back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Elita Politike në Shqipëri në 1920-1924, në optikën e diplomatëve anglezë – nga Dr. Albana Mema

Gazeta

Ahmet Zogu me trupat e tij ishte mbrojtes i Kongresit
Ahmet Zogu me trupat e tij ishte mbrojtes i Kongresit

Elita Politike në Shqipëri në 1920-1924,

në optikën e diplomatëve anglezë

nga Dr. Albana Mema

Zhvillimi i qëndrueshëm i shtetit shqiptar, në periudhën e viteve 1920-1924, nëpërmjet ngritjes dhe konsolidimit të institucioneve kombëtare, ishte detyra dhe sfida kryesore e klasës politike të kohës dhe bashkë me të, e gjithë shoqërisë shqiptare.
Prandaj edhe proceset apo reformat e tjera që do ndërmerreshin në vazhdim, duheshin konceptuar që të shkonin në harmoni me fuqizimin dhe modernizimin e shtetit kombëtar dhe të institucioneve të tij. Nëse klasa politike e vendit, do të kishte pasur në tërësinë e saj këtë koncept, rezultatet nuk do të mungonin. Por ajo, më së shumti, dështoi për t’ia nënshtruar veprimtarinë e saj politike këtij objektivi madhor dhe jetik për interesat kombëtare shqiptare.
Vetë forma e qeverisjes e sanksionuar në Kongresin e Lushnjes, nuk i përshtatej mundësive reale, që kishte kombi shqiptar në atë kohë. Për këtë arsye, ajo jo vetëm që dështoi, por, edhe ishte një nga faktorët që prodhoi kriza të rënda e të rrezikshme, për vetë ekzistencën e shtetit shqiptar. Në këtë këndvështrim diplomatët britanikë në Shqipëri si dhe zyrtarët më të lartë në Londër, analizuan dhe vlerësuan personalitetet më të rëndësishme të klasës politike shqiptare gjatë kësaj periudhe.
Destabilizimi i vendit, gjatë dhjetorit të vitit 1921, duket se tronditi besimin e vakët që kishin pasur më parë, përfaqësuesit britanikë, për mundësinë e funksionimit të një sistemi parlamentar në Shqipëri. Diplomati britanik, Howard Smith, veçonte si një pengesë të fortë, për funksionimin normal të sistemit parlamentar, ekzistencën e krerëve të fuqishëm, të cilët, kishin pas vetes një mbështetje të fortë ushtarake. Për të, homazhi i idealeve perëndimore të demokracisë, që ka të bëjë me respektimin e metodave parlamentare të opozicionit, ishte i parakohshëm për Shqipërinë.
Pas dështimit të grushtit të shtetit të dhjetorit 1921, Smith analizoi me kujdes edhe situatën e krijuar dhe masat që mori shumica parlamentare. Interesant është të nënvizohet fakti se, ai parashikonte konflikte të reja pas anulimit të mandateve të deputetëve të Drinit, si dhe kritikonte masat antiligjore për shkarkimin e regjentëve që kishin drejtuar grushtin e shtetit. Nga gjithë këto zhvillime dramatike, Smith deklaronte se Shqipëria, nuk ishte akoma gati të trajtonte organizmin delikat të demokracisë kushtetuese dhe sugjeronte në këtë mënyrë, një sistem autokratik.
Vitet 1922-1923, ishin relativisht më të suksesshme në procesin e konsolidimit të shtetit dhe forcimit e zhvillimit të institucioneve kombëtare, dhe në këtë mënyrë, janë vlerësuar edhe nga historianë dhe përfaqësues diplomatikë të huaj të asaj kohe. Por, siç do të shihet më tej, kjo periudhë qeverisje pozitive, veçanërisht po të kemi parasysh kushtet e Shqipërisë, do të rrënohet nga aksioni i ashpër opozitar dhe nga përçarjet në vetë qeverinë e Ahmet Zogut.

Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar
Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar

Tashmë, po ndodhte një çarje e thellë midis Zogut dhe “Krahut Kombëtar”, i cili nga britanikët dhe opozita cilësohej me termin “Klika”. Ndërsa në fund të shtatorit, përfundoi dhe sesioni parlamentar dhe parlamenti u shpërnda, ishte e qartë se influenca e Zogut në të gjithë vendin po rritej, kjo solli një alarm të madh, jo vetëm në radhët e opozitës zyrtare por edhe në atë të “Klikës”.
Gjendjen e vështirë të qeverisë së Zogut, në vjeshtën e vitit 1923, e përshkruante Robert Parr, konsull i parë në Legatën britanike, i cili e kishte kuptuar se, një pjesë e “Klikës” që ishte rreshtuar kundër A. Zogut, tashmë kishte filluar të bashkohej me opozitën e drejtuar nga Gurakuqi dhe po ndërtonte një kauzë të përbashkët me të.
Burimet britanike, bëjnë të qartë ekzistencën reale të një komploti të organizuar nga “Klika” për rrëzimin e qeverisë, nëpërmjet një grushti shteti dhe eleminimin e Zogut më 28 nëntor 1923, si dhe tejkalimin e situatës së rëndë, si rezultat i ndihmës që dhanë përfaqësuesit britanikë, duke deklaruar mosnjohjen e një qeverie që do të krijohej në rrugë të tillë antiligjore dhe duke i dhënë këshilla Zogut që të reagonte me maturi dhe me frymë kompromisi për të shmangur fillimin e një lufte civile, këshilla të cilat, ai i vuri në zbatim. Ndonëse kriza u tejkalua, përfaqësuesit britanikë mbetën të tronditur dhe i komunikuan Londrës informacione dhe vlerësime shumë negative për shumicën e figurave të Partisë Popullore që ishte në qeverisje, të cilët kishin mbështetur këtë grusht shteti të dështuar.
Me gjithë krizën e vjeshtës dhe dimrit të vitit 1923, në përgjithësi, ky vit i qeverisjes së Zogut ishte i qetë, ndonëse retë e konfliktit nuk u shpërndanë asnjëherë. Këtë gjë e pohonte edhe Ministri britanik, Eyres, i cili pohonte se: “viti 1923 ka kaluar më qetë se paraardhësit e tij që nga fillimi i Pavarësisë shqiptare…”. Ai bënte një vlerësim negativ, por real, të gjithë klasës politike shqiptare të kohës, i cili mund të konsiderohet si më i sakti dhe më i balancuari, duke pasur parasysh ngjarjet historike që kishin ndodhur gjatë kësaj periudhe. Tashmë, Eyres mbante një qëndrim kritik edhe ndaj Zogut, por përsëri, duke e veçuar këtë të fundit, si më pozitivin në këtë grup politikanësh ambiciozë dhe konfliktualë, që nuk kishin aspak vizion për qeverisjen e vendit të tyre. Sipas diplomatit britanik, “Zogu nuk ishte gjykues i mirë i njerëzve dhe kishte defektin e madh, se nuk dinte kujt t’i besonte. Për pasojë, ai u rrethua nga “Klika”, e cila formoi një rrethim të padëshirueshëm”.
Ministri britanik i bënte një përshkrim të hollësishëm grindjeve në qeverinë e Zogut, duke e nisur analizën e tij që me fillimin e vitit 1923. Sipas tij, pas përfundimit të sesionit parlamentar, e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të zhvillohej në fund të dhjetorit. Gjithçka tregonte mundësinë e A. Zogut për të rritur ndjekësit e tij. “Klika” e dinte shumë mirë se kjo do të ishte zhdukja e tyre politike. Për këtë, ata u mbështetën nga Opozita e drejtuar nga Gurakuqi dhe Fan Noli. Këtu kemi një shpjegim interesant, të arsyeve të çarjeve që ndodhën në partinë qeverisëse dhe motiveve që e nxitën një pjesë të “Klikës” për t’u bashkuar me opozitën në fushatën zgjedhore për Asamblenë Kushtetuese.
Vlerësimet konstante dhe tepër negative të Eyres për “Klikën” duhen analizuar me kujdes, pasi ai pa tek kjo organizatë, një bërthamë konspirative të fuqishme dhe të organizuar, e cila ishte e aftë që në çdo çast të kapte shtetin. Këto vlerësime fillonin që në vitin 1921, kur “Klika” nuk kishte ndonjë rekord në veprimtari antikushtetuese dhe pastaj kritikat e tij u bënë më të forta gjatë viti 1923, kur ajo, u fut në konflikt me Zogun dhe u shndërrua në qendër intrigash dhe të organizimit të grushteve të shtetit.
Pikërisht në pikun e krizës, në prill-maj 1924, u krijua qeveria e Shefqet Vërlacit, duke u futur në të edhe dy përfaqësues të opozitës. Lëvizjet në qeveri, ndryshuan dukshëm disa balanca politike, të cilat i vlerësonte me mprehtësi, Eyres. Ai konfirmonte se ishte fituar mbështetja e dy grupeve më të fuqishme dhe njëkohësisht më agresive të opozitës, ç’ka mund të hapte perspektivën për stabilitet. Gjithashtu, pohonte se kabineti tashmë ishte i plotësuar me një përjashtim, por dobësia dhe mungesa e stabilitetit të tij ishin të dukshme. Edhe në këto çaste kritike, ai i kthehej figurës së Zogut të cilin, e vlerësonte si të domosdoshëm të rimerrte postin e ministrit të Brendshëm. “Shqiptarëve u duhej një dorë e fortë në postin e Ministrit të Brendshëm dhe Ahmet Zogu, me të gjitha fajet e tij, është tepër i kërkuar”, theksonte Eyres.

Ahmet Zogu në Parlament 1928
Ahmet Zogu në Parlament 1928

Pas vrasjes së deputetit Avni Rustemi, e cila dukej se do të kishte pasoja të paparashikueshme, Eyres bëri një vlerësim mjaft negativ të profilit të tij politik. Ai i shkruante kryeministrit MacDonald: “Ju njoftoj se A. Rustemi, vrasësi i Essad Pashës, ka rënë viktimë e fatit që ai sajonte për të tjerët. Ai u vra në rrugët e Tiranës, nga një njeri i cili kishte qenë më parë shërbyes i Essad Pashës. Kur u vra, ai ishte duke u nisur për në Amerikë për të mbledhur fonde për një shoqëri sekrete që kishte krijuar. Avni Rustemi ishte një njeri i paekuilibruar, një idealist histerik, teoria kryesore e të cilit ishte nevoja për pastrimin e Shqipërisë me vrasje. Ai është i dyshuar fuqishëm që ka qenë shtytësi i atentatit ndaj A. Zogut dhe shokët e tij mendojnë se A. Zogu është hakmarrë.” Duke komentuar varrimin e Avniut në Vlorë, Ministri britanik informonte Londrën: “Deputetët që organizuan këtë manifestim, kishin si qëllim të tregonin mosbesim dhe mospërfillje ndaj qeverisë. Në fakt, kjo ishte një sfidë direkte e organizuar nga ana e “Klikës” dhe nga grupet e ndryshme të opozitës…”
Kryengritja antiqeveritare e qershorit të vitit 1924, u vlerësua me nota shumë negative nga të gjithë miqtë e Shqipërisë në atë kohë por, edhe nga qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, të cilat e analizuan këtë ngjarje edhe në raport me interesat e Shqipërisë, të stabilizimit të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij.
Kjo ngjarje u vlerësua si një dështim i madh për shtetin dhe klasën politike shqiptare. Eyres ia ngarkonte fajin e këtij dështimi kaq të rëndë, sistemit politik, i cili me të vërtetë ishte tërësisht i papërshtatshëm për kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Ai veçonte si shembullin kryesor pozitiv Ahmet Zogun. Ky është një përcaktim diametralisht i kundërt, me imazhin që ka krijuar shumica e historiografisë shqiptare, për rolin e tij gjatë kësaj periudhe. Eyres jepte në këtë rast, edhe evoluimin e qëndrimeve dhe marrëdhënieve të tij politike me “Klikën”, i cili përbën një shpjegim tjetër interesant. Ai evidenton rolin pozitiv të Zogut dhe pengesat që i erdhën atij nga “Klika”. Mendoj se Eyres ishte më objektiv dhe i paanshëm në gjykimet e tij dhe njëkohësisht, nuk mund të vihet në pikëpyetje informacioni që ai kishte për jetën politike dhe politikanët shqiptarë.
Pas ardhjes së Nolit në pushtet, Foreign Office vijoi të ishte kritik ndaj tij madje edhe ndaj gjithë klasës politike shqiptare. Edhe politika e mosnjohjes, që u bë guri i themelit të politikës së Fuqive të Mëdha, ishte kryesisht rezultat i vlerësimit të veprimeve të tij, si të paligjshme, të rrezikshme dhe destabilizuese për Shqipërinë dhe Ballkanin. Kritika më thelbësore kishte të bënte me ardhjen në pushtet përmes dhunës dhe mos-legjitimimin e qeverisë së Nolit. Duke përligjur qeverinë, Noli mund të kishte krijuar një premisë themelore për njohjen ndërkombëtare.
Fuqitë e huaja e shihnin qeverinë e tij si shfaqjen e një qeverie tjetër të paqëndrueshme, e bazuar mbi ata që kishin lëkundur themelet e stabilitetit dhe që kishin uzurpuar pushtetin ilegalisht. Institucionet që krijoi qeveria e Nolit dhe politika e saj, ishin krijuar në një mënyrë joligjore dhe të dhunshme. Ato nuk arritën të siguronin stabilitetin aq shumë të nevojshëm në vend. Kjo e paragjykoi shumë qeverinë e Nolit në arenën ndërkombëtare, duke u gjendur para një izolimi të plotë. Eksperimenti i dhimbshëm i Qershorit 1924, pati pasoja të rënda për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, gjë që pasqyrohet qartë në vlerësimet e diplomatëve britanikë.
http://shqiptarja.com/m/dossier/elita-politike-n–shqip-ri-n–1920-1924-n–optik-n-e-diplomat-ve-anglez–460335.html

Marrë nga faqja e FB Mbretërorët! 24 qershor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.