back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Hajdari: Shkrimtari i vërtetë është gjithnjë në konflikt…

Gazeta

Gëzim Hajdari 2013 - Studio e tij
Gëzim Hajdari 2013 – Studio e tij

Shkrimtari i vërtetë

është gjithnjë në konflikt me konvencionet e epokës se vet…

Gëzim Hajdari: … (Drita – 2007)

“Poema e Ezilit” Jozef Radi interviston Gëzim Hajdari

“Poema e Ezilit”, (Poema del’esilio)
u botua fillimisht në vitin 2005, nga Fara Editore.
Megjithatë poeti Gëzim Hajdari,
duke e deklaruar se kjo poemë mbetet nji vullkan aktiv,
e ribotoi në një vëllim më të plotë
e më të fuqishëm dy vjet më vonë, në vitin 2007,
përsëri nga Fara Editore…
Kjo intervistë e gjatë,
e botua në gazetën Drita në verën e vitit 2007…
në nji ndër numrat e fundit të saj kur drejtohej nga Shpëtim Kelmendi...
Poema është dygjuhëshe, shqip dhe italisht,
si pothuaj krejt vepra e Hajdarit... jr
.
Poema dell'esilio - Gezim Hajdari - Fara Editrice 2005
Poema dell’esilio – Gezim Hajdari – Fara Editrice 2005

Si lindi poema dhe si u prit botimi i parë i saj nga lexuesit… Poema lindi si një rebelim i ndërgjegjshëm ndaj gjendjes së rëndë dhe të pashpresë në të cilën ndodhet vendi ynë sot, në mijëvjeçarin e tretë. Për të përmbushur kët’poemë, kam shfrytëzuar disa shënime dhe letra që kam shkruar gjatë viteve të fundit, nga ’91 gjer në ditët e sotme. Por, për të qenë më i saktë, ravijëzimi i saj nis qysh në rininë time të hershme, në Darsì; më konkretisht me vëllimin Peligorga, që pritet të dalë së shpejti nga botuesi “Besa”. Janë vite që kanë dëshmuar lindjen e rrëzimin e diktaturës staliniane të Hoxhës si dhe mëkëmbjen e mundimshme të pluralizmit politik në Shqipëri, pas gjysmë shekulli terror dhe izolimi total nga bota. Është një poeme midis pamfletit, ditarit, elegjisë dhe lirikës së denoncimit, e cila synon të hedhë dritë mbi disa aspekte të errëta te jetës politike, shoqërore, kulturore dhe etike të shoqërisë shqiptare, përfshirë në këtë hark kohor nga mistere, tragjedi dhe krime shteti.
Botimi i parë u prit mjaft mirë nga lexuesi italian. Dalja e librit u shoqërua me artikuj dhe reçensa tejet vlerësuese. Kjo gjë me bindi që ta zgjeroj poemën, duke e pasuruar si në përmbajtje dhe në formë.
Ç’është tashti “Poema e Ezilit” për autorin e saj ndërsa ka dalë në qarkullim botimi i dytë i saj? Poema e ezilit është një poemë epike, vazhdim i trupit të krijimtarisë sime, është testamenti im moral, shoqëroro-politik dhe letrar, i cili kontribuon në ndërgjegjësimin kulturor dhe etik të poetëve të rinj. Një homazh për të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetën e tyre në emër të lirisë, duke ëndërruar një të ardhme më të mirë, paqësore dhe me fytyrë njerëzore, dhe, në të njejtën kohë, një aktakuzë për të gjithë ata që janë maskuar prapa këtyre fjaleve fisnike, duke kryer përvetësime dhe mizori të llahtarshme…
Nga botimi i parë te ky ribotim poema është transformuar rrënjësisht! Pse? Botimi i dytë vjen dy vjet pas të parit. Ky botim është më i plotë më i gjerë me – rreth 1700 vargje. Për herë të parë, si element i ri në poemë, hyn kori, i cili i referohet traditës së madhe epike ballkanase. Jo pa shkak, për t’i shtuar edhe më shumë dramacitetin e brendshëm të veprës si dhe frymën kolektive e tronditëse të saj. Kori s’është gjë tjetër veçse një lloj vajtimi për gjendjen në të cilën është katandisur Shqipëria.
Në të njejtën kohë, në Shqipëri s’ka ndryshuar asgjë, përkundrazi, në mjaft aspekte vendi ynë vazhdon të zhytet më thellë në korrupsion dhe në allishverishe të ndyra të një oligarkie, karakterizuar nga luftra të brendshme, të ashpra e të pamëshirshme për pushtet dhe dominim ekonomik. Dhe përgjegjës për këtë hata ekonomike, shoqërore, morale, politike dhe kulturore janë shpesh politikanët e djeshëm/të sotëm, të ndarë në klane të fuqishëm dhe të rrezikshëm, të cilët e mbajnë peng shtetin dhe jetën e qytetarëve.

