back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Fatmir Sollaku – Jo vetëm vëllai im i madh – nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Fatmir Sollaku në Romë përpara Altarit të Atdheut - Vittoriano
Fatmir Sollaku në Romë përpara Altarit të Atdheut – Vittoriano

Fatmir Sollaku – Jo vetëm vëllai im i madh

nga Shpend Sollaku Noé

Largim i papritur i kapitenit

Ishim një skuadër e fortë, tre vëllezër, tre motra. Ai ishte më i madhi në moshë. Kjo kishte sjellë që, në çaste të caktuara të jetës familjare të Sollakëve të lagjes XH. N. të Lushnjes, ai të kish marrë përsipër edhe rolin e babait. Sidomos kur shpirtrat e kuq të të keqes na e shkëputën të mirin Qemal prej vatrës. Por edhe më pas, pas ikjes së tij të parakohshme nga kjo botë.
Ishim Gjashtë, dhe na dukej se do të mbeteshim gjithmonë ajo skuadër e mrekullueshme në të cilën secili ishte plotësim i tjetrit. Deri atë ditë të mbrapshtë të 13 shkurtit të vitit 2020. Deri në atë telefonim të shkurtër nga Roma të nipit tonë Emil: Babai na la!
Frenova makinën pa u kujdesur se ku ndodhesha. Qysh? Çfarë thua, more. Po unë dje fola me të. Nga ana tjetër e linjës arrin vetëm ngashërimi. Kalojnë ato çaste të para kur akoma nuk ke kuptuar vërtetë se çfarë të ka ndodhur. Lajmi të ka zënë në mes të rrugës. Me aq sa të ka mbetur prej arësyes arrin të zhvendosësh makinën drejt shtëpisë. Rruga është bërë e padukshme. Një ujvarë e pandërprerë që rrjedh nga poshtë vetullave të vesh shikimin. Fati të ndihmon të mos bësh aksident.
Arrin të hapësh derën e shtëpisë e të plandosesh diku. Kërkon të rilidhesh me dikë. Të konfirmosh lajmin e pabesueshëm. Konfirmimi të arrin si një ortek. Nuk i shmangesh dot atij mali të dëshpërimit. Deri sa nuk të ka bërë copë.
Kjo ishte kronika e shkurtër e gjëmës së papritur. Me një përfundim tragjik: Nuk ishim më gjashtë. Kapiteni i skuadrës na kishte lënë.
Pas atyre orëve nis edhe kalvari i udhëtimit për në Shqipëri. Drejt një funerali në Lushnje. Pasiguritë me agjensitë e udhëtimit. Fantazma e Koronavirusit e kudogjendshme, edhe pse shpesh e neglizhuar. Më e rëndë se gjithçka më pas bëhet pritja e sjelljes së arkëmortit nga Roma. Ditë të gjata, shumë të gjata. Ditë pa natë. Një fiksim i vazhdueshëm i qiellit. Në pritje të përgjigjeve që kurrë nuk do të arrinin.
Pastaj ai pirg dheu, pranë nënës Shadie dhe babait Qemal. Lotë. Baltë nën këmbë. Lumë i turbullt në zemër. Qindra duar që ngushëllonin. Ashtu si vajtjeardhja e pafund e lushjarëve në ditët e pritjes. Që na bëri të mendojmë se Lushnja nuk kish rreshtur kurrë së dashuri familjen tonë.
Në një nga ato netë të pasvarrimit nëpër marrjemendjet e mia ishin ngjizur vetvetiu këto vargje: Lajmi i ngjyer në zift të shkrirë / më kullon akoma mbi mish. / Pezull – një sharrë elektrike e çmendur, / që vazhdon të më presë një këmbë, një krah. / Nëpër thonjtë e dhimbjes / më shuhet esenca e shpirtit në acid. / Hedh lakun e drithmës / në gançën e hënës mbi Lushnje / dhe var / gjysmën time të vdekur.
Ishin vargje – epitaf, të shkruar mbi një rriskë të qiellit të përmbledhur mes kodrave darsiane, në atë pjesë lugine të mbjellë me mermer. Një epitaf që e shpërndaja ndër njerëz e ëngjëj, të muzikuar nga peligorgat e shqetësuara të një përroi të pafjalë.
 .
Shpend Sollaku - Noé - Dhimbje
Shpend Sollaku – Noé – Dhimbje

