
Ekzekutimi i Vasil Laçit
nga Kastriot Dervishi
Procesverbali i ekzekutimit në litar i Vasil Laçit në oborrin e burgut të vjetër të Tiranës (në rrugën “Mine Peza”), më 27.5.1941, ora 5.45. Në fjalën e fundit tha se dëshironte të ekzekutohej me pushkatim e jo me varje. Rrëfimin e fundit e bëri te prifti Atë Thoma Popa. Përveç klerikut, të pranishëm në ekzekutim ishin dy ushtarakë italianë, prefekti i Tiranës Zenel Prodani (nga MPB), mjeku Selaudin Kokona dhe drejtori i burgut Man Kopliku. Akti zgjati 6 minuta.

Proces verbal
Sot me datën 27 maj 1941-XIX, n’orën 5,45, në oborrin e burgut civil të Tiranës, ne të nënshkruemit, z. Zejnel Prodani, Prefekt i Tiranës, përfaqësues i Minstrisë së P. të Mbrendëshme, Toger Pricolo Giovanni, Zv. Prokurorit të Përgjithshëm të Mbretit Imperator pranë gjyqit ushtarak të fuqive t’armatosuna të njësueme Toger-Kolonel A. Fiorito, Komandant i Grupit KK. MM të Tiranës, at Thoma Popa, famullitar i Tiranës, Dr. Selahudin Kokona, mjek i Bashkisë së Kryeqytetit, Man Kopliku, drejtor i burgut civil, kompozojmë proces-verbalin që vijon:
Sipas akt-gjykimit nr. 2227/41, datë 26 maj 1941-XIX, të gjyqit ushtarak të Fuqive t’Armatosuna të njehsueme të Shqipnisë, Vasil Mihajloff Llaci, i biri i Mihalit, vjeç 19, prej Piqerasit, i huaj prej fuqive të armatosura, asht dënue në bazë të neneve 403-404, nr. 2, 61 të Kodit Penal Shqiptar, e 36 të Dekretit të Mëkambsuor, datë 31.12.1939, nr. 228-1, të shpalljes më 25 të datës 24 janar 1941, të Komandës Eprore të Fuqive t’Armatosuna të Shqipnisë, me vdekje……. …..
Me dekretin e Mëkamsit të Përgjithshëm të Madhërisë së tij, Mbretit Perandor, datë 26 maj 1941, është dekretuar dhe urdhënue, ekzekutimi i vendimit të naltëpërmendur…… ….
Mbasi u nxuar i dënuari Vasil Mihailoff Llaci, nga qela, tue qenë i shoqnuem prej rojes së burgut, t’u qenë gati prifti ortodoks At Thoma Popa, famullitar i Tiranës dhe mjeku i bashkisë, Dr. Selaudin Kokona, ju këndue të dënuemit, nga ana e togerit, Pricolo Giovanni funksionar i Gjyqit Ushtarak, akt-gjykimi i gjyqit në fjalë, gjithashtu iu lexue edhe Dekreti i Mëkamsit të Përgjithshëm të tij Mbretit Imperator që urdhëron ekzekutimin e këtij vendimi……….
U pyet i dënuemi nëse ka ndonji dëshirë ose ka gjë për të thënë, i cili u përgjegj tue thanë se pretendonte ekzekutimin e tij me pushkatim, në vend të litarit, kjo kërkesë iu refuzua prej kompetentëve.
Mbi kët u porosit prifti që të bajë këshillimet e fundit fetare.
Si mori fund këshillimin fetar u shoqënue në trikambshin e përgatitur ku i dënuemi tha disa fjalë dhe mbas këtyne u tërhoq me ndihmën e xhelatit të quejtun Lut Sadullah…………
Mbi këtë u porosit doktori i naltpërmendun që të konstatojë vdekjen, i cili mbas vizitimit konstatoj vdekjen dhe deklaroj se jeta e Vasil Mihailoff Llacit mori fund mbas 6 minutash…….. ….
Ma së fundi u disponuen urdhnat për varrosjen e trupit të tij……..
Ky proces-verbal u redaktua në katër kopje, prej të cilave dy kopje i shkojnë Prefekturës, njëra Gjyqit Ushtarak dhe e fundit Zyrës së Gjendjes Civile të Piqerasit për të redaktue akt vdekjen……..
Zv.Prokurori Imperial pranë Gjyqit Ushtarak
Toger Pricolo Giovanni (firma)
Komandanti i grupit KK.MM
Toger kolonel A. Diorito (firma)
Përfaqësuesi i Ministrisë së P. të Brendshme
Prefekti Zejnel Prodani (pa firmë)
Famullitari për Tiranën
At Thoma Popa (firma)
Mjek i Bashkisë së Kryeqytetit
Selahudin Kokona (firma)
Drejtori i burgut
Man Kopliku (firma)
Marrë nga Muri i FB Kastriot Dervishi, 24 maj 2026