back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

Fabulë e takimit të autorit me personazhin, si sfidë mes dy krijuesve… – nga Ernest Marku

Gazeta

Ernest Marku
Ernest Marku
Fabulë e takimit të autorit me personazhin, si sfidë mes dy krijuesve…
nga Ernest Marku
pak rreshta mbi romanin Teutana të Alfred Dukës

Ernest, së pari jam i shtrënguar me ju falenderu shumë, për shënimin tuaj, të thellë, të shkruar me dashamirësi, por edhe me kompetencën e një analisti të mençur. Thashë se i shpëtova para këtu e tridhjetë e kusur vitesh, stigmatës: “Armik i rrezikshëm”, por s’paska qenë e thënë. Si duket do të më ndjekë derisa të jem!
Qëllon nganjëherë që mbështjellsja është më e mirë se vetë bonbonia dhe ky është rasti. Kjo përsa i përket analizës letrare, ndërsa përsa i përket asaj të autorit, i hedh poshtë kategorikisht. Asgjë më shumë se sa kam paralajmëruar në fillim të romanit, nuk gjakon në veten time. Sinqerisht ajo që pranoj nuk është asgjë më shumë se Teutana, ka një identitet të fortë letrar (sikurse e keni thënë vetë), që nuk i ngjan, as konkurron askënd. Sikurse në mënyrë absolute, nuk pretendoj vendin e askujt. Nëse më pranojnë në sofrën e madhe të atyre që shkruajnë, pasi ende nuk e quaj veten shkrimtar, i falënderoj, nëse jo, i falënderoj prapë. Edhe njëherë, ju jam mirënjohës për shënimin tuaj Ernest Marku!
Alfred Duka

Teutana - Roman nga Alfred Duka
Teutana – Roman nga Alfred Duka

Alfred Duka me Teutanën e tij, qysh në dedikim të premton një kaos dhe nuk të zhgënjen. Kaosi nuk asht vetëm në qepjen e historive njerzore që prezanton, por edhe në atë që përfaqëson vetën e parë. Kjo vete, herë asht autori, herë Nikoja, herë Teuta, herë avokati (një vete autoriale e fshehun kjo), herë çdo pesonazh i rastit që nis të rrefejë jetën e tij, fill pasi ka ba një nisje të shkurtër në vetën e tretë. Lexuesit i duhet me kenë vigjilent, mos me e hupë kohererencën dhe kohezionin; pasiqë autori, nuk i hupë ato asnjiherë; ai asht krejt i kjartë për atë që thotë dhe pse e thotë, edhe pse asht gjithnji në kërkim të formës së duhun të asaj që kërkon me thanë; formë të cilën, edhe pse nuk e gjen dot, ia mrrinë me e mbjellë në vetëdijen e lexuesit.
Romani asht nji meditim mbi seksualitetin, si motori që e mban gjallë dramacitetin, po dhe interesanten në jetën njerëzore. Në nji lexim të parë, të krijohet përshtypja sikur autori kërkon me shembë themelet e moralitetit, të relativizojë trathtinë, si edhe të justifikojë jetën si ballo me maska; por, pjesa e fundit i bie si gjyle mbi kokë kësaj ideje liberale; konservatorizmi, i goditun për vdekje dhe i tretun diku në nji qoshe të humbun të ndërgjegjies, befas ngre krye dhe shkatërron çdo gja. Nuk janë kufizimet e shkencës ato që përcaktojnë limitet, por asht një kurth djallëzor, asht vetë njeriu që ngatërrohet me kambët e veta, mbytet në vorbullën e pavetëdijes së tij, tue mos mujtë me e kapërcy vetveten dhe tuj dështu edhe ma keq se shkenca.
Nga ndërkalljet e këtij teksti, ma interesantja dhe ndoshta ajo që e ngre dukshëm nivelin e shijes letrare, asht pikërisht historia e qytetit të gurtë që nuk pranonte me mbajtë mend asnjë histori dashurie dhe që kish ngritë gardën e ruajtjes së moralit me vrasës me pagesë; dhe që, gjithë kët gjà, na e përcjell nëpërmjet një strofe të vetme, perlë e ndjeshmënisë popullore, ose ma saktë të dy strofëve: toskë e gegë, si dy kokrra në një shegë. Qyteti i gurtë, mbarsun me tragjiken e ktyne historive, prodhon dy titanë që sfidojnë njani-tjetrin: i pari e ka në dorë si gurin ashtu edhe arrën, po diçka e pengon me e thy lvozhgën; ndësa i dyti, si i ka mbijetu vdekjes së sigurt, mbret i famës dhe në të njajtën kohë edhe rob i arragonancës së tij, ka xanë burimin letrar si kulshedër dhe i ban hije gjithkujt. Kjo hije e djeg edhe krenarinë e autorit të Teutanës, i cili, tuj na mashtru me fabulën e takimit të autorit me personazhin e tij, në fakt, na prezanton sfidën e dy krijuesve, të idhullit arrogant dhe dishempullit vital dhe, në kët përballje, sfiduesi nuk pranon ma pak se barazpeshën.
Tuj përfundu, mundena me thanë se Alfred Duka, me kët roman, hyn në letrat shqipe nga rruga e ngushtë; duket sikur përkulet me përvujtni, skalit personazhe dhe parashron analiza psiko-sociale dhe të gjitha këto pa ndjekë asnjë rrugë të shkelun ma parë prej dikujt tjetër; duket sikur e pranon inferioritetin e vet, kufizimet e stilit apo mungesën e përvojës por, brenda vetes, në subkoshiencën e tij, ai synon vetëm një gja: majën. Kjo asht e dallueshme për një lexues inteligjent, apo një lëvrues tipik në fushën e krijimit, edhe pse autori përpiqet me e mshefë; por, nga ana tjetër, asht edhe e justifikueshme, nisun prej nivelit artistik që prezanton kjo vepër. Një autor që nuk synon majën, nuk del dot nga lluca. Mark Tuen thoshte se: “Të jesh shkrimtar i madh, duhet me shkru një vepër të madhe; por, nga ana tjetër, për me shkru një vepër të madhe, duhet me kenë shkrimtar i madh. Ky asht një rreth vicioz, në të cilin, vetëm do klysha kurvash ia dalin”.
Mirë se erdhe në Kalvar, Alfred Duka!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.