
Figura e Agamemnonit – nji rikthim në leximin modern
nga Ilirjana Stankaj
Teksa po analizoja realizimin e planeve vjetore, ndalem te “Iliada” – nji titull që mban gjallë lashtësinë, në orët e letërsisë…
E më del para syve figura e Agamemnonit; e pazhurmshme, por e randë. Nji prani që s’e ka shkëlqimin heroik të Akilit, as nderin e Hektorit. Po pikërisht për këtë fakt, po m’ngacmon në këtë moment.
Pse?
Sepse m’duket se ky personazh ka rrëshqitë pa zhurmë në realitetin tonë…
Në panteonin mitologjik (që shërben si pasqyrë e karaktereve njerëzore të antikitetit, në fakt), Agamemnoni shpesh kalohet në heshtje, disi i sfumuar midis lavdisë së Akilit e tragjizmit të Hektorit.
Nuk e di pse, por figura e tij (për nga pesha simbolike), mendoj se asht ma afër realitetit tonë se sa çdo tjetër: nji udhëheqës që për pushtet, për “kauzë”, nuk ngurron me flijue as ma të shtrenjtën e vet – Ifigjeninë (të bijën)…
Nuk e kuptoj se pse asht lanë jashtë vëmendjes së autorëve e kritikëve tanë, përveç ndonji rasti sporadik…
Kadareja, mjeshtër i dialogut mes mitit e së tashmes, e ka prekë Agamemnonin kalimthi, si hije që endet në sfondin e tragjedisë kombëtare, por kurrë si figurë qendrore…
Pse vallë?!
Ndoshta sepse Agamemnoni nuk asht “spektakolar” si Akili, as “rebel” si Prometeu.
Por ama, asht ai burokrati i glorifikuem, drejtuesi i justifikuem për çdo mizori, që flet n’emën të së përgjithshmes, ndërsa vepron për të veçantën e tij…
Mos ndoshta në këtë “heshtje letrare”, e ka vendosë edhe vetë miti (nji lloj konspiracioni simbolik për mos e trazue shumë këtë “pasqyrë të ndjeshme të pushtetit”)?!
Po, Agamemnonët sot janë gjithandej… Jo rrallë me etiketa patriotike apo progresiste, që synojnë “përparimin” (?!) tue prè ndonji “kokë turku” n’emën të ecjes përpara…
Ata nuk shajnë, nuk bërtasin, nuk vriten vetë, por vendosin që dikush tjetër duhet të sakrifikohet për nji “projekt ma të madh”!
Janë në zyra, në konferenca, në ekrane, në rrjete sociale… ku flasin për “kompromise të dhimbshme”, ndërkohë që dikush tjetër paguan faturën…
Ironia asht se nuk i njohim si Agamemnonë, sepse kemi harrù (gradualisht) ta lexojmë Agamemnonin. Nëse do ta kishim lexu, do ta kuptonim se rreziku nuk qëndron gjithmonë tek ai që godet me shpatë, por tek ai që të përmend “arsyen e naltë” para se të të hedhin në zjerm, si fërlik…
Në këtë kuptim, figura e Agamemnonit meriton nji rikthim në leximin modern, jo për me na tregù lavdinë e Antikitetit, por për me na paralajmëru për nji të tashme shumë reale…
Sepse kur “Ifigjenitë” sakrifikohen çdo ditë e askush nuk ndalet të pyesë “pse”, ndoshta asht koha t’i nxjerrim nga pluhni, jo vetëm poetët, por edhe tiranët e fshehun në lavdi…
i.s. (Reflektim i datës 9 qershor 2025, në orën time të pushimit)…