back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Eksportimi i Njeriut te Ri… nga Dodë Mëlyshi

Gazeta

Dodë Mëlyshi
Dodë Mëlys

Eksportimi i Njeriut te Ri…*

nga Dodë Mëlyshi

Në verën e vitit 1993, gjatë pushimeve verore shkova dhe punova tre muaj si argat në Greqi. Ishte herë e parë dhe e fundit që e shkelja atë vend. Për hirë të së vërtetës me një kushëri patëm provu edhe verën pararendëse, atë të vitit 1992, po na kapi ushtria kufitare greke në shoqërinë e të paktën njëqind shqiptarve të tjerë të panjohur, sapo patëm kalu kufirin, natën. Na ndaloi në mesnatë përmes krismash automatiku në ajër, e sensacioni i automatikut që të kërcet te veshi me flakërimin e plumbave në qiell nuk ishte hiç i bukur! Të nesërmen e asaj dite jo pa peripeci na kthyen në Korçë.
Ndërsa udhëtimi i 93-shit, pati ma sukses. Qe i gjatë e i lodhshëm, ndoshta ka zgjatë më shumë se 4-5 ditë e netë. Vetëm inkoshienca rinore dhe dëshpërimi masiv që kishte pllakos ndër ne, mund ta shtynte njeriun drejt udhëtimesh të tilla. Nuk e di sa km kemi bërë në këmbë, ndoshta dyqind ndoshta treqind, por di se në fund kam përfundue në Selanik, me një ndërprerje të vetme rreth 20-30 km rrugë me autobus. Në rrethinat e Selanikut na ndihmoi një shok me u punësue për dy-tre muaj.
Udhëtonim më së shumti natën që të mos binim në sy. Qemë rreth dy-trembëdhjetë vetë tëe gjithë shokë o sëpaku të njohur. Më i madhi diku te njëzet vjetshi e më i riu ndoshta as gjashtëmbëdhjeë vjeç.
Gjatë asaj aventure të parë emigrimi janë së paku dy gjëra që do mbaj mend e s’do t’i harroj kurrë, e asnjëra s’ka lidhje me grekun, por me veten tonë!
E para ka lidhje me një natë ndërsa kalonim diku aty nëpër rrethinat e Kosturit, në një plantacion të vogël mollësh të punuar e mirëmbajtur për mrekulli, me një sistem vaditës me tuba e sprucatorë të vegjël rrënjë më rrënjë, ne ose më mirë disa nga ne, nuk i shpëtuam dot tundimit në udhëtim e sipër me i prishë me këmbe ato tuba e sistem vaditës. Vandalizem falas e pa pikë përfitimi!
Grekët gjatë udhëtimit na jepnin bukë dhe ushqime me dorë në zemer (ishim thjesht lypsa të mirëfilltë, të veshur keq, te lodhur e të palarë) e ne ua shpërblenim në këtë mënyrë!!
E dyta ka lidhje me natën e fundit të udhëtimit, diku mbas qytetit të Verias përgjat hekurudhës, një grup i armatosur shqiptarësh kishin zënë pritë me plaçkitë shqiptarët e tjerë që udhëtonin pa ditë se ku, në kërkim të fatit. Aksioni i tyre do kishte pasë sukses duke shfrytëzu natyrisht edhe faktorin befasi, e faktin që gati për të gjithë ne ishte hera e parë që shkonim në Greqi e s’njihnim dinamikat e peripecitë e udhëtimit. Por ç’e do, se asnjë ndër ne s’kishte para me vete! S’kishin ç’ka me plaçkitë ato “patriotët” tanë të dashur.
.
Emigrantë në kufirin grek
Emigrantë në kufirin grek
Në fillim vitet ’90 pra, shqiptarët që kishin dalë në kërkim të fatit si jevgjit e vetëm si jevgjit në Greqi, shpresonin që fati t’i ndihmonte me vandalizma e plaçkitje!
Sistemi i ri që ne e thërritëm dhe e thërrasim mediokeratikisht “demokraci”, në vitet ’91,’92,’93 nuk kishte pasë kurrnjë mundësi fizike pikërisht për arsye kohe as me formu as me deformu moralin e shoqërisë dhe rinisë shqiptare. E pra për momentin asnjë përgjegjësi! Asnjë përgjegjësi të vetme!
Gjithçka ishim ne asokohe, qemë produkt i formimit dhe mendësisë që kishim marrë nga periudha e diktaturës.
E pikërisht atëherë, shumë shqiptare u binden se jo vetëm Perëndimi i civilizuar, por edhe të “urryerit” fqinjë tanë: grekë, serbe apo turq paçin qënë, gjendeshin shumëfish në avantazh kundrejt nesh
