back to top
20.5 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Femra është e skllavëruar nga mashkulli apo e anasjellta? – Refleksion nga Lili Kristuli – mbi shkrimin e Klodi Strallës

Gazeta

Lili Kristuli
Lili Kristuli
Femra është e skllavëruar nga mashkulli apo e anasjellta?
Refleksion nga Lili Kristuli – mbi shkrimin e Klodi Strallës

Ky është titulli që miku im, Klodi Stralla, para ca kohësh, vuri në një nga postimet e tij. Nuk e kam lexuar librin, të cilit i bën jehonë pyetja; po do përpiqem ta gjej.
Zakonisht postimet e Klodit janë ngacmuese, të bëjnë të mendosh, të reflektosh, e ndërkohë që dua të përgjigjem, ai ka postuar diçka tjetër akoma më ngacmuese. Por kësaj here vendosa të bëj një postim, që ndoshta nuk do ta kisha bërë ndonjëherë, nuk do më kishte shkuar mendja e për këtë nxitje falenderoj Klodin.
Në përgjigje të pyetjes së tij, mund të them se njoh shumë gra të cilat sundojnë mbi bashkëshortët, duke u nënshtruar. (bëjnë kinse!) por kjo është temë për një postim tjetër.
Ndërsa ky i sotmi ngjyen nga lashtësia… e ndoshta nuk ka shumë lidhje me pyetjen e Klodit, ndaj merreni si t’iu vijë për mbarë…
Po e nis nga larg…
Çfarë bënin personazhet femërore te Odisea?
Punonin në vegjë. Gra të thjeshta të popullit apo mbretëresha, për to kjo ishte veprimtaria kryesore dhe, më e lavdërueshmja, ndër ato nahije.
Penelopa, mbretëreshë, thurte në vegjë.
Circe, vajza e Helios, perëndisë së diellit, ishte magjistricë. Odisea, e pa nga dritaret e pallatit ulur në vegjë, kur mbërriti në ishullin e saj… dhe u pataks. Di edhe të tjerrë!!
Kalypso, bija e Atlantes, viganit, që luftonte kundër perëndive, ishte nimfë sovrane, ama edhe ajo i kalonte orët duke tjerrur në shoqërinë e skllaveve që ishin gjithashtu nimfa. Por meqë ndërthurte tjerrjen me këngë, për bashkëkohësit ishte pak si shumë “transgresive”
Tani të shohim anën tjetër. Penelopa bën sikur thurr qefinin për të vjehrrin, për të fituar kohë, për të mashtruar pretenduesit…
Circe, i shndërron në derra shokët e Odiseut për ta detyruar atë të qëndrojë në ishull përgjithmonë.