Gëzim Hajdari
Gëzim Hajdari

A beson se lexuesi i huaj mund ta gjejë veten brenda kësaj poeme të problemeve shqiptare? Sigurisht, poema tashmë është bërë pjesë edhe lexuesve e studiuesve të huaj, të cilët kanë ditur ta thithin në mënyrë inteligjente mesazhin e librit: përçmim për klasën politike të korruptuar shqiptare dhe respekt të thellë për vendin tim.
A nuk do të ishte më mirë të vazhdonit me lirikat tuaja magjike se sa ta deformonit shpirtin nëpër labirinthet e politikës ballkanase? Letërsia për mua – para së gjithash – është jetë, dhe jetë do të thotë impenjim. Si i tillë, shkrimtari s’mund t’i shmanget as jetës as Historisë. Një shkrimtar i vërtetë është gjithnjë në konflikt me konvencionet e epokës se vet. Kjo është një traditë e madhe evropiane që shkon nga Dante tek Brehti, nga Hygoi tek Sartri. Nëse do të kthehemi mbrapa në histori, do të vemë re se në Greqinë antike, Sofokliu ishte një qytetar shembullor dhe i impenjuar, dy herë strateg i Athinës dhe bënte pjesë në gjashtëshen e gjykatësve që krijuan kushtetutën e qytetit-shtet. Në Greqinë arkaike letrari u këndonte ngjarjeve, ndërsa në periudhën klasike letrari fliste para popullit, duke u konsideruar zëdhënes i komunitetit, ngarkuar me një mision qytetar, pedagogjik për tërë qytetarinë, e cila kishte lidhje direkte me të dhe në të njëjtën kohë ishte qytetar, gjykatës dhe këshilltar. Madje edhe në Romën e lashtë, letrari kryente një funksion publik në cilësinë e cives romanus. Ndërsa në historinë moderne, do të gjejmë mjaft shembuj të shquar që vlejnë të përmenden, si Kamy, Foskolo, Babel, Mandelstam, Cvetajeva, Senghor, Césaire, Brodskij, De Moraes dhe shumë të tjerë, të cilët kanë jetuar brenda dhimbjes së njeriut dhe kohës së tyre.
Pjesa më e madhe e këtyre emrave të përmendur kanë qenë dënuar së bashku me veprat e tyre, torturuar, interrnuar, çmendur, dëbuar nga atdheu ose vrarë në mënyrë barbare a vdekur ezileve, pse të impenjuar në luftën për liri, kundër padrejtësive dhe korrupsionit, integralizmit dhe krimeve në dëm të njerëzimit. Pra, para së gjithash, çdo vepër letrare është një akt moral. Më ra mua për pjesë ta shkruaj kët’ poemë, pse “poetët zyrtarë të Tiranës tirane u kanë kënduar vetëm tiranëve dhe s’kanë guximin të denoncojnë kurrgjë, pse vetë ata janë pjellë dhe pjesë e sistemit, e si të tillë janë bashkëfajtorë të një degradimi të gjithanshëm.
