sidomos për vjeshtën e veriut, me atë përgjumjen e çuditëshme e atë qiell të lodhur e si të arratisur nga pjesa tjetër e botës, me aromën e bredhave e të lagështisë, me qetësinë e pyjeve të paana dhe me trishtimin dhëmbshurak të vetmisë dramatike. Dhe gjithmonë them se pyjet e veriut janë një vend i mirë ku një burrë edhe mund të qajë pa u turpëruar.
Ndryshe nga shokët e mi, gjuetia për mua, është thjesht shkaku për të shkuar në veri, sepse thellë në shpirt nuk e pranoj dot vrasjen e kafshëve të pafajshme që as kanë pasur tjetër rast në jetën e tyre të shohin një njeri, përveç se, kur ai ju del përpara bashkë me vdekjen. E kam vështirë që t’i vë një emër kësaj dalldie ndjenjash që herë më duket si një thirrje e vjetër instikti e herë të tjera si një dhimbje asnjë herë e qetësuar për djalin që kishte emrin tim dhe që gjysëm shekulli më parë vraponte këmbëzbathur në ca pyje fshati në anën tjetër të botës.
…Në të dalë të gushtit e fillim të shtatorit, mua më prishet rehati. Kjo është koha kur në Shqipëri fillon sezoni i turtullit ndërsa këtu është koha kur shpendët shtegëtarë fillojnë e lëvizin drejt jugut ndërsa salmonët fillojnë e futen nëpër lumenj e përrenj. Të peshkosh salmon, duket si një aventurë gjithmonë më tërheqëse se sa të vrasësh kafshë. Të paktën sytë e peshqëve, ndryshe nga ato të kafshëve, nuk tregojnë dhimbje. Pastaj mjafton të kujtosh ato zjarret e gatimet në natyrë, peshkun e pjekur në prush e atë pak raki që nuk harrojmë asnjëherë ta marrim me vete, netët me shumë yje, fashat e agimeve boreale në qiell dhe mbi të gjitha atë qetësinë e të qenit larg botës moderne, zhurmës e telefonave dhe e kupton se ato janë ditë që nuk ndërrohen dot me asgjë tjetër.
…Atë sezon, ndodhi, që ne të peshkonim në rrjedhat e sipërme të lumit Eskanaba në veri të Miçigenit. Në një nga ato ditë, ndodhi që takuam rastësisht dhe dy indigjenë nativë të asaj treve që njëlloj si ne, peshkonin për salmonë. Indigjenët në përgjithësi janë njerëz të thjeshtë, pa kërkesa për pasurira e jetë moderne, por që për lirinë i japin gjithë të tjerat. Besimet e tyre janë një përzjerje e kristianizmit me besimet e tyre të herëshme, ku bota e shpirtërave del mbi të tjerat. Folëm për peshkim e për gjueti dhe në bisedë e sipër ata na treguan dhe për një zonë, pranë një ujëvare, jo shumë larg vendit ku po peshkonim atë ditë, dhe ku sipas tyre kishte më shumë gjah e peshk. Ata thanë se arsyeja pse kishte më shumë gjah në atë vend ishte se askush nga vendasit nuk guxonte të shkonte e të gjuante atje.
Sipas tyre, shumë kohë më parë, një kërkues minierash, që banonte me vajzën e gruan në një kabinë të vetmuar druri pranë ujëvarës në fjalë, u mërzit një darke me vajzën e tij, për një gabim të vogël fëmijësh. Për dënim e nxori nga shtëpia dhe e la jashtë derës në errësirë për ndoshta disa minuta. Por kur hapi derën që ta fuste vajzën brënda, ajo nuk ishte më aty…
…Të nesërmen u gjetën prova se vajza ishte shqyer dhe ngrënë nga ujqërit ose arijtë. Nga pendesa e dëshpërimi i pafund gjeologu qe çmendur dhe kish marrë pyjet ku sipas të gjitha gjasave duket se kish pësuar të njëjtin fat me atë të së bijës. Dhe që atëhere, nisur nga arsye apo prova që ata nuk na i thanë neve, indigjenët besonin se shpirti i tij sillej e kërkonte rreth asaj kabine të braktisur ku kërkonte pa derman për vajzën e tij të humbur…
Pavarësisht tregimeve e frikërave të tyre nga fantazmat, ne ju kërkuam indigjenëve pak më shumë të dhëna për atë vend që sipas tyre nuk ishte gjuajtur kurrë.
Nuk qe larg nga aty ku po peshkonim dhe një fillim nëntori, kohë që mbahet dhe si periudha më e mirë për gjuetinë e lepujve të dëborës e kur bora kish shtruar disa centimetra, ne u nisëm për ta gjetur ujëvarën. Duke ecur në një rrugë të hapur nga Departamenti i Resurseve të Natyrës, të hipur mbi një “Xhip” të përshtatëshëm për kësi lloj aventurash, ne, tre burra me pesë qen me vehte, nuk e patëm të vështirë ta gjenim kataraktin. Ishte një ujëvarë e ulët dhe me pak ujë. Dhe jo larg, pak më tutje, në një pllajë të vogël, dukej vërtet një kabinë e vogël druri gjendja e së cilës tregonte se kishte shumë kohë që e kish humbur kujdesin e të zotërve. Në oborr kishin mbirë ferra e drurë, muret pothuaj ishin rrënuar e veshur nga myshku ndërsa dyert e dritaret i kishin rënë prej kohësh. Në oborrin e prapmë, poshtë një bredhi degëvarur dukej dhe një depo e vjetër e shëmbur nënvehte. Ne as nuk e dinim nëse ishte ajo apo ndonjë tjetër, kabina ku kish ndodhur historia që na treguan indigjenët.
Vendi përreth ishte i mbuluar nga bimësia tipike e koniferëve të veriut, ndërsa midis bredhave të dendur e të vegjël kishte aty-këtu edhe rrugëza të lira që krijonin kështu një vend shumë të mirë për gjueti lepujsh. Të paduruar, si gjithë gjuetarët e tjerë të kësaj bote, lamë gjërat në makinë morëm armët dhe lëshuam qentë që filluan gati menjëherë të lihnin në ndjekje të lepujve.
Por shpejt u pa, se atë ditë, si asnjëherë më parë, zagarët u larguan shumë dhe pas pak minutash të lehurat e tyre u bënë të largëta derisa më në fund humbën e nuk u dëgjuan më. Me ne ngeli vetëm Markua, qeni im i shpendëve, i cili nuk dinte të ndiqte lepuj.
Pritëm shumë kohë se mos qentë po ktheheshin, shtimë shumë herë në erë, thirrëm, por asgjë! Ne nuk e dinim nëse qentë ranë në drerë e ikën pas tyre apo diçka tjetër më e keqe ndodhi me ta. Dhe ne kishim dëgjuar aq shumë histori me ujq e kishim parë dhe aq shumë gjurmë të tyre në këto zona…
Vonë u bë e qartë, se gjuetia dhe gjithë planet tona të asaj dite qenë prishur. Nga mesdita, me të rrallë filluan të vinin si të shuajtura ca qarje të largëta ulkonjash. E vetmja shpresë e vakët e jona ishte që qentë të ktheheshin mbrapsh pas gjurmëve të tyre siç ndodhte jo rrallë me qentë e gjahut kur largoheshin shumë nga të zotët. Dhe për këtë arësye ne duhej të prisnim aty.
Afër darkës era e shtoi vrullin dhe temperatura filloi të binte me shpejtësi. Kishim tenda e çanta gjumi por as që ja kishim ngenë komoditetit. Ishim të lodhur e të mërzitur nga tersllëqet e ditës dhe me afrimin e darkës thamë që do qe mirë të ndiznim një zjarr e të ngroheshim pak. Dhe si më i miri vend për këtë punë dukej shtëpiza e braktisur, muret e kalbura të së cilës mund edhe të na mbronin nga era. Ashtu dhe bëmë, të veshur trashë e ngrohtë siç ishim, morëm ca gjëra nga makina, sheshuam e pastruam si mundëm nga bora një copë vend, afruam trungje të thata që ishin me shumicë aty për rreth dhe pasi ndezëm zjarr, u rregulluam si mundëm rreth tij. Hëngrëm diçka, dhe ashtu të mbështetur rrotull zjarrit që kërciste, në një pritje pothuaj të pashpresë të kthimit të qenëve, si me të gënjyer, filluam edhe të dremisnim nga pak…
Vonë ulërimat e trishtuara të ujqërve u shtuan shumë. Besonim se era e zjarrit do t’i mbante larg por dukej sikur tufa e tyre po i afrohej ngadalë vendqëndrimit tonë. Që herët të gjitha armët i kishim mbushur me fishekë të rëndë për ujq.
