back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Familja Çetta familje e një histori të rrallë personalitetesh

Gazeta

Mark Çetta (1860-1928) 14 vite sherbim Atdheut! i ati i Lazër Çetta
Mark Çetta (1860-1928) 14 vite sherbim Atdheut! i ati i Lazër Çetta

Familja Çetta familje e një histori të rrallë personalitetesh

Lazër Çetta (babai i prof. Anton Çettës), i dekoruar nga presidenti francez me medaljen “Officier d’Académie” e akorduar në vitin 1928. Po ashtu në vitin 1934, dekorohet për herë të dytë nga shteti francez me medaljen “Kalorës i Legjionit të Nderit (Chevalier de la Légion d’Honneur)”.
Atdhetari Lazër Çetta (1885-1940) ishte jurist, diplomat, drejtues arsimi, shkrimtar dhe përkthyes. Ekselent në studime, Lazër Çetta, përfundoj Liceun Francez në Selanik, ku mori kulturë dhe arsim perëndimor, kulturë e dije që e vuri në shërbim të atdheut, kombit, që nga Tirana e deri në Kosovë në vitet e errëta të analfabetizmit! Në Shqipëri shërbeu nga profesor i gjuhës frënge në një gjimnaz në Tiranë, e deri drejtor i drejtorisë së të drejtave të studimit në Ministrinë e Arsimit etj.

Mark Çetta (1860-1928) i ati i Lazër Çetta
Mark Çetta (1860-1928) i ati i Lazër Çetta

Lazër Çetta është ndër shqiptarët e rrallë që ka kontribuar në administratën e shtetit shqiptar, që kur ky shtet lindi më 28 nëntor 1912, e deri në vitin 1940, kur edhe ndërroi jetë.
Lazër Çetta, punoi si sekretar i parë ne Ministrisë Arsimit. Në kuadrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndihmoi mjaft dhe për ngritjen dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, është evidente edhe veprimtaria e tij si diplomat, duke kryer shumë detyra pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Nëntë muaj pas lindjes së Anton Çettës, familja u shpërngul në Tiranë, ku qëndroi tri vjet. Regjimi i Zogut e burgosi Lazër Çetën (meqë i takonte partisë së Nolit).
Me të dalë prej burgut, Lazër Çeta bashkë me familjen, u kthye në Kosovë në Prizren.
Lazër Çetta kishte jetë të pasur intelektuale duke shkruar shumë libra me tematikë shoqërore dhe edukative. Megjithatë, vepra më e spikatur e tij i përket fushës së historisë dhe titullohet “Përmbledhje e Historisë Ushtarake Botërore e Shqiptare”, e cila u botua në vitin 1931.

Pjestare te familjes Çetta
Pjestare te familjes Çetta

Gjatë veprimtarisë së tij, Lazër Çetta është vlerësuar nga institucionet e shtetit shqiptar, nga bashkëkohës dhe intelektualë të ndryshëm. Bie në sy veçanërisht dekorimi i tij nga presidenti francez me medaljen “Oficier d’Academie”, dekoratë e akorduar në vitin 1928. Sërish në vitin 1934, Lazër Çetta dekorohet për herë të dytë nga shteti francez me medaljen “Kryqi i Kalorësit të Legjionit të Nderit”.
Djali i madh i Lazrit, Anton Çetta, përfundoi Liceun e Korçës, ndërsa djali i dytë, Beniamin Çetta studioj për mjekësi në Tiranë! (Vëllai i Anton Çettës, Beniamin Çetta u lind në Tiranë në marsin e vitit 1937)!
Gruaja e Lazër Çettës ishte Agata Çetta, (e ëma e Anton Çettës, Agata, është mbesa e klerikut atdhetar Dom Shtjefën Kurti, i cili u dënue me vdekje dhe u pushkatu nga regjimi në vitin 1971. U lumnua si pjesë e 40 martirëve shqiptarë dhe u pranua shenjtor i kishës katolike më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër)!

Lazër Çetta, është i biri i atdhetarit Mark Çetta, i larguar në moshën 24-25 vjeçare, nga Xhuxha e Fanit Mirditë, ku u vendos në Prizren, duke punuar si zyrtar i në konsullatën austro-hungareze në Prizren. Gjatë periudhes katërmbëdhjetë vjeçare që punoi aty, Mark Çetta, nuk pushoi asnjëherë veprimtarinë atdhetare duke i dalë zot popullit shqiptar të Kosovës në format më të ndryshme. Pas vitit 1898, Mark Çetta u transferua me detyrë nga konsullata austro-hungareze e Prizrenit në atë të Selanikut ku qëndroi për pesë vjet.
Në periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Lazër Çetta i rrinte përkrah të atit të tij Mark Çettës, duke i ndihmuar në punët dhe aktivitetet në dobi të atdheut. Atij tashmë, pasi e mbaroi edhe kolegjin, nuk i mungonte jo vetëm guximi dhe vrulli rinor, por as arsimimi dhe dija të cilat i vuri pa ngurrim në shërbim të atdheut.