Poema mund të qe botuar shumë mirë në shqip, pa i komplikuar problemet në dy gjuhë. Si e gjykoni këtë? Përkundrazi, botimi dygjuhësh e ve në më mirë pah të vertetën dhe mesazhin e veprës, duke e zgjeruar më tej rrethin e lexuesve. Në fund të fundit, unë jam një autor që shkruan paralelisht në dy gjuhe, në shqip dhe italisht, ndaj dhe lexuesi im është dygjuhësh. Përgjegjësia ime si krijues, në krahasim me poetët shqiptarë, është e dyfishtë.
Keni vuajtur zoti Hajdari, ndërkohë që shkruanit poemën? Nuk kisha menduar kurrë të shkruaja një poemë të tillë, që ndoshta do t’i trondisë lexuesit e mi, por duke parë gjendjen e rëndë që po kalon vendi ynë, e kam ndjerë për detyrë qytetare botimin e poemës, në emër të gjithë poetëve-ezilantë dhe shqiptarëve të ndershëm, që ashtu si unë, ndjekin me ankth dhe e jetojnë me shumë shqetësim një situatë të tillë përkeqësuese. Synimi? Të bëj diçka të dobishme për kulturën dhe për të ardhmen e vendit, edhe pse në kushte ekstreme jetese. Vendosa të zhvishem nga manteli i poetit, për të veshur atë të qytetarit të thjeshtë, të një ish eksponenti politik, të kritikut dhe të gazetarit. Efekti i shkrimit të këtij libri ka qenë shkatërrues për mua, më ka tjetërsuar gjuhën letrare e m’i ka mekur mjaft prej atyre vibracioneve që banojnë në skutat më të errta e më të thella të shpirtit tim të dridhshëm. S’kisha menduar kurrë ta ashpërsoja gjer në këtë shkallë linguaxhin tim letrar e të rrëshqisja në kët’ mënyrë në flakët e ferrit që ka pushtuar Shqipërinë; ferr që ka detyruar një milion njerëz ta braktisin vendin e tyre, në pakthim, në kërkim të një fati dhe një jete më të mirë.
Mos ndoshta lirika juaj ka humbur diçka nga fryma dhe ritmi i kësaj poeme… E kundërta, mendoj të ketë ndodhur! Lirika ime ka përfituar shumë nga fryma dhe ritmi i kësaj poeme, pse ajo e pasuron më tej formën, gjuhën, leksikun dhe forcën e fjalës poetike. Dhe jo vetëm kaq, lexuesi, nëpërmjet poemës së ezilit, është njohur me një tjetër krijim të pazakontë, siç e ka quajtur kritika italiane, e cila e ka të vështirë se në ç’gjini ta katalogojë. Kalimi nga një libër në tjetrin duhet gjithmonë ta befasojë e ta magjepsë lexuesin. Çdo libër imi është krejt ndryshe nga ai i mëparshmi. Një poet i vërtetë duhet të rrokë mjaft aspekte në përkorsin e tij njerëzor dhe poetik. Synimi im është të bëj me veprën time një enciklopedi njerëzore me sens universal, ku të dominojë koncepti pozitiv mbi fatin e Njeriut. Ku mund ta gjej veten në të çdo lexues bashkëkohor, i çfarëdo kombësie qoftë.

