“Fletorja e Vjeshtës” – ose “dashuria ndërnjerëzore brenda dhe jashtë telave me gjemba” – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi
“Fletorja e Vjeshtës” – ose “dashuria ndërnjerëzore
brenda dhe jashtë telave me gjemba”
nga Rezart Palluqi

Vetë titulli përbën një kushtrim ndaj të gjitha vuajtjeve, torturave dhe gjithë atyre shpirtërave që u zhdukën pa zhurmë dhe pa gjurmë, që të mos harrohen, të mos mbulohen prej gjetheve të vjeshtës së pamëshirshme.
“Fletorja e Vjeshtës” është udhëtimi i dashurisë qysh në ngjizjen e saj, (lindja e poetit në kampin e përqëndrimit) në hapësira të ngushta, telat me gjemba e më vonë në hapësira më të mëdha kur ajo degradon. Ndeshim këtu edhe një herë faktin e njohur po edhe fatal për njeriun, se dashuria të ndihmon të mbijetosh, por jo që të jetosh, pra ta shijosh jetën me gjitha bukuritë e saj. 
Struktura e librit, përbëhet prej katër kapitujve.
Fletorja e Vjeshtës së Parë; Fletorja e Vjeshtës së Dytë; Fletorja e Vjeshtës së Tretë dhe Vjeshta e Vjeshtës
Ndeshim poezi në strofa me përbërje të ndryshme, strofa të shkurtëra, mesatare e të gjata. Poeti e anashkalon rimën klasike duke u dhënë vargjeve më shumë zhdërvjelltësi, ritëm e liri.
Stili është herë prozaik ku mesazhi rrjedh qartë në çdo varg e herë kemi poezi me nënshtresa e thellësi filozofike. Autori i qëndron besnik gegnishtes. Poezitë luhen fillimisht në hapësira të ngushta, siç e thamë në fillim të shkrimit, brenda telave me gjemba e më vonë gjeografia zgjerohet ku ndeshim qytete, dete etjerë.
Edhe pse përjetimet janë kryesisht personale, Radi me ndjeshmërinë e tij na e bën fare të lehtë të futemi nën lëkurën e dhimbjeve dhe universin e botës së tij shpirtërore.
Në Fletoren e Vjeshtës së Parë ndeshim një dallëndyshe të mbyllur në një kamp ku në pamje të jashtme ka veç një stinë: dimër, pavarësisht se Radi në mënyrë filozofike dhe krejt me të drejtë do të thoshja, kohën e derdh në kallëpin e vjeshtës, sepse tek e fundit koha tret çdo gjë përveç kujtesës.
Radi e thith helmin e robërisë me pambukun e butë të poezisë dhe nuk i përgjigjet helmit me helm. Ama Radi nuk hesht ndaj helmit. Poezitë e tij nuk janë hakmarrëse, ani pse ai ka çdo arsye për t’u hakmarrë ndaj ish xhelatëve të tij. Ai është ndër të paktët autorë shqiptarë që unë të paktën kam lexuar mbas ’90, që s’ka rënë në grackën e letërsisë që vjell veçse helm ndaj regjimit enverist. Kjo është sipas mendimit tim një vlerë e rrallë e poezisë së tij. Dhe kjo nuk është e rastësishme.
E njoh Radin fort mirë edhe jashtë djepit poetik. Ai është i njëjtë si në të përditshmen e tij, si në poezi. I butë, paqësor, ndërton ura bashkëpunimi midis njerëzve me vlerë. Një shëmbëlltyrë e babait të tij, Lazër Radi, prej të cilit ai mësoi të ruajë dinjitetin njerëzor dhe intelektual në kohrat më të errëta.
“Vitet ma t’gjata të jetës i kam jetue në kampet e urrejtjes, aq të shumtë në Myzeqe. Aty, mes baltnave të kënetës, s’kishte vend i Shqipnisë të mos i kishte përfaqësuesit e vet. E quejtuna elita e vendit, paria e krahinës dhe ajka e katundeve shqiptare ishte e tana e hjedhun aty. Aty e kishe devolliun e kuksianin, kolonjarin e pukjanin, malsorin e Tropojës e të Kurveleshit, malsorin e Vermoshit e himariotin, tiranasin e përmetarin, skraparlliun e mirditorin, minoritarin e kosovarin, myzeqarin e çamin, shkodranin hokatar e gjinokastritin racional, intelektualin e shkolluem në Perëndim, apo parinë sqimatare të Dibrës, familjet e bajraktarëve të Veriut e apo të ish ministrave të Mbretnisë, qytetarin fin të Korçës e gollobordasin e vrazhdtë të Steblevës… Aty midis së keqes së madhe ku i kish hedhë fati “i kuq”, ishte tanë nji botë magjike që, e mbante pezull shpirtin tim prej fëmije…”

Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991

Ndodh shpesh, që artisti të ketë tjetër fytyrë në art dhe tjetër fytyrë në jetën e përditshme. Mirëpo kjo nuk vlen për Radin, ai është i njëjti, ndaj dhe poezia e tij është kaq e ndjeshme, prekëse, dhe më e rëndësishmja: bindëse. Nuk është një poezi laboratoresh fjale, po janë copëza shpirti të derdhura me hijeshi, thjeshtësi dhe mjeshtëri në kallëpin e poezisë…

“sot e kësaj dite un jam atje mes malesh t’egra
pse ende urrejtësit s’janë lodhë prej së keqes s’tyne,
e un s’pata kohë me humbë n’urrejtje të askujt
pse sot e k’saj dite mbaj dashninë e atyne dyqind syve
që besonin te jeta – te ajo foshnje në grazhd…”

“o ty të vrafshin sytë e ty,
ty t’rrënoftë bash gjuha jote…!”

Se sa të dobëta janë diktaturat, e ndeshim edhe në strofën e mëposhtme, kur spiuni e përgjon njeriun e robëruar teksa ai është duke shurruar, imagjinoni një djalosh…

“me k’si krijesa jetuen njimijë vjet diktaturat
edhe demokracitë fasadë me ta mashtrojnë paq
ai mund t’jetë njeni prej nesh, prej jush o prej atyne
po un jetova kohën kur ata msheheshin në shumë prej nesh
e kujtoj, sa herë m’kapte shurra e papritme, e dilja jashtë
e gjeja spiunin diku mbas dere tue lidhë këpucët,
sa herë e lypja nji puthje n’terr të natës së gjatë
cigarja e tij si xixëllojë e tromaksun luente me yjtë…”

Radi e ndjen rrezikun që vjen prej harresës së qëllimshme. Ndaj ai bën apel që dikush duhet më e gdhendë fort në kujtesë kalvarin e vuajtjeve dhe se një ditë ato do të sosin…

“kur ti t’mos jesh miku im
edhe un as hije të mos jem
dikush prej nesh duhet t’ket mbetë
me i dëshmue
heroizmat e ndëshkueme pamëshirë
t’atyne që urrenin me qenë heronj,

dhe ne vazhdojmë e përtypim natë
dhe ju vazhdoni e rrufisni natë
vazhdojnë të gjithë me e pështy, me e vjellë
at natë të pasosun
me besimin e çmendun se dielli
nji ditë ka me e braktisë qiellin
e me dritë ka me i ndjekë gjurmat
e tretuna galerive të vdekjes…

kur ti të mos jesh miku im
edhe un’ as hije të mos jem…

Poeti edhe pse larg vatrës së ngrohtë familjare të botës së lirë, ai e përjeton ato në shpirt nëpërmjet shpresës dhe përfytyrimit.

vërtet larg zjarrit jam/ e s’ngrohem prej tij,
po digjem njisoj/ si mes turrës së druve…

ti, mos iu frik zemrimit tim/ frikju dashnisë,
xixëllimit të syve/ që shkund besime n’vetvedi…

Diktaturat kujtojnë se duke i rrethuar me mure njerëzit që përbëjnë rrezik për të, u rrëmben atyre lirinë. Ajo gabon! Dashuria di të lulëzojë edhe në majën e telave me gjemba, ku Radi mbjell lule që lulëzojnë.

“jo, s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime
të lirë janë ata që rrethohen me mure,
prandaj i rrethojnë: të vritet liria e tyne!
po liria s’asht çeshtje hapsinash të ndryme
asht çeshtje shpirtrash, çeshtje dashnie
ata që ngrehën rrethime telash e karakolle
shetitën tanë botën po kurrë të lirë s’u ndjenë,
të lirë mbetën veç ata që e kqyrnin botën
përtej frangjive, përtej telave me gjemba
përtej konopit, përtej rrasave t’ftohta t’gurve…

jo, s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime
të lirë janë ata që rrethohen me mure…”

Poezitë e Radit janë të atilla që e bën keqbërësin t’i vijë turp nga vetja dhe veprimi i tij i lig si në poezinë e mëposhtme.

“ma s’paku e meritojnë…/ ata janë pjesa ma e madhe e kësaj bote…
e nëse dashnia s’e zbut sado pak shpirtin e tyne,/ t’paktën s’ka me e egërsue edhe ma…!

