back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Edhe sot pas 31 vitesh… e vetmja shpresë: Ikja – nga Albert Vataj

Gazeta

Anija Vlora - 8 gusht 1991
Anija Vlora – 8 gusht 1991

Jam dëshimtare i këtyre ikjeve. Turma të mëdha, ngjisheshin në këto anije.
Njerëz që kërkonin fëmijët që iknin. Fëmijë dhe gra binin në det…
dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë i nxirrnin… Dikush gëzonte e dikush qante.
Dikush ulëriste se kishte humbur familjen e të tjerë i përshëndesnin nga bregu.
Një trishtim, e një mallgjim…
E pabesueshme! Anijet fundoseshin dhe rrezikoheshin të mbyteshin,
por asnjë nuk zbriste. Ashtu të ngarkuara deri në fyt me njërëz u larguan.
Njerëzit në tokë i përshëndesnin me zemër të ngrirë.
Dikush thoshte “A do t’i shikojmë më?!” e dikush ia kthente: “Zoti qoftë me ta…”
Haki Liçaj

8 gusht 1991
8 gusht 1991

Edhe sot pas 31 vitesh… e vetmja shpresë: Ikja

nga Albert Vataj

Anija “Vlora”, “Arka e Noes” së apokalipsit biblik të Shqipërisë ëndërrvrasëse
Të gjithë donin të ikin, ngado dhe me çdo çmim. Ikja ishte e vetmja shpresë për t’i çuar ata drejt së ardhmes, atje ku një jetë më e mirë dhe një mundësi më shumë, ishte jo vetëm tokë e premtuar, por edhe kurajë për të besuar se meritonin më shumë.
Asgjë nuk mund t’i ndalojë ata të dëshirojnë dhe të shpresojnë, se përtej këtyre brigjeve do të ketë një copë tokë të premtuar për fatin e tyre të dërmuar përgjat kalvarit 45-vjeçar të golgotës komuniste.
Nga deti, nga mali, nga ajri, nga toka, të gjithë donin të iknin. Jo të gjithë guxuan, por jo të gjithëve u buzëqeshi fati. Në këtë ikje ata nuk morën asgjë, sepse asgjë nuk kishin për të marrë, sepse atje ku ata do të shkonin kujtimet do të ishin plagë, malli do të ishte dhembje. Ata nuk shikuan pas kur vala e ikje i përfshiu si një dehje, sepse nuk donin të merrnin në këtë udhëtim drejt ardhmes, atë realitet, i cili u kishte vrarë gjithçka, edhe ëndrrën. Lanë sy të përlotur e zemra të coptuara, lanë amanete dhe pengje në këtë ikej, dhe ikja ju vu nga pas pa e ditur se ku do t’i çonte.

***
Në mëngjesin e 8 gushtit 1991, anija “Vlora”, e nisur nga porti i Durrësit do të bëhet dëshmitarja e një eksodi të përmasave biblike. Një histeri njerëzore ishte vërsulur si një dallgë që merr përpara ç’të gjejë. Batërdia dhe piskama, uturima e vërshimi, rrëmuja e yryshi me tërsëllimë i ndillnin këto njerëz në një ikje, drejt një caku, mbërritja e të cilit për ta ishte finishi, do të ishte sfida e asaj heroikeje që i ishin blatuar. Rreth 20 mijë njerëz, të moshave dhe gjinive të ndryshme nga të katër anët e Shqipërisë kishin mësyrë atë anije, e cila do t’i çojë drejt ëndrrës.
Në mëngjesin e asaj ditë, 31 vite më parë, anija “Vlora”, e nisur nga porti i Durrësit e pas dy ditë udhëtim mbërrin në portin e Barit me 20 mijë shqiptarë në bord. Një natë më parë kjo anije kishte tentuar të hynte në portin e Brindizit, por zv/prefekti i këtij qyteti, Bruno Pezzuto, nuk e lejoj. Atëherë Komandanti i anijes “Vlora”, Halim Milaqi vendoste të ndryshonte drejtim, dhe pas 7 orë rrugë mbërrin në portin e Barit. Imazhet e anijes “Vlora” me emigrantët shqiptarë që zbarkojnë në tokën italiane bëjnë xhiron e botës. Të rinj, burra, gra, fëmijë, familje të tëra, që të kapur pas litarëve të anijes përpiqen të zbresin në tokë, në tokën e shpresë, ëndrrës e një jete më të mirë. Mediat italiane transmetojnë non stop atë çfarë ndodhi 31 vite më parë në portin e Barit. Ishte hera e parë e një zbarkimi kaq epik emigrantësh në brigjet italiane. Imazhet e anijes “Vlora” me mijëra emigrantë shqiptarë në bord, u kthyen në simbol të emigracion në Itali e në të gjithë Evropën.
Zbarkimi në Bari, burgosja e tyre në stadiumin e qytetit kryesor puljez, kundër dëshirës së kryebashkiakut dhe kundër çdo lloj ndjenjë humaniteti; revoltat është pak a shumë e gjithë panorama ngjethëse e kësaj historie që do të mbetet e plazmuar si damka e turpit që duhet të kapërdinte imagjinativja dhe manipuluesja e atij sistemi shkatërrues identitetesh dhe vlerash.

Anija Vlora - Porti i Barit 1991
Anija Vlora – Porti i Barit 1991

***
Edhe sot pas 31 vitesh ne sërish vazhdojmë të ikin. Ky vend, kjo tokë, këto premtime, këto dëshira nuk po arrijnë dot ta kthejnë Shqipërinë në një vend ku, siç guxon për të ikur, pse mos të guxosh për të ndërtuar të tashmen tonë dhe ëndrrën e fëmijëve, në këtë truall ku kemi varret e të parëve, në këtë tokë që e quajmë mëmëdhe.
Askush nuk është fajtor për atë që shtyu këta mijëra njerëz të hidhen në flakët e së papriturës, 31 vite më parë, askush nuk ka pendim nëse çdo ditë, secili përpiqet me të gjitha mënyra dhe të gjitha energjitë të kërkojë të sotmen dhe të ardhmen që meriton në një vend që nuk është toka amë, në një vend që ai gjithnjë do të jetë i huaj ku do të huajtim fatin.
Në këtë ikje askush nuk e di se krahas të drejtës për të guxuar dhe shpresuar në ëndërr, po pjesëmerr në një gabim shumë të rëndë, për të cilin të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë viktima, në po ikim duke e lënë këtë Shqipëri të bëjnë me të çfarë të duan, atyre që çdo ditë dhe çdo moment po kontribuojnë për ta kthyer këtë tokë në tokë të mallkuar, në parajsën e së keqes, në një mundësi për t’u pasuruar.
Çdo kohë e kohës sonë do të ankorojë gjithnjë në port një Arkë të Noes, si për të na kujtuar pareshtuar fatin e keq të apokalipsit që pret të na ndëshkojë nga çasti në çast. Shpëtimi i vetëm… është ikja.
Tragjike, kjo e vërtetë.
8gusht 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.