Shkrimtari Gëzim Hajdari te varri i paraardhësve në Vendlindje
Shkrimtari Gëzim Hajdari te varri i paraardhësve në Vendlindje

Nuk ndjeheni pak i pamëshirshëm në gjithë shtrirjen e poemës. A keni menduar se do të ishte më mirë të mos e kishit shkruar këtë poemë… Mendoj se pamëshirshmëria ime s’e kapërcen atë të Dantes,…, Bodlerit, Floberit apo Nolit. Sufi-të fare mirë mund të shihnin kërthizën e tyre, duke u marrë me mistikë, poezi dhe alkimi, por e ndjenë si obligim moral dhe etik të ngriheshin kundër korrupsionit të pushtetit të epokës; kjo ka ndodhur për herë të parë pikërisht më 821, në Aleksandri të Egjyptit. Mistikët më të mëdhenj të të gjithë kohrave janë persekutuar pa mëshirë nga pushtetarët e korruptuar dhe fanatikë, pse kanë guxuar të denoncojnë publikisht abuzimet dhe spekullimet e qeveritarëve dhe politikanëve: Abu Dharr Gifari vdes në burg, ezilant në Medinë, Dhu’l Nun Misri i shpëtoi dënimit të gjykatësve, Ibn Adham-i vdes ne ezil në Siri. Ibn Karram-i burgoset, më pas dëbohet dhe vdes në ezil, Tostari, vdes në ezil, Al-Farabi detyrohet ta braktisë Irakun, Shuhrardì, pushkatohet. Bistami ka qenë dëbuar disa herë nga vendlindja e tij, Hallaj-in e burgosën për vite me radhë, pastaj i prenë duart dhe këmbët, e godasin me 500 kamzhikë dhe më pas e kryqzojnë. Shtazëria e xhelatëve s’mbaron me kaq, trupi i prerë i mistikut të madh digjet me benzinë, ndërsa kokën e tij e ngulin në majën e një heshte dhe e ekspozojne në urën e lumit Tigri, për dy ditë me radhë.
Ndaj në “botën e përtejme”, martirët e mësipërm, do të më kërkojnë edhe mua llogari, duke më thënë “Çfarë bëje ti kur pushtetarët hajdutë dhe kriminelë shkatërronin vendin e besës?!”
Mos vallë poema është një shfrim i pakënaqësisë ndaj mosvëmendjes së shtetit shqiptar ndaj jush si poet dhe intelektual… Unë mundohem të shkruaj për lexuesin shqiptar, evropian dhe më gjerë; shkruaj për lexuesin e sotëm dhe për atë që do të vijë pas qindra vjetësh. Për shtetin shkruajnë poetët e oborrit. S’kam përfituar asgjë nga shteti ynë dhe nuk pres asgjë prej tij; e kam ngritur korpusin e veprës sime me mund dhe sakrifica thuajse mbinjerëzore. Në jetë më është dashur të rrezikoj në emër të demokracisë (motivi për të cilin jam detyruar ta braktis vendin), të përballoj zanatet më të vështira, duke punuar si punëtor krahu mbi dhjetë vjet. Krahas kësaj më është dashur të mbijetoj, të përballoj studimet, si në Shqipëri ashtu dhe në Romë, të konkuroj me botën, të mposht damkën dhe imazhin e shqiptarit në Itali e gjetkë; t’i imponohem kritikës bashkëkohore me forcën ekspresive të veprës sime, duke shkruar edhe në gjuhën e vendit mikpritës, si shenjë dialogu e ndërveprimi mes popujve dhe kulturave fqinje. Poema ime s’është shfrim personal, por ndihmë për shtetin e së drejtës dhe letërsinë shqipe.
Poema është ndërtuar si një aktakuzë e fuqishme, si e mendoni jehonën në anën tjetër të Adriatikut? Aktakuza ime poetike, përballë vrasjeve, grabitjeve, shqyerjeve, përdhunimeve, dënimeve, internimeve, torturave e pushkatimeve që kanë ushtruar politikanët dhe qeveritarët shqiptarë (komunistë, demokratë a socialistë qofshin) kundrejt popullit të tyre, në gjashtëdhjetë vjetët e fundit, është një hiç. Qëllimi i kësaj poeme është pikërisht demaskimi dhe çjerrja e maskës së pushtetarëve katilë të Tiranës. Besoja se pas rrëzimit të komunizmit enverian do të niste një faze e re demokratike dhe transparente përtej Adriatikut, ndërsa ndodhi e kundërta… Mendoj se lexuesi i kujdesshëm do të dijë ta thithë natyrshëm mesazhin e librit. Kam parasysh lexuesit e rinj pse poema i drejtohet pikërisht të rinjve, të cilëve do t’u sugjeroja: para faqes së bardhë të shkrimit duhet sinqeritet, legalitet dhe ndershmëri intelektuale.
Nëse vepra juaj gjykohet si nxirje e realitetit, o si dëshirë për t’iu bashkuar një kori jo të pakët që flasin keq ndaj Shqipërisë, ju si do të gjykonit dhe si do ta prisnit një gjë të tillë? E përsëris, lexuesi im duhet të jetë mjaft i kujdesshëm. Për mua, kritika është dashuri, patriotizëm. Ndërsa heshtja do të thotë të jesh bashkëpunëtor. Ka qenë pikërisht heshtja dhe bashkëpunëtorët e saj ajo që e ka degdisur vendin tonë në greminë. S’është aspak e vërtet që unë e kam nxirë realitetin shqiptar, janë pushtetarët dhe administratorët shqiptarë ata që kanë sterrosur realitetin shqiptar dhe shkatërruar përfundimisht imazhin e Shqipërisë mitike, duke i krijuar vështirësi të jashtëzakonshme edhe për migrantët që gjenden jashtë atdheut. Gjithë krijimtaria ime s’është tjetër, veçse himn Shqipërisë martire. S’besoj të gjendet një poet shqiptar i gjallë që t’i ketë kënduar këtij vendit kështu.
A e keni menduar se poema mund t’ju krijojë “armiq” në Shqipëri? Ky libër me ka krijuar më shumë armiqësi me veten time, se me Shqipërinë postkomuniste. Sapo dolën në dritë, vargjet e kësaj poeme, u shndërruan në gurë dhe të parit që i’u vërvitën me vrik ka qenë trupi im, duke më hapur vragë të dhimbshme e hone të thella.
Megjithatë, pres çdo gjë nga vendi im, ku mungon kultura demokratike dhe qytetare. Dëshmon për të, qëndrimi histerik dhe shtazarak i shqiptarëve ndaj gazetarit anglez Gill, i cili kohë më parë pat guxuar ta denoncojë mafian shqiptare në shtypin britanik, edhe duke shtremëruar ndonjë të vërtetë. Dhe ky qëndrim s’erdhi nga qytetarë të thjeshtë, por nga njerëzit e penës që klithën hakmarrje, duke kërkuar kokën e anglezit në tepsi. Kjo shpjegohet për faktin se mungon shteti i juridik, veç kësaj, pjesa më e madhe e nëpunsave të kulturës, të masmediave apo të istitucioneve, janë djem dhe vajza të edukuar me frymën e Hijeve të së Kaluarës, karakterizuar shpesh nga intoleranza dhe hakmarrja tribale. Sipas tyre të gjithë ata që mendojnë ndryshe, janë bukëshkalë dhe tradhëtarë, dhe si të tillë duhen ndëshkuar si armiq, barbarisht.

