back to top
30.3 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026

Folklori si ruajtës i gjuhës historisë dhe traditës shqiptare – nga Gezim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Folklori si ruajtës i gjuhës historisë dhe traditës shqiptare
nga Gëzim Zilja

Një këndvështrim ndyshe nga Ismail Kadare, për rolin e folklorit në periudhën socialist. Marrë nga libri: “Kanuni i Nderit” me shkurtime.

Në Shqipëri deri në shek. XX, nuk u vunë në skenë vepra teatrale, apo operistike, por kënga dhe vallja popullore vazhdoi të përsosej e transmentohej brez pas brezi si një shoqërues i pazëvendësueshëm i identitetit kombëtar. Pasi gjuha shqipe u lejua të shkruhej e të botoheshin libra, kënga popullore e në përgjithësi folklori shqiptar, nuk do ta humbte rëndësinë e tij, përkundrazi njohu një zhvillim të mëtejshëm. Ai vazhdoi të pasqyronte me vërtetësi, jetën e shqiptarit, varfërinë, kurbetin, qëndresën ndaj padrejtësive, këngët e dashurisë, pamundësisë për të zgjedhur njeriun e jetës, të mallit e ndarjes, duke sfiduar shpesh letërsinë dhe poezinë e shkruar të kohës.
Edhe gjatë diktaturës kënga popullore e ruajti indentiten e saj megjithëse u ndodh nën trysninë e doktrinës komuniste, që duhet me patjetër t’i këndonte e thurte lavde diktatorit, partisë dhe “jetës së lumtur.” Madje dhe kuptimi i Atdheut dhe këngët për të, u rrudhën e mpakën, sepse në plan të parë, e mbi çdo dashuri tjetër u vendos partia dhe udhëheqësi i saj. Megjithatë, kënga popullore ruajti fizionominë dhe pavarësinë e vet, duke u zhvilluar më shumë në drejtim të këngëve të dashurisë, kurbetit, dasmave, sidomos ato të trimërisë e historisë, duke mos u vunë tërësisht në shërbim të diktaturës. Ishin të shumta këngët e poezitë kushtuar jetës së përditëshme, dashurisë, të kaluarës heroike, përpjekjeve për liri e pavarësi, megjithëse mbizotëronin këngët që i thurnin lavde diktaturës dhe diktatorit. Poezia dhe kënga popullore nuk shkoi paralel dhe nuk u njëjtësua me kulturën, letërsinë dhe artin zyrtar, i diktuar nga teoria komuniste. Në librin “Autobiografia e popullit tim në vargje” botim i Onufrit, viti 2002, Ismail Kadereja shkruan: “Dihet se kultura borgjeze dhe sot kultura revizioniste janë përpjekur të thyejnë pa mëshirë mekanizmin e mrekullueshëm të artit gojor, si një gjë të bezdisshme, kundërshtuese dhe penguese për to. Socializmi përkundrazi jo vetëm nuk e thyen mekanizmin e vjetër sepse s’ka asnjë arsye për ta bërë këtë, por e ndihmon atë të mbahet në efiçencë sa më të plotë të rigjenerohet e të vazhdojë të prodhojë vlera poetike krahas artit të kultivuar të realizmit socialist. Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Po të kemi parasysh botimet e këngëve folklorike pas vitit 1944, kupton se ç’gjëmë u përpoq t’i bënte politizimi i tejskajshëm socialist folklorit shqiptar e këngës popullore në veçanti. Me vështirësi mund të gjesh midis qindra-mijëra vargjeve këngë dashurie, pune, dasme, qoftë dhe argëtuese ose ninullë, që të mos përmendet partia dhe Enveri. Manifestimi më i madh i këngës dhe valles popullore, që trumbetohej me aq bujë nga diktatura, ishte Festivali i Gjirokastrës, ku nga fillimi deri në fund mbizotëronte llumi i këngëve të politizuara. Shëmbujt e mëposhtëm tregojnë se politizimi i këngës popullore u shtri pothuaj në çdo qelizë të saj.

Ninullat
Fli o djal i nënës fli
Fli se nëna të ka xhan.
Fli u rritsh u bëfsh trim
Si Enveri me partizanë.

Në këto këngë zhduket dashuria për njeriun, për birin, për vëllanë, motrën, për nënën, për babën, e fisin, për atdhenë, për martesën, lodrat e humorin. Jo! Ka vetëm Partia dhe Enveri, që me çomangë godet trurin sistematikisht qysh se lind, duke krijuar njeriun e indoktrinuar që para nënës, babës, atdheut vendos Partinë dhe udhëheqësin.

Këngët për dashurinë
Këngët për dashurinë nga më të bukurat në të gjithë folklorin jo vetëm shqiptar por edhe në atë botëror, tashmë zveniten, fishken e thahen. U mungon lëngu i jetës, vargu brilant i papërsëritshëm, poezia dhe gjetjet letrare të pakrahasueshme me asnjë gjuhë tjetër në botë. Dashurisë tashmë i këndohej me komandë, dashuria lindte në ara, në fabrika, në garat socialiste, në fshatrat e rilindur nga partia etj. Por le të ilustrojmë me disa nga ato mijëra vargje të politizuar, ku mungon shpirti i njeriut në të gjitha dimensionet.
Është mjelëse me lopë
E dua o shokë me kokë
E dua shokë e dua
Se ajo është për mua
Punëtore s’lodhet kurrë
Në çdo garë merr flamurë.

Këngë trimërie
Përmbi Krujë nalt mbi shkrepa,
Nandhet’ vajza shqipe t’lehta,
Lidhur fort dorë përdorë
Tokës nanë iu ban kunorë…
Nandhetë lulet e lavdisë,
Fort po i ngroh dielli partisë.

Është fjala për gratë dhe vajzat krutane gjatë rrethimit të Krujës, që për të mos rënë në duart turqve u hodhën nga Shkëmbi i Vajës. Se çfarë lidhje kishte ky akt heroik me partinë dhe lavdinë e partisë, vetëm mendjet e sëmura të poetëve komunistë shqiptarë mund ta zbërthejnë. Këto këngë vazhduan të krijohen e këndohen për dyzetë vjet, duke humbur çdo kuptim njerëzor me politizimet e tejskajshme.

Atdheu
Porse gjumë s’ka kurrë Shqipnia
Syt’ me drit’ na i mbush partia
Shkëlqen djersa e s’njifet loti
Në kët’ truell me palc baroti
Shkrin çeliku e lulëzon molla
Tan’ shqiptarët janë Mic Sokola.

U zbeh dhe kaloi në plan të dytë dashuria dhe koncepti për atdheun. Tashmë në plan të parë kaloi partia dhe sigurisht udhëheqësi “legjendar” Enver Hoxha. Nuk kishte atdhe, Shqipëri, madje as popull shqiptar pa partinë dhe udhëheqësin Enver Hoxha.
Midis gjithë këtij llumi të politizuar tek-tuk shkëlqenin këngët e vjetra si ajo për Zenel Gjolekën, Hajredin Pashën, Oso Kukën, Çelo Mezanin apo për ngjarje të veçanta si “Janinës ç’i panë sytë.” Janë me dhjetëra botime luksi të Akademisë së Shkencave, të emërtuara “Këngë popullore të periudhës së ndërtimit socialist” që edhe kur përmendeshin heronjë të Rilindjes, Pavarësisë e të Luftës, do të futej emri i partisë apo diktatorit, se vetëm partia dhe Enveri i vuri në vendin që meritonin, i nderuan apo dekoruan. Ky politizim bëri që kënga popullore të humbte përkohësisht vërtetësinë, muzikalitetin, sinqeritetin, muzën, dhe shpirtin e pastër duke u shndërruar në këngë propaganduese. Jo rrallë kënga popullore ishte e detyruar të paraqitej si një shërbyese e zellshme e doktrinës gjakatare komuniste me vargje makabre:

Që pa gdhirë u ngrit tër’ fshati.
Oh, ç’të madh kemi gëzimnë!
Arrestohet sot Reshati,
Do këndojmë për sigurimnë!

Vetëm seria e V, vëllimi i VII, botuar nga Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, botim i vitit 1986, ka plot 519 poezi të tilla pa përfshirë transkriptimin muzikor të disave prej tyre. Nga sa arsyetova më lart nuk mund të thuhet e të provohet përfundimi i Kadaresë se: “Vetëm në socializëm mund të themi me plot gojën se “autobiografia” dhe “biografia” e popullit shkrihen në një.” Mund të themi me plot gojën se socializmi u përpoq ta deformonte, ta shëmtonte, ta falsikonte e ta vinte në shërbim të politikës, këngën popullore, por nuk ia doli. Sot, folklori shqiptar gjendet sërish në “vështirësi,” në “garë” me këngët moderne, por duke qenë i lirë nga politika po ia del me sukses t’i sfidojë këngët e kultivuara. Kudo në festa gëzime, fejesa e martesa mbizotëron kënga e vallja popullore e vjetër dhe e re, në raport me atë moderne. Kjo është tjetër fitore e qëndrueshmërisë, fantazisë, bukurisë e pastërtisë së këngës, valles e muzikës popullore.
Marrë nga Muri i FB Gëzim Zilja, 14 maj 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.