back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Frika – tregim nga Ramiz Gjini

Gazeta

Ramiz Gjini
Ramiz Gjini

Frika

tregim nga Ramiz Gjini

Kur barbarët u dhanë në portën e madhe të oborrit të Lef Kukës, ky i fundit, doli nga dera e pasme dhe arriti të futej e të fshihej në qilar.
Qilari, qe ndërtuar ngjit me ahurin e bagëtive dhe hyrjen e kishte disi sekret. Kur hapej dera e ahurit, fleta e derës, bllokonte atë të qilarit.
Për të hyrë në qilar, duhej të hyje piksëpari në ahur, pastaj të mbyllje derën. Por, edhe atëherë, për njerëz që nuk e dinin, qe vështirë ta gjenin hyrjen, pasi brenda ishte gjithmonë errësirë e plotë. Për ta mbrojtur ahurin nga hajdutët, dy dritaret, qenë zënë me plitharë, dhe, nëse dera ishte e mbyllur, asnjë rreze drite nuk depërtonte aty brenda.
Lef Kuka, u struk i fshehur në qoshen më të errët, prapa një vozi vere. Sipër vozit, gjendej lëkura e tharë e një lepuri të madh, të cilin, ai, e pati vrarë vite të shkuara. Aso kohe, – kishte qenë e premte si sot, – ai qe kthyer nga kodrinat me gjahun mbi sup, e kishte ulur në tokë mu në sheshin e katundit dhe ua kishte treguar të gjithëve sa u ndodhen aty, duke demonstruar një krenari prej gjuetari me zotësi të madhe. Dhe kishte hak: askush në katund, nuk pati mundur të vriste një lepur kaq të madh sa ai që vrau Lefi.

Tashmë, i fshehur prapa vozit, ia ndjeu asaj lëkure erën e gjakut të tharë dhe i erdhi për të vjellë. Kurse nga jashtë, atij i kapi veshi, britmat e çjerra të Danjushës, nuses së vëllait, para së cilës, barbarët shkonin në thikë të shoqin e saj, Gjegjën, – vëllain e vogël të Lefit.
– Jam në vatanin tim…, – u thoshte Gjegja të huajve, – Në shtëpinë time….
Në vend që të dilte, Lefi u rras edhe më tepër në skutën e errët dhe ra në një gabim fatal, për të cilin, jo në këtë jetë, por në atë tjetrën, do të pendohej rëndë: iu lut Zotit, që të mos hapej dera e qilarit.
Pastaj, zëri i të vëllait erdh’ e u shua derisa shpirti i tij u ngrit në qiell.
Atë çast, dikush e pështyu në kokë Lefin.
Kur ktheu sytë lartë të shikonte kush qëndronte mbi trarët e tavanit, një tjetër pështymë i ra në fytyrë.
Jashtë binte shi dhe çatia pikonte.
Baptima e hapave të një njeriu, që afrohej drejt ahurit, teksa tërhiqte zhakthi një tjetër, e bëri Lefin, t‘i rrihte më fort zemra. Pastaj, kur dera e ahurit u hap duke bllokuar atë të qilarit, ai ndjeu dihatjen e rëndë të një mashkulli, kërcënimet e tij si dhe të qarën e mbytur të Danjushës, teksa i lutej të huajit, që për hatër të zotit, ta falte.
.

Ramiz Gjini - Rrëfime në Hije -Tregime
Ramiz Gjini – Rrëfime në Hije -Tregime

Vetëm një metër larg, matanë murit që i ndante, i huaj, shfryu gjer në fund epshin e tij mbi nusen e të vëllait.
Lef Kukës, erdh’ e iu rëndua aq fort zemra, sa iu bë si gur i thyer varri. Kurse frika, gjithnjë e më tepër, si një merimangë e madhe skutash të errëta, vazhdonte ta mbështillte me fije të holla e të forta, derisa ai, e pa vehten të mbyllur si krimbi brenda pezhishkës.
Pastaj, barbarët, i nxorrën nga ahuri të gjitha bagëtitë: kalin, dy qetë, lopën si dhe tufën e deleve.
Pak nga pak, zërat e tyre urdhërues dhe klithmat e banorëve të pafajshëm erdhën duke u fashitur. Atëherë, atij iu ndez një shpresë, që Zoti, vërtet ia kishte dëgjuar lutjen dhe dera e qilarit nuk do të hapej.
Kur nata iku bashkë me tmerret, ia behu mëngjezi. I paqtë e me një diell të shndritshëm, që i bëri gjallesat të zhurmonin hareshëm. Jeta gëloi natyrshëm si rrjedha e një uji të ëmbël, që del nga nëntoka për t’iu kthyer edhe njëherë bimësisë nga rrënja në gjethe.
Lef Kuka, provoi të lëvizte, por, kurrësesi, nuk mundi. Nuk kishte as këmbë, as dorë, madje as edhe një muskul në trup, që të mund ta vinte në lëvizje.
Sa shumë deshi atë botë Lef Kuka, që të vinin ta gjenin.
Kushedi sa herë, ai dëgjoi hapa dhe zëra njerëzish që i njihte. Madje në një rast, ata hynë edhe në ahur për të parë mos kishte mbetur aty ndonjë bagëti, por, as që e morën mundimin për të hapur derën që të fuste në qilar.
I dërrmuar shpirtërisht, atij iu pak aq shumë fryma brenda pezhishkës, sa nuk mundi të nxirrte as edhe një tingull nga goja.
Dhe, kur koha rrodhi e zërat erdhën duke u dëgjuar gjithnjë rrallë e më rrallë, vetëm atëherë, ai u kujtua, që i ishte lutur Zotit, të mos hapej ajo derë.
Dhe mbylli sytë që të vdiste.

.
Marrë nga Muri i Fb i Agron Tufës, 4 maj 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.