
Fidel Kastro dhe Revolucionit Kuban
nga Saimir Kadiu
Shoferi i parë që kam patur kur fillova punë në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 1992, ishte Rauf Kalaja, një fisnik tiranas, i urtë, fjalëpak, i respektuar dhe që rrezatonte vetëm mirësi.
Megjithëse kishte gati moshën e babait tim e konsideroja dhe e trajtoja si një vëlla të madh.
Në fillim të viteve ’80, ai kishte qenë shoferi i Ambasadorit tonë në Kubë për katër vite.
Bisedoja shpesh me të për kohën që kishte jetuar në Havanë…
Me tregonte që nuk kishte ndryshim me Tiranën përsa i përket jetesës… por mendonte që kubanezët ishin edhe më të varfër se ne.
E pyesja për Fidel Kastron nëse e kishte parë nga afër…
Jo më thoshte… nuk erdhi asnjëherë në festat që organizonte ambasada jonë. Mbante mend vetëm vizitat e vëllait të Fidelit, Raul Kastros dhe ish presidentit kukull Osvaldo Dortikos Torrados…
A e donin Fidelin – e pyesja…
“Në dukje po, – më përgjigjej Raufi, – po në të vërtetë apo jo nuk i kuptoja…”
Sot që po shkruaj është 67 vjetori i Revolucionit Kuban.
Më 1 janar 1959, Fidel Castro dhe forcat e tij revolucionare morën zyrtarisht pushtetin në Kubë, duke shënuar triumfin e Revolucionit Kuban.
Batista iku nga Kuba në orët e para të Ditës së Vitit të Ri, duke ikur në Republikën Dominikane.
Forcat e Kastros hynë në Havana menjëherë pas kësaj, të përshëndetura nga turma masive.
Kjo ngjarje i dha fund dekadave të sundimit autoritar dhe filloi transformimin e Kubës në një shtet socialist.
Revolucioni u bë shpejt një simbol i anti-imperializmit dhe frymëzoi lëvizjet e majta në mbarë botën.
Fidel Kastro drejtoi të vetmin vend komunist të hemisferës perëndimore për 57 vjet…
Kush ishte Fidel Kastro?
Ja si e ka përshkruar shkrimtari italian Roberto Saviano:
“Fidel Kastro ishte diktator. Burgosi të gjithë ata që nuk mendonin si ai, përzuri një president të korruptuar dhe e zëvendësoi me një regjim ushtarak gjakatar. Dikur e deshën për idealet e tij, të cilat nuk i realizoi kurrë. Justifikoi çdo lloj dhune. Pretendoi që arsimi dhe shëndetësia falas në Kubë ishin më të mirët në botë, megjithëse kubanët, që kishin nevojë për to, duhej të arratiseshin nga Kuba – dhe në të shumtën e rasteve nuk ktheheshin dot mbrapsht!”
Kastro dhe regjimi i tij, ashtu si dhe simotrat e tyre ne Evropën Lindore ishin siç i përshkruan i madhi Milan Kundera:
“Ata që mendojnë se regjimet komuniste të Europës qendrore janë vepër e kriminelëve, lënë në hije një të vërtetë themelore: regjimet kriminale nuk u formuan nga kriminelët, por nga entuziastët e bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë.
Dhe ata e mbronin trimërisht këtë rrugë, duke ekzekutuar për këtë shumë njerëz. Më vonë, u bë e qartë si drita e diellit se parajsa nuk ekzistonte dhe se entuziastët, pra, ishin thjesht vrasës!”
Marrë nga Muri i FB Saimir Kadiu, 1 janar 2026