
Gabimet e Përgjithësimit të Shqipërisë nuk ndalen
nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Shqipëria nuk është e bashkuar, ndaj ajo duhet lënë e paprekur. Nëse Shqipëria bashkohet ajo do të bëjë vetëm punë të mira. Që të mos e bëjë këtë, përpiqen armiqtë e saj.
Të përgjithësosh Shqipërinë si duke u nisur nga e mira, apo nga e keqja është një gabim logjik me pasoja negative praktike.
Në këtë rast, me “mandatën” “Mirupafshim Shqipëri” duket se Lea Ypi e “dënon” Shqipërinë duke i thënë “Ti nuk më meriton” (T’i kam lënë në derë). Këtë mund ta thotë ndonjë princ i huaj, por jo një shqiptare. Shqipëria duhet lënë jashtë diskutimit. Le të merremi me analizën e disave brenda dhe jo me të gjithë.
Ky lloj reagimi që bën sikur do të japë kontribut dhe shpërndahet masivisht nga media dhe, brenda disa ditësh, thotë “Mirupafshim Shqipëri” duket është një lopatë më shumë (një gozhdë tjetër) në varrin e hapur që ka emrin “Dekurajim shqiptarësh”. Pak e ndan nga deviza e Erion Velisë “…djemtë shqiptarë janë zdromsa komplet, ndërsa vajzat janë të ftillume” (Top Channel, shtator 2018)

I njëjtë dëm edhe nga e kundërta “krenaria boshe” (e tepruar, e përgjithësuar). Të heq, të poshtëron, të vjedh Edi Rama, thonë “Më hoqi Shqipëria”, “Më poshtëroi Shqipëria”. Të poshtërojnë (pa të drejtë) disa, thonë “Më poshtëroi Shqipëria”. Të vjedhin gjykatësit, prokurorët, policët, administrata thonë “Më vodhi Shqipëria”.
Shqipëria dhe shqiptarët si të tillë (të përgjithësuar) duhen lënë pa prekur. Që kjo të ndodhë, pra të mos dëmtohen, duhet që tek Shqipëria të mos futet vetëm koha që jetojmë (një pjesë) por e gjithë historia e saj, të gjitha trojet etnike, të gjithë shqiptarët kudo që janë e në çdo kohë, të çdo klase, besimi, krahine, formimi, të gjitha ngjarjet, të gjitha tiparet, meritat dhe dështimet. Atëherë do të kuptohet se është e pamerituar “Mirupafshim Shqipëri”.
Ne e dimë çfarë e shkakton këtë. Shqipëria kryesisht fajësohet për “mosreagim” si grup dhe kjo është e vërtetë, por e vërtetë është që ky tipar është pasojë e objektivit të politikës “përça e sundo” të ndjekur nga karteli i partive kryesuar nga Partia Socialiste (e Leas) dhe pasohet nga PD, LSI, PL dhe tani shtuar me Mundësia.
Produkti kryesor i dëmit (dhe objektivi kryesor) është dëmtimi qelizor i bashkimit të shqiptarëve, në atë mënyrë që ata të mos jenë të aftë të bëjnë Opinion Publik.
Lea Ypi dhe shumë “mallkues” të tjerë e trajtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët sikur janë të bashkuar (rreth së keqes). Nuk janë të bashkuar, pra janë të dëmtuar dhe, meqë janë të dëmtuar, nuk mund t’ua shtosh dëmin me fjalët “Mirupafshim Shqipëri”.
Për Lean dhe të tjerë të mërzitur, vlen shumë kjo poezi e Ernest Koliqit “Studentit bursist” (që studioi jashtë)

“Studentit bursist” – nga Ernest Koliqi
Ti qi na e ndien vetveten
n’vend t’yt-et i mërguem
tue shetitë udhash lodhshëm
si t’ishesh i randuem
mbi sup nga pesha e ‘i bote
mendimesh s’reja e t’nalta
qi s’mund kuptoj’ Shqiptare,
le me gjallnue ndër balta;
ti qi nga tryeza e kafes
rrethue me miq qi t’gjasin
shan zakonet arbnore
dhe vrret: – S’do lejshem çasin
me ik’ po t’kisha mjetin
t’largohem për gjithmonë;
ti q’ushqen aq dëshirë
t’mdhaja sa toka e jonë
t’qitet e ngushtë, e vogël
dhe’e errt’ si burg mizuer
ku t’thahen trut’ qi t’thithen
nji qytetnim epruer;
ti qi dridhesh n’lakmime
udhtimi n’çdo ndrrim stine
edhe fshan: “Ah kish t’mujshem
m’e lan’ kët vis qelbsinë,
me kthye n’qytete t’verit
ku rrëshqet n’lëvizje jeta
dhe dita asht e qindisun
me mirakande t’leta,
me bisedime t’holla,
me valle e me muzikë,
me sendet ma të bukra
qi mendja e njerit çpikë,
kish t’mujshem m’u larguemun
nga amtija e ksaj Shqipnije,
nga kjo moçale e turbullt
ku njerzt s’jan’ njerz por hije,
ku s’njifet dija as hatri,
ku s’vlejn’ përftime t’gjana,
ku jam i dnuem me ndejun
përzie me trashamana,
tue lshue fuqit’ mendore
m’u ndryshkun pse veprimi
n’kto dhena t’verbta e t’vobta
për mue s’ka far’ kuptimi -;
ti, qi ndër shprehje t’tilla
mërzin vjen tue përmbledhun,
mendo kush n’tru t’pajisi
me arsim t’rrallë e t’zgjedhun,
mendo se s’je djal’ lordi
shkollue me pare t’tueja,
por fryti i djersës s’popullit
t’dërgoi ndër shkolla t’hueja.
Për ty dhetar’t dhetuene
drithin, si mirë e maten,
e bulku për mësim tandin
rralloi n’shtëpi kafshatën,
malsorit iu muer dhija,
taksën pagoi puntori,
tregtari dhe, gjithkushi
pjesën e vet e nxori;
e t’gjith pa ankim me andje
kët randim e kan’ bartë
me t’ndihun qi t’marrish
n’dhè t’huej dije të naltë,
pse ushqejshin n’shpirt uzdajën
se ti n’vend t’parve kthye
do t’bajshe dit ma t’mira
n’qiellet tona me shkëlqye.
Ah, nuk menduene t’shkretit
me t’pa kshtu tu’u tërhuzë,
se at vis qi derdhi djersën
me t’mbajt’ ke me përbuzë,
se n’vend ta dikojsh dijen
për m’ia letcue mjerimin,
do t’turfullojsh mërzitshëm
tue dëshirue largimin!
N’mos e merrsh ti n’kët popull
kush do ta marri at barrë,
me ia ndritue padijen,
me shndoshun smundje e varrë
qi n’shpirt i lane shekujt
e territ e t’robnis,
ndër ta me ngjallun shpresën
n’agime t’ardhmënis,
me i nxjerrun sharte tjera
ma t’gjana e t’drejta jete,
mbi male e vrrije e fshatra
sikur edhe n’qytete?
Mos humb n’ankime t’kota,
por ço synin me kqyrë,
mbi mjegull t’egoizmit
qi t’kapërthei, ç’detyrë
ka djelmënija arbnore
ndaj kët popull fatmjerë
qi dha, flijoi e priti,
po fryt s’pau kurrnjiherë.
Eja t’i thejm’ djerrinat
edhe ta zgjojm’ prendverën
n’kto vise kaq t’shkretnueme;
eja ta mbushim erën
me ethet e veprimit
qi sjell shndet e lumni
e lavd e dritë e frymën
e t’bardhës qytetni;
eja ta ndrrojmë ankimin
n’nji hymn uzdaje, eja
t’ndërtojm’ përmbi gërmadha
falëtoret e reja,
ku me vallet e moçme
ta qarkojm’ çdo therore,
me vllaznit ma t’përvujtun
t’kapun lirisht përdore;
eja t’i falim lule
edhe jetës shqiptare,
t’zgjojm’ n’te qejfet e lehta,
mirakandet bujare,
ngjyret e gjalla, jonet
e bukra, drandofillet
e gzimit ndër të cilat
jeta e përjashtme shtiellet,
e atbot’ dhe toka e t’parve
shpirtin ka me na knaqë:
na t’rijt’ atbot’ ndërgjegjen
duhet ta kemi n’paqë.
Veç kshtu mundin ktij popull
ti mundesh m’ia shpërblye:
përndryshej tash t’vret djersa
qi qe dikue për tye.
Ernest Koliqi
Mirupafshim Shqipëri!
Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, t’i kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh, ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, t’i mbushet mendja se mbase diçka është.
Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për t’u parë në sy e për t’u përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës – të gjitha këto i mbaj me vete.
Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e ka në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.
Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time.
Lea Ypi (status 7 janar 2026)