back to top
11.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Epoka që analizon “Ditari” i prof. Niko Bellos – nga Klodi Stralla

Gazeta

Zhgënjimi - Ditari i Niko Bellos
Zhgënjimi – Ditari i Niko Bellos
Epoka që analizon “Ditari” i prof. Niko Bellos
nga Klodi Stralla

Nuk do t’i hyja kurrë mundimit të analizoja një Ditar personal të dikujt, nëse pas tij nuk do të evidentoja një shtresë sociale të shoqërisë shqiptare të kohës, pjesëtar i të cilës ishte pa dyshim edhe profesor Niko Bello, shtresë që luajti një rol jo të vogël në imazhin shpresdhënës që Lëvizja Antifashiste e kohës të Luftës, ngjalli në sytë e popullit shqiptar, si në qytet ashtu edhe në fshat.
Ata ishin të gjithë të rinj në moshë, që kishin kryer studimet e mesme në shkollat më të mira të vendit (Liceu Francez në Korçë, Gjimnazi i Tiranës, Normalja e Elbasanit, Instituti femëror “Nëna Mbretëreshe, Gjimnazi i Shkodrës etj) dhe studimet e larta jashtë vendit, kryesisht në Perëndim (Francë, Itali, Austri etj).
Ata kishin marrë prej aty frymën demokratike, liridashëse, që shihnin tek liria dhe arsimimi i fëmijëve dy levat e fuqishme me të cilat do të transformonin shoqërinë shqiptare, aq të varfër ekonomikisht, aq të plogët politikisht, por me dëshirën e zjarrtë për mirëqenie e përparim shoqëror.
Ata ishin të gjithë idealistë në shpirt, deri në utopi, shumica e të cilëve vinin nga familjet e pasura, të qytetit dhe fshatit dhe ndryshimet që kërkonin binin ndesh me statusin e tyre social.
Ata ishin të paduruar dhe mendonin se e kaluara e hidhur pesë shekullore mund të kapërcehej shpejt, mjafton të ekzistonte dëshira dhe vullneti i mirë. Për ata regjimi i Zogut ishte një regjim i prapambetur, anadollak e obskurantist, një vazhdim, në kushtet e një shteti të pavarur që prej 1912-ës, i mentalitetit, praktikave dhe metodave otomane të qeverisjes, pa vullnet dhe interes real për të kryer reforma radikale në shoqërinë shqiptare, synimi i vetëm i të cilëve ishte që, pas një dekori demokratik (zgjedhjeve dhe parlamentit) të ruanin privilegjet e dikurshme perandorake osmane.
Shumë prej këtyre të rinjve ishin me bindje të majta, revolucionare, që varionin nga social-demokracia tek komunizmi, ndonse këtë të fundit e perceptonin idealisht dhe kishin pak dijeni se çfarë kishte ndodhur realisht në Rusinë bolshevike të Lenin-Stalinit. Veçanërisht Liceu francez i Korçës, që kishte kurikula mësimore tepër liberale, në qendër të së cilave ishin mësimet e Revolucionit të Madh Francez të 1789-ës, me Maratin, Dantonin e Robespierin, me Konventën jakobine dhe gijotinën si instrument spastrimi fizik të kundërshtarëve, ishin një terren shumë pjellor për kultivimin e të rinjve të tillë, si revolucionarë.
Nga pikpamja sociale Shqipëria e asaj kohe ishte një vend tejet i prapambetur, me një popullsi rreth 90% fshatare, ku mungonin kapitalet monetare për zhvillim, si dhe fryma oksidentale e drejtimit të shtetit. Ironikisht, okupacioni fashist, kundra të cilit u mobilizuan këta të rinj në formacionet partizane apo në celulat ilegale të qyteteve, e përshpejtoi modernizimin e shoqërisë të prapambetur agrare shqiptare. Italia fashiste, sigurisht për interesat e veta, kishte filluar një program të gjerë punësh publike, si dhe kishte rritur ndjeshëm konsumin në vend. Statistikat tregojnë se Shqipëria ishte i vetmi vend, gjatë luftës botërore, që pati një zhvillim ekonomik që tejkalonte atë të të gjitha viteve të marra së bashku, që nga koha e Pavarësisë. Kjo solli sigurisht edhe çvendosje demografike, nga fshati drejt qyteteve urbane. Ky proces do të sillte patjetër edhe shpërbërjen graduale e të natyrshme të feudalizmit në Jugun e vendit (latifondet e Vërlacëve, Vrionasve, Libohovitëve etj) dhe atë të rendit fisnor në Veriun e tij (bajraqet). Sa për mentalitetin oriental, këtu puna ishte shumë më e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Ngjarjet e viteve parlamentare 1920-1924 ishin një dëshmi e gjallë e dështimit të këtyre përpjekjeve, që dëshmuan se të dy “gjelat” (liberalët dhe konservatorët) nuk mund të bashkëjetonin paqësisht, me “rregulla loje”, në të njëjtin kotec!
Elita politike dhe ekonomike me origjinë nga establishmenti i dikurshëm osman (jo vetëm musliman por edhe kristian), e cila qeverisi vendin në vitet 1912-1944, humbi së pari legjitimimin moral në sytë e popullit dhe pastaj, së bashku me të, delegjitimoi edhe sistemin politik që ndërtoi. Sistemi klientelist osman i “Tarafve”, sipas të cilit posti politik shihej si një burim fitimesh të kundraligjshme dhe në shkëmbim të besnikërisë ndaj tarafit (klanit) politik, në shërbim të të cilit duhet ta vije postin, duke i dhënë kreut të tij një pjesë të fitimeve të nxjerra në mënyrë të kundraligjëshme dhe mbështetje në kohën e zgjedhjeve, ishte Matrica funksionale e këtij sistemi. Forca lëvizëse e tij ishte – Korrupsioni. Nje model që, edhe pas 100 vjetësh mëvehtësie shtetërore, ka mbetur ende i pacënuar në këtë Shqipërinë tonë rilindase.
Lufta Botërore dhe përfshirja në të, pa dëshirën e saj, edhe e Shqipërisë të vogël, ishte për këtë brez të rinjsh idealistë, një shans i artë që këto ideale përparimtare të viheshin në jetë. Rinia, sidomos ajo shkollore e qyteteve, u bë baza e Lëvizjes antifashiste. Sigurisht, idealistë të tillë si prof. Niko Bello, Raqi Qirinxhi etj. në Korçë ose Kristaq e Margarita Tutulani në Berat, Nako Spiro në Durrës e plot të tjerë nga e gjithë Shqipëria, që vinin nga familje të pasura, iu bashkangjitën Lëvizjes Antifashiste “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, me bindjen se paslufta do të sillte lirinë e mendimit dhe veprimit, arsimimin e gjithë shtresave shoqërore shqiptare dhe sigurisht edhe përmirësimin rrënjësor të mirëqenies aq të munguar në shekuj (Luga e Florinjtë).

