
Gjon Mark Ndoj, emblema e vuajtjes njerëzore!
nga Gjergj Marku
Pasaporta:
Lindur në Orosh, Mirditë 1928.
Shkollën fillore e kreu në konviktin e Oroshit, më pas vijon liceun françeskan “Iliricum” në Shkodër.
Mësues në Rrëshen, arrestohet me 14 qershor 1946. Dënohet dhe vuan burgun për 17 vite, nga këta 10 vite në burgun e Burrelit.
Burgu nuk ia përkul ashtin e krijimtarisë, shkruan poezi, novela, tregime. Gjithashtu dhe tri drama me dy akte, kushtuar Mujo Ulqinakut. Historinë e Diplomacisë (frëngjisht) dhe Histori e Europës Moderne (pjesë kryesore). Punime këto të gjykuara në burg nga njerëz të njohur të letrave si Pjetër Meshkalla, Arshi Pipa, Kudret Kokoshi, Ëngjëll e Kel Çoba, Gac Çuni etj. Të gjitha këto punime mbetën ose iu sekuestruan në burgun e Burrelit.
Bashkautor në librin “Mirdita (artikuj e studime)” dhe “Kontakt Poetik” 1998
Botime të tij: “Kardinal Ahuni”, “Ndëshkimi i Pafajësisë”, “Davida e Kulakut” (tregime e novela); “Luftëtarë mirditas të lirisë”.
Në dorëshkrim një ditar i mbajtur në vitin 1981 për ngjarjet në Shqipëri e Kosovë ato vite.
Prej vitit 1991, drejtues i Shoqatës të të persekutuarve politikë, dega Mirditë.
Ka qenë gjithnjë antar i Këshillit Kombëtar të kësaj shoqate. Dhe personi që ka kundërshtuar me forcë përçarjen e kësaj shoqate.
Vdiq duke shkruar, atë ditë që iu botua dhe libri i tij në formën e memuarit “S’mujta me e ndal kohën” (kujtime nga burgu)
Prologu
Kurrë s’e kisha menduar se mund të ikte ashtu papritur. Ndonëse qe 78 vjeç; ndonëse kishte kaluar 17 vite në burgun politik më famëkeq atë të Burrelit e vende të tjera dhe ishte arrestuar në moshë fare të re, dhe falë këtij salvimi të pashoq, postburgu i kishte falur dhe mundimin tjetër njerëzor kërrusjen, dhe po pak vite më vonë (2001) duke marrë shtypin e përditshëm një ditë të acartë dimri, rrëzohet dhe paralizohet në shtrat për 5 vite, por sërish shpirti i tij stoik, nuk e linte rehat të shkruante papushim. Jetimin njëvjeçar, kur e la i ati, duket se e ndoqi fati i keq dhe stërmundimi si prej Jezu Krishti me Gurët e Sizifit në shpinën e kërrusur tërë jetën e tij, deri në ditën e vdekjes.
Më është dhënë rasti ta intervistoj për televizionin lokal para disa viteve në shtratin e ndenjes së përditshme, ndërsa kisha parë si askund një shpirt qëndrese të paimagjinuar. Kishte thyerje në mes, kocka kurrë nuk iu ngjit, por kurrë nuk ankohej. Gjëja më e shumtë që kërkonte ishte që njerëzit e letrave t’i shkonin sa më shpesh aty tek shtrati ku rrinte shtrirë. Kënaqej kur shkonim grup shokësh, dhe kur e sajdisnim me ndonjë numër të ri të gazetës lokale apo librat e rinj të autorëve vendas; interesohej për çdo libër të ri që dilte. Lexonte ditë-natë, sepse ai njeri shumë pak flinte, dhimbja nuk e linte dhe “melhelmin” shpëtues e gjente tek libri, të shkruarit e papushim. Kishte prodhuar nga duart e tij disa libra, madje edhe kur qe i shtrirë në krevat. Poshtë krevatit mbante valixhe të tëra me dorëshkrime. Një shkrim kaq i imtë, në radhë kaq të ngushtuara, një ves i kohës së burgut kur një fletë vlente sa një fletore për krijimtarinë e tij në tregime, novela e poezi etj.
Libri i fundit ishte i tipit memuar, një libër me kujtime nga burgu. Ndue Dedaj, ndër të tjera më kishte lënë detyrën që t’i bëja kopertinën dhe kjo ishte dëshira e tij. Gjithçka e ndodhur para pesë ditësh, ndërkohë që libri kishte mbaruar së shtypuri në GEER në Tiranë, pritej vetëm kopertina. Një pasdite biseduam me të tek krevati i tij, ashtu i shtrirë. M’u bë se ishte më mirë, ndonëse fizionominë e fytyrës dhe atë të shtatit të tij e përcaktonte vetëm kocka dhe lëkura, qëkurse ishte në burg dhe kur doli prej andej. I thashë “qenke më mirë”! Po, – më tha, megjithëse nuk deshi të tregonte se kishte një dhimbje të madhe në mushkëri. Pas 78 vitesh sakrifica, mundimi në qelitë e errëta me lagështi, me myk e të lerosura në burg, me sa dukej kishte ardhur koha e mykozimit të plotë të mushkërive, dhe ato po e linin tashmë. Ndonëse e kishte dërguar librin për botim, vazhdonte të shkruante papushim, ditë-natë, me sa duket e parandjente këtë. Pas bisedës së parë ramë dakort për kopertinën, donte foton e bërë një javë para se të burgosej, ka qenë vetëm 18 vjeç, dhe në anën e pasme një foto që ia kisha bërë duke shkruar po këtë libër në krevat.
