Ermal Meta, kryefjala e Sanremos & deklarata e Salvinit për këngëtarin shqiptar

Gazeta

Sanremo 2026
Sanremo 2026
Ermal Meta, kryefjala e Sanremos.
Deklarata e Salvinit për këngëtarin shqiptar hap debat në Itali

Një deklaratë e ministrit italian të Infrastrukturës dhe Transporteve, Matteo Salvini, ka shkaktuar debat gjatë ditës së sotme, pasi ai ka përgëzuar Ermal Meta për “përdorimin e përsosur të gjuhës italiane”, ndonëse kantautori me origjinë shqiptare jeton në Itali prej më shumë se tre dekadash.
Që në dëgjimin e parë, kënga e tij “Stella stellina” ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe publikut. E dedikuar fëmijëve të vrarë në Gaza, kënga ka prekur shumë dëgjues si për kompozimin orkestral, të realizuar me ndihmën e Durdast, ashtu edhe për tekstin e vlerësuar për forcën poetike dhe ndjeshmërinë, informon dritare.net
Në një deklaratë publike, Salvini shkroi: “Komplimentet e mia për Ermal Metën dhe përdorimin e tij të përsosur të gjuhës italiane. Në Itali jetojnë dhe punojnë miliona gra dhe burra të lindur në një vend të huaj dhe të integruar në mënyrë të shkëlqyer në shoqërinë tonë; për mua janë të çmuar dhe të mirëpritur. Unë i kam kundërshtuar gjithmonë emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët, dhe jam i sigurt se edhe Ermal Meta ndan këtë mendim timin. Një përqafim për popullin krenar shqiptar, rroftë Sanremo, gjuha dhe muzika italiane!”
Megjithatë, deklarata është konsideruar nga shumë si një gafë, pasi Meta u zhvendos në Itali me familjen e tij kur ishte 13 vjeç dhe që prej asaj kohe ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij artistike në Itali. Vetë këngëtari ka folur shpesh për procesin e gjatë të integrimit dhe kërkimit të identitetit mes origjinës shqiptare dhe realitetit italian.
Një ditë para nisjes së Festivalit të Sanremos, gjatë një interviste, ai u shpreh: “Ka pasur një kohë kur ndihesha i ndarë mes dy botëve: nuk e kisha përthithur plotësisht kulturën italiane dhe një pjesë e jetës sime të mëparshme ende rezistonte. Jeton në ekuilibër me dy përbërës brenda vetes dhe nuk di cili do të mbizotërojë.”
Debati u ndez më tej gjatë konferencës për shtyp në Ariston, kur Meta deklaroi: “Nëse Akademia e Crusca-s ka thënë se teksti më i mirë është shkruar nga një emigrant, bëjini vetes dy pyetje. Unë jam i huaj.” Nga salla erdhi menjëherë batuta: “Mos ia tregoni Salvinit.” Pa filtra, Meta u përgjigj me ironi: “Mos ia thoni, se i bie emboli.”
Deklarata e tij u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer episodin në një nga momentet më të komentuara të kësaj jave festivali.
Marrë nga La stampa K.C/dritare.net, e Premte 27 Shkurt 2026,

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit