back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Eshtë gjithmonë Mamaja ime! Rrëfim nga e përditshmja e Edmond Hasanit

Gazeta

Mondi - kërkues thesaresh
Mondi – dhe Mamaja e Tij

Eshtë gjithmonë Mamaja ime!

Rrëfim nga e përditshmja e Edmond Hasanit

-Mondi, ma ndiz një cigare, ta pimë bashkë si dikur!
-Po, mama, -i them dhe vras mendjen të kujtoj se kur ka bëra vaki të pi cigare ajo, e aq më tepër me mua!
Në shtëpinë time “No Smoking” duhani gjendet po aq lehtë sa uji në Sahara… Gjej një cigare te komshia dhe ja fus mamasë mes gishtash, por ajo papritur refuzon me britma e më akuzon se cigaren e kam lyer me mut, megjithse unë zakonisht cigaret nuk i lyej kurrë me mut, pavarësisht urrejtjes për to! Ndërsa rrekem t’i shpjegoj me durim se cigarja është e pastër sa vetë ajo, gjyshja ime e mirë 103 vjeçare: Mamaja si një rapsode e verbër homerike, o si ndonjë bard skocez mesjete fillon të këndojë të dashurën e saj muzikore: Vajzën e Valëve! Më mbushen sytë me lot sepse e di që pas mbarimit të këngës do më thërrasë në emër të gjyshit e do më kërkojë llogari pse e harrova, pse e braktisa, pseeee…..!
Shikoj me vëmendje diku pranë hundës së saj të thepisur si shkrep Dukati dhe habitem se një shenjë si plagë qenka shëruar e më kujton një ditë kur ajo me tha: “Mondi, më qëllo pak në kokë se mbase më vjen shikimi e rregullohem si ato radiot Iliria që shpesh i rregullonim më të qëlluara…!”
Tashmë kënga ka mbaruar, koka i është varur anash mbi jastëqet e shumtë, buzët seç i përpëliten në gërhitje pothuajse dhe një pordhëz e vockël çlirohet nga fundi i shtratit! Ngrihem dhe bëj të dal nga dhoma kur ajo hap sytë e verbër e më thotë: “Dhe shiko, rrogën dorëzoje në shtëpi e mos e prish me kurvat, se kështu më tha dhe Fatmira!” Fatmira e shkretë, nëna e Lamit ka shumë vite që ka vdekur, por ja që vjen e takohet me mamanë time si dikur e gjithë jetën!
-Dhe mos ik nga dhoma, se veç ty të kam o i ziu me bojë, se edhe unë si ti jetime jam, fillikat…!
Tani që shkruaj, më kujtohet se kur isha i vogël përgjoja tek vrima e çelsit të banjës Mamanë kur lahej sepse kisha dyshime në ishte grua a burrë… aq e fortë, aq e rreptë, aq e egër dhe vitale ishte ajo grua… por gjithmonë ishte e është mamaja ime e shtrenjtë!

(Marrë nga Muri i fb i Mond Hasanit 4 Qershor, 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.