Nga mesnata era filloi ta ulte vrullin. Ujqërit duket se e ndjenë erën e zjarrit dhe ndërruan drejtim. Për pak kohë ra heshtja, por… diçka tjetër filloi të ndjehej gjithnjë më qartë e më shumë.. Shup, shup, shup.. Diçka si një ecje njeriu në dëborë!..
Mua mu bë mishi kokërr dhe gjarpëri i akullt i lemerisë sikur më kafshoi në kurriz..
Dukej sikur dikush nga errësira po vinte drejt nesh…
-O zot, gjeologu! – thashë me vehte!
Nuk mundesha të lëvizja… As të thërrisja! Qe si një ëndërr e keqe kur përpëlitesh dëshpërimisht të zgjohesh, por një forcë titanike paralize nuk të lë të lëvizësh. Më dukej sikur sytë dhe trutë më kishin dalë nga vendi. Turbull ndjeja si të largët vetëm qenin tim Markon që më ngjeshej fort pas këmbëve. Kisha ngelur i mbërthyer e me kokë të kthyer e sy shqyer andej nga ecte njeriu i natës. E dija që Benelli im gjysëm automatik ishte në duart e mija, por ato ishin si të plumbëta…
Dhe mu bë sikur e pashë: – një siluetë gati e përhimtë si çdo gjë tjetër e natës!

Në pyjet me mjegull dhe muzg...
Në pyjet me mjegull dhe muzg…

…Sa zgjati kjo…?
Një orë? dy? gjithë nata?! Nuk e di e as nuk e mbaj mend! Nga tmerri dhe koha dukej si e një bote tjetër ireale.
Si në një ëndërr të keqe mbaj mend që dikur kuptuam që kish dalë dielli. Shokët e mi fytyrë zbardhur nga tmerri dukeshin si kukulla shurdhake leckash që kishin qenë aty që prej kushedi sa kohësh… Era kish pushuar, qielli ishte blu, ndërsa në dëborë dukeshin vetëm gjurmët tona të djeshme. As atje ku unë mendoja se e pashë, nuk kishte asnjë lloj gjurme…
Kurajo që të jep drita është gjithmonë e jashtëzakonshme. E dija këtë që nga koha kur punoja si oficer nëndetësesh… Shtimë dhe bërtitëm shumë herë për t’i dhënë zemër vetes…
Makina jonë ishte po atje ndërsa për qentë as nuk na shkonte mendja më…
Një erë e lehtë filloi përsëri. Majat e bredhave filluan të tunden dhe… papritmas gjarpëri i akullt i lemerisë ngjethi përsëri kurrizin tim: fshup – fshup – fshup!
U ktheva vrik para se llahtari të më paralizonte sërish… – një degë bredhi lëkundej e fërkohej ritmikisht mbi çatinë e dërrastë të kasolles së shëmbur: fshup – fshup – fshup…!!
..Një duhmë e thartë urine përhapej përreth, dielli shkëlqente, ndërsa tek-tuk në qiellin blu dukej të fluturonte herë pas here ndonjë sorrë e vetmuar… Diku shumë larg në jug dëgjohej një klithmë e ngjirur dhe e trishtuar lokomotive që ikte nuk dihet se për ku e që dukej sikur na thosh: – Ikni…! Ç’prisni më?!
…Ikëm dhe nuk u kthyem më kurrë në atë vend e sigurisht që as qentë nuk i pamë e nuk i kërkuam më!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.