Fretnit Shqyptarë – poezi nga Dom Aleksandër (Lekë) Sirdani

Gazeta

Dom Lek Sirdani (1891-1948)
Dom Lek Sirdani (1891-1948)
Fretnit Shqyptarë
Poezi nga Dom Aleksandër (Lekë) Sirdani

Me zhgun i veshun, në litár i njeshun,
E kambësh i zdathun e në buzë i qeshun,
Âsht frati i dashtun – frati shqyptár
Krejt në zêmër ár.

Në qelí të përvujtë e kalon jetën,
E me pendesa e mundon vehten,
Nuk âsht për veti, për tjerë unjí
Të tanë dashtuní.

Oh! jo në plogtí nuk i shkon dita!
Janë fretnit t’onë porsi petrita,
N’uratë e msime u kalon moti
Te robi e Zoti.

Kto flakë për fé, për atme flakë,
Të përvujtë e t’ambël, edhe idhnakë
Kundra anmiqve fretnit shqyptárë
Janë të rrebtë ajár.

Nën hije të paqta rritun të kuvendit,
Kan’ në loçkë të zêmrës balçmin e shendit,
Janë të tanë vllazën me dashtní njitun,
Lakmí me të qitun.

E veprat e tyne porsi rrathë árit
Shkëlxejnë e ndrisin sŷve shqyptarit,
Janë porsi rreze qi në qiell lshon hana
Në hapsina të gjana.

Lumní i apin fésë e atdheut,
Të rrebtë fatosa e burra të dheut:
S’e topitë penda kundërshtare
Kët çetë luftare.

Ndër lule të zgiedhuna po më ndalet sŷni
Mbi At Gjergj Fishtën poet i yni,
Qi ushqej e rriti në Lahutë të Malsís
Shkndín e lirísë.

Vjollcë e përvujtë me ambëlcí
Dhe At Vinçenci për bukurí,
Tue lujtun harpën për mote të larta
Dha vepra t’árta.

Fretën (françeskanë) shqiptarë
Fretën (françeskanë) shqiptarë

Shkrimtár i vlershëm Patër Antoni,
Din si â burrnija, si âsht zakoni:
Me daltë me i gdhênun dó në shpírt të shqyptarit
Me shkrojla árit.

E At Justini me të madhe imtí
Tue ‘himun shqypes në mâ të thelltin gjí,
Na mson m’e njoftun kët shqype nânë,
Me Orë e Zânë.

Si heroina e si kreshniku
Te At Marini, i madh besniku,
Shkëlxejnë e ndrisin në dritë të historís
Burra të Shqypnís.

Në folklore i njoftun, Atë Bernardini,
Mbledhë lule të bukra kah Dukagjini
Si bletë e censhme punon përherë
Ky frat me vlerë.

E tjerë sa uji qi ka fretnija,
N’urtí të pikatun edhe kah dija:
M’ e shkrimun vehten të tanë janë pëërbé
Për Atme e Fé.

Oh! mure shêjte, ledhe kreshnike!
Mbi çdo banesa jeni fisnike,
Sa të ndrisin dielli mbi kët Shqypní,
U kjoftë lumní!

Bogë, Dukagjin 01, 01, 1937
-Shkrue prej Dom Aleksandër Sirdanit me rastin e 75 vjetorit të Kuvendit të G’juhadolit (Shkodër)! Shoqnia Bashkimi 1899

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit