
Gënjeshtra pa kandar të KM, sesi do të jetë Sheshi i Flamurit
nga Gëzim Zilja
Në mbarim të librit: “Mbi betonizimin dhe shkatërrimn e vlerave historike të Vlorës, 2013-2025” po botoj sesi e ëndërronte Kryeministri, Sheshin e Flamurit.
Nëse kini durim vini re megallomaninë, tjerrjen e frazave pa kuptim dhe gënjeshtrat pa kandar sesi do të jetë (ishte, është) Sheshi i Flamurit
Bashkëbisedim i Kryeministrit me qytetarë vlonjatë më 19.02.2021
-Para disa ditësh ju keni deklaruar që do të fillojnë punimet në Sheshin historik të Flamurit. Dua të di nëse gjatë punimeve që do të kryhen në këtë shesh historik do të ruhen vlerat historike kulturore të këtij sheshi apo jo?
Kryeministri Edi Rama: E di që ka pasur disa debate që besoj janë më shumë fryt i mungesës së informimit të plotë për projektin apo i leximit të pasaktë i atyre materialeve të prezantuara nga projekti, sepse rikonceptimi i Sheshit të Flamurit qëllim themelor nuk ka ruajtjen, por vlerësimin sa më shumë të atyre elementëve historikë të atij sheshi. Sigurisht që është pjesa e trashëgimisë në ato godina që i takojë një periudhe historike përpara luftës, është pjesa që ka të bëjë me zonën arkeologjike në shesh, është pjesa që ka të bëjë me varrin e Ismail Qemalit, është pjesa që ka të bëjë me Monumentin e Pavarësisë, është pjesa që ka të bëjë me Varrezat e Dëshmorëve në anën tjetër dhe që me këtë formatim ekzistues të sheshin janë pak të spostuara nga pjesëmarrja në atë kompleks. Është edhe instalimi i 4 topave të famshëm të 4 vilajeteve.
Projekti i ri, jo vetëm që i ruan, por edhe i nxjerr në pah më bukur, duke shtuar edhe të tjerë elementë, që nga tapeti i kuq i gurit apo i mermerit, sepse kjo është çështje e materialeve që do zgjedhin arkitektët, tek tempulli që do shërbejë edhe si strehë për aktivitet të natyrave të ndryshme, por edhe si zonë, për të pasur në fundjavë, siç e kanë shumë qendra historike të Europës, tregun e produkteve të zonës që hapet në fundjavë e më pas largohen.
Sigurisht që do të pasurohet dhe me një element tjetër që deri më sot ka qenë problem më i madh i sheshit, që është ajo karabinaja e madhe e Sulos, të cilën ne e kemi futur në një procedurë shpronësimi, për të prerë kullën që do të asgjësohet dhe për të transformuar pjesën tjetër trekatëshe në një qendër publike me funksione të ndryshme. Duke ju ofruar hapësira të gjitha moshave, me një bërthamë të rrjetit që ne kemi filluar të ngremë, duke filluar nga Tirana, Korça së shpejti, të inovacionit digjital, që do t’i shërbejë të rinjve për të marrë kurse intensive të praktikave digjitale, për të mësuar kodimin, rrugën për t’u përfshirë në tregun online, gjë që është e ardhmja për të rinjtë në aspektin e punësimin, ku krijohet mundësia pa lëvizur nga vendi, qyteti apo fshati ku je. Mjafton të kesh akses në internet dhe ti vetëpunësohesh dhe jep shërbime për të tretë në një treg që sot ka 2,4 milionë vende të lira pune për të gjithë të rinjtë e globit që zotërojnë këto aftësi. Jo vetëm për këtë, por për të hyrë në biznesin e rikrijimit të aplikacioneve e kështu me radhë. Përveç kësaj bërthame, aty do ketë hapësira të tjera për kulturën, artin, më të moshuarit, shërbimet publike. Jo më pak e rëndësishme, mënyra si do rikonceptohet ajo godinë do krijojë mundësi për të krijuar më shumë hapësira të brendshme dhe lidhje me pikat e tjera nga sheshi dhe jo vetëm ajo rrugica e qendrës historike.
Më kujtohet që kur ne bëmë Lungomaren, në fillim pati shumë debat, polemika, kundërshti, por sot Lungomare është hapësirë që ka konsensus të plotë. Kështu do jetë dhe Sheshi i Flamurit. Mendoj që pas përfundimit të këtij projekti, edhe ai që nuk e di se çfarë është ai shesh, që vjen nga jashtë apo vizitor i huaj që nuk e di historinë e atij sheshi, do kuptojë që është në një hapësirë që ka të bëjë me historinë e këtij qyteti dhe do ndjehet si pjesë e hapësirës së një sheshi, siç është Sheshi i Flamurit.
Marrë nga Muri i FB Gëzim Zilja, 31 gusht 2025