
Fate të rinisë idealiste…!!
nga Musine Kokalari
Marrë nga libri “Letërkëmbime, shënime, kujtime”
Ishte Selfixhe Ciu, komunistja e parë që shkruante në gazetë dhe në revistën “Bota e re” me pseudonimin Kolomba. Njihej Andrea Varfi si komunist dhe Shefqet Musaraj. Këta shkruanin në gazetën “Shtypi”, ku më vonë dërgova edhe unë skicat e para, që i vunë pseudonimin Muza. Ky grup njihej si grup komunist. Unë isha shoqe me Selfixhenë. Në ëndrrat e saj vajzërore, me pasionin e madh që kishte për shkollën, ku i ati s’e kish dërguar nga injoranca, talenti i saj nuk arriti shkallën e pjekurisë. Ajo e dashuroi marrëzisht Petron (Markon), me idealin e komunizmit që i bashkonte. Edhe ai ishte poet. Shkruante me pseudonimin Demo Koti. Vajtja në Spanjë e largoi nga Selfixhea, u ftoh. Po ajo e ndjeu këtë humbje, që zemra e saj e pastër nuk e mendonte kurrë se do të kishte mundësi të vakta.
Po ngjau më vonë. U martua me Xhemal Brojën, njeri serioz që ajo e nderonte shumë. Ajo mori pjesë në luftë, po pas çlirimit nuk eci dot përpara. Ra. U internua dy herë: më 1949 në Kuç, e mora vesh në burg, dhe prap më duket më 1963 ose 1964 në Lushnjë, kur unë isha akoma e internuar në Rrëshen. Se ç’u bë më vonë nuk e di. Unë mbeta këtu, e varrosur për së gjalli. Ajo ishte një komuniste romantike, që unë s’e kuptoja dhe mund të them se komunizmi për mua ishte diçka e tmerrshme.
Po Selfixheja mbeti një shkrimtare që s’arriti të ngrihej. Vuajti burgjeve në kohën e fashizmit, kaloi jetën ilegale me të gjitha vështirësitë dhe më në fund ra. Ndofta qe një fatkeqësi vrasja e Qemal Stafës me të cilin kishin lidhje si ajo, ashtu edhe Drita Kosturi, e fejuara e tij. Dora e tij mungoi. Si e para, edhe e dyta ra. Drita, e dënuar me vdekje në kohën e fashizmit, u dënua me vdekje edhe në kohën e socializmit. Bëri 13 vjet burg. Ishte e ekzaltuar dhe ne u takuam në burg, ku bëmë disa vjet të mira bashkë. Si njera, si tjetra s’kishin haber nga ideologjia. Pas burgut, Dritën e internuan në Levan të Fierit. Unë në Rrëshen. S’jemi parë më.
Edhe pse unë s’merrja vesh dhe tronditesha nga komunizmi, isha shoqe me Dritën që në shkollën e mesme, sido që ajo ishte dy klasë më poshtë se unë…
Musine Kokalari

Fragment i shkëputur nga libri “Letërkëmbime, shënime, kujtime”, botuar nën kujdesin e Bibika Kokalarit, sipas dorëshkrimeve të Musine Kokalarit.
Në foto: Musine Kokalari me disa shoqe, kur ishin nxënëse të Institutit “Nana Mbretneshë”
Marrë nga Muri i FB, Muzeu Kokalari 20 maj 2025