Pjestare te familjes Çetta Lazër,  i biri Antoni dhe Dom Shtjefen Kurtiii
Pjestare te familjes Çetta Lazër, i biri Antoni dhe Dom Shtjefen Kurti

Lazër Çetta (1895-1940)

ndër drejtuesit e lartë të administratës shtetërore

Shkruan Prof. Dr. Nikoll Loka

Lazër Çeta, jurist, diplomat, drejtues arsimi, shkrimtar dhe përkthyes.
Lindi në lagjen Sholth të Xhuxhës së Fanit më 1 shkurt të vitit 1895. Kjo rezulton nga një kopje e pasaportës së tij, që e kishte i biri, Benjamini në Durrës. Arsimin fillor (pesëvjeçar) e kreu në Prizren në vitin 1908, me mësues Mati Logorecin. Arsimin e mesëm e nisi në Shkup (gjimnaz i ulët) dhe pastaj e vazhdoi në College des Frères të Selanikut dhe e përfundoi në vitin 1912.
Angazhohet në mbështetje të shtetit shqiptar, ku i besohen funksione të rëndësishme si sekretar i Komandës së Xhandarmërisë së Shkodrës dhe pastaj të Lezhës. Me hyrjen e trupave austro-hungareze në Gjakovë emërohet me të njëjtën detyrë atje.
Sapo u formua Qeveria e Lushnjës, në tetor të vitit 1920 e deri në gusht të vitit 1921, kur selia e qeverisë ishte transferuar në Tiranë, Lazër Çeta emërohet sekretar i Gjyqit Politik të Tiranës. Në gusht të vitit 1921 e deri në dhjetor të vitit 1923 punon si sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendëshme. Nga 20 dhjetori i vitit 1923, e deri në fund të dhjetorit të vitit 1925, kreu disa detyra pranë Ministrisë së Punëve të Jashtëme: sekretar i Dytë në Drejtorinë Administrative Konsullore të MPJ-së, në Drejtorinë e Financave të kësaj ministrie dhe në vazhdim sekretar i Parë i Ambasadës Shqiptare në Beograd. Në dhjetor të vitit 1925 pushohet nga puna për motive politike, pasi përkrahu emigrantët antizogistë.

Medalja e Lazër Çettës nga Presidenti francez!
Medalja e Lazër Çettës nga Presidenti francez!

Pas më shumë se dy vjetësh, ftohet për të kontribuar përsëri dhe emërohet me 18 qershor 1928 sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, deri sa hapet gjimnazi i shtetit në Tiranë, ku fillon punën si profesor. Më 26 shtator të vitit 1931, emërohet shef i sektorit të Bursave pranë Ministrisë së Arsimit. Në shkurt të vitit 1934, kalon në detyrën e drejtorit të Arsimit Fillor dhe Normal në Ministrinë e Arsimit, ndërsa nga nëntori i vitit 1935 e deri në vitin 1940, kreu me sukses detyrën e sekretarit të Parë të Ministrisë së Arsimit.
Lazër Çetta dha ndihmë në ngritjen dhe funksionimin e xhandarmërisë dhe të sistemit gjyqësor, veçanërisht në Shkodër, Lezhë dhe Gjakovë. Si diplomat kreu shumë detyra. Kontributi kryesor duket se ka qenë në fushën e arsimit, në drejtim të përhapjes, por veçanërisht të modernizimit të shkollës shqiptare.
Lazri shkroi shumë libra me tematikë shoqërore dhe edukative, ndërsa si shkrimtar e përkthyes shkroi e përktheu vepra që e vendosën në mes të shkrimtarëve më të mirë të prozës rrëfimtare shqipe të kohës, shumë prej të cilave u botuan në organet “Gazeta e Re”, “Shqipëria e Re”.
Ndër veprat e Lazrit përmendim novelat “Masha”, “Kleopatra”, “Grueja fatale”. Novela e tij “Sakrifica” u botua në suplementin letrar të numrit të posaçëm të gazetës “Shqipëria e Re” me 28 nëntor 1930, me rastin e shpalljes së Pavarësisë.

Titulli Legion d'Honneur i Lazër Çettës nga Presidenti francez!
Titulli Legion d’Honneur i Lazër Çettës nga Presidenti francez!