Të nesërmen isha tek shtypshkronja për të gjetur disa variante të kopertinës. Fillimisht menduam një ngjyrë blu dhe portretin e plotë, më pastaj e kthyem në kafe dhe me një portret që vinte në sfond. Gjithçka që kujtonte rininë, burgun, dhimbjen njerëzore dhe perifrazimin që sillte në kujtesë vetë titulli i librit “S’mujta me e ndal kohën…”
Pasi ia solla bocetin në mbrëmje tek koka e krevatit, qe i kënaqur me variantin, ndërsa meraku më hante për një speciale televizive në TV A1, gjë që ma kishin rekomanduar dhe të redaksisë së informacionit. Kur ia thashë këtë tregoi gatishmëri, do të filmoja dhe tek Burgu i Burrelit, Spaçit a gjetkë, ndërsa për herë të parë provoi para syve të mij të ngrihej në paterica duke më dhënë fjalën se sapo të shtyhej dhe ca pranvera, do të dilte në një lëndinë aty afër për të biseduar shkoqur rreth historisë së tij. Donte liri ai shpirt i salvuar, dhe intervista në krevat, do të ishte si në një burg. Eci ca metra ashtu ngadalë me çapitje, por u ankua nga mushkëria…
Ndërsa mendonim një promovim dinjitoz të këtij libri me historinë dramatike të një njeriu si ai, krejt papritur ra lajmi se Gjon Mark Ndoj kishte ndërruar jetë. Krejt ashtu papritur dhe në heshtje, si i heshtur që ishte ai. I heshtur kur e la i ati jetim, kur e burgosën, kur e nxorën nga burgu dhe kreu punë të rëndomta, kur e survejonin, kur erdhi demokracia dhe urrejtja nuk i lexohej askund këtij martiri të gjymtuar nga pesha e vuajtjes, e as kur për tetë vite pushteti socialist ia hoqi nga puna një e nga një fëmijët e çfarë kishte në rrethin e vet, por edhe pas 3 korrikut kur pushteti demokrat as që u interesua për fatin e tij dhe të familjes, dhe ai iku ashtu në heshtje pa trazuar njeri.
Por iku pikërisht atë ditë që kishte dalë libri i tij “S’mujta me e ndal kohën”. I miri botues Gjon Jaku, ia solli librin pikërisht sot në ditën e varrimit. Janë 350 fletë libri të shkruara në gegnisht, dëshmi autentike të një të vuajturi politik, që na e la i heshturi “Lal Gjoni”, siç ishte mësuar ta thërriste gjithë Mirdita, janë 350 fletë akuza për një regjim të përbindshëm, por dhe një përmendore sfide të një qëndrestari të pazakontë si ai.

Pjesa e parë e librit “S’mujta me e ndal kohën” i Gjon Mark Ndojt
Në Shkodër
14 qershor 1946. Mbasdite.
Paradite Radio Tirana dha lajmin e bujshëm të vrasjes së Mark Gjomarkajt. Mbasi kreva punë tek dentisti, pak i pagjendje, me këshillë të Nikollit, shkuam në hotelin ku flejshim për t’u qetësue. Po dal me marr gazetën, – tha ai, – kthej shpejt. Në fytyrën e tij dallova një hije të zezë që i kishte ra tue zhduke çdo shprehje gjallnie që ishe mësue ta shof tek ai. Ç’ka ka ndodhë?! – brita i papërmbajtur. Nji çast nuk foli, kapërdinte lotët, – Kanë vra Markun… Mark Gjomarkajn. Zot i madh! – më doli kjo dhimbje e befët. U përmbysa në shtrat e qava. Qava me dënesë. Mbidhe veten! – gjeti forcë me më thanë ai. Kur unë po mundohesha me e mbledhë vedin, përsëriti: po ekzpozohesh, a e din ku je?
Si me ju gjegjë kësaj droje, i zoti i hotelit u shfaq në derë. Kujdes për klentët apo kureshtje… Kush e din. Mbas do kohe u detyrova me gjetë njëfarë përmbajtje, do të ketë qenë kah ora katër e mbasdites kur dolëm. Dita nuk qe zabulluese, freskia e kësaj kohe disi ma lenoi mërzinë. Para “Kafe Parkut” ndeshëm në Ndue Përjakun. Tavolinat ishin pak të zanuna. U ulëm jashtë në lulishtetn përpara. Pa u pyet si zakonisht për veti e familje Ndoj tha: A ba nami. S’ka ma zi! – u gjegj Nikolli. Unë shqyrtosha njerëzit në kalim se me sa dukej kishte pak në shëtitje. Kalimtarë të heshtun shumë me krye ulët. Në ndonji tavolinë kishte me za të naltë e qeshje. Ndonjë fjalë e shprehje që më kapën veshët, ata nuk ishin shkodranë. Kamarieri mori porosinë.
