back to top
17.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Maj, 2026

Gegnishtja, ka liru tokën tonë para se me pas shtet – nga Lisjana Cali

Gazeta

Mehmet Elezi - Gegnishtja e Standartizueme
Mehmet Elezi – Gegnishtja e Standartizueme
Gegnishtja, ka liru tokën tonë para se me pas shtet
nga Lisjana Cali

Kur ndigjoj diskutimet sterile nëse “lejohet” apo jo me u folë gegnishtja në parlament, m’vjen nji buzëqeshje e hidhun. Si mundet njeriu me i vnu “gardh” gjuhës që ka lëru tokën e këtij vendi para se ky shtet me pasë nji vulë, nji zyrë apo nji flamur?
​Nuk ka asgja ma fisnike sesa me dëgjue nji përfaqësues të popullit t’i drejtohet foltores me atë tingull që i ka dhanë jetë shpirtit tonë ndër shekuj. Nuk ka asgja të gabueme me folë gegnisht në shtet, përkundrazi, asht nji nderim që i bahet historisë.
Prej zanafillës së shkrimit shqip e deri n’ditët tona, gegnishtja ka kenë gjuha e meshtarëve, e trimave dhe e intelektualëve që i dhanë dritë këtij kombi.
Kujtojmë se dikur, në parlament, gegnishtja asht ushtru prej burrave si At Gjergj Fishta apo imzot Fan Noli, që me nji shqipe t’naltë e t’kullueme, ndërtuen themelet e këtij shteti
Gjon Buzuku, foli gegnisht. Ai i dha Shqipnisë pagëzimin e parë të shkruem në gegnisht, duke themelu në kët mënyrë dhe veprën e parë të gjuhës shqipe me “Meshari-n” (1555)
Ma vonë Pjetër Bogdanin foli gegnisht, ai asht konsiderue “babai i prozës”. Vepra e tij “Cuneus Prophetarum” asht nji monument ku gegnishtja merr nji shkëlqim filozofik e teologjik të paparsëritshëm.
​At Gjergj Fishta po ashtu foli dialektin e bukur geg.
Me “Lahutën e Malcís”, Fishta e bani gegnishten gjuhë të perëndive dhe të trimnisë, duke përshkrue si askush tjetër jetën e malisorëve tanë.
​Ndre Mjeda, e foli e knoj aq ambël gegnishten.
Ai tregoi se gegnishtja nuk asht vetëm “e rreptë”, por edhe jashtëzakonisht melodioze dhe e kullueme.
​Migjeni, figura rebele, me “Vargjet e Lira”, ai solli frymën e qytetit dhe t’mjerimit. Gegnishtja e tij asht e thame, e fortë dhe goditëse, tue thye çdo rregull të vjetër artistik.
​Ernest Koliqi, mjeshtri i tregimit shkodran dhe i shpirtit të maleve. Ai e përdori gegnishten për me pikturue psikologjinë e njerit tonë, me nji stil modern e plot elegancë.
​At Zef Pllumi rrëfeu të tan jetën e vet në gegnisht, me veprën “Rrno vetëm për me tregue”.
Ai dëshmoi tmerret e diktaturës përmes nji gegnishteje të gjallë e plot shpirt, që t’prek deri n’palcë.
​Martin Camaj, edhe pse në mërgim, e ruejti dhe e naltësoi gegnishten deri n’nivelet ma t’larta akademike e poetike, tue mbetë nji urë lidhëse me Europën.
​Anton Pashku, përfaqësuesi ma i madh i modernizmit në Kosovë, i cili e lëroi gegnishten me nji mjeshtri t’veçantë në tregimet e tij eksperimentale.
Me shkrue a me fol në gegnishte asht me mbajtë gjallë nji pasuni që na lidh me t’parët dhe me vetë rrënjët e kombit tonë.
Pse sot na qenka “mëkat” me folë gjuhën e t’parëve?
Për ma tepër, nuk janë vetëm tanët që e kan ndje në të folunën gege.
Ka disa emna të mdhenj të shkencës botnore që kanë mbetë të mahnitun prej gegnishtes dhe e kanë studiu me nji përkushtim që duhet me na ba krenarë.
Kjo tregon që gegnishtja nuk asht vetëm “e jona”, por asht nji pasuri e krejt njerëzimit.
