back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Familja e Bub Matosh Dedndreaj, streha e fundit e rezistencës ndaj instalimit të komunizmit në Nikaj-Mërture! – nga Pllumb Dedndreaj

Gazeta

Bub Matosh Dedndreaj (1914-1990) - Paris Qershor 1985
Bub Matosh Dedndreaj (1914-1990) – Paris Qershor 1985

Familja e Bub Matosh Dedndreaj, streha e fundit e rezistencës

ndaj instalimit të komunizmit në Nikaj-Mërture!

nga Pllumb Dedndreaj

Kjo histori i rrëfyeme prej Pëllumb Dedndreaj,
asht prej atyne ngjarjeve t’nji kohe të largët që rrijnë pothuej në kufijtë e legjendave epike,
ku njeriu mbetet i pagojë mbas leximit. Kur e mbarova, ndjeva si t’kisha pà nji film dramatik…
dhe m’u duk vedi se isha përdore me at grue që me shpëtue krijesën e saj,
ishte gati për çdo lloj çmendunie e që vetëm nji nanë mundet.
Kam mbetë i mahnitun nga fuqi e shpirtit të asaj grueje të quejtun Bute,
që kishte humbë rrugve t’arratisë burrin, i kishin marrë dy fëmijët
dhe e kishin degdisë interrnimeve me një foshnjë kërthi sa grima…
duke pa fundin e të vetmes krijesë që i kishte mbetë mbas shpirtit,
e duke pa se fëmija s’kishte asnji mundsi shpëtimi ajo çan rrethimet e telave me gjemba
dhe për 12 ditë e netë rresht udhëton në kambë mos me e lanë fëmijën,
me vdekë e me tretë pa asnji gjurmë… Nuk donte që fëmija me i betë pa varr…
Mbas 12 ditë e 12 netësh kur mbrrin në katund ajo sheh me mall vendlindjen dhe shtëpinë…
po lumtunia e mbrritjes asht e rrethueme nga grykat e automatikëve të Sigurimit…
e ajo do të ishte si nata e trembëdhjetë e vdekjes…
jozef radi, 29 tetor 2018

 

Ing. Pëllumb Dedndreaj - Nip i Bub e Bute Dedndreaj
Ing. Pëllumb Dedndreaj – Nip i Bub e Bute Dedndreaj
Ardhja e komunizmit nuk ishte fort e papritur në krahinën e Dukagjinit dhe Nikaj-Mërturit.
Ajo kohë ogurzezë ishte thënë prej disa kohësh nga Meshtarët, të cilët i dinin fort mirë si do të shkonin punët dhe pasojat që do kishin. Pa kurrëfarë droje, ata i tregonin popullit të vet se: ka me ardhë nji regjim që ka me pushkatue njerzit ma të mirë dhe ma me vlera. Nuk ka me pasë kurkush kurrgja ma t’vetën. Buka për popullin do ndahet nga një dritare e vogël që shumë shpesh nuk ka me u çelë për ditë të tana! Kanë me u mbyllë kishat e s’ka me guxue kush me iu lutë Zotit dhe në fund, ne priftërinjëve do na burgosin, torturojnë, dhe në fund na prêt konopi!!
Nuk vonoi dhe ajo dita erdhi. Familjet ma ne zà filluan rezistencën, të vendosur për të mos u pajtuar kurrë me të keqen. Udhëheqësit komunistë e dinin se malet nuk shtroheshin kollaj, ndaj u vërsulën me gjithë egërsinë duke mos marrë kurrgja parasysh, bënë atë që turku s’e bani për shekuj me rradhë.
Forca të shumta të Sigurimit u vërsulen mbi Nikaj-Merture, ku u pritën me pushkë, por fati ishte parashkrue. Ishte zona e vetme, që akoma nuk kishte ra në dorë të komunizmit. Një bërthamë e vendosur për të rezistuar deri ne vdekje. Të kryesuar nga Nik Sokoli e Shpend Sadiku, u vendos ne Salcë në shtëpinë e Bub Matosh Dedndreaj. Aty qëndruan për 9 muaj në fshehtësi të plotë dhe me mundësi fare të pakta komunikimi me grupet e tjera të rezistencës. Nuk do të ishte e largët dita, kur forcat e zbulimit arritën të zbulojnë vendndodhjen e tyre. Në gushtin e 1948-ës alternativat ishin sosur, ose duhet të vriteshin gisht për gisht me forcat e ndjekjes ose duhej të çanin rrethimin dhe të largoheshin për në Jugosllavi. Ata vendosën të arratisen. U banë bashkë plot 33 burra e gra që atë fund gushti lanë vendin e tyre të dergjej në duar të komunistëve. Por fati i keq, se shumë prej tyre i ndau nga familjet, disa arritën t’i marrin me vete, mjaft prej tyre jo. Ata e dinin fort mirë se çfarë i priste. Ky ishte eksodi më i madh, gjëma më e madhe që kishte njohur ajo krahinë.
Tre burra nga familja e atij që kishte mbajtur gjallë rezistencën u detyruan të lënë shtëpi e vatan. Bub Matosh Dedndreaj dhe Pal Cekë Dedndreaj lanë mbas gra dhe fëmijë, kurse Mirash Ukë Dedndreaj ishte prift.
Duke njohur kushtet dhe rrethanat e krijuara ata kishin ruajtur komunikimin me
shokët e tyre, kundërshtarë të regjimit që po instalohej me shpejtësi.
Grupit ju bashku Zef Delia dhe Zef Binaku, Marash Tushi e Gjon Bala.
Nga Dukagjini bajraktari Lush Prela me familje, Sadik Mark Shpendi me vëlla, motër dhe kunatë së bashku me burra dhe gra të tjerë; nga Dushmani, Martin Camaj me Ndue Marashin; Mark Alia nga Lekbibaj si dhe Kolë Ademi me vëllezër.
Terreni i vështirë, nata e errët dhe kujdesi që duhet të kishin nga forca të shumta që i ndiqnin ngado e bënin shumë të vështirë rrugëtimin e tyre.
Dhimbja që kishin në shpirt për vendin e tyre që po lenin pas e bante dhe ma të vështirë rrugëtimin.
Mëngjesi i ditës tjetër i gjeti matanë kufirit, në Mal të Zi pjesë e Jugosllavisë. Të lodhur, të munduar dhe të drobitur, por mbi të gjitha të plagosur në shpirt për familjet dhe vendin e tyre.
Kalvari i tyre i vuajtjeve sapo kishte filluar në një vend tjetër.
Trajtime dhe mundime të tjera kishte rezervuar fati për ta, a thue kishin ardhë në këtë jetë pa vullnetin e Zotit.
.
Pamje e fshatit Salcë, Krahina Nikaj-Mërtur
Pamje e fshatit Salcë, Krahina Nikaj-Mërtur