Poema dell'esilio - Gezim Hajdari - Fara Editrice 2007
Poema dell’esilio – Gezim Hajdari – Fara Editrice 2007

Mos vallë poema nuk i kapërcen kufijtë e të qenit tejet subjektive? Në tërë vepren time jam munduar të jem më se objektiv kundrejt problemeve që kanë preokupuar njeriun, shoqërinë, politikën, kulturën dhe mjedisin në të cilin jetojmë.
A mendoni se kjo poemë mund të kontribuojë sado pak në përmirësimin e shoqërisë shqiptare dhe të përmbysë një opinion… Në këtë kohë agonie – për ne shqiptarët – letërsia na shpëton jetën, na ndihmon të mbijetojmë; na mëson se ç’është e bukura dhe e shëmtuara, ç’është lufta dhe paqja, dashuria dhe urrejtja. Letërsia shkund ndërgjegjet, krijon mënyra jetese alternative. Hermetika e Heideggerit, Gadmerit, Derridës dhe e Steinerit, na mëson që të lexojmë një vepër arti si lajmërim i një bote të re, në të cilën duhet të mësohemi të jetojmë. Pra, poezia është impenjim jo vetëm në varg, siç predikojnë poetët oborrtarë të Tiranës, por në Jetë.
Me tone tejet të ashpra i jeni drejtuar intelektualëve edhe majave të letërsisë shqipe… Pse ndodh një gjë e tillë…? Është abuzuar shpesh mbi kët’ term fisnik. Të jeshë intelektual na mëson T. Gartonash, është prirje, jo markë fabrike. Do të thote të jeshë bujar, i ndershëm, të luftosh për të mirën e përbashkët, për lirinë dhe për të drejtat e njeriut, kundër çfarëdo padrejtësie dhe diktature, për rritjen etike kulturorë te vendit tënd. S’kam provuar turp më të madh kur dëgjoj bashkëqytetarët e mi të flasin për intelektualët shqiptarë! Intelektualët e vërtetë shqiptarë përfunduan burgjeve, të pushkatuar, me urdhër të Enverit, ose kampeve. Ndoshta vrasja e poetëve dhe e intelektualëve ka qenë krimi më i tmerrshëm i komunizmit. Ata që duartrokasin tiranët e Tiranës tirane, e humbën rastin për t’u bërë intelektualë të denjë. Ndaj letërsia zyrtare shqipe s’ka maja, ka skërrbydhje, sejmenë, eunukë dhe këngëtarë tiranësh.
Poema është konceptuar në formën strofave pesëvargshe, në të cilin çdo varg i fundit lidhet me ju dhe ezilin. Si ndodhi dhe pse një zgjidhje e tillë? Eksperimentova disa variante strofash, por më në fund zgjodha pesëvargshin, m’u duk më funksional për natyrën e poemës, pse përcjell më mirë mendimin; ndaj parapëlqeva kët’ forme duke e forcuar tejet intensitetin e strofës me vargun e fundit, i cili ka lidhje me ezilin. Kam vendosur të zgjedh ezilin si përgjigje ndaj katrahurës shqiptare. I vetmi vend për të jetuar, tash e tutje, është ezili, si një alternative kundrejt shkatërrimit të atdheut. Jo vetem pse më kanë detyruar ta braktis vendin tim pesëmbëdhjetë vjet më parë, por edhe si një mënyrë të re jetese dhe sfide. Vargu mbi ezilin është një lloj çekani që godet intensivisht në fund të çdo strofe. Vargu i pestë përsëritet nga fillimi gjer në fund të poemës, duke marrë konotacione të ndryshme. Poema dhe kori, s’janë gjë tjetër veçse pjesa tjetër e dyzimit tim. Bashkë me rrokopujën shqiptare ka vdekur edhe një pjesë e trupit tim, dhe pjesa e mbetur gjallë kthehet në një gjykatës që e gjykon ashpërsisht pjesën e vdekur, por përgjegjëse për gjamën e ndodhur.
Çfarë i keni dhënë dhe çfarë prisni prej kësaj poeme! Poemës i kam dhënë gjithçka që meriton një krijim i tillë. Pres reagimin e lexuesit dhe kritikës.
A nuk mund ta konceptonit më poetike frymën e kësaj poeme, në raport ndoshta edhe më të drejtë me botimet e tua të mëparshme… Poema e mërgimit është një libër krejt ndryshe nga librat e mi të mëparshëm, dhe unik në letërsinë bashkëkohore, si i tillë i kam përputhur frymën që i përshtatet.
A mendoni se mund t’i riktheheni sërish kësaj pune… Poema mbetet një libër i hapur.

.
(Botuar ne gazeten Drita, verë 2007)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.