Lazri përktheu dy libra të shkëlqyer për rininë: “Rregulla e zakone si me u sjellë në shoqni të mirë”, të Anxhelo Semonit, Tiranë 1929 dhe “Përmbledhje historije ushtarake” që e botoi në Firence në vitin 1931.
Lazër Çeta u dekorua nga Presidenti i Republikës Franceze me medaljen “Oficier d’Academie”, në vitin 1928. Në vitin 1934, dekorohet përsëri nga Franca me medaljen “Le Croix de Chevalier de la Legion d’Honneur”. Vdiq para kohe, në moshën dyzet e pesëvjeçare, në vitin 1940 nga një aksident. Me vdekjen e tij Shqipëria humbi një nga kuadrot më të shquar të administratës shtetërore.

Mark Çetta (1860-1928) i Ati i Lazër Çettës, Gjyshi i Anton Çettës Dhe Beniamin Çettës!
Mark Çetta, i lindur në vitin 1860 u rrit dhe u edukua me frymën atdhetare dhe u ushqye me dashuri ndaj vendit. Karakterizohej si një djalë trim, i shkathët dhe gëzonte një autoritet të madh.
Në moshën 24-25 vjeçare, ai largohet nga vendlindja dhe vendoset në Prizren, duke punuar si zyrtar i ne konsullatën austrohungareze në Prizren.
Gjatë periudhës katërmbëdhjetë vjeçare që punoi aty nuk pushoi asnjëherë veprimtarinë atdhetare duke i dalë zot popullit shqiptar të Kosovës në format më të ndryshme.
Pas vitit 1898, Mark Çetta u transferua me detyrë nga konsullata austrohungareze e Prizrenit në atë të Selanikut ku qëndroi për pesë vjet. Në Selanik, njihet dhe bashkëpunon me patriotë dhe figura të kombit shqiptar, nder te cilet mund te veçoj Shahin Kolonjën, një nga veprimtarët me të shquar të lëvizjes kulturore e patriotike shqiptare ne Sofie te Bullgarisë, pastaj Aladro Kastrioti nga Italia e Jugut, i cili punonte për Lëvizjen Nacionaliste Shqiptare dhe qe permes Mark Çettës dërgoi flamurët e parë shqiptarë si dhe dokumente që bënin fjalë për parinë shqiptare, e cila duhej të shpallte kryengritjen kundër Perandorisë osmane, në dy vilajete shqiptare: të Kosovës dhe atë të Shkodrës.
Këtë e dëshmon edhe shtypi i kohës: “Mark Çetta në rrezik të jetës se vet e tue sakrifikue grue e fëmijë, vajti në Dubrovnik e Nish muer në dorëzim flamur e dokumenta, e si trim e besnik që ish, nuk u tremb aspak nga spiunet e regjimit të Sulltan Hamidit, por i suell në Shqipni, msheftas e i shpërndau”. Ndërsa ai thoshte Dishiri i jem asht qi të lirohet Shqipnia, pa sa për fron të saj e din vet ajo se cilit ka me ja dhanë” (Mark Çetta).
Mark Çetta vdiq pas një sëmundje të rëndë, më 13 tetor të vitit 1928, në Tiranë.

Anton Çetta (1920-1995)
U lind në Gjakovë më 3 janar 1920. Nëntë muaj pas lindjes së tij, familja u shpërngul në Tiranë, ku qëndroi tri vjet.
Regjimi i Zogut, i burgosi të atin Lazër Çettën (meqë i takonte partisë së Nolit).
Me të dalë prej burgut, Lazër Çetta bashkë me familjen, u kthye në Kosovë, në Prizren.
Në Prizren, Anton Çetta mbaroi dy klasët e para të shkollës fillore, ku për mësues kishte Lazër Lumezin, intelektual i njohur në atë kohë. Më 1928, dhe familja përsëri u kthye në Tiranë, ku qëndruan deri më 1941, ku Anton Çetta vazhdoj dy klasët e fillores që i kishin mbetur. Më pas Anton Çetta vazhdoj studimet në Liceun në Korçë, i cili ishte institucioni më i preferuar edukativ dhe me pas vazhdoi shkollimin në Liceun klasik në Milano të Italisë dhe kjo maturë vlente shumë në atë kohë.
Në vitin 1941 u punësua për kohë të shkurtër në “Posttelegraf” të Tiranës ku ata e transferojnë në posttelegrafin e Prizrenit si peërgjegjës që të e përgadiste kuadro dhe pastaj të kthehej përsëri në Tiranë. Në Prizren takon familjarët e nënës dhe shokët e fëmijërisë dhe vendos që mos të kthehet më në Shqipëri. Në vitin shkollor 1945/46 punoi profesor në Gjimnazin e qytetit. Një kohë udhëhoqi korin e shkollës. Ishte anëtar i Shoqërisë “Agimi” dhe kryetar i saj. Pas përfundimit të luftës, regjistrohet në Fakultetin filologjik të Universitetit të Beogradit, grupi i romanistikës – dega gjuhë dhe letërsi frënge.
Ishte fat që e kishe të kryer liceun e Korçës, e që kishte qenë i kritereve të larta dhe tejet rigoroz. Në Korçë, mësuesit i kishin kryesisht francezë. Të gjitha lëndët kryesore i mësonin në frëngjisht Studimet i mbaroi pas katër vitesh (më 1950) dhe u emërua asistent në Seminarin e gjuhës dhe letërsisë shqipe të Fakultetit filologjik të Beogradit, ku qëndroi dhjetë vjet.
Në vitin 1961, nga Beogradi kthehet në Prishtinë dhe emërohet ligjërues në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik, Letërsinë e Rilindjes dhe Letërsinë e vjetër shqipe.
Nga viti 1967, e vazhdoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si studiues në Degën e Folklorit ku me tërë qenien e tij intelektuale ai do t’i përkushtohet krijimtarisë folklorike, mbledhjes, botimit dhe studimit të saj. Në këtë institucion qëndroi deri në vitin 1986, kur edhe u pensionua.
Në vitin 1990, profesor Anton Çetta është zgjedhur kryetar i “Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve”, ku falë Anton Çettës u falën mbi 1800 gjaqe dhe u pajtuan mbi 30 mijë konflikte mes shqiptarve në Kosovë.
Misionari-Pajtimtari i Madh i Kombit Shqiptar, Anton Çetta u nda nga jeta me 4 nëntor 1995 në Prishtinë!
Deri në momentet e fundit të jetës së tij, mbajti lidhjet e gjakut me vendorigjinēn e tij Mirditën!

Beniamin Çetta (1937-2009) Vëllai i Anton Çettës!
Beniamini, djali i Lazër Çetës dhe vëllai i Antonit nga ana e babës, lindi më 21 mars të vitit 1937, në qytetin e Tiranës.
Në vitin 1959, Beniamini u diplomua mjek i përgjithshëm. Një vit më vonë, kur punonte në qendrën shëndetësore të Rrogozhinës, i del e drejta për specializim si kardiolog në Tiranë. Pas specializimit, punon specialist kardiolog në spitalin e Durrësit, duke u bërë themeluesi i repartit të kardiologjisë. Në atë repart punoi për njëzet vjet rrjesht.
Gjatë periudhës 1960-1981, Beniamin Çetta ka kontribuar si mjek në Durrës, duke mbuluar njëherazi edhe gjithë rrethin.

Lazër Çetta i ati i Anton e Beniamin  Çettës
Lazër Çetta i ati i Anton e Beniamin Çettës

Si i vetmi mjek kardiolog i asaj kohe ka përballuar një punë të madhe duke vizituar mesatarisht 100 pacientë në ditë në poliklinikë dhe shumë të tjerë në banesë. Përveç punës praktike, ai ka shkruar edhe disa kumtesa gjithnjë për probleme të kardiologjisë.
Pavarësisht nga përkushtimi në punë, më 12 tetor 1981, Beniamin Çetta arrestohet për agjitacion e propagandë dhe dënohet me dhjetë vjet heqje lirie, por u lirua pasi vuajti pesë vjet në burgjet e Spaçit, Qafë Barit dhe Shënkollit. Fillon punë si mjek në qendrën shëndetësore të Lekajt në Kavajë, ku punoi për tre vjet dhe me fillimin e proceseve demokratike mundi të transferohej përsëri në Durrës, pranë poliklinikës së atij qyteti.
Në vitin 1991, del në pension të parakohshëm dhe u përkushtohet çështjeve humanitare. Në fillim ndihmoi pranë Karitasit Shqiptar, ndërsa nga viti 1993 e deri sa vdiq, kontribuoi pranë komunitetit Emanuel të Leçes, që ndihmonte në rehabilitimin e narkomanëve. Ndërron jetën pas një lëngimi të gjatë “ikona” e kardiologjisë durrsake Beniamin Çetta, i shpallur “Qytetar Nderi” një vit më parë. Më 2009 pushoi së rrahuri zemra e njeriut që me përkushtimin e tij në dekada, shpëtoi nga vdekja mijëra zemra pacientësh. Ai u nda nga jeta më 7-korrik 2009 në moshën 72-vjeçare pas një sëmundje të pashërueshme.
Dr. Beniamin Çeta është “Qytetar Nderi i Durrësit” me motivacion: “Për kontributin e veçantë që ka dhënë për qytetin e Durrësit në fushën e mjekësisë” Ndërsa me dekretin nr. 759 të Presidentit të Republikës zotit Alfred Moisiu i është akorduar Urdhëri “Naim Frashëri i klasit I”.
marre nga muri i Fb Vllaznit Domgjon 12 mars 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.