Rikthimi

Kaluan nga kampi në kamp pa kushtet as me minimale, por brenga e tyre ishin familjet që kishin lanë pas.
Planet e tyre ishin që të ktheheshin një ditë dhe të merrnin edhe familjet e mbetura, pasi e kishin kuptuar se komunizmi që kishte kapur për fyti shqiptarët do ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Viktimat ishin të pashmangshme, pasojat katastrofike për breza të tërë.
Ishte viti i tretë që jetonin në kampet e Jugosllavisë, ata i lëviznin sa në një kamp në një tjetër, ku kushtet sa vinin e përkeqsoheshin. Mendja e tyre rrinte te atdheu i tyre, si dhe te familjet e lëna pas. Duhej të vepronin, ishte koha të realizonin planin e tyre për marrjen e familjeve dhe largimin e tyre nga regjimi gjakatar. Plani filloi të vihej në veprim.
Kaluan kufirin dhe u futën në tokën shqiptare pa u zbuluar nga rojet e kufirit. Njohja e terrenit dhe eksperienca i ndihmonin, ditën strehoheshin në shpella dhe përrojë dhe pas mesnate ecnin drejt shtëpive.
Duhej të merrnin familjet me çdo kusht ndaj ishin shpërndarë në periferi të fshatrave të tyre. Një natë mbas mesnate ata trokitën në derën e një kumare në fshatin Palq, kojshi me fshatin Salcë. I zoti i shtëpisë hapi derën, normalisht i tmerruar nga frika për pasojat që do të kishte.
Situata kishte ndryshuar, terrori që po ushtronte partia kishte fillue me lëkundë bukën dhe besën si kurrë më parë në ato troje.
Në të dalë të dritës dalin nga shpia dhe ngjiten në male sipër fshatit Salcë, ku do prisnin mbrëmjen për të finalizuar bashkimin me familjen.Vendi i takimi ishte sërish shtëpia e Bub Dedndreaj. Por fati nuk ishte në anën e tyre, diku pas mesditë duke i hedhur një sy fshatit që dukej si në pëllëmbë të dorës ata panë se rrugët, kodrat dhe arat ishin plot me forca të sigurimit dhe të ndjekjes. Ata kishin marrë komunistët si dhe njerëzit e besuar të tyre te armatosur. Dikush i kishte paditur. Kishte një mobilizim të jashtëzakonshëm për të kapë diversantët, siç i quante partia. Siç thuhet në malsi: fjalët s’vonojnë… e kërcet pushka.
Ngado binin batare pushkësh pa pushim. Dikush qëllonte në shënje, dikush i njihte mirë dhe vetëm sa qëllonte në ajër sa për t’u dukë se po ban detyrën e partisë.
Situata ishte tepër e rëndë dhe delikate. Forcat e sigurimit dhe të ndjekjes kërkonin me çdo kusht arrestimin dhe pushkatimin e tradhëtarëve të partisë. Krismat e pushkëve nuk kishin të ndalur, e sa vinin e shtoheshin. Grupi u shpërnda për të çorientuar forcat e ndjekjes. Terreni shumë i thyer me shpate të zhveshura e bante thuajse të pamundur shpëtimin e tyre. Njërit nga grupi pikërisht Ndre Cufës i plas një granatë dhe mbetet i vdekur. Shtëpia e Bub Matosh Dedndreaj bëhet sërish qendra ku duheshin të mblidheshin ata që do të shpëtonin të gjallë. Si shenjë e atyre që kishin shpëtuar do të ishte një jorgan i kuq i hapur në gardhin e oborrit. Nëpër flakët e pushkëve, Bubi arrin në shtëpinë e vet. Me vete kishte një çantë me rroba për fëmijët për t’i mbrojtur nga i ftofti i natës në rrugën e gjatë për t’u arratisur sërish.
Ashtu nëpër zhurmën shurdhuese të krismave takoj dy fëmijet e vet, pasi gruaja me djalin e vogël ishin interrnuar.
Hapi jorganin e kuq në gardhin e oborrit si shenjë për shokët dhe morën rrugën për në luginen e përroit të Daicës si pjesa më e sigurt për shkak të terrenit shumë të vështirë.
Favori i tyre ishte nata që u erdhi në ndihmë si engjëll mbrojtës, kaluan Daicën dhe hynë në fshatin Brisë nga ku morën bjeshkët në një rrugë pakthim. Disa ditë më vonë arritën të depërtojnë sërish në Jugosllavi.
Dy vite më vonë, i lejuan të shkojne në perëndim.
Bubi u vendos në Belgjikë. Pal Ceka në Paris, kurse Mirash Uka në Romë.
Disa vite më vonë u bashkuan në Paris me brengën e madhe të familjeve që kishin lënë pas. Jetuan të vetëm me zemër të plasur për kalvarin e vuajtjeve të familjeve të tyre që kishin lënë në vendin që dergjej dita – ditës nga komunizmi.
Jetoi për dekada pa parë fëmijët e vet me brengë të madhe në shpirt. Jetonte një liri që e vriste më shumë se çdo burg famëkeq.
Në një nga letrat e tij që i drejtonte familjes shkruante: E di se ju kam lënduar, e di se sa vuani dhe çfarë ndjeni por nuk kisha rrugë tjetër.
Ta kisha ditë se sapo të më kapin me pushkatojnë, kurrë nuk kisha ikë nga familja dhe vendi im. Kur i kam parë që torturojnë kundërshtarët me tortura ma çnjerzore duke ju futur vezë të ziera nën sqetull derisa ju shifeshin mushkëritë, kur jau çanin mishin dhe ju fusnin kripë, kur ju fusnin fishekë në mes gishtave të lidhur dhe jau thyenin gishtat. Nuk mund t’i pranoja torturat.
Tragjedia dhe fati i zi nuk kishte mbarue akoma. Komunizmi dukej sikur ishte i përjetshëm ndër shqiptarë.
Vdiq në Paris më 12 maj 1990. U varros nga shokët dhe miqtë e tij por nuk kishte askënd nga familja t’i hidhte një dorë dhe mbi varr. Vdekja nuk e la të shihte ditët e fundit të komunizmit famkeq dhe të shihte qoftë dhe një minutë të vetëm fëmijët e vet që u rritën jetimë me babë gjallë.
U rivarros në atdhe në Salcën e vet në Nikaj-Mërture, në gusht te 1997!
.
Vorri i Bub Dedndreaj (15.06.1914 Nikaj-Mertur - 12.05.1990 Paris-France)
Vorri i Bub Dedndreaj (15.06.1914 Nikaj-Mertur – 12.05.1990 Paris-France)

