back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Françesko Krispi qe shqiptar i cilësuar Dr. Denisa Tare

Gazeta

Francesco Crispi (1818-1901)
Francesco Crispi (1818-1901)
Fatos Vogli
Crispi, qe kryeministri i parë i Republikes Italiane.
Sipas thënies së tij lapidare, u ndërtua edhe Italia e mëpasme:
“Të bëjmë një Itali të fortë, të zhvilluar e krenare
që të mos u shtrihet nën këmbë shteteve të tjera!”
Pak a shumë kjo qe thënia ku u bazua edhe shteti i ri italian.
Dhe Crispi qe ai që i dha rëndësi Italisë si shtet…
 
Blerim Kasa
Crispi qe një mik i respektueshëm i Xhuzepe Garibaldit…
Që në librin e tij të parë, “Gjatë mundimeve e luftrave për pavarësinë e Italisë…”
një kapitull ia dedikoi shqiptarëve arbëreshë,
i cili me 1900 luftëtarë besnikë që pati Garibaldi
në Luftën për Bashkimin e Italisë,
pothuaj 100-120 luftëtarë ishin arbëreshë,
që e ndoqën deri në Bashkimin e Italisë,
e ku 10 prej tyre u sakrifikuan për këtë Bashkim.
Dëshira e Garibaldit, mbas Pavarësisë së Italisë,
qe që kryeministër dhe disa ministra, të ishin arbëreshë,
në respekt për besën që ato i dhanë!
Crispi qe njeri i suksesit të Bashikimit të Italisë!

Françesko Krispi qe shqiptar i cilësuar

nga Dr. Denisa Tare

Shqipëria me pozitën e rëndësishme që zinte në Ballkanin Perëndimor, në detin Adriatik dhe mbi kanalin e Otrantos, kishte tërhequr prej kohësh vëmendjen e fuqive evropiane. Një ndër fuqitë më të interesuara ndaj Shqipërisë ishte Italia, interes që ishte shfaqur prej kohësh që me bashkimin e saj. Shqipëria gjithnjë e më shumë po kthehej në boshtin e politikës italiane. Qarqet sunduese italiane synonin të vinin dorë mbi Shqipërinë dhe detin Adriatik dhe ta kthenin në një det italian. Epoka e të madhit Garibaldi duket se kishte përfunduar dhe kishte marrë me vete premtimet për një ekspeditë ballkanike në ndihmë të popujve ballkanikë. Ngjarjet në Ballkan dhe nevoja e Italisë për të rifituar disa nga viset që kishte humbur në gjirin e Venecias dhe të gjitha ato që kishte pasur në “mare nostrum” e detyruan të formulonte një politikë kundrejt Shqipërisë.
Francesko Krispi qe nismëtar i kësaj politike. Ai ka dhënë një kontribut të madh në rritjen e prestigjit të Italisë dhe në realizimin e projekteve italiane. Francesko Krispi ishte nismëtar i politikës italiane në Ballkan, Krispi ishte njeriu më popullor i Italisë së fund shek XIX. Jashtë vendit krahasohej me Bismarkun dhe Meternikun. Lindi në Ribera të Sicilisë, në 1819, dhe jetoi një kohë të gjatë në fshatin Palazzo Adriano (Sicili). Krispi qe nga një familje e madhe shqiptare. Eshtë provuar nga dokumentat dhe traditat shqiptare të ruajtura që familja e tij ka origjinën nga Shqipëria. Ajo ka emigruar në Itali pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Palazzo Adriano (Sicilia)
Palazzo Adriano (Sicilia)