Korça nën peshën e dimrit
Korça nën peshën e dimrit

Fatkeqësisht e gjithë kjo shtresë idealiste u zhgënjye, disa vuajtën materialisht e shpirtërisht, si profesori ynë, por shumë të tjerë lanë kockat në burgjet komuniste, ku i futën shokët e tyre të dikurshëm të luftës.
Në thelb e ashtuquajtura Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) ishte një konspiracion që kishte një agjendë të fshehur pas Luftës antifashiste, me qëllim marrjen e pushtetit dhe përmbysjen me dhunë të rendit shoqëror ekzistues dhe zvendësimin e tij me një sistem politiko-ekonomik të tipit stalinist, më zhdukje të pronës private në qytet, me kolektivizim të dhunshëm të bujqësisë në fshat, me ekonomi të planifikuar dhe të drejtuar nga qendra, të udhëhequr nga një grupim i vetëm politik – Partia komuniste. Ajo gjatë Luftës, vërtet u shfaq me sllogane antifshiste, për luftë kundra okupatorit, por ky ishte vetëm “programi minimal” i saj, që shfaqej botërisht, kurse programi i vërtetë ishte ai i marrjes dhe mbajtjes me dhunë të pushtetit të pasluftë dhe ndërtimin e një shoqërie komuniste. Të mos harrojmë se pas saj fshihej edhe dora armiqësore e huaj e fqinjit tonë, Serbisë (Miladini dhe Dushani), që synonte aneksimin e Shqipërisë dhe eliminimin fizik të atdhetarëve nacionalistë që aspironin bashkimin me Kosovën.
Koha tregoi se Lufta antifashiste nuk ishte aq midis lëvizjes partizane dhe okupatorit të huaj, por kryesisht midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre politikë, ballisto-zogistëve dhe atyre që qeverisnin vendin (të ashtuquajturit kuislingë). Kur këta të fundit panë rrezikun real komunist që po i kanosej vendit dhe bashkë me të edhe pasurisë dhe kokës të tyre, i bënë thirrje shoqërisë shqiptare të mbrohej, por ishte tepër vonë. Shoqëria shqiptare ishte tejet e polarizuar dhe shtresa e mesme e saj, që duhej t’i përgjigjej këtij apeli, ishte e vogël. Ajo e njihte pak ose aspak natyrën e vërtetë të Komunizmit dhe, në vend ta perceptonte si rrezik, e pa si çlirimtar e përparimtar.
Kurse shtresa e lartë e shoqërisë, bejlerët në fshat dhe tregëtarët e mëdhenj të qyteteve, për vetë natyrën e tyre orientale, që parapëlqente “t’i nxirrte gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve” (inglizit) nuk reagoj, si shoqet e saj në Spanjë (1936-1939) dhe Greqi (1945-1949), ndonse e kishte të gjithë pasurinë e vendit dhe po ashtu edhe pushtetin politik. Perandoria osmane u kishte kultivuar atyre traditën e keqe të të luftuarit si mercenarë (për plaçkë) dhe jo për vendin e tyre (për kauzë).
Shtresa e mesme dhe e lartë shqiptare, e cila duhet të ishte në ballë të luftës kundra komunizmit, atëhere kur duhej ndaluar me çdo çmim fitorja e tij (aq më shumë kur tek ne nuk shkeli çizmja e Ushtërisë të Kuqe), ndejti e tërhequr dhe e pavendosur, jo se donte të shmangte luftën vëllavrasëse, siç pëlqen të shfaqësohet, por se i dhimbseshin pronat, florinjtë dhe nuk ishte mësuar të luftonte për kauza ideologjike. Ajo ishte një shtresë pragmatiste, por dhe miope (mishi të piqet e helli të mos digjet!). Ky ishte shkaku më i thellë, sipas meje, që një lëvizje minore, fillimisht prej “200 petritash”, në një kohë rekord (2-3 vjet), mori pushtetin, të cilin ende sot nuk ka ndërmend ta dorëzojë, me gjithë zullumet e panumurta që i ka shkaktuar këtij populli fatkeq për tetë dekada.
Në biseda të gjata me babain debatonim shpesh se si kishte mundësi që këta të rinj të shkolluar e të pasur, si profesori ynë, nuk mundën ta perceptonin “Kalin e Trojës” që vepronte brenda kësaj Lëvizje – Partinë Komuniste. Ai vetë (babai im) gjatë kohës të Luftës ishte në një moshë të pjekur (mbi të 30-at), gëzonte një punë të respektuar dhe një prestigj publik për shkak të saj (ishte profesor në Lice), nuk kishte atë frymën idealiste dhe utopiste si ajo e krushkut të tij të ardhshëm, prof. Niko Bellos. Babai, nga botëkuptimi, temperamenti dhe karakteri, i përkiste atyre që e shihnin më realisht gjendjen e vendit, sidomos prapambetjen mendore të shumicës të shoqërisë dhe vlerësonte se e vetmja rrugë pa aksidente dhe trauma të mëdha sociale për vendin, do të ishte evolucioni gradual i shoqërisë, përmes shkollës dhe investimit, dhe jo dhuna revolucionare e tipit frencez apo rus të trasformimit radikal të shoqërisë, siç predikonin nolistët dhe komunistët.
Lufta vuri në provë, dobinë e rehatisë përballë përkushtimit, grumbullimit vetjak të parasë kundrejt shpenzimit të saj për të shpëtuar vendin nga kolera që po u trokiste në derë. Për mua as njëra dhe as tjetra shtresë shoqërore nuk bëri detyrën ndaj Atdheut dhe ndaj familjeve të tyre. Pasoja ishte e dhimshme dhe katastrofale. Historia ka çmim që duhet paguar. Në rast se krimineli është përgjegjës për një krim, jo më pak përgjegjës është edhe ai që e kishte për detyrë ta ndalonte dhe nuk bëri gjithçka që kishte mundësi të bënte për ta ndaluar.
Që të dy, si babai im ashtu edhe vjehrri im, vuajtën shpirtërisht si bashkëpërgjegjës të qëndrimit që mbajtën gjatë Luftës, njëri si indiferent dhe tjetri në përkrahje të saj. Fati e desh që njëri Niko, duke punuar si avokat, nuk e ndjeu varfërinë materiale, kurse Nikoja tjetër, që punoi 25 vjet si mësues shkolle, vuajti edhe materialisht, siç do ta lexoni në “Ditarin” e tij.
Marrë nga Muri Klodi Stralla, 5 prill 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.