Arratisja nga kampi i Beratit

Pas arratisjes se kaçakëve, siç i quante partia, filloi terrori mbi familjet e tyre.
Hakmarrja mbi familjen që kishte mbajtë dhe ushqye kundërshtarët e partisë nuk njihte kufi.
Konfiskuan gjithë pasurinë me preteksin se ishte e vendosur nga armiku i partisë dhe i popullit.
Ishte pikërisht e zonja e shtëpisë Bute Dedndreaj, nënë me tre fëmijë të mitur që u kishte gatuar bukë dhe kujdesur për 9 muaj këtyre burrave atdhetare antikomunistë që duhet të paguante çmimin më të lartë.
Ajo merret nga sigurimi i degës së punëve të brendshme, së bashku me djalin Pjetër Dedndreaj vetem 7-muajsh dhe i drejtohet kalvarit të vuajtjeve. Pasi i mbajtën disa ditë në Bajram-Curri e nisin drejt Beratit. Kalaja e Beratit ishte tashmë vendi ku armiqtë e partisë do përjetonin ferrin. Trajtimet shtazarake ishin normaliteti i një shoqërie anormale që po instalohej me shpejtësi. Tortura, pa ushqim, pa rroba dhe pa kushtet minimale për çdo qenie kishin favorizue sëmundje dhe epidemi.
Ditët kalonin si në ferr. Për çdo ditë vdisnin fëmijë të vegjël “engjejt, armiq të partisë” dhe lumi Osum u bë shtrati i tyre i fundit që nuk i dihet ku e ka fundin deri në thellësi të detit Adriatik.
Pjetra i vogël, një fëmijë që sapo kishte filluar të hedhë hapat e parë në një tokë që e kishte pushtuar djalli, nuk kishte si ta kuptonte se fati i tij do të ishte në dorën e xhelatëve. Ai sëmurë shumë rëndë. Nuk hante dhe as nuk kishte çfarë të hante as të pinte pasi gjiri i nënës nuk prodhonte ma qumësht nga mos ushqyerja.
Nanë Butja ishte e pafuqishme përballë mizorisë, harbutërisë dhe arrogancës së gardianëve dhe drejtuesve të kampit. Ishte e bindur se Pjetra i vogël do të vdiste dhe eshtrat e tij kurrë më nuk do gjendeshin. Kjo i kalonte kufijtë e vdekjes, ishte vdekje mbi vdekje. Një nanë malësore nuk mund ta mbante mbi shpatullat e veta mospasjen e një varri për djalin e vet dhe merr një vendim:
Do të largohem nga kampi dhe si të gjallë si të vdekur, djalin do ta çoj në shtëpi ose në varrezat e të parëve të mi.
Pas disa ditësh e vuri në zbatim planin.
Në orët e vona pas mesnate, me shumë mundime arriti të këpusë telat me gjemba dhe të dalë përtej rrethimit së bashku me Pjetrën e përhumbur në gjumë të thellë. Mori rrugë pa rrugë për në vendin e vet. Kurrë më parë nuk kishte qenë më poshtë se në Shkodër, nuk dinte as rrugë as vend që të orientohej. Ishte një inisiativë e çmendur për një grua me një fëmijë të vogël të ikte nga kampi i internimit, ku masat e sigurisë ishin shumë të larta.
.
Rruga për fshatin Salcë, Krahina Nikaj-Mërtur
Rruga për fshatin Salcë, Krahina Nikaj-Mërtur
Busull orientuese ishte forca dhe besimi i sajë për të kthyer të birin në shtëpi të vet.
Rrugët kontrolloheshin, prandaj nuk mund të ecje. Pjesën më të madhe të ditës e kalonte poshtë urave për të mos u pikasur nga sigurimi. Ecte buzëmbrëmjeve dhe mëngjeseve herët.
Natën e kalonte nëpër varreza, shtrihej midis varreve pasi aty ndihej më e sigurt, pasi edhe nëse kalonte dikush mendonin se po qendronte te varri i ndonjë të afërmi.