Poezia është në vetvete nëna emocionale e gjuhës/ letërsisë. Kjo mëmësi emocionale pesëfishohet kur njeriu e zbulon atë në kushte robërie, siç ndodhi me poetin Jozef Radi dhe shumë bashkëvuajtës të tjerë gjatë epokës më të mynxyrshme enveriste.
Radi e përdor gegnishtnen jo vetëm se ai u rrit me të, por edhe si një protestë ndaj shqipes standarde, të cilën enveristët e përdorën dhe vazhdojnë ta përdorin jo simotër të gegnishtes, po si mjet propagandistik, përbuzës dhe diskrimues ndaj gegnishtes dhe gegfolësve.
Ligësia ishte aq e madhe saqë as dashurisë nuk i mbahej më emri

“përdhunshëm
i mbiu kjo fushë
syve të pafajmë
edhe syve të mi
pa qenë fajtore…

eh sa mallkime u mbollën mbi të
sa varre tretën pa gjurmë,
nji gjysë shekull e përtej
që dashnisë
s’ia gjej dot emnin…”

Një prej krimeve më të mëdha që kryen kasapët enveristë mbas vitit 1991 ishte se ata vodhën rolin e viktimës. Pra, xhelatët i rrëmbyen karrigen viktimës. E bënë këtë fillimisht duke heshtur, ndërsa gjatë dhjetëvjeçarit të fundit duke na u paraqitur si poetë ku vajtojnë për njëmijë e një të zezat që ata hoqën gjatë diktaturës… Një prej tyre qe edhe Kadareja.
Ky, mendoj se është precedent i paparë në ish bllokun lindor komunist.
Radi na e dëshmon këtë tragjikomedi në poezinë e mëposhtme

“jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve
që flenë mbasdrekave me shpirt të patrazuem
e shkruejnë pa prà libra për poetët që vetë i vranë

jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës
Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…”

Rrugë me vjeshtë gjethesh
Rrugë me vjeshtë gjethesh

Në Fletoren e Vjeshtës së Dytë lindin zhgënjimet e para të lirisë së rreme por aty ndeshim edhe poezi filozofike që trajtojnë konceptin e kohës kundrejt njeriut si më poshtë

“dy pleqve vjeshta ua lëshoi në prehën nji gjethe
e ata habitshëm e kqyrën njeni-tjetrin,
si me thanë ky mesazh i zvjerdhun
qe shkrue enkas për ta në qiell.

psherëtinë ngadalë e rrufitën kafen e mbrame
pse jeta e gjithkujt ndër gjeth e lule asht shkrue
ani pse ne djallzisht i kapërcejmë me padije
mesazhet e stërlashta të vjeshtave…”

“mbramë piva etshëm n’dashninë tande/
e langu i athët i syve tu më dehu n’qelizë,/
rrëshqita symbyllas n’livadhe të shetituna/
e me gjunj të blertë ndër lutje e thirra Zotin/
ta ndalte kohën, e t’na shkulte prej andrre…”

Poezia sipas mendimit tim u distancua prej lexuesit qysh prej çastit kur poetët krijuan poezi pa mesazh; u krijua besimi se poezia nuk duhet të dërgojë asnjë mesazh, por të merret me vetveten. Për fat të mirë, kjo nuk ndodh në poezinë e Radit. Në çdo poezi përçohet një mesazh, e me ta lexuar atë, diçka të gdhendet në kujtesë.

“me lehtësinë e nji zogu
dola prej pyllit tim
e n’degë të qiellit tand
u ndala
veç për nji kangë…”

Kalamendja dhe hutimi i njeriut në jetë pasqyrohet mjaft bukur në poezinë e mëposhtme.

asgja s’merret vesh
në përtejvjeshtë
përtyp deti qiell
a rrufit qielli det,

mbetëm guaska boshe
ku humb margaritari
i ditës mundimplote,

asnji mendim
asnji ide
koha dhe koka
përplasë për det
gjersa era t’kujtohet
e të na shtyjë qiejve
si retë…

Në Fletoren e Vjeshtës së Tretë nxjerr kokën dashuria që kalbëzohet dita-ditës.

Mbramë jetova për pak si çmendi e përflakun
hardhucë që n’heshtje përtërin bishtin e këputun
të nji jete që s’ka zot që ia kthen ma kuptimin

i thamë të gjitha, po jo gjithçka u tha
pse frymë me shfry thellsisht s’na mbeti,
as kohë s’i lamë kohës me u ndalë nji çast
në aeroportin e lamtumirave…

s’po ka ma stinë midis nesh…
vera na thaftë, për çka s’u tha si thuhet…

ia gjeta vjeshtën pyllit tim
e i dhashë strehë
nji marrie të pashkrueme…
po ju a mund t’i gjeni
nji stinë dalldisë suej,
nji shteg
ku të kalërojë
pakthim,
e ta rrëfeni
pa drojë?

Helena e Trojës na paraqitet e plotë në podiumin e dashurisë

si s’ti pashë
ndër leshna
të lshueme
si hyjneshë
gjarpnijtë
e pabesisë
tue i krehë
e ledhatue
në paqe…

si s’ti shoh
as sot,
ditën
për diell!?