Database familjare

Ç’na mbeti ne pesë të tjerëve veç dhimbjes? E qeshura e tij e fortë, kudogjendja nëse, akoma të rinj e të papërvojë, kërkonim një mbështetje apo një të shtyrë para ngurimeve. Na mbeti sidomos portreti i një vëllai që ndikoi shumë në edukimin e vëllezërve e motrave me dashurinë për punën, librin, muzikën, veshjen e zgjedhur me kujdes. Fatmiri ka qenë sqimatar i madh në të veshur. Donte gjithmonë të bënte figurë të bukur. Në vitet e kuq si edhe shumica e shqiptarëve të tjerë, kemi vuajtur dhe jo pak edhe nga pikëpamja ekonomike. Por le të thojë ndokush që paraqitja e atij burri nuk shquhej gjithmonë ndër të tjerët. Kjo që kur kish qenë nxënës në Shkodër e më pas student në Kamëz. Kaq shumë binte në sy saqë, edhe pse i shkëqyer në përgatitjen profesionale, pas Universitetit e dërguan në kufi me Beratin, edhe pse në Lushnje apo pranë saj, në ekonomi bujqësore më të rënëdësishme, kishte nevojë për njerëz të përgatitur si ai. Më vonë autoriteti i Komiteti Ekzekutiv që bënte emërimet, ia pohoi se e kishin emëruar aq larg sepse e konsideronin një mendjemadh që i ndronte kostumet si mbreti gratë. I shkreti Fatmir në atë kohë kishte shumë pak veshje, por i mbante chic dhe binte në sy edhe prej kollareve të bukura me të cilat i kombinonte. Kishte vërtetë këpucë lustrafin me porosi, por i vishte me raste, me aq pak kohë të lirë sa i linte puna në kooperativë, me ikje në të gdhirë e kthim natën vonë, për të mos përmendur lejen e zakonshme që askush që punonte në ekonomitë kooperativiste nuk e gëzonte.
 .

Database kolegësh e miqsh

Nuk mbaj mend kolegët e Fatmirit kur punonte në Toshkëz. Atëherë isha gjimnazist dhe shkoja të rrija edhe një muaj të flija në një dhomë me të. Prej atyre qëndrimeve më kanë mbetur në kujtesë pjeshkët e stërmëdha me tul të bardhë të asaj zone dhe shoqëria me Sulën, një shok i im i gjimnazit, që banonte aty pranë. Kujtimi im gjallërohet ndërsa afrohen vitet kur tim vëlla e transferuan në Kooperativën e Golemit. Ditët e fundit, falë Whatsapp-it, munda fatmirësisht të kontaktoj Mustafa Çelën, kryeagronomin e asaj kohe, që ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë me Fatmirin dhe që u bë edhe mik shtëpie.
Muçi ruan nje foto të paparë të asaj kohe, por, dhe sidomos, ka ende të freskët përvojën e atëhershme të eksperimenteve të Fatmir Sollakut në blegtori. Pasi ai, im vëlla, nuk ka qenë aspak një kuadër i zakonshëm i blegtorisë.
.

Fatmir Sollaku me disa nga bashkepunetoret e tij ne Golem te Lushnjes, vitet 80.  Jashar Gaxho, Bajram Lulja, Vehip Ago, Bajram Turku, Kujtim Gjata  dhe Luljeta Alla
Fatmir Sollaku me disa nga bashkepunetoret e tij ne Golem te Lushnjes, vitet 80. Jashar Gaxho, Bajram Lulja, Vehip Ago, Bajram Turku, Kujtim Gjata dhe Luljeta Alla