​Nuk mundet me u shkrue për gegnishten pa përmendë kanadezin Robert Elsie.
Ai ia kushtoi krejt jetën letërsisë shqipe, sidomos asaj gege. Elsie thoshte se pa gegnishten, letërsia shqipe humb nji pjesë të madhe të misterit dhe forcës së saj.
Ai ka përkthye “Lahutën e Malcis” në anglisht, duke u tregue botës se si nji dialekt mundet me mbajtë peshën e nji epoke të tanë.
​Norbert Jokl, Albanologu që vdiq me emnin e shqipes n’gojë
​Ky dijetar konsiderohet nji prej baballarëve të albanologjisë. Ai e studionte gegnishten me nji imtësi të jashtëzakonshme, duke e cilësue si nji “fosile të gjallë” të gjuhëve indoeuropiane.
Për të, gegnishtja ishte çelësi për me kuptue se si kanë folë njerëzit n’këtë kontinent mijëra vjet ma parë.
​​Nji gjà që dijetarët e huaj si Gottfried Leibniz apo Franz Bopp e kanë vlerësue te gegnishtja asht paskajorja (me punue, me shkue). Ata thonë se kjo formë e bën shqipen nji gjuhë moderne dhe shumë të pasur, njashtu si anglishtja, apo italishtja.
Pa këtë formë, gjuha humb nji dimension të tanë të mendimit filozofik.
Kur nji i huaj harxhon jetën tue studiu “Paskajoren” tonë apo vargun e Fishtës, si mundemi ne me ndejtë duarkryq e mos me e folë me kranari në shtëpitë tona e në kuvendet tona?”
​Gegnishtja si gjuhë e kodit, kujtoj faktin që Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka habitë juristët e botës, asht i shkruem dhe i jetuem në gegnisht. Nuk mundet me u kuptue drejtësia e malësorit pa e ndie fjalën ashtu siç asht thânë fillimisht.
Me folë gjuhën e t’parëve me kryet nalt, tregon nji kulturë të thellë e nji rraji që s’tundet.
Qytetaria nuk matet me sa mirë e imiton nji normë të shkrueme n’letër, por me sa rrespekt ke për historinë që mban mbi shpinë. Kur nji malësor i Nikaj-Mërturit flet lirshëm gegnisht, ai po tregon se asht trashëgimtar i nji gjuhe që i ka mbijetue perandorive.
​Asnji dialekt n’botë, asnji rregull gjuhësor, nuk e plotëson frymëmarrjen tonë si gegnishtja. Ajo asht gjuha ku fjalët dalin prej shpirti pa pasë nevojë me i “përkthye” brenda vetes.
Të folurit gegnisht nuk na ban ma pak qytetar, asht nji e vërtetë e madhe që qytetaria nuk asht “uniformë” gjuhësore.
Diversiteti mes gegnishtes dhe toskërishtes asht pasunia ma e madhe që kemi, asht sikur me i kërkue nji kopshti me pasë vetëm nji lloj luleje.
Asht gjuha që t’lejon me qenë vetvetja. Kur flasim lirshëm, pa ndrojë e pa drojën se “po gabojmë”, ne po tregojmë se jemi njerëz të lirë.
​Nuk ka asgjà ma qytetare sesa me qenë origjinal. T’i flasim zyrtarët, t’i flasim tregtarët, t’i flasim miqtë tanë toskë me ambëlsinë e me forcën e gegnishtes. Sepse n’fund t’fundit, asht pikërisht ky diversitet që e ban Shqipninë nji kopsht t’bukur.
Prandaj, kur flasim për gegnishten në parlament, në shkolla apo në jetën tonë publike, ne thjesht kërkojmë të drejtën me marrë frymë me të dy mushkëritë e kombit tonë.
​Gegnishtja nuk asht nji relikt i së kaluemes që duhet me u ruejtë në muze, asht nji organ i gjallë që vazhdon me rrahë në zemren e çdo shqiptari që e ndjen veten trashëgimtar të Buzukut e të Fishtës. Me e mohue këtë gjuhë në emën të nji uniteti artificial, asht me i prè rrënjët pemës tonë të përbashkët.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.