back to top
33.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024

Gegnishtja me të knaq kah e lexon… – Letër e Gjergj Fishtes prej Stambollit

Gazeta

At Gjergj Fishta në rininë e tij
At Gjergj Fishta në rininë e tij

Gegnishtja me të knaq kah e lexon…

Letër e Gjergj Fishtes prej Stambollit

I dashtuni Provinçijal,
“Sot më 10 paradite, u çil Konferenca Balkanike në salon të Cermonivet të “Dolmabahçe” – Pallati i Mretënvet. Mbasdite filluem veprimin Komisjonet në “Yldiz” – në pallat ku Abdyl Hamidi pat prit Guljemin e Alemanjes!
Turqit na kanë prit me “salltanet” të madh e fort bujarisht – me u kalue Grekve.
Konferencën e çili Kryetari, Hasan Begu, e posë Kryetaresh të Dërgatavet, foli edhe Ismet Pasha, Kryeministri i Turkis. Kje në mbledhje edhe Ministri i Punëve Jashtme.
Jugosllavët u deklaruan kundra çështjes së pakicave; ndërsa tjerët – mos tjetër me fjalë – folën në favor të bisedimit mbi pakicat. Ndër kto dy a tri dit, ndoshta, ka me na ra me u tërhjekë prej Konferencet.
Nuk gjejë me ta përshkrue madhnin, e sa, ma mirë me thanë: La sontuosita të “Dolmabahçes” e të “Yldizit”. Saloni i Konferencës ishte me të lanë pa mend. Me pa vetëm “lampadarin”! Mandej shkallët me parmakë kristalit etj. Gja qi pernjimend me të çuditë.
Sod, 21, kemi pasë luftë me Jugosllav në komisjonin politik. Mehmet Konitza asht sha keqas me Kryetarin e Dërrgatës Jugosllave e me nji farë Topaloviç… Joviç, Kryetari i Dërgatës Jugosllave, i paska thanë Konitzës, se asht i shtim prej dikujt tjetër me prishë Konferencën. Konitza i paska përmendë punët, qi Jugosllavët kan ba e bajnë mbi Shqyptarë të Kosovës, dhe e paska quejtë barbar. Asht ba kaq potere mbrendë, sa Kryetarit të Konferencës i asht dashtë me pezullua mbledhjen. Mbasi u hap mbledhja rishtas, Konitza deklaroi, se, po s’i muarën Jugosllavët fjalët mbrapa, Dërgata shqiptare do ta lite Konferencën. Edhe Jugosllavët, tue skuzue, muerën, mbrapa fjalët e fyeshme. Njiheri edhe në Komisjon t’Afrimit Intelektual u zuen keqas Bulgarë e Jugosllavë.
Grekët, Rumunët, Turqit e na lypin, qi çashtja e pakicave të rregullohet në ket Konferencë, edhe qi kjo çashtje të përmendet në pakt të Federatës Ballkanike. Jugosllavët janë kundra, ndërsa Bulgarët pranojnë qi kjo çashtje të shtyhet deri sot nji vjetë! Me 23 asht mbledhja e përgjithshme: pale se si po dahena. Shpnesohet se ka me u gjetë ndonji formulë afrimi.
Po s’kjemë të ngushtuem me 23 me lanë Konferencën, sigurisht kemi me shkue n’Ankara; pse ashtu e lypë nji punë, e cila s’kallxohet me letër; por qi në vedvedi ka nji randsi mjaft relative.
Sot kemi vizitue Shën Sofinë, xhamin “blu” e xhamin Sylejmanije, për të cillat mund të thohet se janë pernjimend të bukura. Shën Sofija asht nji mrekulli arti e madhnije. Jam bin kur e kam pa. Dje, masandej patem vizitue muzejt e Stambollit, visaret e Mbretenvet e muzeun e dorshkrimevet të Kuranit – me sa trimijë. Sarkofagu i Lekës së Madhë asht nji mrekulli skulpture. E shka asht për t’u çuditë, se shumica e luftarëvet, ndër “bassoriljevi” m’katër anët, bashin për rreth kresë nji shall krejt si malcorët t’onë! Më kan ba përshtypje të madhe edhe miniaturat mbi dorëshkrime të Koranit, si për shumicë si për bukuri!
Sa për visare të Mbretenvet asht kot me i a nisë me folë.
Mjaft “i vasi”, qi u a kalojnë atyne të Vatikanit në daç për numër, në daç për vlerë; se për gur të pa çmueshm, enë e sende arit, pushkë e shpata të prarueme etje. etje, s’t’i shef syni kurrkund njeti. Ndër ato visare gjinden edhe kryet e krahi i Shën Gjonit Pagzorit veshë n’ari e në gur të paçmueshem. Sende me të lanë pa mend.
Për me pasë nji ide për shka asht Yildizi, asht mjaft me të thanë, se në gjith Shqypninë – a ma në gjithë Shqypninë – s’e ke nji salon ma të bukur se oda e “Ypsilonit”… e Yildizit, e k’ta në kat të poshtëm.
Sonde na ka qitë nji kafe Universiteti.
Na kishim ndejë në paradë kund nja njimijë boiskaut(?), ndër të cilët kishte kenë rreshtue edhe nji çetë varzash 16-17 vjetshe edhe ma të mdha- në Stambollë! S’shifet burrë me fes në krye as grue e mërtisun. Der më sod kam pa veç nji hoxhë me çallme, por kishte edhe gjyzlykët… Ndryshimi prej kohës së kaluese asht kolosal.
U kënaqa tue pa – të thuesh – me qindra vaporresh kahë shkojnë e vijnë nëpër Bosfor.
U falem me shendet të gjithve.
Gjergji

Stamboll, 20.10.1931.
Marrë nga muri i FB i Moza Cerga Cico, 14 qershor 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.