Çfarë i vjen ndërmend kryeagrononimit të njohur

Kooperativa e Golemit ishte më e prapambetura në të gjithë rrethin e Lushnjes.
Në dhjetor të vitit 1980, Komiteti Ekzekutiv vendosi të ndryshonte të gjithë kuadrot e asaj kooperative me qëllim që të përmirësonin gjendjen e blegtorisë dhe bujqësisë.
Me ardhjen e kuadrove të rinj objektivat brenda vitit patën rritje deri në 60%. Fillimisht u bë riorganizimi i sektorëve të kooperativës. U bë ndarja e tokës: 1600 ha për blegtorinë dhe1580 ha për bujqësinë.
Fatmir Sollaku ishte kryetar i degës blegtorale. Ai sistemoi gjendjen e blegtorisë së pari duke ngritur në përgjegjesi të punës specialistë të mirë të blegtorisë. Ai ndërtoi gropat e silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore, sistemoi administrimin për mbjelljen e tokës. Rezultatet e blegtorisë filluan të ecnin me shpejtësi drejt ngjitjes. Me këmbënguljen e tij Sollaku vendosi edhe qarkullimin në kulturat foragjere më në zë. Ai mbolli sojën, kaçkullën, tërfilin, jonxhën, loliumin, grurin foragjer dhe misrin foragjer.
Ndër më të rëndësishmet, qe ngritja prej tij e sektorit blegtoral në kushte naturale, pa stalla, jashtë në terren, në të ftohtë dhe në diell.
Në vitet 1980-82 shumë toka ishin të përmbytura dhe nuk jepnin prodhim. 50 hektarë ishin të papunuara. Nisi menjëherë drenazhimi me tuba qeramike në thellësi 60 cm. I përfunduam brenda tre muajve. Këto toka na dhanë prodhime bujqësore e blegtorale të kënaqshme.
Fatmir Sollaku filloi njëkohësisht realizimin e gropave të silazhit sipas teknologjisë bashkëkohore – 300 ton në 24 orë – duke futur grurin dhe misrin foragjer me gjithë kallinj, në fazën e pjekjes. Si rezultat i kësaj pune në muajin e nëntë të vitit 1981, sektori i blektorisë arriti t’i përmirësojë rezultatet në 100%. Sektori i blegtorisë po ecte me hapa të mëdha, sepse kishin ndryshuar të gjitha parametrat e punës me të.
Fatmiri filloi të bënte seminare ku shpaloste teknologjinë që kishte përdorur për prodhimin e qumështit dhe për sektorin e majmërisë së viçave, lopëve, deleve e pulave.
Koperativa e Golemit u bë një ndër ato me rezultate më të mira në rrethin e Lushnjes në saj të punës së palodhur të shokëve që kish afër si Tomor Kërçuku, Flamur Musaku, Vangjel Gjërmeni e shumë të tjerë.
Në Lushnje, vinin për të marrë përvojë nga i gjithë vendi. Mishi i Golemit ishte më i pëlqyeri në Shqipëri.
Rreth punës në blegtorinë e Golemit u detyrua të diskutonte edhe Byroja Politike; kokat e atëhershme të shtetit vizitonin atë koperativë me synimin e shtrirjes në të githë vendin të metodave të punës së atjeshme.
Shtypi lokal dhe ai kombëtar, si edhe Televizioni shqiptar, u morën shpesh me eksperimente e Golemit…
Mustafa Çela nuk përmend veten në këto shënime. Po detyrohem unë të shtoj se Fatmir Sollaku nuk do t’i kishte arritur ato rezultate në prodhimin e mishit, nëse nuk do të kish patur si bashkpunëtor të ngushtë edhe Muçin, kryeagronomin e zotë, njeriun e mirë e të palodhur, me të cilin bashkërendonin punën që prodhonte ushqimin për kafshët.
Shumë janë termat teknikë në rreshtat e mësipërm, shumë prej tyre të harruar apo që evokojnë dhimbje të një sistemi që vazhdimisht kultivonte vuajtjen.
Por ekzistenca e Fatmirëve, e Muçëve, e Tomorëve, e Flamurëve dhe e Vangjelëve ishte si melhemi mbi plagë, që lehtësonte shumë mbijetesën në kushtet e pamundura të koperativave socialiste.
 .

Illo Foto: Fatmiri i kryente paralelisht të dyja profesionet,

zootekni dhe veterinari, edhe pse ishte diplomuar si veteriner.

I shkruajta mikut tim të hershëm, gazetarit të shquar Dalip Greca, nëse kishte të dhëna rreth bashkpunëtorëve të tim vëllai Fatmirit. Më përgjigjet: “Mendoj se duhet të ketë të dhëna Illo Foto. Ai ka shkruar rreth 20 libra pas ‘90-ës me temën e blegtorisë. Duhet ta ketë njohur Fatmirin dhe përvojën e tij”.
I nisa një mail të nderuarit Foto. Dhe përgjigja nuk vonoi. E shkruar me dashuri dhe kompetencë. Përzier me kujtime familjare njohjesh të hershme.
“Fatmiri ka qenë miku ynë familjar. Kam pak kohë që kam marrë vesh shuarjen e tij. U hidhëruam familjarisht. Kur pashë mesazhin tënd, m’u duk sikur e takova. E kam pasur si vëlla. Ishte shoku im më i mirë në Lushnje, megjithëse nuk kemi punuar bashkë.
Ai qytet na ka kalitur në punë shumë të vështira, por edhe na ka lidhur me shoqëri të paharruara. Nuk mund të harroj sidomos Fatmirin, që e veçoj për sinqeritetin, dashurinë për profesionin, për interesin që tregonte në rritjen e prodhimit blegtoral, që ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së fshatarësisë të lodhur dhe të përbuzur nga regjimi. Në dukje ai regjim e kishte prioritet bujqësinë dhe fshatin. Në fakt të tërë peshën e marrëzive industriale e mbante në kurriz fshatarësia e rraskapitur. Ndihem mirë që kam shkruar disa libra duke e parë nga brenda jetën e fshatit të robëtuar.
Më shkruan për ndonjë dokument të punës shkencore të Fatmirit, ndonjë fotografi e të tjera të ngjashme. E ku bënim ne fotografi, i dashur Shpend! Ne gdhiheshim dhe ngryseshim ugareve dhe stallave. Edhe kështu nuk janë të pakët shokët tanë që u burgosën për “sabotim ekonomik”.
Ritheksoj se nuk kam punuar drejtpërdrejt me Fatmirin. Kemi qenë gjithmonë në ekonomi të ndryshme. Kur takoheshim qanim hallet, që ishin të përbashkëta. Ajo që spikaste në punën e tij ishte se ai i kryente paralelisht të dyja specialitetet: zootekni dhe veterinari, edhe pse ishte diplomuar për veteriner. Edhe unë i kryeja të dyja, megjithëse isha diplomuar për zooteknik. Si më ndodhi? Kur isha në Çermë Sektor, me 700 lopë, veterineri të shtunën ikte në familje, në Tiranë dhe kthehej të hënën pasdreke. Unë banoja familjarisht në Sektor. Po të mos merresha me veterinari, sektorit i dilte flaka. Nën këtë prizëm, kemi qenë të përbashkët me Fatmirin. Kur takoheshim, pinim ndonjë birrë tek “Myzeqeja”. Ky qe dëfrimi ynë, por na pëlqente njeri-tjetri.
Ju falenderoj që më dhatë mundësinë të rikujtoj një mik të vyer, një koleg nga më të shquarit që kam pasur në jetën time profesionale dhe shoqërore, në Lushnjen bujare dhe shumë njerëzore. Në kostelacionin e miqve lushnjare ndrin emri i dashur i Fatmirit, që e shkriu jetën në punën e vështirë që na impononte ajo kohë.
.
Fatmiri me nje pjese te miqve ne Lushnje. Nasho Pupi, Vasil Marini, Gim Bedeni dhe Trifon Tashi
Fatmiri me nje pjese te miqve ne Lushnje, Nasho Pupi, Vasil Marini, Gim Bedeni dhe Trifon Tashi