Në pjesën e fundit, Vjeshta e Vjeshtës, hasim degradimin e plotë të dashurisë.

“kutinë e shkrepses
ajo e mban në gji,
i mjafton veç nji shikim
dhe bota kallet,
mjafton veç buzqeshja
e kush kërkon shpëtim
në delirin përzhitës
t’asaj flake shetitse
ka m’u djegë i tani…!”

Poeti përjeton tregëtimin e shumëfishtë që bëhet me dashurinë në kurriz të familjes dhe për dobi të lobeve që drejtojnë fabrikat përbindëshërore anembanë botës.

gjithçka shitet e blehet në merkaton e dimnit;
shiten zogj dhe peshq dekorativë
blehen lule dhe gra dekorative
shiten burra të dekoruem
që u peshojnë ma shumë hallatet se hallet
blehen lojtarë, prostituta, gjela deti
shitet shkumë shampanje me mbushë
gota të zbrazta shpirtnash e jetë të pakuptimta,
blehet marramendja e zjarrit të ndrrimviteve,
e dashnitë e mërdhime t’nji kohe ikun kahera
riciklohen si flakë t’amshueme…

e humba fillin në kët rrokopujë shitblemjesh
e humba edhe at pak dashni të mbetun
që shitblehet veç me dashni të përdorme…

Post-enveristët kanë përdorur, po përdorin dhe do të përdorin sa të jenë gjallë armën e heshtjes. Nuk mund të bëjnë dot ndryshe sepse në ringun intelektual ata thyhen sa hap e mbyll sytë.

“kur ne hyjmë mbrenda e ju mbrenda jeni
s’e gjejmë as gjuhën as ftesën e uljes
atëherë dalim jashtë si të tepërt, të huej
të ndjekun nga heshtja juej e vranët…”

Poeti shpreh dëshpërimin e thellë të mallkimit që lulëzon në gjirin e shqiptarëve të cilët në momente kyçe nuk e gjejnë rrugën e bashkëpunimit.

“ne zbritëm ndër qytete me kangë majekrahu
i shkundëm blegërimat ndër xhepe autostradash
vramë gjithë nji pyll n’emën të nji fyelli
e çka ruenim ndër shekuj na mjaftoi veç nji ditë…!”

miqsohemi veç në ditë të vështira
e qajmë nën qiej urrejtjesh ditët e paqme

miqsohemi në mungesë të gjithçkaje miqsore
e puthim ikona të harrueme n’sepete shpirtnash

në ditët e rrënueme
kqyrim fytyrat tona rrëzue n’fund të pusit
e tallim ujnat pse s’na e lajnë të keqen

eh sa prej nesh linden me lulet e vdesin me gjethet,
sa poetë s’duen askënd veç vedit në maje të olimpit,
shtiren se vuejnë
e na kthejnë në miq të përkohshëm
veç për nji copë rrugë tynen…

Monotonia e të jetuarit në një qytet të mbingarkuar siç janë metropolet e sotme anembanë botës

ky qytet asht i pasun prej detit
e ndjehet i vorfnuem prej njerzve të krypës
që ia grryejnë edhe gurët e rrugës,
ky qytet fle shpejt e çohet herët
rruhet gjithnji e ma rrallë
e kurrë në pasqyrë nuk kqyret,
ky qytet pa prapanicë
e pi kafen në kambë
në kambë i përtyp tri vaktet
fle në kambë si kali
e në kambë si dhia dhitet,
ky qytet me nji kodër kësulash guri
u bahet shtrojë lodhjeve tona,
e sa herë kemi nevojë për të
na kallzon brrylin dhe detin…

Arti që është mbrujtur në kovaçanen e dhimbjes dhe vuajtjeve është i paracaktuar të vdesë nëse nuk vetreflekton. Radi, krejt e kundërta e pjesës dërrmuese të poetëve që e vuajtën nën lëkurë diktaturën enveriste, e kërkon problemin nga brenda jashtë. Ai vetreflekton në shumë prej poezive të tij.

“deri kur do të jemi
pemë të frigueme lulesh
dega t’thyeme nën peshë
të frutave tona…”

Prandaj ky vëllim poetik sipas mendimit tim do të mbijetojë gjatë tek ai lexues që kërkon në shpirtin e poezisë, emocionin, dhimbjen lakuriqe dhe njeriun e zhveshur skajshmërisht prej egos së sëmurë dhe babëzisë së pakufishme. Ai mund të shërbejë gjithashtu si një panteon kujtesë për brezat që do të vijnë, ndaj edhe ai duhet të përfshihet në tekstet shkollore jo vetëm për origjinalitetin poetik po edhe dëshminë e mizorisë së një epoke të egër e cila për fat të keq po ia zë gjithnjë e më shumë dritaren lindjes së diellit të lirisë artistike dhe shpirtërore.
shtator 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit