back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Elez Isufi dhe Suf Xhelili nga Tahir Kolgjini

Gazeta

 

Elez Isufi e Suf Xhelili
Elez Isufi e Cen Elezi

Elez Isufi dhe Suf Xhelili

nga Tahir Kolgjini

Elez Isufi dhe Suf Xhelili, origjinën e kishin nga katundi Dardhë i Dibrës së Vogël, qi turqt, në kohë të vjetra i thojshin Debre i Zir, dmth Dibra e Poshtër. Këta, ishin axhë e nip. Xhelil Isufi dhe Elez Isufi, qenë vëllazën. Sufa, pra, qe i biri i Xhelilit dhe gjithmonë krah i djathtë i Elez Isufit.
Kjo familje, nga pikëpamja materiale, ishte largue prej katundit Dardhë dhe ishte vendue në rajonin Sllovë thuejse gadi në rranëz të Korapit, afër katundeve Sllatinë, Kallë dhe Vleshë; sepse, ky rajon, jo veç përbahej prej tokave ma pjellore, por, edhe prej tokave të shkreta, dmth të pa zot. Veç kësaj, banorët e këtyne krahinave, me qenë se me shumicë, ishin shtektarë, dmth gurbetçij, tue frekuentue Stamboll e Anadoll, si të tillë, mund të thuhet se, ishin pak ma t’urtë se krahinat e quejtuna Malsi, krahinë, në të cillën bânte pjesë edhe katundi Dardhë.
Elez Isufi dhe Suf Xhelili, në kohën e tyne, kanë pasë qenë të njoftun kështu me kët identitet, tue u përmendum në kët mënyrë në popullsinë e vendit. Me gjithë këtë, ata, zotnojshin mbiemnin “Ndreu” në katundin e tyne në Dardhë. Si duket, ky mbiemën, iu ka mbetun prej kohëve shum të vjetra, kur të parët e tynë, kanë qenë katolikë. Kësisoji në Shqipni, sidomos në malsina, ka shum mbiemna katolikë si Markaj, Lleshaj, Peposhaj, Kolaj, Kolgjin e tjerë.
Simbas mendimit t’em, banorët e Dibrës, të Matës, të Krujës, të Merditës, të Lumës e përgjithësisht të Vilajetit të Shkupit, qi shkrojën “i” e përdorin “aj”, “ej”, bâjnë pjesë nga popullsija e vjetër e Maqedonisë. Kështu merret vesht si nga historija e gjermanit Droysen e titullueme “Leka i Madh” ashtu dhe nga vepra frengisht “Arnavutlar ve Arnavutluk” Vasa Pasha. Banorët e naltpërmendun, edhe bashkëtinglloren e përngjitun “pl” e shqyptojnë “ç”, f.v: Plak = Çak.
Në volumin e II të “Historia e Popullit Shqiptar”, tue i qendrue besnik përdorimit të fjalës në botën arabe dhe turke, përdoret në trajtën “Jusuf”, kurse populli i krahinës së vet, e përdorë me “I”, Elez Isufi. Emni Jusuf, Isuf, âsht nji emën i vjetër i mbetun prej ebrejve dhe përdoret ne forma të ndryshme: Jusuf, Isuf, Josef, Giuseppe, Zef… etjera.
Edhe “Suf Xhelili”, emnin e plotë e ka “Isuf”, por, nji rrokje ia kanë hiekun dhe ky emën, ka mbetun “Suf”. Gegënija, e ka zakon me i shkurtue emnat. Pra, kur thomi Ramë, Dan, Rexhë, Xhepë, Lil e tjera, kemi për qellim me përmendum Ramadanin, Rexhepin, Halilin e tjera.
Tash, po vijmë te Elez Isufi dhe Suf Xhelili.
Elez Isufi, më kujtohet në katër perioda:

Tahir Kolgjini (1903-1988)
Tahir Kolgjini (1903-1988)

I. 
Sikurse e kam pasë shpjegue në Shejzat Nr. 4-6 të vjetit 1969, me artikullin t’em “Luma dhe luftat e saja”, artikull, i cilli, si i shtrydhun nga revista e naltpërmendun, qe botue dhe në formë libri, Elez Isufi, në vjeshtën 1912, pat bashkëpunue me Lumën për kundra okupatorit serb.
Në parathanje e shënova se, Elez Isufi, rranjët i kishte nga katundi Dardhë i Dibrës së Vogël. Ky katund, dmth Dardha, përherë ishte si i bashkuem me katundin Reç po të Dibrës, i cilli, âsht shum i shpërndamë dhe përbahet thuejse prej ma tepër se katërqind shtëpijash. Këto dy copë katunde, për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me njeni tjetrin përmendeshin së bashku: Reç e Dardhë…

Elez Isufi, shkonte shum mirë si me Dardhnjanë ashtu dhe me Reças. Dhe kur i thirrte për ndonji nevojë, banorët e këtyne katundeve, e kishin për lavdi me iu përgjegjun, mbassi Elezi, si nga pikëpamja e mendarisë, ashtu dhe nga pikëpamja e gjallënimit dhe e djelve ishte Agaj i Krahinës.
Në kohë, për të cillën duem me folun, Lumën me Dibrën e dante Veleshica, nji lum, qi zbret nga bjeshka e Korapit. Tash, më duket regjimi i sodshëm në Shqipni, disa katunde, qi përmenden me emnin Qafa, ose Nahije të Lumës ia u ka mbathun Dibrës. Pra, Reç e Dardhë dhe katundet tjera afër Lumës, ishin – dhe janë – të përziem me njani tjetrin me anën e krushqisë dhe të kumbarisë. Të mirën e të keqen e kishin të përbashkët.
Âsht vjesht e vjetit 1912. Luma, vendosë me bâmë nji kryengritje kundra ushtrisë okupuese serbe, e cilla, asht vendosun në Bicaj, qi âsht kryevendi i Lumës. Parësija e Lumës, merret vesht me Elez Isufin e me ndonji tjetër nga parësija e katundeve pranë.
Elez Isufi, me rasën e disfatës së Turkisë në Luftën e Ballkanit, na paska pasë mbajtun nji top me disa gjyle dhe na paska pasë strehue nji tetshe ushtarë turq. Elezi, me tetshen ushtarë, me top dhe me banorët e katundeve Reç e Dardhë e ndonji tjetër prej katundeve të Dibrës, shkon në katundin Kolesjan të Lumës. Ky, âsht katundi i Islam Spahisë, i cilli, ishte mullari i Lamës së kryengritjes. Ky fakt historik, vërtetohet dhe me kangën popullore:

“……………………………….……”
“Reç e Dardhë ranë n’Kolesjan’…
………………… në Bican.” 

Fillon lufta në befasi. Ushtrija serbe e hutueme prej topit dhe prej mësymjeve të popullsisë në shum anësh dhe në nji mot shum të keq, shterret dhe luftëtarët kryengritësa, çlirojnë Lumën tue asgjasue nji divizion t’ushtrisë anmike.
Në dëshroftë ndokush ndonji shpjegim ma të gjanë rreth kësaj ndodhine historike, mundet me iu drejtue artikullit “Luma dhe luftat e saja”.
Për kujtim të kësaj lufte dhe të luftëtarëve pjesëmarrësa e trima, po mbaj pesë minuta heshtje dhe po notoj nji pjesë të kangës, qi e quej si kryevepër:

“Po rrjedh Shéja plot me gjak. 
Po i thotë Drinit: -Ndihmom pak!”

Bajram Curri mes luftetareve 1912
Bajram Curri mes luftetareve 1912

II. 
Ishte Gushti i vjetit 1920. Aty kah medisi i muejit bâhet nji mbledhje në katundin Arras të Dibrës dhe më dalin Ramiz Dibra e Ramiz Daci, të dy këta, personalitete të njoftuna e prej Dibre.
Kjo mbledhje, s’ka dyshim se, âsht bâmë me sugjerimin e Qeverisë Shqiptare t’asaj kohe, mbassi po n’atë vjetë ishte zhvillua Lufta e Vlonës për kundra forcave ushtarake italiane qi kishte përfundue me ngadhnim. Sugjerimi i Qeverisë për nji veprimtari, provohet dhe nga nji letër turkisht drejtue nga Ahmet Zogu, Alush Agë Lumës, letër, të cillën e kam pasë këndue unë vetë dhe qi do të bâj fjalë mbi ‘te këtu ma poshtë.
Mbledhja n’Arras, vendos qi populli i Dibrës, t’ia fillojë kryengritjes kundra ushtrisë serbe – jugosllave -, e cilla, tue pasë kalue kufinin e caktuem në vjetin 1913, ishte sistemue për Drin të Zi, me qëllim sigurimi, mbassi lumi Drin, përbante nji vijë mbrojtjeje natyrale për çdo sulm qi eventualisht mund t’i drejtohej nga Shqipnija, ose nga Italija. Drini, ishte nji vijë strategjike për Jugosllavinë.
Mbledhja e Dibrës n’Arras, në kët kryengritje komandën ia ngarkon Elez Isufit. Dhe kishte të drejtë, mbassi Elez Isufi, për veç qi ishte me randësi në Dibër, tue pasun nji rreth shum të gjanë, por, për sa i përket njij ndeshjeje civile, ishte edhe shtatmadhuër me openga. Ishte në gjendje me e trazue popullin dhe me e futun në luftë me mjeshtërinë e tij.
Kërset lufta, në gjymës të Gushtit 1920. Elez Isufi, shliron Dibrën e Vogël. Suf Xhelili, tue pasë me vehte nji pjesë të dibranëve, në bashkëpunim me Osman Mustaf Litën e me popullin e Nahije-s, iu bijnë komandave serbe dhe çlirojnë 12 copë katunde të Lumës, tue mbërrijtun deri në Lerat e Sorrave të katundit Lusën (katundi i em).
Në katundin t’em në Lusën, ndodhet Alush Agë Luma me njimijë zaptije, të cillët, janë të regjistruem me rrogë për mbajtjen e qetësís së Lumës.
N’atë kohë unë, nuk i kishem mbushun të 20 vjetët. Prandej, në punët e shtëpisë dhe në çâshtje të jashtme, ishem vetëm si spektator. Të gjitha punët i endte dhe i pralmendte em atë, rahmet i pastë shpirti.
Baba, nji ditë, më thotë: “Sod, në shpinë t’onë kanë me pasun nji takim Alush Aga me Mus Preçin prej Reçi!”. Ishte paradreke.
Erdhi Alush Aga vet’i treti. Pak ma vonë erdhi edhe Mus Preçi vetëm dhe me nji armë në krah. Mbassi u përshëndetën zakonisht n’odë të miqve, baba, Alush Agën dhe Mus Preçin i hypi në pod të sipërm të kullës dhe i la vetëm për vetëm qi të bisedojnë lirisht.
Mbas njij kohe, të dy zbritën dhe si hangrëm drekë, Musa, u nis për kah kishte ardhun dhe Alushi, shkoi ma vonë. Se ç’patën bisedue, nuk dij. Vetëm se Alush Aga, para se të shkonte, mue më dha nji letër për t’a këndue, mbassi vetë, nuk dinte me këndue.
Letra në fjalë, ishte e shkrueme turkisht e në Tiranë, dhe me nji orthografi të bukur. Përmbante nji shkrim me germa të vjetra turkisht, mbassi n’atë kohë, Turkija enè nuk i kishte pranue germat latinisht. Letra, n’emën t’interesave kombtare e këshillonte Alush Agën qi sa të jetë e mundun, të mos bâhet vegël e Jugosllavisë në ndeshjet eventuale dhe i epte premtime personalisht për t’ardhmen.
Letra, përmbante nënshkrimin “A. Zogu”.
Kjo letër, e bâni ndikesën e vet në mënyrat e poshtëshënueme:
a) Autoriteti jugosllav, e urdhnoi Alush Agën qi me forcën e vet të dale përtej Drinit të Zi me luftue kundër fuqive kryengritëse. Mirëpo, Alush Aga, nuk iu bind këtij urdhni, tue thanun se:
“Unë, qysh në fillim i kam pasë pranue këto 1000 armë me konditë qi të shërbej mbrenda katër kufijve të Lumës, tue mos u angazhue me luftue përjashta Lumës me asnji forcë tjetër. Dhe jam gadi me i dorëzue armët, qi m’i keni dhanun…”.
Në fakt, Alush Aga, i dorëzoi krejt armët, tue i bâmë truç në Bicaj dhe shkoi në shpi të vet. Mbi këtë, vendin e Alush Agës, e zuni nji farë Mahmut Rexhep Bulica prej katundit Kolesjan, i cilli, me forcat e veta, kapërcei Drinin; por, fuqinat shqiptare, e pritën ashpër, tue i dhanun nji pushkë të thântë dhe këthei në Lumë si ma zi.
b) Luma, ma përpara qè damë më dyshë: Nji palë, ndiqshin politikën shqiptare dhe nji pjesë tjetër me Alush Agën, akuzoheshin si serbofila. Kjo përçamje vazhdoi shum vjet.
Mbi këtê Jugosllavija, dërgoi trupa ushtarakë, dogj e poq katundet e Dibrës e të Nahijes së Lumës dhe ngrehi topat në Gjurrë të katundit Kalisë te shpijat e Mahmut Markut dhe filloi me rrahun Tejdrinen, atje n’ato vende, ku ndodheshin fuqina kryengritëse shqiptare si Reçin, Dardhën, Lurën e tjera vende.
Popullsija, kush mundi, duel përtej Drinit me qellim qi të vejë për Tiranë. N’udhtim e sipër, në Selitë, disa prej tyne, u plaçkitën dhe nja katër vetë, u vranë prej selitasve, mbassi nuk u bindën me iu dorëzue gjanë e gjallë.
Në përkim me kët çâshtje kam shkrue në Shejzat e vjetit 1969, në “Luma dhe luftat e saja”.