Në kujtesën e Gëzim Barutit, intelektual i internuar gjithë jetën

Edhe pse mjaft i zënë me librat e tij “Pushtimi i fundit” dhe “Nga Shatobriani dhe Lamartini”, Gëzim Baruti bëhet menjëherë i gatshëm të sjellë një copë zemër për Fatmir Sollakun. Ai shkruan: Një vit më parë humba një shok e mik të mirë, mungesën e të cilit do ta ndiej gjatë. Me ikjen e tij ndihem edhe më i vetmuar se më parë. Fatmir Sollaku, ky njeri i mirë dhe i virtytshëm, para syve të mi shenjtërohet i kompletuar në fushën e dijes. Shkalla e lartë e njohurive të tij më detyron ta quaj një enciklopedist ani pse i mërtiste dijet e tij duke u shfaqur si shembull në modesti. Njohuritë e tij dhe diapazoni i gjerë i tyre nuk njihnin kufi. Në retorikën e tij mbi shtjellimin e një teme shkencore apo letrare, ai diskurs konçiz e i zhdërvjelltë i tij ngjante si një krijim letrar didaktik prej të cilit mund të mësoje shumë. Nuk mund t`i harroj kurrë shijet e tij të veçanta artistike, në të gjitha zhanret, e sidomos ato letrare! Shkëlqente në profesionin e tij por drita që lëshonte ky shkëlqim ua vriste sytë cmirëzinjve të pushtetit komunist të asaj kohe. Mund të quhej, pa frikë, shkencëtar në atë mjeshtëri! Jam krenar që iu gëzova për një periudhë mbi pesëdhjetëvjeçare shoqërimit dhe miqësisë me Fatmirin. Thjeshtësia në sjellje po aq sa edhe në diskutimet e tij plot sharm, ravijëzonte konturin e lartësuar të individualitetit të veçantë të personalitetit të tij. Ndjej mall të pashuar për shokun e mikun tim të shtrenjtë, për njeriun e ndershëm e fisnik që nuk iu tremb syri kurrë prej të qënurit tim si i internuar i përjetshëm! Do të kujtohet gjatë edhe prej Elami Agollit dhe Dine Dines me të cilët shkonte po aq mirë i paharruari Fatmir Sollaku. Aeternum!

.

Mirënjohja për veprat e mira asht e përjetshme, shkruan Ilir Prifti

Iliri është djalë i lagjes. Iliri është njeri me shije të hollë artistike. Iliri është fotograf i talentuar. Iliri shkruan edhe vargje të bukura. Si këto të mëposhtmet, kushtuar ikjes së vëllait tim Fatmir. Vargjet janë të një ndjeshmërie që sfilit, ashtu si dhimbja për ikjen e vëllait të mikut të tij Shpend.
 .

Beneficiorum gratia sempiterna est*

Vëllai i madh tashma ka shkue
dhe, veç vetes, ka marrë edhe nji pjesë t’pandashme tonën.
Edhe n’u ndiefsh prapë ai çunaku i vogël,
ai ka me ardhë me t’ndihmue n’hallin tand.
Ai prap ka me ardhë,
kur ti, i lodhun prej ankthit ke dash
m’u ndie i sigurt n’dhomën tande.
 
Me u da prej tij,
s’asht si me nda dy kokrra molle t’ngjituna nji dege,
asht nji shtatore qi s’mundesh me ia hjekë gjysën
pa lëndu pjesën tjetër,
përqafim i ngjizun me shendin e brengat e fatit.
Ikja e tij, na la thellë vedit nji borxh t’ambël,
e s’e shlyejm dot veç s’bashku.
.

Kanata të hapura

Mua Shpendit më ka mbetur një loti i patharë nën qerpik. Një organo që regj në dhimbje hapësirën pa cak. Një cicërimë peligorge e mbetur në fyt. Një gjethe ende e gjelbër që nxiton t’i bashkohet dheut. Fluturza që sillen buzë përrroit, në një vorbullë që pështillet në prehër të kodrave të para të Darësisë, mbi korijen e mermertë.
.
Shpend Sollaku Noè.
Shkruar në mbushjen e vitit nga largimi i vëllait për diku.
.
*Kete shkrim autori e shkroi ekskluzivisht per radiandradi.com
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.