Gratë e Homerit
Gratë e Homerit

Kalipso, i premton Odiseut pavdekësinë. Pra përdor fuqinë e saj hyjnore për t’i hedhur Odisesë trutë e… E kuptuat se ç’dua të them…
Në një shoqëri maskiliste, si ajo greke, Homeri, te Odiseja, na jep tre figura femrash që, përveç bukurisë së tyre marramendese, kanë edhe një mendje të hollë…
Pra, gratë e atyre moteve e të asaj nahije, përdornin jo vetëm hiret e tyre, por edhe mënçurinë, për të arritur një qëllim…
Vetvetiu lind pyetja, ishin mashtruese, ad hoc, o thjesht, të dashuruara?
E kush mund ta dijë…?!
Në këtë pikë, i lodhur nga intrigat e këtyre grave, Homeri nxjerr në pah Nausikën… Figurën më të bukur femërore të të gjithë poemës. Nausika, bija e mbretit Alcinoo, ishte ndryshe nga gratë e tjera – lante ndërresa në lumë, nuk thurrte në vegjë. Nausika e virgjër, e bukur, posi gonxhe e paçelur, e urtë, nuk e mashtron Odisenë, përkundrazi… Është ai që me lajka dhe dinakëri, si një skile vjetër, mashtron Nausikën. Ajo është një çupërlinkë, e padjallëzuar, e pa ditur, e papërvojë… e bie në dashuri, një dashuri pasionale por platonike, sepse pas ca do martohej… Odisea vuan nga ky platonizëm i pakuptimtë për një hero si ai… I demoralizuar, pa pritur, ndjen mall për Penelopën, që pret e pret e s’ka të sosur… e vendos të kthehet në Itakë…
E ndërkohë që Penelopa priste e priste, ç’kishte katranosur Odisea? (përveç atyre meseleve që thamë më sipër)
Odisea është garip. Bën sherr me Polifemin, të birin e zotit të ujrave, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, e qorron… Poseidoni bën be… – Ia tregoj unë qejfin atij qafiri…
Largësia Trojë – Itakë është rreth 500 milje. (të themi 600 km). Pra, sa largësia Gjiri Drinit (Ngushtica e Korfuzit. – e pashë në googel) Me anijet që kishte Odisea, (nga më modernet, si skafet e sotme) e me një erë të mbarë, udhëtimi do zgjaste, sipas analistëve navigatorë 10 ditë, le të themi 15. Sa kohë iu desh Odiseut? 10 vjet… Një vit e ca me Circen, 7 vite e ca me Kalipsonë, tepricën me Nausikën, e pastaj ia hedh fajin Poseidonit, që paska dashur të hakmerret dhe e bëri të humbë rrugën… në det! Në vijë të drejtë! 500 milje! Nejse punë e tij…!!
E ç’bën Penelopa kur Odisea kthehet? E pyet në mund ta çvendosë talamin, shtratin bashkëshortor. Vere karshi pasqyrës, se nuk shkon mirë aty te dritarja. Mua më prite? – i thotë Odiseu, gjithë nerva… Sapo u ktheva nga puna e jam i dërmuar. Nuk gjen rehat njeriu as në shtëpi të vet…!!
Po gjetkë e kish hallin Penelopa.
Ajo e di që talami nuk mund të lëvizë vendit. Është i sajuar mbi një rrënjë ulliri, por, do të dijë, në mënyrë të tërthortë, nëse ai i ka mbetur besnik… Pas 10 vjetësh! Do të dijë a ka hala pushtet mbi Odiseun…
Unë kam parsysh skenën e filmit kur Penelopa, (Irenë Papas) duke ditur që Odisea po i kërdis së gjalli pretenduesit, rri në dhomën e saj e përplas duart, me dëshpërim. Ja ç’idiot më takoi për burrë, duket sikur thotë… U bë xheloz, pas 10 vitesh, si kofini pas të vjelit…
Megjithëse ajo vetë, për 10 vjet mbeti skllave e dashurisë ndaj tij…
Mua më duket njëçikë si i komplikuar ky lloj raporti… Por të kënaqur ata… e kënaqur edhe unë…
Ja kështu…
Tani le të flasim për misterin pse burrat e kanë mendjen, kaq shumë te seksi. Bazuar gjithmone te posti i Klodit…
Nuk janë idetë e mia, as filozofia e as mendimet e mia. Ndaj shkoni avash me diskutime…
Thuhet se zoti i hoqi një brinjë Adamit për të plazmuar Evën, por burrave (e grave, gjithashtu) nuk ju mungon ndonjë brinjë. Me një fjalë kanë brinjë simetrike. Kraharor simetrik. Njëra gjysmë është njësoj si gjysma tjetër..
Por kemi dy çifte brinjësh, 11 e 12-ta, që quhen brinjë fluturuese o notuese. Janë brinjët e fundit të kafazit të kraharorit. Ato janë të quajtura kështu sepse janë të lidhura me vertebrat, ashtu si brinjët e tjera, por jo direkt me dërrasën e kraharorit.
Pra, me të gjitha gjasat, Eva u plazmua duke marrë içik nga katër brinjët e fundit, që të mbetura më të shkurtra lidhen apo mbështeten tek njera tjetra… pak a shumë. Pra, historia e asaj brinjës së vetme nuk mund të jetë e vërtetë…
Ky nuk është mendimi im… kijeni githmonë parasysh.
Por ka edhe nje mendim tjetër, o teori, quajeni si të doni… E unë dorëzohem.
Baculum është një kockë që gjendet në të gjithë gjitarët, mishngrënësit, përveç se te njeriu.
E kanë majmunët, gorillat, shimpanzetë, brejtësit, iriqët, lepujt, arinjtë, macet, qentë, fokat, nuselalet, lakuriqët e natës… më një fjalë të gjithë, veç njeriut..
Nga u zhduk kjo kockë?
Ndoshta zoti përdori pikërisht këtë kockë për të plazmuar Evën, ndaj meshkujt, me të parë një femër me sy, u kujtohet kocka e humbur dhe e kërkojnë dëshpërimisht…?
Mah…!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.