Në 1467 gjendej në Sicili, dhe në 1482 u vendos përfundimisht së bashku me familje të tjera shqiptare në Palazzo Adriano, provincë e Palermos. Puna e tij e bëri një nga më të fortët e më të mëdhenjtë e Italisë së Lirë dhe të Bashkuar. Kontributi i tij edhe sot vlerësohet në rangjet e kolosëve të Italisë. Ndoqi studimet e para në kolegjin Italo-Albanese në qytetin e Palermos dhe në 1841, u shkrua në Librin e gjykatave të Napolit. Krispi punoi si avokat, por qe pjesëmarrës aktiv në lëvizjen revolucionare të drejtuar kundra Burbonëve. Themeloi gazetën “Apostulli” me prirje maxiniste dhe njëherazi u zgjodh deputet i Palermos. Krispi ish tenxitës, përkrahës i ekspeditës Siciliane dhe forca themelore në qeverinë e Garibaldit. Në 1860 Krispi u zgjodh deputet i Parlamentit Italian. Pas zgjedhjeve të 1877, Krispi u zgjodh president i Parlamentit Italian në shkurt 1891, dhe e rimori sërisht vendin e Kryeministrit nga 1891-1893. Krispi udhëhoqi për 8 vjet me rradhë qeverinë italiane. Ai kreu një politikë të jashtme në favor të Italisë dhe frikësoi Francën, sepse realizoi një aleancë tripalëshe Itali-Gjermani-Austri. Kjo bëri që Krispit t’i kthehen shumë toka italiane të banuara nga Italianë në Francë. Kjo politikë e ndjekur nga Krispi po e bënte Italinë një fuqi të madhe evropiane. Politika e jashtme e Krispit favorizonte rritjen e prestigjit të Italisë. Kriza Lindore, e cila preku dhe Ballkanin, po zgjerohej dita ditës. Kriza lindore cënonte edhe Shqipërinë, e cila në këto vite u bë prè e politikave të fuqive të mëdha. Por çfarë qëndrimi mbajti Francesko Krispi ndaj Shqipërisë në këtë periudhë? Qëndrimi i Krispit ka qenë kontradiktor në lidhje me Shqipërinë dhe ka patur mjaft diskutime për vetë figurën e Krispit dhe rolin e tij ndaj Shqipërisë. Në vitet 1875-1878 dukej qartë se Perandoria Osmane nuk ishte në ditët e saj të shkëlqimit. Kjo rënie e prestigjit të Perandorisë Osmane i hapte rrugë politikavet ë dy fuqive të Adriatikut Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ngjarjet në Ballkan i dhanë mundësi Austro-Hungarisë të zgjerohej në Ballkan dhe të kthehej njëherë e mirëzot i Adriatikut dhe pjesërisht i Mesdheut. Kjo politikë e Austro-Hungarisë në Ballkan cënonte interesat ekonomikë të Italisë. Kjo qe arsyeja e parë që bëri të mendojë Krispin të merrte një politikë kundrejt Shqipërisë. Së dyti tendenca për ta kthyer Italinë në një fuqi të madhe dhe për të siguruar viset që kishte humbur në gjirin e Venecias dhe ato që kishte pasur në “Mare Nostrum”, bënë Krispin të ndërmerrte një politikë ndaj Shqipërisë. Çështjen Shqiptare Krispi e shikonte të lidhur ngushtë me forcimin e Italisë në Adriatik për të penguar dhe luftuar Austrinë. Këtë fakt e pohon dhe deklarata e Krispit në Parlamentin Italian në mars 1880. Ai deklaron: “Me traktatin e Berlinit, Austria mori tokë duke formuar kështu në Bosnjë dhe Hercegovinë kufi të pacënueshëm përballë Lindjes dhe për këtë duhet të jetë e kënaqur. Ne, pa ia lakmuar këto prona të marra padrejtësisht, duhet të kërkojmë që ata të qëndrojnë atje, dhe të mos kërkojnë më shumë se ç’u jep traktati. Ne në interesin tonë dhe në përputhje me parimet e revolucionit tonë të madh, duhet të jemi protektorët dhe miqtë e shteteve të vegjël në Ballkan”. Politika e Krispit për të lejuar autonominë e Shqipërisë brenda Perandorisë Osmane nuk sillte kushte të përshtatshme për Shqipërinë për t’u zhvilluar. Vendimet e Kongresit të Berlinit cënonin projektin e Krispit në Shqipëri, shtonte rivalitetin Austri-Itali dhe nuk favorizonte aspak çështjen Shqiptare. Krispi ishte për autonominë administrative të Shqipërisë, sepse kjo politikë ishte në favor të projektit të tij për të siguruar influencë në Adriatik dhe godiste Mbretërinë Austriake. Krispi shkruante në një artikull të gazetës L`Ora di Palermo nën titullin “Festat e Berlinit” më 5 maj 1900. Ai shkruan: “Shqipëria ka të gjitha elementët për të qenë shtet autonom, më mirë seç mund t’i kenë shtetet e tjera Ballkanike; Evropa do të realizonte një vepër qytetërimi nëse lejonte autonominë. Lidhjet e një miqësie intime të kultivuar për më shumë se pesë shekuj, e bëjnë më të afërt me ne (Italinë) se me Perandorinë Austriake”. Vendimet e Kongresit të Berlinit i jepnin përparësi Austrisë dhe politikës së saj në Ballkan dhe pengonin projektet e Krispit. Megjithatë Krispi nuk u ndal në realizimin e projektit për sundimin politik në Shqipëri. Propaganda në favor të planit të tij realizohej mjaft mirë në gazetën e tij “La Riforma”. Ndjekja e një politike “miqësie” me Shqipërinë do të sillte një afrim të ngushtë me Shqipërinë e gradualisht do mund të realizohej ëndrra e Krispit për një bashkim të plotë me të. Kjo politikë e ndjekur nga Krispi do ta afronte me Shqipërinë dhe do godiste synimet Austriake. Po në artikullin e gazetës L`Ora di Palermo Krispi shkruan: “T’i japësh sot Shqipërinë Austrisë, nuk do ishte përparësi për këtë mbretëri dhe do ishte në dëm të Italisë, kështu do eliminohej çdo gjurmë influence në Adriatik”2. Në lidhje me figurën e Krispit dhe politikës së tij të ndërmarrë në Shqipëri ka mendime të ndryshme deri diku kontradiktore. Rilindasit shqiptarë mbështesnin te Krispi shpresa të mëdha për të përkrahur çështjen shqiptare. Sami Frashëri shkruante në “Kamus-ul Alam”: Në Itali kanë ardhur nga gjaku shqiptar shumë dijetarë, poetë e shkrimtarë… kujtoj se është mjaft të përmendim se është bir i këtij kombi edhe Krispi që sot ka në dorë frenat e administratës së Italisë”.

