back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Fituesit, këta humbës të mëdhenj – nga Yzedin Hima

Gazeta

Yzedin Hima
Yzedin Hima

Fituesit, këta humbës të mëdhenj

nga Yzedin Hima

E gjithë zhurma parlamentare me sherret, diskutimet, hartimet, replikat, dosjet e spiunëve dhe pseudonimet që zotëron Parlamentin Shqiptar në një çast lindi një ide interesante, artikuluar nga një deputet i krahut të djathtë: të persekutuarit e regjimit komunist nuk janë thjesht viktima të krimit komunist. Ata janë fitimtarët e një beteje midis lirisë dhe diktaturës, midis ekonomisë së tregut dhe skllavërisë së ekonomisë kolektive. Ata janë fitimtarët e një beteje që, për fat të keq vazhdoi gjatë, për pesë dekada.
Një përcaktim i tillë nga një tribunë e lartë siç është Parlamenti Shqiptar ka munguar gjatë këtyre 25 viteve, pas rënies së Murit të stalinizmit shqiptar. Qenë artikuluar slogane të tillë si: në demokraci nuk ka të humbur, në demokraci nuk ka të vonuar, bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, me ne fitojnë të gjithë, s’ka kala që nuk e marrin komunistët, ne që ndërtuam diktaturën do të ndërtojmë edhe demokracinë etj. etj.
Humor në diktaturë
Humor në diktaturë
Ata që u dergjën burgjeve të komunizmit për shkaqe politike, ata që i bloi për 50 vjet me farë e fis mokrra e pamëshirshme e luftës së klasave, pas rënies së komunizmit u trajtuan si viktima të mjera të diktaturës. Në vitin 1991 nomeklatura e regjimit që po binte nisi privatizimet e njësive tregtare duke ua dhuruar ato njësi shitseve, ndonëse pronarët e trojeve qenë gjallë, të pafuqishëm ose të sapodalë nga burgjet. Edhe më pas shumica e pronës së krijuar nga djersa e disa brezave iu dha nëpërmjet privatizimeve jo fort transparente servilëve politikë dhe anëtarëve të klaneve të lidhura me politikën, ose edhe ndonjë të persekutuari që kishte bërë një mijë e një kompromise me të keqen duke lënë me gisht në gojë fitimtarët që u dergjën burgjeve, fitimtarët që qenë përndjekur në mënyrë të pamëshirshme nga diktatura duke u mohuar të drejtën e shkollimit, duke u përjashtuar nga puna, duke u mohuar deri edhe krijimin e familjes, duke lënë me gisht në gojë edhe qytetarët e thjeshtë, shumicën e heshtur, ata që u ndjenë në krahun e fitimtarëve pas rënies së diktaturës, sepse kishin vuajtur nën diktaturë njëlloj edhe pa qënë në burgje, sepse blloku i madh dhe blloqet e vegjël nëpër Shqipëri ishin oaze parajse mjaft të vogla. Fitimtarët mbetën me gisht në gojë: merrnin bukë me listë ndërkohë që në pronat e tyre shefat e regjimit të dikurshëm dhe pinjollët e tyre po ngrinin biznese miliona dollarëshe. Po jo vetëm fitimtarët, por edhe ajo shumica e heshtur e qytetarëve shqiptarë mbeti me gisht në gojë. Mijëra e mijëra u derdhën kufijve tokësorë dhe detarë në kërkim të punës, në kërkim të shkollës, në kërkim të pronës, në kërkim të një atdheu tjetër, sepse atdheun e tyre pasi ua kthyen në ferr për 50 vjet, ua privatizuan, ua grabitën me një mijë e një marifete, pas 50 vjetëve.
Në vitin 1991, Bajram Hoxha që kishte kryer 34 vjet burg politik gjatë diktaturës, u strehua në një depo të vogël drush, në anë të shkallëve të pallatit në qendër të qytetit të Beratit. Banorët e shkallës, në shumicë ish-zyrtarë të lartë partiakë të kohës së diktaturës i çuan rroba të ngrohta, supë të shijshme dhe bukë gruri. Ai kishte 34 vjet që nuk ishte nginjur me bukë, ndaj u ndje i lumtur aty, në atë pallat ku jetonin në sipërfaqe të bollshme “të sapomundurit”. Ky fitues i madh më foli deri në adhurim për një nga banoret e pallatit, një emër mjaft i njohur i nomeklaturës së kuqe, që kujdesej me dhimbsuri për të. Atij kurrë nuk i shkoi mendja te dhomat e tepërta që kishin ish-ët (sapo fituesit u varën nga malet më 1944, dëbuan pronarët e shtëpive dhe u bënë zotër vetë, ose i zbritën në bodrumet e vilave të tyre pronarët e vërtetë, ose i pushkatuan në breg të lumit në agimin e diktaturës që po lindte). Ky fitues i madh i betejës midis lirisë dhe diktaturës nuk dinte të urrente, dinte t’i gëzohej lirisë së tij të veshur me zhele. Si ai mijëra e mijëra të tjerë, shumica e heshtur fituese dhe njëkohësisht humbëse e madhe. Ndoshta në Shqipëri beteja midis lirisë dhe diktaturës ende nuk ka përfunduar.
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.