back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Festat në familjen tona – nga Klodi Smajlaj

Gazeta

Church and mosque in Shkodër, Albania
Church and mosque in Shkodër, Albania

Festat në familjen tona* 

nga Klodi Smajlaj

Në shtëpinë tonë, dita e parë e Bajramit njihej përherë si ‘dita e Kolës’. 
Kola ishte miku i ngushtë katolik i tim eti. Ata kishin një marrëdhënie të veçantë, e cila me kalimin e viteve u forcua dhe u kthye në një lidhje familjare.
Me të mbaruar ritualet e faljes, në të parën ditë të Bajramit, ne nisnim përgatitjet për të mirëpritur mysafirin tonë të veçantë me emrin Kolë.
Kola vinte përherë me zonjën e tij, një grua fisnike, e urtë, e cila fliste pak, por çdo fjalë që lëshonte nga goja, i kishte peshë. 
Atë ditë, ne përdornim enët më të bukura dhe gatuanim disa tenxhere me ushqime të ndryshme.
Im atë sigurohej që mishi, – ky produkt që atëherë shihej si mbret i tavolinës, – të ishte me bollëk, mundësisht i gatuar në të gjitha mënyrat.
Kola me zonjën e tij qëndronin gjatë atë ditë në shtëpinë tonë. Mysafirë të tjerë, familjarë e miq vinin e shkonin, por Kola mbeste po aty, në krye te tavolinës, thuajse derisa errej.
Së bashku me tim atë, ata herë bënin humor, herë përhumbeshin në kujtime e herë bënin biseda serioze për hallet e jetës.
Si fëmijë, unë merrja vesh pak nga ajo që thuhej, por atmosferën e gëzueshme dhe energjinë e mirë që krijohej te ne atë ditë, e kam të ngulitur në mendje e në zemër. Ishte ndër të paktat raste kur shihja edhe time më që përfshihej në biseda, pasi muhabeti me zonjën e Kolës i shkonte shumë.
Kur vinin Pashkët, im atë dhe ime më bënin të njëjtën gjë. Atë ditë, në shtëpinë e Kolës hynin e dilnin me dhjetëra vetë, por prindërit e mi ishin mysafirët e veçantë, ata që viheshin përherë në krye të tavolinës.
Kola kujdesej që tim eti, me fe myslimane e shumë besimtar, t’i jepte respekt deri në detajet më të vogla. 
Atë ditë, në shtëpinë e tij s’kishte as alkool, e as mish derri vërdallë. Çdo gjë ishte e përgatitur sipas besimit të mysafirit të dashur. 
Te shtëpia e Kolës përsëritej historia. Ata zhyteshin në biseda për orë të tëra dhe e humbisnin sensin e kohës. Ishte një lidhje tepër e veçantë shpirtrash mes tyre, e cila e jepte efektin e saj të mirë edhe tek ne përreth. 
Më mungojnë shumë ato ditë e ato ndjesi. 
Më vjen keq që nuk e kthej dot kohën mbrapsht për t’i jetuar sërish, por kësaj radhe si e rritur, me një tjetër forcë e me një tjetër dritë.
Kush është bekuar me miqësi të tilla, i është dhënë një mirësi e madhe. Festa do njerëz për t’u kaluar. Do shpirtra që i japin kuptim e diell jetës tënde, pavarësisht se ç’besim ka zgjedhur për të ndjekur secili prej tyre.
Me shpirtra të tillë, festa jote është festë e tyre dhe e anasjellta.
Bajrami sot është një festë që neve si myslimanë na vjen natyrshëm, por është gëzim edhe për të gjithë Kolët, Zefët, Prelët e Gjovalinët katolikë, që kanë lidhje të ngushta familjare e miqësore me Muharremët, Zeqirët, Nuhët e Fadilët myslimanë.
Se vërtet kena Bajram e Pashkë, 
por dashninë e ndajmë tan’ bashkë!
Gëzuar!
.
Titulli redaksional nga radiandradi
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.