Ditët kalojnë, rruga s’kishte të sosur. Pas 12 ditësh arriti në Shkodër dhe ju drejtue Dukagjinit. Që ishte më afër shtëpisë merrte forcë, por e dinte se aty rrezikohej më shumë pasi zona kontrollohej rreptësisht. Duke u ngjitë maleve përpjetë dhe duke kundruar mbi çdo kodër njësoj si preja me gjahtarin. Rruga sa vinte e bahej ma e vështirë, lodhja, stërmundimi, mosushqyerja po luftonin fort mbi rezistencën e një gruaje të pamposhtur.
Nuk mund të kërkonte ndihmë as ushqim në asnjë shtëpi nga frika se do e dorëzonin në organet e sigurimit ndaj ushqimi i saj ishin vetëm frutat e egra që ofrontin malet.
Një avantazh që kishte nuk munde ta lente të ikte pasi duhej ta mbante shpirtin e vet dhe të djalit gjallë. Në përrenj ishin mullit që bluanin misrin fshatarët. Ishin vitet e zisë së bukës, dhe gjithë bisedat e malësorëve ato vite vërtiteshin rreth gjetjes së bukës për familjen.
Nane Butja me djalin vrojtonte me kujdes mullinin, priste derisa të mbaronte bluarja dhe burri apo gruaja me miellin e bukës së familjes të nisej për shpi. Hynte në mulli duke vrojtuar terrenin me shumë kujdes, mundohej të mblidhte atë miell që kishte mbetur në rrethin e mullirit dhe në shplakën e dorës e trazonte me ujë dhe ja jepte të birit me mbajtë shpirtin gjallë.
Pas dy javësh rrugë, e lodhur, e dobësuar, e munduar përtej limiteve njerëzore të një gruaje ajo arriti në shtëpi së bashku me djalin e vet.
Nuk vonoi dhe sigurimi i erdhi në derë siç tashmë ishte e përditshme. Njoftimi se kishin arrestue diversanten ma të rrezikshme të kohës mori dhenë.
Forca të shumta rrethuan shtëpinë dhe kërkonin të dinin me çdo kusht se kush ishte ideatori dhe ndihmësi i kësaj arratisje të padëgjuar më parë.
Nënë Butja së bashku me djalin niset sërish drejt ferrit. Arriti në Tropojë të vjetër dhe pritej urdhëri nga lart për ku do të nisej.
Kësaj rradhe fati i nënës dhe fati i djalit të saj nuk ishin më njësoj.
Rastësisht si një engjëll mbrojtës aty gjendet një mësues, bir i një dere shumë fisnike të zonës Nikaj-Mërturit. Ishte Ndue Gjelosh Progni, që insistoi me kambëngulje që djali të mos shkonte sërish në interrnim. Ai nuk u tërhoq përballë kundërshtimeve të sigurimit dhe hyri vetë garant për djalin. Dashamirësia, vullneti dhe shpirti i tij i kristaltë fitoj mbi të keqen dhe falë tijë Pjetra jetoi.
Nanë Butja niset në rrugën e gjatë, kësaj rradhe drejt Kalasë së Tepelenës. Aty ku qëndronin familjet më fisnike shqiptare, ajka e kombit por që komunizmi famëkeq aty e shihte rrezikun. Ata ishin armiq të betuar ndaj njeri-tjetrit. Ajo vuajti aty vitet e dënimi më të padrejte që njeh historia.
Kur rrëfehej për vuajtjet e saj, i dridhej buza, ngulte vështrimin diku larg dhe qëndronte e heshtur, më pas vazhdonte, prap ndalonte dhe në fund thoshte:
Nuk din goja me tregue çka është bërë në kampet e interrnimit. Asnjë mendje njerzore nuk e çon nëpër mend atë çka bani komunizmi ndër shqiptarë…

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.