
Epilogu i “Ditarit” të Niko Bellos
nga Klodi Stralla
Si tani e kujtoj atë ditë Krishtlindje, të 25 dhjetorit 1989. U ndodha familiarisht në shtëpinë e profesorit, kur Tv Jugosllav dha pamjet e drejtpërdrejta të ekzekutimit të çiftit famëkeq Helena dhe Nikolae Çaushesku, udhëheqësve komunistë rumunë, pamje që i ndoqi live e gjithë bota. Profesori, që tashmë ishte në një moshë disi të thyer (77 vjet), por ende mbahej mirë fizikisht, tha vetëm dy fjalë: – Më në fund!
Ishte vërtet kënaqësi, sidomos për ne që kishim jetuar me “maskë” gjithë ato vite, të shihnim jo thjesht përmbysjen e një regjimi makabër, por sidomos “vetvrasjen” e tij morale – falimentimin, atë për të cilën ai krenohej më shumë, se “kishte ndërtuar një shoqëri të re dhe një njeri të ri, pa shtypje e shfrytëzim kapitalist, ku njeriu ndihej i lirë, zot dhe bashkëpronar në vendin e vet” etj, etj, broçkulla e parulla hipokrite, që koha po i fshinte pa mëshirë me fshesën e Historisë.
Ndonse profesori nuk la shënime me shkrim për kohën kur cunami demokratik mbërriti edhe në brigjet shqiptare, kur u pranua “pluralizmi politik”, kur u lejua “ushtrimi i lirë i fesë dhe Partia Demokratike ardhi në pushtet (22 mars 1992), në biseda të shumta gojore me të ndihej skepticizmi i tij i skajshëm. Bënte shpesh paralelizma me vitet e Luftës antifashiste, kur brezi i intelektualëve me kulturë perëndimore, si ai, u gënjye nga slloganet e bukura barazitiste të “lugës të florinjtë”. Dyshonte shumë se kjo lëvizje dhe ky kalim paqësor pushteti tek “demokratët” e rinj, ishte më shumë një maskim i elitës të vjetër komuniste me më të rinjtë, “komunistët antikomunistë”, që po merrnin stafetën e etërve të tyre. Dyshonte se matrica (manuali kominternist) kishte mbetur i njëjtë: pas slloganeve demokratike e pluraliste “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, po fshihej përsëri agjenda e vërtetë – marrja dhe mbajtja gjatë e pushtetit politik për të ruajtur privilegjet e vjetra, në rrethana të reja. Koha tregoi se ai pati vërtet të drejtë.
Brezi im, i intelektualëve pa parti, që ishim rritur dhe edukuar në familje me kulturë perëndimore, si dhe ata mijra e mijra të burgosur politikë, që vuajtën barbarisht në kampet famëkeqe të punës të detyruar, nuk u vumë dot në ballë të këtyre lëvizjeve liri-sjellse, që fatmirësisht na i dhuroi koha, ndonse i kishim dëshiruar gjithë jetën, por u hoqëm mënjanë, pritëm të na shpëtonte “inglizi” (si në kohën e luftës), me po atë mentalitet të dikurshëm të brezit të prindërve tanë, duke ua lënë fushën e lirë për veprim ish komunistëve të konvertuar, për të bërë atë që po e vuajmë ende sot.
Për më keq, shumë antikomunistë të vërtetë, nga ata që e vuajtën komunizmin me gjakun e tyre, ju bashkëngjitën mekanikisht pushtetit të ri, u gënjyen pas një posti shtetëror të pavlerë ose për të marrë disa miliona lek vite-burgu, në vend që të luftonin për hartimin dhe zbatimin e ligjeve me të vërtet demokratike, ngjashëm me brezin e profesorit, që u përdorën si “gjethe fiku”, si fasadë demokratike, nga pasardhësit e po asaj Partie, që patën iluzionin se e përmbysën.
Historia ka ligjet e saj të hekurta, një prej të cilave është se: “Nuk ka të Mirë që të vjen vetiu, pa paguar paraprakisht për të, çmimin”.
Këtë të vërtetë ma përforcoi edhe leximi i këtij Ditari plot vlera, që besoj do t’iu shërbejë brezave që do të vijnë, si mësime jete.
Mirënjohje i dashur profesor, Niko Bello!