III. 
Nuk po më kujtohet data ekzakte e tërhjekjes së trupave jugosllave nga Dibra e nga Luma për në kufinin e 13-tës. Do të jetë aty kah fundi i vjeshtës së vjetit 1921, ose kah fillimi i dimnit 1922. Gjithashtu nuk munda me hasun në ndonji shënim nga librat dhe revistat, qi kam në dorë. Ka randësi data 9 Nanduër 1921 e shënueme në faqen 497 të volumit 2-të “Historia e Popullit Shqiptar”, ku bâhet fjalë mbi referimin e çâshtjes nga Lidhja e Kombeve Konferencës Ambasadorëve e viceversa.
T’izoluem në katunde pa radio e pa ndonji mjet tjetër informacioni, e kishim vështirë me dijtun se ç’ndodhë në botën politike të naltë. Unë, rasësisht, atë ditë u ndodha te i ndiemi Mahmut Spahija në Kolesjan. Më thonë se: – “Burrat dhe nxanësat e shkollës, kanë dalë me pritun forcat e Shqipnisë”. Edhe unë, interesohem qi të shoh; por, për fat të keq, kam mbetun vonë. Gjindja, po kalon, bashkë me Elez Isufin hiptë në kalë, tue u vjerrun drejt Bicajve. Sigurisht shumica e tyne, ishin prej Reçi e prej Dardhe, qi e shoqnojshin Elez Isufin. Kalojshin Qafën e Kolesjanit, qi dikuër kishin luftue…
Elezi, bje në Bicaj dhe mandej prej Bicajve varet për në Kukës, ku do të takoheshin me Bajram Currin, qi dhe ky, me forcat e veta, do të vinte në Kukës.
Ma vonë, pata ndigjue se, Elez Isufi e Bajram Curri, në shtëpinë e Sul Elezit nga Kuksi, kanë bisedue, kanë vendosun dhe i kanë dhanun besën njani tjetrit për me bâmë kryengritje kundra Ahmet Zogut dhe shokëve të tijë.

Busti i Elez Isufit ne Peshkopi
Busti i Elez Isufit ne Peshkopi

IV. 
Ndodheshem në Tiranë në fillim të Marsit 1922. Qyteti, nuk paraqitet në gjendje normale. Këshilli i Naltë, të gjithë ministrat, me përjashtimin e A. Zogut, dhe pjestarët e parlamentit, ishin trazue nga kryeqyteti dhe kishin shkue n’Elbasan. Ndërsa Bajram Curri me forcat e veta, ndalon në Pukë, mbassi Parija e Shkodrës, me përgjegjen qi i ka dhanun, refuzon me e shoqnue në kët kryengritje; besëlidhësi tjetër, Halit Lleshi me forcat e veta, pengohet prej forcave të Shevqet Vërlacit në Librazhd.
Elez Isufi – dhe Suf Xhelili, – me nji forcë prej hamendisht dyqind vetë nga Reçi, Dardha, e nga katundet tjera rreth e për qark, tue pasë marrun pjesë dhe disa vetë prej Nahijes së Lumës, pa shikue pengesat, tue udhtue natën e ditën, vijnë në Krujë dhe si marrin edhe Mustafa Krujën e Abas Kupin, nisen për Tiranë.
Ahmet Zogu, i kishte marrun me kohë masat e duhuna dhe iu kishte nxjerrun përpara në rrugë nji forcë gjindarmërije nen komandën e Meleq Frashërit. Kërset, pushka. Kryengritësat, vrasin Meleq Frashërin dhe si shkelin forcat e gjindarmërís, vijnë e rrasen në gadi medis të qytetit në rrugën e Vorrit të Bamit. Këtu âsht nji vend, i cilli, quhet “Qoshja e Elezit”. Nuk e dij në se ky emën vendi, âsht i vjetër, apo i ka mbetun për shkak t’Elez Isufit.
Ana e Ahmet Zogut, ishte forcue, tue zanun vende të forta, ndërtesa të ndryshme dhe minaret e përshtatshme të xhamijave. Pushkët, krisshin pa ia damë në të dy anët. Ndonji herë, tarafi i A. Zogut, zbrazte edhe mitraljoz. Aty për aty, nuk ishte e mundun qi të mposhtej fuqija e qeverisë. Nuk jam në gjendje me tregue ekzaktësisht se sa ka vazhdue, kjo ndeshje. Âsht çâshtje e vjetër.
Kur nji ditë, mêni pushka. Në nji automobil (veturë) të zi kalon Elez Isufi me 3-4 shokë. E pashë s’afërmi. Qè me nji plise rrafshatake, si i mban Dibra dhe Luma. Kishte nji mintan të leshtë e të bardhë dhe nji koporane të zezë si i bànë vendi. N’atë kohë, bukur i vjetër; por, i shëndoshë dhe i mbushun në trup.
“Shkoi te Ahmet Beu me pajtue, mbassi iu hyni ndërmjet legata e Inglizit”, u pëshpërit në popull.
Ministri ingliz, H. Aires (kështu e noton Historia e Popullit Shqiptar emnin), paska pasun interes qi të qëndrojë në fuqi Ahmet Zogu, për shkak të koncesionit të vojgurit shqiptar. Prandej, hyn ndërmjet Elezit dhe Ahmetit. Elezi, sheh se, nuk do të mundet me e realizue qëllimin me ato forca, qi ka. Zogu, trembet se mos po vjen ndonji vandak forcash tjera për kundra Tij. Dhe në kët mënyrë, të dy palët, dhanë hirin e tyne për nji marrëveshtje.
Elezi, me grupin e vet, si piqet me A. Zogun, niset pa i hymë ferrë në kambë, tue e lanun Tiranën. Mbassi ishte largue Aj, Hamit Toptani dhe Bajram Gjoni, me terafin e vet, filluen kryengritjen; por, dështoi kjo kryengritje, për shkak se, forcat e qeverisë, tashma ishin të lira dhe iu vërsulën pjesës rebele – të thomi, tue e asgjasue shqimit.
Nji mêngjesë, në rrugën 28 Nanduër të Tiranës pata njehun plotsisht 16 (gjashtëmbëdhetë) vetë të vjerrun në trekambësha, në krahnorët e të cillve ishin ngjitun vendimet e dënimit të gjyqit.
Këta, ishin ana e Hamit Toptanit, qi i ishte përveshun kryengritjes mbas pazarit me vonesë…
Si u pashit gjendja, pata shkue dhe në vorrimin e Meleq Frashërit.
Ishte nji kallaballëk shum i madh. Medis tjerëve dhe Ahmet Zogu, pat marrun pjesë në varrimin e M. Frashërit. Ishte veshun në petka krejt të zeza dhe n’atë kohë ishte i ri dhe i hijeshëm e i hollë si fidan. Më bje ndërmend, kur mbi vorrin e Meleqit, mbajti nji fjalim të shkurtë, tue thanun medis tjerave: – “Meleq, flej i qetë, se shkaktarët e gjakut t’and, gjithmonë kanë për t’u dënue…”
Lim Petrelën tregtar i madh në Tiranë, nuk e pata njoftun personalisht. Të vëllanë, Shaqirin dhe të birin, Besimin i pata njoftun ma vonë. Lim Përtrela, kësaj kryengritjeje i paska pasë ndihmue materialisht. Mbas disa ditsh, kur e zunë, u përfol se, shkoi te A. Zogu dhe iu lut qi t’i falet jeta, tue u tregue i gadshëm me pague 20.000 – (njizetmijë) napoliona ari. Ahmet Zogu, refuzon dhe Lim Përtrela, ekzekutohet.
Në përfundim, me rasën e Lëvizjes së Legalitetit – dmth. të kthimit të Zogut në Shqipni me 24.12.1924 – në nji ndeshje, qi ndodhi në Peshkopi, Suf Xhelili, mbet i vdekun dhe Elez Isufi, u plague randë, i cilli, mbas dy javësh ndërroi jetë në shtëpín e vet në katundin Sllovë të Dibrës së Vogël.
Mbas vdekjes s’Elez Isufit, nji i dibran, shkon për të pamë te Cen Elezi dhe e ngushullon, tue i thanun: “Or Cen, taj shëndosh për teprinën.” (Ti shëndosh për eprorin.) Vërtetë kishte të drejtë, se përnjimend, Elez Isufi, në kohën dhe në vendin e vet, shokët i pat të rrallë. E tregon dhe kanga popullore:

-Ahmet Zogu, pika e djalit./ Elez Isufi, Arusha e malit./ Bini more trima, bini! … 

Të tanë shka përmenda në kët artikull, janë të vdekun. Të gjithë, simbas pikëpamjes së tyne, janë përpjekun me i shërbyem Shqipnisë. Bekimi i Zotit, qoftë me ‘ta…
Kët artikull po due me e përfundue me nji vjershë të Sadiut:
“Çü aheng-i reften küned, can-i paq/ Çi ber taht mürden, çi ber ruy-i haq!”
Dmth: (Kur shpirti i pastër, vendosë për me dalun,/ Ç’âsht vdekja në fron e ç’âsht përmbi dhé?

Marrë nga revista “Koha e Jonë”, nr.1-2-3, janar-mars 1985, Fq.45-50, Paris, Viti XXIV i botimit

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.