
Fama
Ese nga Kastriot Fetahu
Në fëmijërinë time, Badushi njihej si gangsteri më i fortë i qytetit. Dëgjoja i hutuar djemtë e mëhallës që tregonin bëma, prej të cilave ai më ngeli në mendje si njeriu i parë i famshëm. E imagjinoja një Katallan, derisa një ditë shokët e mëhallës diskutuan për një boksier të vërtetë me emrin Muhamet Ali.
Nuk e njihja dhe as e kisha parë. Nuk merresha me këtë format, po për Gavroshin nuk fliste askush. Ndaj përsëri dyshimi se kush ishte Katallani nuk u zgjidh. Në imazhin tim të dy fshiheshin në mesin e një mjegulle lufte, që i ndante vetëm një vijë e hollë e kuqe.
Më vonë heronjtë e partizanëve në filma u vendosën si eksponate në stendën e famës imagjinare në mendjen time.
Një ditë Hektori i Trojës u kthye në një idhull burrërie, ndërsa Akili ishte më i urryeri.
Pyesja veten: çfarë është fama, si ta perceptoja atë?
Lexova Ostrovskin dhe ca më vonë Remarkun… Adhuroja Leibnizin, ndërsa Pitagora më qëndronte para si një monument me pelerinë mermeri, me një mjekër të ngatërruar.
Të gjitha këto më kthenin në një ekscentrik, ndaj nuk kuptoja saktë çfarë është fama?!
E arsyetoja si një sinonim i të qenit i fortë, i ditur, i bukur, i talentuar dhe i pasur. Në pjesën më të madhe filluan të zënë vend në stendën time imagjinare të famës njerëz të njohur, që statusin e tyre e kishin arritur për shkak të kontributit në shoqëri, apo përmes fitoreve luftarake, shpikjeve, inovacioneve, krijimeve në art dhe letërsi, ose duke ndarë talentet e tyre performuese me botën.
Nga çfarë mendoja, më intrigonte lidhja e famës me materien…
Kur e pyetën një bilioner të vjetër në moshë në SHBA se cili është suksesi më i madh në jetë, ai u përgjigj: “Të ha ushqim të mirë, të pi verë të mirë dhe të jem me njerëz të mirë në tavolinë.”
Impresionuese kjo përgjigje e miliarderit amerikan.
Kujt i përket fama, botës së fantazisë apo botës së realitetit?
Sistemova idenë se diktatorët dhe aktorët nuk meritojnë vend në përkufizimin tim për famën.
Ndërkohë që më kujtohet se para pak vitesh futbollisti Ronaldo largoi nga tavolina një Coca-Cola; kjo gjë mjaftoi që të reflektohej në treguesit e bursës. Një mendje legjendare si ajo e Warren Buffett u eklipsua nga dikush që vlerën e kishte te këmbët.
Nëse nuk e njohim Kantin apo Whitmanin, nuk është problemi i tyre.
Pyes veten për lidhjen e famës me imazhin dhe brendinë, po njësia matëse e saj? Gjërat më errësohen gjatë rrugës së mendimit.
Kur Noam Chomsky, ndoshta nga mendimtarët më të mëdhenj të kohës, do të lançojë një leksion me studimet e tij sociale, asgjë nuk ndodh.
Përkufizimi i famës u lëkund, aq sa edhe Kolombi që zbuloi Amerikën dukej më i vogël se një lojtar topkëmbe.
Çfarë është fama?
Ndonjëherë më ngjan me një vetëtimë që nuk mbaron kurrë, derdhur mbi një njeri, dhe herë tjetër si shkëlqimi i gotës së qelqit të fshirë nga lecka e pistë e baristit, apo edhe si një pikë uji mbi një gur të nxehtë.
Padituria dhe niveli i ulët i edukimit arsimor të bën të rendësh në sipërfaqen e dukshme, nën efektin e pasionit, adrenalinës dhe zjarrit të jetës, tangent mbi botën e ideve, fjalëve dhe tingujve.
Mendimi, si aktivitet që zhvillohet në vetmi, edhe pse qëndron në themelin e zhvillimit të botës, nuk prodhon adrenalinë dhe pasion.
Po fama në kohë lufte?
