back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 12 Dhjetor, 2025

Etëhem Haxhiademi Shpirti i një kombi ende në pritje – nga Robert Martiko

Gazeta

Vepra e Plotë e Haxhiademit - Poeteka ë
Vepra e Plotë e Haxhiademit – Poeteka
Etëhem Haxhiademi – Shpirti i një kombi ende në pritje –
nga Robert Martiko 

(dy fjalë rreth librit të porsa dalë në qarkullim)

Një studim letrar e filozofik që i rikthehet figurës së dramaturgut të madh shqiptar, duke e vendosur atë në qendër të ndërgjegjes kombëtare.
Libri eksploron dimensionin shpirtëror dhe historik të Haxhiademit, si një zë krijues që mbeti i pambaruar në kohë.
Me një qasje reflektuese dhe të thelluar, Martiko sjell një portret që synon të rikthejë vlerën dhe mesazhin e tij për brezat e sotëm.

Et'hem Haxhiademi - Disa nga Tragjedite
Et’hem Haxhiademi – Disa nga Tragjedite

Në historinë e letërsisë shqiptare, pak figura janë keqkuptuar aq thellë sa Etëhem Haxhiademi. Për dekada, vepra e tij u lexua në dritën e zbehtë të një kritike që, më shumë se nga kërkimi i së vërtetës artistike, udhëhiqej nga parime ideologjike dhe nga një kuptim materialist i vetë kulturës. Në vend që të shikohej si krijues i një bote tragjike me rrënjë në metafizikën e lashtë të antikitetit dhe në humanizmin evropian, u gjykua me kritere të ngushta estetike: “gjuhë e rëndë”, “retorikë klasike”, “formë arkaike”. Por këto vlerësime, që përsëriteshin nga studiues të formuar në klimën e gjysmë shekullit të materializmit mishngrënës kulturor, nuk shprehën kurrë thelbin e veprës së tij; përkundrazi, ato zbuluan varfërinë shpirtërore të një epoke që nuk dinte sesi të lexonte thellësinë e frymës.
Pas rënies së komunizmit, studimet e reja shpesh u ndalën në analiza stilistike ose biografike, por pa hyrë kurrë në shtresat filozofike dhe metafizike të veprës. Kështu, shumë studime mbeten dhe vijojnë të mbeten “në sipërfaqe”, duke mos arritur të prekin thelbin e përjetshëm që gjallon nën tekstin e dukshëm.
Nën sipërfaqen e kësaj gjuhe, që duket e ngrirë në format e antikitetit, gjallon një univers shpirtëror i pasur – një kërkim i pambaruar për kuptimin e qenies, për fatin e njeriut dhe për mundësinë e lirisë në kufijtë e botës. Haxhiademi nuk mund të kuptohet përmes instrumenteve të kritikës formale, sepse tragjeditë e tij nuk janë stërvitje estetike, por meditime mbi qenien, mbi dritën dhe mbi fjalën si udhë shpëtimi. Ai është, në thelb, një filozof i maskuar si poet.
Ky libër lindi nga bindja se vepra e Etëhem Haxhiademit është shumë më tepër se një kapitull i harruar i letërsisë shqiptare; ajo është një pikë takimi mes shpirtit shqiptar dhe rilindjes së madhe shpirtërore të Evropës. Në një kohë kur kontinenti ynë po përjetonte një ringjallje të mendimit humanist dhe një përpjekje për ta rivendosur njeriun në qendër të qenies, Haxhiademi përpiqej të ndërtonte në gjuhën shqipe një univers të ngjashëm: ku arti dhe filozofia bashkohen, ku tragjedia nuk është fundi i njeriut, por rruga drejt dritës.
Qëllimi i këtij studimi nuk është të rishkruajë biografinë e autorit apo të përsërisë analizat formale të teksteve të tij. Synimi është të rikthejë pyetjet që ai ngriti pa i shpjeguar askush, të zbulojë dimensionin filozofik që fshihet në strukturën e veprës, dhe të vendosë Haxhiademin në dialog me mendimin evropian të rilindjes shpirtërore – me atë valë të thellë që fillon te neoplatonizmi i Ficinos e Mirandolës dhe që përfundon në humanizmin ekzistencial çlirues të shekullit XX.
Në këtë rrugë, është ndërtuar një lexim hermeneutik, ku fjala poetike shikohet si shenjë e së padukshmes, si mbartëse e kuptimeve metafizike. Tragjeditë e Haxhiademit janë, në këtë dritë, drama të shpirtit, jo vetëm të fatit: ato shfaqin përpjekjen e njeriut për ta kapërcyer kufirin e materies dhe për ta rigjetur vetveten në horizontin e dritës. Ky lexim nuk kërkon të zbukurojë autorin, por të rikthejë dimensionin e humbur të mendimit në kulturën shqiptare – dimensionin e frymës.
Në një kohë kur bota akademike shqiptare ngulmon të mos ballafaqohet me pyetjet metafizike, Haxhiademi qëndron si dëshmi e gjallë se arti nuk është thjesht zbukurim i gjuhës, por përpjekje për shpëtimin, rilindjen e shpirtit. Ai është simbol i një energjie të pashfrytëzuar, një kujtesë e harruar se letërsia mund të jetë udhë drejt kuptimit dhe jo thjesht pasqyrë e realitetit.
Prandaj, ky libër është më shumë se një studim: është një akt rigjallërimi, një përpjekje për ta vendosur mendimin shqiptar në dialog me frymën e rilindjes shpirtërore evropiane dhe për të kthyer Etëhem Haxhiademin në vendin që i përket – jo në një muze me fosile të fjalës së kaluar, por në tempullin e gjallë të mendimit të përjetshëm.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.