back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Elinda Marku – Cikel Poetik 2015

Gazeta

Poetja Elinda Marku
Poetja Elinda Marku 

Elinda Marku

Cikel Poetik 2015

1.Diku…

Në njenën anë të rrugës
nji llampë e fikun
e djegun ndoshta…
N’anën tjetër
nji pemë e lanë gjethesh
edhe zogjsh ndoshta.

Përmidis tyne rruga
tuj më përcjellë mue
për te ti

o ndoshta prej teje!!

diku nalt në qiell
nji diell i vokët
ma ban me dorë!

2.Me gjasë e gjeta, çka don me thanë arrati!

Arrati don me thanë ikje për në vetvete,
thellë, shumë thellë në vetvete.
Aty ku ke, e gjen gjithë ç’ke.
Aty ku ke, e gjen gjithë ç’ka t’mori humbja.
Aty ku ke, e gjen gjithë ç’mund t’sjellë e ardhmja.
E bash aty mshehet e flen e zgjueme poezia
Që, edhe n’se nuk e thu kurrë,
edhe n’se s’gjindet asnjihere poezia me fjalën.
Poezia asht njisoj aty…
e mshehun, e fjetun, e zgjuet,
tuj të pritë t’arratisesh!!!

Elinda Marku
Elinda Marku

3.Ndrysh’imi

Ndodh mëngjes në mesnatë.
Mëngjes në At’dhe, e natë në mërgim.
Çelin lule në Prill
Prill n’At’dhe, e borë në mërgim.

Në mos m’ka dërgu At’dheu
me porosi me shpërnda dritë
e dashni deri në mërgim
u kthefsha ma mirë!

Arrati s’don me thanë
sall me ikë prej vendit tand
për në vend  të huaj!
(thashë kur ika).

Arrati s’don me thanë
sall me ikë prej vendit të huaj
për në vendin tand.
(thashë kur u ktheva).

Arrati s’don me thanë
sall se vishesh e mbathesh, se vdes e shkon.
(thashë kur përcolla ato,
që u ndanë prej meje t’fundmen herë).

Arrati s’don me thanë,
me dalë prej barkut e shpirtit të nanës
(do të kem thanë kur linda,
do ta kem thanë n’gjuhën që s’e kujtojnë ma
dëshmitarët e lindjes sime).

4.At’Here, At’Je, At’Dhe

At’here, At’je, At’dheu-euuu
ish’te Ulza buzë udhe
udha buzë lumit.
At’here, At’je, At’dheu-euuu
ish’te oborri që duhej
fshi stinësh,
ish’te dera që duhej
me u mbajtë hapë,
ish’te votra që duhej
me u mbajtë nxehtë,
ish’te shtrati ku duhej
shtri andrra e lodhun,
ish’te shtëpia që duhej
mbushë plot nesh-!

Ish’te Vorri te cilit i duhej
vu  guri te kryet…!

Nuk m’u duk vetja boll’
u shndërrova në peshk
e më hangrën!
U shndërrova në pemë
e me prenë!
U shndërrova në shtëpi
e më shembën!
U shndërrova në oborr
e me rrethuan!!!
U shndërrova në vorr
me gurin e krye’vorrit tim
m’gjuejtën….!
U shndërrova në mjegull
më piu ikja nëpër qiell, gjallë!

Këtu, kështu, kur tash
jam dega e Ulzës buzë udhe
jam udhë buzë zallit të lumit
jam oborr, derë, votër, shtrat, shtëpi
jam vorr e gur i bamë nji.

As e di ç’ka asht At’dheu.
Di që jam krejt At’dheu që lashë
që e lashë, e u bana Ai!
Ajjjjjjiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii…

Elinda Marku
Elinda Marku

5.Sfilata e dhimbjes

U vesh e u çvesh shtatë herë në ditë
shtatë ditët e javës së vet
të shtatë fustanet e bardhë
pis të bardhë… e tejdukshmja!
Tejduken tiparet e thella
mbulue thellësive therëse.
Mban zi të bardhë për dashninë
Për dashninë e t’tana dashnive
që nuk vdiqën
që nuk lindën…
që nuk…!
Deri sa u shemb e ra nji pikë
Mbi nji vizë vertikale, i – e madhe shtypi
Përmbysen pa pra i – të
sa herë sfidon në sfilatë vedin, dhimbja
brenda secilës nesh nji kopje e saj asht’et
secila ajo, njana prej nesh
nji pikë mbi nji vizë vertikale
ther ndigjimin. Uji vishet saj
teksa nji fëmijë e mban duarsh
nji herë modelen time (dhimbjen)
një herë modelen e atij (gjethen)
gjethen që dikur qe syth….!

Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla)
Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla)

6.Migjeni rron n’mjerimin tonë

Shekulli i mbrapsht, krejt mbrapsht
Ka ra në mue, me fytyrë nën fytyrë.
Jam shndërrue në Gogol, për kët vocrrak.
Edhe për kët tjetrin, që ka veç pak ditë i lindun.
Vocrraku kërkon me e trembë Gogolin!
Para se ai ta trembë, ose ta hajë.
Mbetjes sime që ende nuk asht ba Gogol.
Ia merr mendjen për nji moment
Nji “Mollë e ndalueme” dhe habitem në humbjen e ditës
Që ta shkund mollën e ta liroj të piqet në një
“Ngjarje pa lëvizje”
Pastaj ta ndaloj sërish në kafshatën time
Të pakapërdishme.

“Në kishë” po këndon nji kor, do besimtarë dhe prifti,
Bashkë me Zotin e vramë,
I shtrijnë duert mbrapa meje, e më luten;
“bukën e përditshme t’ua falë”

Paradoksale po më duken këto “vargje të lira”
Mbi kët “kangë të ringjalljes”
Nën këto “kangë të mjerimit”
Dhe disa të tjera që s’ua ve veshin hiç.

Kur e besoj se jam Gogol, shtoj me habi
-Qenkam një lloj gogoli që u mbarskam!


Erdh Migjeni, për nji kafe të zezë
e çaj piu fatziu
(nuk asht shërue jo,
Veçse ka ikë prej sanatoriumit me marrë
nji kitarë nga shtëpia e vet
e ta pijë nji kafe-çaj me mua)

I mjeri, në qofsha megjithëmend gogol
Ai s’e di se jam gogoli i vet
Dhe, veç duket se s’mundem me e trembë
Si ato që do t’i tremb, n’mos i paça trembë…

Ndonjiherë më mbushet mendja
me ia ngulë dhambët n’tru Migjenit,
pa mëshirë…
Po AI mbas mbarimit të çajit më thotë;
-E pjeksh për të mirë!
I shtoj çaj, krejt e sigurt, se nuk i ban dobi.

Më vraftë Zoti i vramë…
Zemërimi i Migjenit m’paska lanë shtatzanë!!!


Mbas ikjes së Tij,
e prek n’përgjumje barkun e dhimbjes
duke përgjue zemrimin që m’rritet
dhe mendoj:
-Kushedi sa do të bërtasi!!
Britmat e padurimit, mbi të bërtitmet e shueme
Si dhuratë për ndryshimin që s’ka me ndodhë
as sot, as mot, as kurrë!
Mundet me m’ra edhe tuberkuloza
Mundet…!

7.***

Une dhe Jeta
e tërheqim zhag njena-tjetrën
Herë prej dashnisë për sho-shoqen
e herë se vonon vdekja!

Andrra dhe trendafile...
Andrra dhe trendafile…

8.***

Rruga shkon përditë n’shpinë teme pa mu.
Pema n’oborr duron vjeshtë e dimën,
pa dashtë m’ia ditë se unë pres pranverën
bash për sythet e saj…!
Rrumbullaken Tokë e Qiell…
njani i bien rrotull tjetrit
e të bahet mëngjes dhe t’i hap sytë
unë e verbtë.


Eci jo se kam me mbërritë ndokund
po se due me provu cilsinë e shojeve
që tallen me hapin tim!


Në shpinë teme unë dhe macja e dimë
e ndjejmë, e durojmë dhe e hamë erën e peshkut!
Peshkun vetë… e mban uji për vedi


Mbramë pashë andërr
sikur m’hynin peshq drinali
prej dritaresh.
Desh më hangrën!
S’e di të cilit Drin ishin
të Drinbardhit a Drinziut?!


N’vend të taketukes përdor nji shishe blu
me ujë të zi
filtra cigaresh bahen si peshqit
që mbasi i pij
më hanë!


M’duket
a po flas përçart!!!

9.***

Nji ylli iu morën mend,
iu drodhën gjunjtë
i ra t’fikët
e ra diku midis qiellit.


Përpiqem me e çue sërish
njat yll
me nji palë sy si t’mitë,
që desha i pata ba t’tutë.

10.***

N’trupin e qiellit ka shenja shiu,
n’trupin e shikimit tem ka shenja malli,
n’trupin e dashnisë “së vdekun” ka shenja jete,
n’trupin e fjalës ka shenja përjetësie.

Po ndërrojnë stinët,
me të njejtat njena-tjetër.
Mua më iket mbas tyne,
te të njejtat “deshta”!

Elinda Marku
Elinda Marku

11.***

Mos u çuditni pse nuk çuditem ma
as nuk çuditem pse s’u çuditkam.
Mos qeshni pse s’më vjen me qa për asgja
Mos qani se asgja s’më ban me qesh tashma
Gur… për qiell e për tokë, gur jam ba!

12.Moshë

Kanë fillu me m’lanë sytë.
Mendja kurrë s’po e ndal vrapin
s’ikuni prej meje.
Edhe kur ndalet me pushu
ndalet e pushon skaj teje.

As i mendoj fjalët që shkruj.
Me i pa, s’i shoh pse nuk i shoh.
Unë vetëm ndjej
e fjalët më mendojnë mue.

13.T’përbashktat e ndame

Qielli asht i përbashkët
edhe mbasi e ndajmë
shiu m’bjen mu e dielli t’bjen ty.
Ylberi s’asht tjetër
veç besa që na lidh
mu e ty
si dielli me shiun.

14.Kujtimi i harresës.

Unë mund ta harroj numrin,
adresën, udhën…
mund ta harroj harrimin tand
po jo ty.
Ti nuk je njeri!
Njerzit janë t’harrueshëm.
Njerzit janë harraqë.
Ti je dashni!


As unë nuk jam njeri!
Jam lufta që ti gjithmonë e fiton!

Gjithë kjo hapsirë që kemi ndërmjet
asht horizonti që s’mund ta kemi
që s’mund ta humbim,
as mbasi u verbuam!

Dritehije dhe tym...
Dritehije dhe tym…

15.Ikja e parë

Kur ika n’mërgim
I pata falë tana fustanet me lule
farat e luleve i pata marrë me vedi.

Orët i fala të tana,
çastet i mbajta për vedi.

E fala qiellin, shiun e mora

Muajt i fala, pa ata të vjeshtës.

Vjeshtë, lule, e tesha gjeta…
ma shumë se lashë

Dal e iu kërkoj çdo ditë
me i nda çastet që mora
shiun, farat, vjeshtën.

Po m’tepron mungesa juej
që me askënd s’u ndaka!

Ku nuk iu mora edhe ju me vedi.

Si rri e nuk vij vete tek ju?!

16.Ish’ulli

E panë njerzit malin në detë
e thanë: Ish ulë.
Në malin midis detit ranë njerëzit
dhe mbollën ullinin
Tash malin e thërrasin
Ish’ulli.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.