Vladislav Shpilman jetonte në mjerim në apartament të një pallati të djegur për të shpëtuar kokën në getot e Varshavës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një çast, kur një oficer gjerman, Vilm Hosenfeld, rastësisht hyn në shtëpinë e tij, e pyet:
-Kush je?
Ai i thotë: – Pianist kam qenë.
Ulet në tastierë dhe e mahnit oficerin duke luajtur “Baladë” nga Shopen, i cili më pas i thotë: -Çifut, ku po fshihesh?
-Në papafingo – përgjigjet Shpilman.
Komandanti shkon dhe kthehet pas pak, i sjell ushqim e i dhuron kapotën e tij ushtarake.
Dy njerëz të famshëm në mendjen time, që sfiduan ideologjitë antagoniste, duke i ngritur monument jetës në kohë vdekjesh dhe sfiduar ligjet e luftës, mentalitete e diktatorë famëkeq. Dashuria për jetën është triumfi i njeriut në situatat më të pamenduara, kur lotët mund të ndalen edhe në thirrjen e fundit të shpirtit.
Rruga drejt lirisë më sjell në vëmendje një legjendë nga Roma e lashtë, gladiatorin Spartacus, i cili zgjoi shpresën e skllevërve të Romës dhe mua idenë e famës në rrjedhën e mijëvjeçarëve.
Duket se fama është edhe perceptim personal, aq sa edhe perceptim kolektiv, që ndërtohet mbi bazën e njohjes dhe gjurmëve që lë te njerëzit në fragmente të ngrira të kohës në dinamikën e saj.
“Ndëshkimi është një hije e drejtësisë” – kumton filozofi Martin Heidegger.
Pse është i famshëm Prometeu, kur Zeusi e dënoi me shkabën që i çukiste mëlçinë?
Mikelanxhelo dhe Da Vinçi na kanë dhuruar Rilindjen italiane.
Sylvia Plath ka ecur në të njëjtat rrugë të Bostonit, ku shetis edhe unë sot.
Cila është lidhja e famës me vendin, me bartësin e saj dhe vdekjen?
Jezu Krishti u bë i njohur në Romë 40 vjet pas vdekjes, nga letrat e komandantit romak në tokën e judenjve.
A do ta kishin vrarë judenjtë e sotëm Krishtin e para 2000 vjetëve? Si lidhet fama me mendimin në kohë të caktuar dhe si lëviz vetë ajo në kohë?
Fama lind nga inkubatori i kohës dhe kërkon përpjekje e punë të palodhur për gjithçka që i përket aktivitetit njerëzor, pa pjesëmarrjen e medias në fatin e saj. Me median pas, fama është thjesht një jehonë në kujtesë.
A të bën ajo të lumtur?
Fama dhe emocioni udhëtojnë së bashku dhe kjo prodhon lumturi, ashtu si një gjenerator elektricitetin.
Shumë njerëz mendojnë se të jesh i famshëm do të thotë që nuk njeh shqetësim për asgjë, sepse je i pasur, prandaj mund të mos kesh mungesa materiale apo edhe shpirtërore.
Gjithmonë ndihesh se je i dashur nga adhuruesit e tu, por kjo të humbet në të njëjtën kohë edhe privatësinë.
Bobi Fisher, ndoshta kampioni më legjendar i botës në shah, zbriti nga avioni me të cilin do të udhëtonte për në Islandë në matshin botëror me Spaskin, nën shqetësimin e paparacëve, dhe vetëm telefonata e Henry Kissinger i ktheu mendjen të nisej në Reykjavik pak ditë më vonë.
S’e di pse më sillet në mendime ideja se politika e ndot dhe bën pis famën e vërtetë.
Po Kim Kardashian dhe ushtarin e mirë Shvejk, çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan?
Aventurierët sot rendin drejt Los Angeles, të rrethojnë Hollywood-in.
Los Angeles është një vend si një El Dorado, ku, në sferën përtej trillimit, njerëzit emigrojnë në ndjekje të ëndrrave, midis të cilëve nuk mungon as shkrimtari.
Në kohët teknologjike që jetojmë, rrjetet sociale shërbejnë si një transmision i shpejtë i jetës dhe mendimit, duke e zvogëluar shumë botën tonë dhe demokratizuar performancën e individit përpara shoqërisë. Duket sikur ra hegjemonia e mediave të kontrolluara që përcaktonin “heronjtë” në fushat e jetës. Blogerët “anonimë” janë “media individuale” në kohët e sotme.