Jo vetëm nga ekonomia, jo vetëm nga niveli i jetesës e zhvillimi, jo vetëm nga natyra, jo vetëm nga bukuria (herët e para “europianët” na dukeshin tmerrësisht të pashëm e të bukur, tmerrësisht të mbajtur mirë) por çka është më e rëndësishme: nga kultura, nga mentaliteti e morali!
E ishte pikërisht tek formimi i njeriut, tek formimi i shoqërisë që komunizmi e pati dështimin e tij më “spektakolar”.
E s’kishte si të ndodhte ndryshe. Në kohën e diktaturës kur ishim fëmijë, kujtoj mirë se meritat e individit mateshin përgjithësisht me aftësinë që kishte ai me vjedhë! Me vjedhë sa më shumë: Vidhej qysh fëmijë në shkolla (ikte lapsi, fletorja, çanta, topi, trikoja po nuk ishe i vemendshem), vidhnin pastaj të rriturit: në kooperativa, në ferma, në ndërmarrje, në udhëtim, në trena, në autubuza. Vidheshin deri çorapet, çarçafët e brekët e varuara gardhiqeve për t’u tha pas larjes! Vidhej gjithkund e gjithçka,e të gjithë ata që nuk vidhnin nuk e bënin jo aq për moral dhe ndërgjegje por vetëm nga frika.
I varfri vidhte me dorën e tij, i pasuri ose më mirë zyrtari e kishte frigoriferin (një në njëmijë kishte frigo asokohe) plot për meritat e ryshfeteve që merrnin nga nevojtarët. Sistem i bazuar mbi: dhunën, vjedhjen, nepotizmin, ryshfetin, ligësinë e tarafin!
Masat e rrepta ekstreme e primitive qe merrte shteti (kishte raste që për vjedhje të aplikohej edhe dënimi me vdekje) nuk bënin kurrnjë efekt.
Treguesi më i mirë, se forma e fundit me formue një shoqëri janë dhuna dhe dajaku.
Në fakt shoqëria s’kishte nevoje të formohej, mjaftonte të ruhej e perfeksonohej ai formim që me mund e sakrifica të mëdha ishte konsoliduar ndër shekuj, por jo! U deformua gjithçka! U shkatërrua kuptimi i të qenurit: Civil!
U shemb edhe ankorimi i fundit ku shpëtonte morali civil e shoqëror: Feja! E bashkë me të edhe mësimet: “mos i bëj tjetrit, çka s’dëshiron të të bëhet ty!”,e “mos vrit, mos vidh, mos rrej, mos dëshiro gjanë (pasurinë) e tjetrit” etj etj.
Një sistem i dhunshëm dhe i padrejtë që në bërthamë, nuk mund të bënte gjë tjetër, vetëm se të gdhendëte një shoqëri me moral e mendësi të dhunshme e të padrejtë!
E dami më i madh i atij sistemi nuk ishte ndoshta përgjat ekzistencës së tij, por do jetë përgjat 10 vjeçarve që do e pasojnë. Nga momenti që ka formuar një shoqëri të padenjë e të paaftë me jetu në një botë të lirë e me norma e ligjësi demokratike.
Kështu pra, të gjithë ata që i delegojnë fajin sistemit demokratik për dështimet që ka në Shqipëri, e që përgjithsisht më së shumti janë nostalgjike të diktaturës:
-ose nuk kanë njohje mirëfilli,
-ose arsytojnë në ligësi e keqbesim!Një sistem që funksionon në Danimarkë dhe Suedi, mund dhe duhet të funksionojë edhe në Shqipëri. Tjetër pastaj se shqiptari është shqiptar, e nuk është as danez e as suedez!
“Tash që kemi formue Italinë, duhet me formue italianët” – ka hy në histori kjo fraze e italianit të famshëm Massimo D’Azeglio, e para një shekulli e gjysëm. Kur Italia u bashkua gjeografikisht e fizikisht.
E përshtatur në kontekstin shqiptar të sotëm ose të para 30 vitesh: “Demokracia erdhi, po shqiptari s’qe i gatshëm me bashkjetue me të”!
“Duhet me formue shqiptarët me jetu të lirë, jo me pasë nostalgji për diktaturën” – do thoshte D’Azeglio!
Në fillimvitet ’90, kush i ka pasë dy pare mend në krye, ka qënë i ndërgjegjshëm që rruga e Shqipërisë drejt demokratizimit, civilizimit e propseritetit do të ishte e gjatë dhe e mundimshme, pikërisht prej diktaturës traumatike që patëm kalue, e deformimit e manipulimit gjenetik që pati marrë morali shoqëror përgjat saj!
.
Titulli redaksional nga Radiandradi.com
.
Marrë nga muri i fb. Dodë Mëlyshit, 1 shkurt 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.