Arbëreshët e Palazzo Adriano 2013
Arbëreshët e Palazzo Adriano 2013

Të njëjtin qëndrim pro figurës së Krispit mban dhe Naim Frashëri. Në një përmbledhje shkruar në Bukuresht 1894, në të cilën janë kujtuar emrat e më të mëdhenjve Shqipëtar, në këtë përmbledhje qëndron edhe emri i Krispit. Aty citohej: Zoti Krispi, burrë i lëvduar/ I ndjerë dhe i dëgjuar/ Që jep sot nder Italisë/ është bir i Shqipërisë.
Por Krispi nuk i meritoi shpresat dhe fjalët e mira. De Rada kishte kuptuar shumë mirë dëshirën e borgjezisë italiane dhe të Krispit për të pushtuar Shqipërinë. Shpresat që kishin tek Krispi ishin zhdukur tashmë patriotët Shqiptarë i kishin njohur synimet e vërteta të Krispit dhe politikës italiane. Ishte tashmë e largët koha e të madhit Garibaldi, Italia e luftës për liri e Risorxhimento, Politika imperiale e Italisë mbështetej në faktin se Shqipëria ishte pikë strategjike nga e cila Italia mund të godiste influencën Austriake në Adriatik. Koha e të madhit Garibaldi i kishte lënë vendin politikës imperialiste të Krispit, i cili frymëzohej nga Franca, politika e të cilës në vitet 1870, ishte e tillë që e kishte shndërruar në një fuqi të madhe koloniane. Politika italiane binte ndesh me interesat austriake në Shqipëri, përplasje e cila forcoi rivalitetin dypalësh. Rivaliteti Austri-Itali po forcohej si rezultat i përplasjeve të interesave. Kjo përplasje dypalëshe binte në kundërshtim me projektet e shqiptarëve për sigurimin e pavarësisë nga Turqia. Mesa duket Shqipëria tashmë po rrezikohej të binte nga sundimi osman nën sundimin italian apo austriak. Po a mundi Francesko Krispi të realizonte projektin e tij pushtues në Ballkan? Si qëndronte raporti me Shqiprinë? Një politikë e tillë binte ndesh me interesat shqiptare, të cilët i kundërshtuan projektet italiane të Krispit. Nga ana tjetër siç thekson Antonio Gramshi: “Krispi ishte fjalëmadh, oratorik, pa baza ekonomiko-financiare. Italia jo vetëm që nuk kishte kapitalet e saj për të eksportuar, por detyrohej të importonte kapitale të huaja për nevojat e saj urgjente”. Antonio Gramshi jep konfirmim se situata financiare e Italisë qe e rëndë dhe kjo bëhej pengesë për realizimin e politikës imperialiste të Krispit. Nga ana tjetër edhe brenda qarqeve Italiane kishte kundërshtime për ndërmarrjen e një politike pushtuese kaq të shpejtë në Ballkan. Këto kundërshtime lidheshin me faktin se Italia ishte tepër e dobët ekonomikisht dhe politikisht. Sipas të djathtëve Italia duhet të kishte një periudhë paqeje dhe sigurimi për të rimarrë forcat… Me pak fjalë nuk qe gati për të ndërmarrë një fushatë të tillë në Ballkan. Të gjithë këto faktorë çuan në dështimin e politikës Italiane në Shqipëri, megjithatë Italia nuk hoqi dorë aq lehtë nga planet e saj në Ballkan e kryesisht në Shqipëri. Po le të rikthehemi tek figura e Krispit. Francesko Krispi është lakuar shumë dhe në lidhje me figurën e tij ka mendime shpesh kontradiktore. Për Italinë, Krispi ka qenë një njeri i madh për rolin e tij në politikën italiane, është vlerësuar shumë. Madje parlamentari italian on. D`Arco i është drejtuar Krispit në Parlament: “Krisp, Ti je shumë i madh për Italinë”. Kjo tregon respektin e fituar në Itali nga të mëdhenjtë e politikës. Megjithatë Françesko Krispi ishte shqiptar dhe është cilësuar “Albanese di sangue e di cuore”.
Po çfarë bëri Krispi në Shqipëri, si vlerësohet politika e tij kundrejt saj?

Francesco Crispi - bust nga Paolo Troubetzkoy
Francesco Crispi – bust nga Paolo Troubetzkoy

Në lidhje me këtë pikë pati shumë shpresa se Krispi do mund të realizonte ëndrrën Shqiptare për pavarësi. Vetë vëllezërit Frashëri mbështetën këto shpresa te ai, por pati të tjerë si Dora D`Istria apo De Rada që ishin skeptikë. Vetë Krispi në 1900, në parlamentin Italian bëri publik idenë e tij se: “Shqipëria, ky vend i ashpër dhe me burra trima që ka ndihmuar Italinë sa herë ajo ka patur nevojë, sot ndodhet në udhëkryq… Edhe ajo si gjithë vendet e tjera të Ballkanit i ka të gjitha elementët për të patur një qeveri autonome e më mirë se ato nuk i patën Bullgaria dhe Serbia. Une mendoj se duhet të luftojmë për të drejtat e këtij kombi në Europë… Ne ua kemi borxh…”. Kjo politikë e Krispit për të siguruar autonominë e Shqipërisë, sipas Koli Xoxit shihet si hap drejt sigurimit të një shkëputje nga sundimi osman për të kaluar nën protektoratin Italian. Megjithatë unë nuk do dëshiroja ta shikoja thjesht në këtë plan. Sigurimi i autonomisë nga ana shqiptare e ndihmuar nga pala italiane do të ishte një hap i mirë për të siguruar një shkëputje nga Perandoria Osmane dhe do i hapte rrugë sigurimit të pavarësisë. Përhapja e arsimit në gjuhën italiane tek të rinjtë do bënte që të siguronte pikë më shumë në politikën e tij ndaj Shqipërisë. Ndonëse Krispi dha kontribut në përhapjen e arsimit italian nuk duhet harruar roli i tij në përhapjen e gjuhës shqipe në mjaft shkolla apo institute italiane. Vetë Krispi në gazetën e Sicilisë të 18 janarit 1898 shkruante: “I nderuar Krispi, shprehte shpresën që sa më shpejt Shqipëria të shkundte ndikimin mysliman, dhe rekomandoi nxënësit në mënyrë të veçantë studimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke premtuar se qeveria të ngrejë një Katedër në Institutin Lindor të Napolit”. Gjithashtu Krispi nuk e mohon origjinën e tij. Origjinën e tij Shqiptare e deklaronte në mënyrë të qartë sa herë që i jepej rasti. Krispi mbështeti dhe hapjen e Kongresit të parë gjuhësor Shqiptar të mbajtur në Kalabri ditët e para 1895. Krispi me funksionin e ministrit të Mbretërisë Italiane dërgon një telegram përgëzimi Kongresit. Ndonëse Francesko Krispi ndoqi një politikë në favor të imperializmit italian, në Shqipëri i kushtëzuar ndoshta dhe nga rrethanat, nuk e mohoi origjinën shqiptare ndonëse kontributi i tij në favor të çështjes Shqiptare nuk qe ajo që pritej. Për kontributin e dhënë në Revolucionin e 1860 në Mbretërinë e dy Sicilive për bashkimin e Italisë Krispit iu ngrit një monument, si simbol i Unitetit të Italisë.
(Marrë nga Jeta Arbëreshe Nr.69 – janar-mars 2011)

Dr. Denisa Tare (Universiteti “A.Moisiu”, Durrës)

 

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Gjatë muajve korrik-gusht duke pasur dhe motrën time Albanën, e cila ka mbaruar për Histori, pasditeve në Ujët e ftohtë të bregdetit të Jonit shkëmbenim biseda të ndryshme në lidhje me Qeverinë e Fan Nolit, dhe për Shqipërinë në fund të Nënqindës… Ajo, si për të më hequr “qafe”, me pyetjet që i bëja më thotë që: do të ishte më të lexoja disa nga librat që i kish blerë në Panairin e fundit të librit…. ja sot po lexoj për Francesco Krispin!!
    Të falenderoj Nini, për këto materiale me vlerë!

  2. E lexova shkrimin dhe përpos që ndjehem krenare që Francesco Krispi e quan veten shqiptar “në gjak dhe në zemer”, më vjen keq që pas kaq shumë vitesh për Shqipërinë shkruhet vetëm: duhet… duhet… duhet… dhe asnjëherë nuk është bërë diçka konkretisht…
    Eshtë për të të ardhur keq!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.