back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Erdhi dhe shkoi z. Escobar – Po tash?! – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Erdhi dhe shkoi z. Escobar – Po tash?!

nga Frank Shkreli

Ja, shkoi në Tiranë, pa u përshëndet me disa dhe u kthye…
Fjala është për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
Nuk besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënjes së famshme të Jul Çezarit, “Veni, vidi, vinci”, megjithëse z. Escobar nuk kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme, pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte paranjoftuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.
Por, siç e ka zakon media shqiptare, prisnin që diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë mbi një “kalë të bardhë” dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës shqiptare – madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër Sali Berishës sa që do ta asgjësojë atë para Kuvendit të planifikuar të demokratëve me 11 dhjetor…!!
Por, po të dëgjoje disa media oborrtare, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte në Shqipëri me një shkop të madh për t’u rënë disa kokave dhe po të ishte nevoja, marinsat amerikanë janë jashtë Tiranës, të gatshëme të kontrollonin rrugët e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrjedhim i mbështetjes për të, në “foltoret” e kohëve të fundit…
Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot aq shumë orë debatesh boshe, sa që analistët do të kishin bërë më mirë t’i kalonin ato orë me fëmijtë dhe me familjet e tyre.
.
Gabriel Escobar - Tiranë, 9 dhjetor 2021
Gabriel Escobar – Tiranë, 9 dhjetor 2021
Nëqoftse shikojmë për fitues dhe humbës të kësaj vizite, krejtësisht të zakontë, media shqiptare, ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse parashikuan se me ardhjen e z. Escobar në Tiranë do bëhej nami, “heads will roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja vetëm një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodhë në Shqipëri në këtë kohë krize politike. Me një shkrim modest, i kisha bërë thirrje zyrtarit të lartë amerikan, që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç ambasadës dhe karakterave të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30-viteve, ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i pyet askush, për asgjë.
Fatkeqësisht, duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të qeverisë Rama dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi z. Escobar nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës, që bëra thirrje për një takim të tillë që nuk ndodhi, e asgjë tjetër. Veçse nga përvoja ime, kam vërejtur se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të shoqërisë shqiptare – dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada. Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare është mjaft e ndërlikuar dhe nevojiten njohje më të mira nga të huajt, duke pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi.
Por, uroj që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj politike futen edhe gishtërinj të huaj – kjo politikë e humb fare busullën e normalitetit dhe atëherë as dreqi s’e ve në terezi, madje as edhe zyrtar i një vendi mik si, z. Escobar. Uroj gjithashtu, që z. Escobar ta këtë porositur ambasadën tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka nevojë që vetë t’i zgjidhë problemet e saja të vet-krijuara, pasi Shqipëria është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se është në dorë të shqiptarëve të vendosin vetë se kush do jenë udhëheqësit e tyre, tani dhe në të ardhmen.
Atëherë, pasi vizita e z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi – çfarë do ndodhë në skenën politike shqiptare të shumëpritur, për dy-tre javët e ardhëshme. Unë besoj se sa i përket Amerikës, asgjë dramatike s’do të ketë në skenën e politikës shqiptare! Lajm i keq ky ndoshta. për disa që presin ndërhyrjen amerikane për t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” – duke pasur parsysh shpalljen “non grata” të Dr. Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por siç duket dy kuvendet e planifikuara të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të zgjidhen zyrtarë të rinj, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi edhe z. Escobar në Tiranë, do bashkëpunojnë me Partinë Demokratike, sipas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Besoj se në këtë mes, Washingtoni nuk do të ndërhyjë, sepse s’ka të drejtë dhe as dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s. A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi çeshtjen e armëve kimike. Të gjithë thonin në atë kohë se Amerika ose NATO do ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria.
Frank Shkreli: Amerika nuk do t’i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë | Gazeta Telegraf
.
Gabriel Escobar - Edi Rama - 9 dhjetor 2021
Gabriel Escobar – Edi Rama – 9 dhjetor 2021
As kësaj radhe, Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i zgjidhin vetë mosmarrveshjet mes tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht, kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi vendeve mike dhe aleate, megjithëse ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë, mund të duket e tillë sepse vetë politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje të tilla të ngutshme dhe të pamenduara mirë nga ndonjë individ ose ent zyrtar. Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur, vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Kështu do të ndodhë edhe tani.
Besoj se fjala pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita e djeshme në Tiranë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
 .

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.