back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Enigma – nga Muçi Xhepa

Gazeta

Muçi Xhepa
Muçi Xhepa

Enigma

nga Muçi Xhepa

Janar 1975. Dimër i akullt. Ditë e zymtë. Ora tre pasdreke duket si të ketë trokitur mbrëmja. Re të zeza shiu kanë mbuluar qiellin. “Të jenë simbol i një misioni ogurzi, – thotë me vete Kadriu, – kanë tentuar edhe herë të tjera, jashtë vendit, por Perëndia më ka mbrojtur!”. Hekurudha e gjatë i duket si një gjarpër gjigant helmues me nofulla të hapura gati ta gëlltisë. “Përse sjell në mendje gjarprin. Të keqen. Mishërimin e botës së krimit”, flet me zë. Shton hapin në udhën e ngushtë përgjatë trasesë. Lë pas shkollën tetëvjeçare të Karinës. Dëgjon hapa. E ndjekin. Goditje e fortë në kokë. Shembet përtokë. “Sa kohë kam kështu… mbi shina”. Zhurmë, kërcitje tmerruese hekurash. Gjëmim. Treni i mallrave po afrohet me shpejtësi. Mbledh forcat. Duke u zvarritur arrin të nxjerrë trupin jashtë shinave. Lokomotiva, tashmë fare pranë, i zë këmbën. Gishtat. Humb ndjenjat.

***
Mbrëmje. 26 shkurt. Sanremo 1971. Nata e dytë. Të parën e humba. Radio Panda, imitim i Soneberg-ut, ishte plot zhurmë. E pamundur t’i dëgjoje këngët. Mora njërën karrige nga tryeza në kuzhinë dhe u ula pranë Pandës me shpresë se do të transmetonte diçka ndryshe. Por e kotë, edhe natën e dytë stacioni italian, që jepte festivalin, ishte zhurmuar. Babai i nervozuar tha nëpër dhëmbë: “Edhe radion e kanë gjymtuar”.
Të nesërmen në pushimin e gjatë takova Çimin. Babanë e kishte shofer tek agroeksporti – dërgonte prodhime bujqësore jashtë. Kryesisht në vendet revizioniste. Siç i quante “Neroni” vendet, dikur mike të tijat. Ai kishte sjellë televizorin e parë në qytetin tonë të vogël. Udhëkryqin e vendit. Një ngjarje e pashpjegueshme nga ligjet e pushtetit të punëtorëve dhe fshatarëve. Por, as nga shkenca marksist-leniniste. Nën zë njeriu i thjeshtë ia kishte atribuar ndonjë shkaku mbinatyror ose paranatyror.
-Cila këngë të pëlqeu? – Çimi ka natyrë të hapur e të qeshur.
-Nuk munda t’i dëgjoj. Radio kineze.
Shpërthen së qeshuri.
-Gjermania ime i dha pastër. Babai mendon se Çelentano do ta fitojë me këngën “Nën çarçafë”.
-Ç’të them. Mund të ketë të drejtë.
-Do befasohesh.
-Nga çfarë?
-Sonte Rai 1 do ta transmetojë vetë. Je i ftuar.
Kur kishte ndeshje futbolli të kampionatit italian, shtëpia e Çimit kthehej në një stadium i vogël. Kadri Balliu, babai i Çimit, një burrë i pashëm, me prerje qytetare dhe veshje të huaj, ku dallonte bereta, që e mbante mbi njërin sy, ishte zemër gjerë dhe mjaft mikpritës – cilësi që i trashëgoi edhe Çimi. Atë natë, 27 shkurt, Tani, Timi dhe unë, shokët e Çimit, zumë vend pranë dritares magjike, që na sillte botën e lirë të përtej detit aty. Televizori. Fitues të Festivalit dolën Nikola Di Bari dhe Nada me këngën, “Zemra është një cigane”, që më vonë u quajt “Cigani në ty”.

Tregime - Prushi i Kujtesës
Tregime – Prushi i Kujtesës

***
Kemi dalë që pa gdhirë të zëmë radhën për qumësht. Prapa shkollës sonë është dyqani i bulmetit. U dëgjua një e kërcitur ene alumini, pastaj të shara.
-Çfarë të bëri ena?
Barba Nako i drejtohet djalit, që goditi bidonin e qumështit me këmbë.
-Borgjez, – thotë nxënësi i shkollës sonë, – kjo është radha e proletarëve. S’ka vend për ty, babanace.
-Po, ashtu është, edhe unë jam njëri prej tyre, proletarëve, tani, – Barba Nako e thotë me qendrim dinjitoz, që më jep një kënaqësi e krenri të brendshme, sikur të shoh gjyshin tim në skenë të ngjashme në Elbasan. I kish ndodhur disa herë, kur ishte kthyer nga “Këneta e Vdekjes” Maliq.
Tani, djalë trim dhe i fortë, më i zhvilluar nga ne të tjerët, shokët e moshës, gjë që e kishin provuar nxënës në klasa më të larta kokën e tij – një të goditur dhe gjendeshin përtokë; merr bidonin dhe e vendos në radhë. Aty ku ishte.
-Hë, e do ti më shumë se unë atë… armikun.
Tani niset t’i japë një mësim. Baba Nako e ndalon.
-Është i ri dhe nuk kupton çfarë po bën. Ty të faleminderit!
Ngjitur me shtëpinë e Baba Nakos banon familja e Çimit. Ndërsa jam duke shkruar këtë tregim, më merr në mesinxher Plarenti, vëllai i vogël i Çimit, jeton prej një çerek shekulli në Itali.
-Plarent, të më besosh, je miku më i rëndësishëm sot. Pa të lënduar dua të zgjidh një enigmë rreth aksidentit të babait tënd.
-Nuk ishte aksident. Babanë e vranë.
Heshtje. Plarenti ndez cigaren.
-Te shinat e gjeti një qerrexhi. Rrugës për te spitali i Rrogozhinës babai i tregoi çfarë i kish ndodhur. Këtë ai ia tregoi njerëzve të familjes sonë.
-Në spital nuk arriti ndonjëri nga familja ta shihte?
-Jo, sepse ato e nisën menjëherë në Durrës.
-As në Durrës?
-Nëna kur hyri ta shohë, ai nuk fliste dot.
-Si nuk fliste?
-I kishin prerë gurmazin.
Mbetem për një çast. Plarenti ndez cigare tjetër.
-Të kuptoj ke ndrojtje të më pyesësh. Bëhet fjalë për njeriun më të shtrenjtë. Ti e ke njohur vetë babanë ç’njeri ishte. Por, ne s’lamë vend pa kërkuar e pyetur.
-Plarent, përse ta kenë vrarë? Ju kishit lidhje me lart. Kupolën komuniste.
-Aty qëndron enigma. Babai kishte miqësi me Llazi Papapostolin, dhëndrin e Barba Nakos, që ishte internuar në një fshat të Fierit.
-Mos e ke fjalën për Larry Post.
-Po ai vetë. Babai dilte jashtë me albanie dhe mundet të ketë kryer ndonjë porosi të tijën.
-Sa heronj kanë dhënë jetën që Shqipëria, sot, të jetë në anën e SHBA-ve, – më del me forcë nga kraharori.
-Të falenderoj që babanë e quan hero.
-Mësuat kush e operoi në grykë?
-Po, me urdhër të Mehmet Shehut ishte dërguar mjek kinez. Pas asaj babai ndërroi jetë, pa mundur të tregojë të vërtetën.
-Agjentin e lartë të shërbimit amerikan, Larry Post, e vranë në mënyrë mafioze, me plumb pas koke…
-Menjëherë, sa eleminuan Llazin ato vranë babanë tonë.
Plarenti ndez cigare tjetër dhe më uron natën e mirë.

Uashington - nga Njuxhersi miku i fëmijërisë Destan Doda
Uashington – nga Nju Xhersi miku i fëmijërisë Destan Doda*

*Pas gjashtë muajsh në katër spitale sot në shtëpi.
Faleminderit shumë për lutjet tuaja!
Perëndia i dëgjoi.

Marrë nga muri i FB i Muçi Xhepa, 8 maj 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.