Në rrjetet sociale kam parë dhe lexuar gjëra aq të bukura, por edhe të tjera që i përkasin “Botës së çudirave” pa Lizën brenda saj.
Pas kësaj pyes veten nëse fama është derivat i lirisë së brendshme, apo plagjiaturë e mendimit të turmës te individi?
Duhet kuptuar, si në një roman, se protagonistë nuk janë të gjithë personazhet. Versionet e frikshme të sinqeritetit tregojnë se ka disa që vuajnë nga ideja e protagonizmit të përjetshëm, duke harruar se që të arrish te fortesa duhet të kalosh hendeqe dhe “gardhe njerëzish më të mëdhenj se vetja”.
Fama është një sëmundje zemre për ata.
Kafka thotë se padurimi është vesi më i keq i njeriut.
Fama nuk është mall, nuk manipulohet nëpërmjet turmave vocërrake fanatike që përbëjnë “mëhallën me fantazitë për Badushin” e fëmijërisë sime. Kështu rrezikojmë të transformohemi në personazhe groteske mbi bazën e padijes dhe të procesit të njohjes që na mungon deri në masën sa arrijmë të ndërtojmë perandori imagjinare qesharake me qendër unin.
Ne mund të ëndërrojmë “pasuesin e kultit” të idhullit, po druaj se edhe idhujt na mungojnë dhe tregojmë se jo vetëm nuk dimë t’i zgjedhim nga mungesa e njohjes, por fama e kërkuar artificialisht na kthehet në një kurth të pamenduar të egos pa limit.
Duket se ngatërrojmë shkrimtarin me postierin në ndjekje të dritës së prozhektorit që kërkojmë të na ndriçojë vetëm ne, pa na lejuar të shohim yjet në qiell.
Ndërkohë, mediat, juritë dhe portalet ndërtojnë projeksione të deformuara prozhektorësh, aq sa “Badushi i mëhallës” në fëmijëri më duket një hero serioz i kohës së sotme. Duket sikur procesi i “krahasimit dhe vlerësimit të elitave” nuk është pjesë e tyre.
Dualizmi i filozofisë trupi apo shpirti, materia apo mendimi është kaq evident tek fama si një derivat i dijes dhe inteligjencës, sipërfaqes dhe thellësisë.
A ka vlerë pozitive fama kur fitohet nëpërmjet dhunës? A përcjellin negativitet shkrimtarët dhe poetët nëpërmjet dacibao-ve për të shkatërruar egon e të tjerëve për sundimin e famës së tyre?
Edhe emra të mëdhenj janë endur midis famës dhe egos për të mos i zvetënuar shkëlqimin vetes. Neruda arriti që të bullizonte Malvan, vajzën e tij të sëmurë, duke e quajtur “Pikëpresje”.
Odet pasionante për mëmësinë nuk janë frymëzuese, kur mëson se ai e braktisi vajzën e sëmurë dhe nënën e saj, të cilën e la në mëshirën e nazistëve në Holandë në vitet e luftës, kur vetë zotëronte pasaportë diplomatike.
Pas burrave të famshëm ka edhe gra të keqpërdorura. T’i mbijetoje Picassos ishte një mision i pamundur, nga dy gratë e jetës së tij, si edhe gjashtë dashnoret që përmenden, duke fshirë të tjerat.
Kam lexuar se femrat kanë adhuruar këngëtarë të klasit botëror.
A ka ndikim “frojdizmi” te fama?
Do ta pyesja Camille Claudel për lidhjen e vlerave të njeriut me famën, kur ajo i drejtohet të dashurit të saj, skulptorit Auguste Rodin, me fjalët: “Si krijues jemi kryevepra, po si njerëz jemi të mjerë.”
A ta “vjedhë” fama fajësinë?
Kur John Dos Passos po shijonte suksesin e librit të tij në Rusi, në një debat me Ernest Hemingway, ky i fundit i tha: “Dos Passos, fama është një kurvë që ka ca gjëra të mira.”
Të dy ishin shokë nga Chicago, dhe u ndanë kur u bënë emra të njohur në botë për letërsinë që shkruan.
Ndërkohë vazhdoj të pyes veten: çfarë është fama…?
K. F. Boston, 05/25/2025