Ndërsa ndiqsha gjysëm i përhumbun njerëzit, më ndali vështrimi te nji oficer barkalec, që me biçikletë përdore po ecte nëpër vendin e lirë në mes tavolinave. Dhe u binda se po vinte tek ne. Desha me iu kallzue edhe atyne, por nuk premtoj koha se ai mbrrini e u ndal para tavolinës sonë. Oficeri ishte nëntoger me gradë, i shkurtë e pak barkalec. Nji fytyrë të gjanë, të kuqe si prej etheve ose pijes. Ndoj u çue, kshtu bamë edhe na. I dha dorën e na tha ne: Dul Rrjolli! Njeni sy i tij na u drejtue se tjetri shifte poshtë si rrmangët. Ftesës së Ndojt për t’u ul iu përgjegj se “nuk kam kohë” e m’u drejtue mue: Ti je mësues në Rrëshen?! Unë pohova. Do të vijsh me mua se të kërkon majori. Nuk tha asnjë fjalë ma tepër, u dha dorën të dyve dhe u nisëm.
Ishim në rrugën që kalon në fund të parkut, pothuej bosh prej njerëzve, kur më pyeti: Sa vjeç je? Tetëmbëdhjetë, i thashë. Dielli tash kish zbrit poshtë. Jo larg prej parkut asht nji ndërtesë trekatëshe me ngjyrë tjegulle e zbehtë, Shpi e Çurçisë, që u ba prej banuesve të rinj tmerri i Shkodrës. Para derës, që ishte dy-tri metra prej rrugës, ishte roja ushtarake i armatosun, i cili gjurmonte në nji hapsinë të ngushtë me kthesa të nji mase. Pak ma poshtë zhurmonte dhe tymoste me gulshe nji veturë e vogël ngjyrë blu. Thërriteshin “Topolino” dhe ishin dyvendëshe. Nëntoger D… pyeti rojen për majorin, ai bani me dorë kah makina. Më kapi për krahu e më tërhoqi andej. Mbasi u afrue dhe u përkul tek xhami tha: E pruna mësuesin e Rrëshenit! Ai u kthye nga unë e më vështroi ngultas. Nji fytyrë e zeshkët në të kuq me tipare të rregullta. Dy sy të gjallë hetues, m’u drejtuen shqyrtues. Qenke i ri, o derzi! – kaq tha e makina u nis. Mue më tërhoq për krahu e u afruen te dera. M’u dha me vrojtue diellin, që edhe pse muri nuk më lejonte me e pa, e përfytrojshe se po skapte tej liqenit.
Për shumë kohë as nuk do ta shifsha, as nuk do ta ndjesha ngrohtësinë e rrezeve të tij. As dritën… U ngjitëm në do shkallë të gurta e të ngushta. Në krye na doli përpara një kapter i madh me nji fytyrë që të dukej babaxhane, por që kishte veti të shndërrohej lehtësisht. Kur D… u zgërdhi e i tha: Merre! Ai fill u vra e me një zgërdhimje tallëse zbardhi do dhambë të bardhë e të mëdhenj… E rregulloj unë si don. Më tërhoq me forcë e në atë koridor të ngushtë u përballëm me M. D. (atëhere shef sigurimi në Shpal), i cili tue u stërkeq, po me zgërdhimje ‘ha: A përfundove ku duhet, o karafil? A u mërzite për Mark Gjomarkajn? E vramë kryekriminelin…! u largue tue llomotitë e t’u qesh. Më kontrolloi e më mori sendet që nuk lejoheshin. U interesova posaçe për sahatin, stilolapsin dhe për bela me ndodhi nji rreth i artë (unazë) e daj Dodës që më mbeti në gisht.
Mandej hapi derën përballë dhe më shtyni mbrenda. E mbylli derën me forcë dhe shuli që futi kërklloi. Hapa krahët, e duert më prekën në mur. Kjo ishte hapësina e qelisë teme, nuk kishte dritare dhe ajrosjen e bante nji hapsinë e ngushtë nja nji gisht bosh në fund të derës mbi çimento. E mora me mend se kishte qenë ndonjë rruginë a WC. Në fund në anën e majtë qe nji derë e ngushtë e mbyllun. Këtë e vuna oroe kur m’u mësuan sytë në terr.
U mundova me ecë… po ku? U ula, u çova, përsëri u ula. Edhe pse nuk ishte ftohët, çimentoja më ftohu. U çova përsëri, hapsina e ngushtë po ma vështirësonte frymëmarrjen. Nuk isha në vete. Tamthat më rrifshin. Zemrën e kisha të ndrydhun. Mërzija që kisha provue ma para po kthehej në disprim. Vuna duart kresë: O zot, o Zot…!
Përgatiti: Gjergj Marku
(Fotoja është shkrepur në vitin 1991 në Qafë Valmiri, duke vënë kurore me lule tek pllakata monumentale e martirëve të gushtit 1949)