back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Edhe nji fjalë për Demokracinë shqiptare… V. Golletti-Baffa

Gazeta

Prof. Vinçenc Golletti-Baffa
Prof. Vinçenc Golletti-Baffa

Edhe nji fjalë për Demokracinë shqiptare…

Vinçenc Golletti-Baffa (1992)

Kryeartikull i revistës “Arbëria” 10 (prill -shtator 1993)

Siç na tregojnë ngjarjet e përditshme, rruga për në demokraci në Europën Lindore nuk është edhe shumë e thjeshtë.
Para së gjithash, liria, ekonomia e tregut, pluralizmi politik, etj., etj. janë gjëra të bukura, por edhe  tejet të vështira për shumicën e njerzve, sidomos në fillim. Kështu ka qënë e kështu është edhe sot, madje edhe në vëndet e përparuara politikisht.
Liria në sistemin demokratik nuk është gjë tjetër veçse vetëdisiplinë dhe kjo parashikon tek një pjesë e madhe e popullsisë ndershmëri, zell për punën, tolerancë, e sidomos ndjenjën e përgjegjsisë  dhe qëndrueshmëri në mardhëniet me njëri tjetrin.
Kush mendon se rendi politik i mirë bën automatikisht njerëzit të mirë, gabon rëndë, e na tregon se ai natyrën e njerzve e kuptoi shumë pak e se politikën s’e njeh fare. Siç ka thënë haptas  Nicolò Machiavelli (1469-1527), vetëm njerzit e mirë kanë mundësi të ndërtojnë rendin politik të mirë.
Sot për sot, më sa duket, shumë qytetarë të Evropës Lindore këtë ende nuk e paskan kuptuar. Sistemi leninist-stalinist dështoi jo sepse ishte i keq, po sepse ra kudo në dorë të njerzve jo të mirë. E kjo do të thotë se fajin më të rëndë, si zakonisht, nuk e ka sistemi më vete: sistemet njerzore nuk mund të jenë vërtet të mira, e pra sisteme të këqija ka në shumë vende të tjera. Fajin më të rëndë, përgjegjsinë më të madhe e ka tërë populli për shkak të mungesës së pjekurisë së vet politike (e kjo rrjedh logjikisht nga një histori e pavlefshme): qeveria bie vetvetiu në dorë të njerzve të këqij dhe injorantë, të cilët me pushtetin absolut të tiranëve dhe me dogmatizmin më të verbër në mendje, nuk dinë më se ç’po bëjmë.
Në këto rrethana klasa sunduese atrofizohet dmth bëhet pak nga pak si e mpirë e rrëgjuar, e thatë, si muskulatura në ca sëmundje të liga, e ide të reja nuk mund të lëshojnë më rrënjë. Kjo ndodhi p.sh në Bashkimin Sovjetik me politikën e re dhe të urtë të Gorbaçovit, e cila nuk mund të kishte sukses sepse, klasa sunduse, burokracia vetë, nuk iu përshtatën situatës së re. Ky ka qënë edhe shkaku i parë i çdo revolucioni që njeh historia.

Revista Arbëria 10 -1993
Revista Arbëria 10 -1993

Ideja e shtetit të përsosur që përpunoi shoku Marks, rrjedh me siguri, sidomos nga mitologjia hebraike e parajsës, kurse historia e fizika na mësojnë se kaosi është rregull, dhe se vetëm ca herë nga kaosi lind rendi, i cili në çdo rast nuk mund të jetë shumë i qëndrushëm, e kërkon për rrjedhim, përherë mundime të palodhura, përndryshe prishet me lehtësi.
Natyrisht kjo nuk do të thotë se utopitë politike e shoqërore janë sistematikisht pa vend: përkundrazi, ato na nevojiten për të na kujtuar padrejtësitë e rënda dhe të shumta të shoqërive njerzore më të mira.
Ndërkaq, me fjalë të tjera, naiviteti politik i popullit ia hap rrugën diktaturës e nga ana tjetër, diktatura bën popullsinë në përgjithësi edhe më naive e më apolitike. Apolitizmi i largon njerzit nga rruga shoqërore konkrete. Kjo është e vështirë, por edhe mësimdhënse, e fuqizon shpesh herë karakterin, vullnetin, mendjen e njerzve më të shkathët. E kështu punën nuk e teprojmë fare nëse themi qartas se popujt e vendeve ish-komuniste kanë nevojë absolute për mësim dhe përvojë në çdo lëmë  të jetës shoqërore: në rast të kundërt, ata bien me lehtësi në zgjedhjet politike diktatoriale dhe mrekullibërse.
Shprehimisht dhe shkoquar, dua të theksoj se shumë politikanë të vendeve demokratike, nuk janë më të mirë se kolegët e tyre të qeverive leniniste-staliniste: por institucionet demokratike u japin atyre më pak kompetencë e më pak pushtet, e pra kjo është kryesorja, që pushteti i tyre nuk është i përjetshëm.
Sistemet demokratike me institucione demokratike e detyrojnë edhe politikanin më të keq të sillet në mënyrë të përshtatshme. Ky është sekreti i pushtetit të kufizuar në kohë dhe në fuqi… Këtej del ai përfundimi, se demokracia është sistem i keq dhe shumë i keq, por kjo është e gjitha, njerzit ende nuk njohin asnjë sistem më pak të keq se ai. E kështu duhet të kënaqemi me këtë sistem, duke kujtuar se krijimi i një sistemi më të mirë, kërkon përmirsimin moral të individëve.
Ç’u tha deri këtu vlen për politikanët e çdo vendi, ashtu si dhe për politikën e brendshme si dhe për të jashtmen, e shqiptari që do ndihmë nga shtetet e tjera nuk ka trutë vërtet në rregull ose kërkon kolonializimin – modern të Shqipërisë. Per këtë është e përshtatshme të theksohet se çdo ndihmë nga Greqia e Italia (ndoshta nesër nga Serbia) është tejet e rrezikshme.
Ndihmë tjetër fort e rrezikshme do të vijë nga ”aleatët natyrorë” të Shqipërisë: nga Turqia, Shtetet e Bashkuara e Gjermania. Këto tri vende zbatojnë politikë imperialiste, vetëkuptohet në mënyrë të ndryshme, simbas mundësive të veta e simbas potencialit të vet ekonomik e shprehja ”aleat natyror” është vërtetimi më i qartë se drita e diellit, se shumë politikanë janë politikisht të papjekur fare. (Një papjekuri e atillë është normale për njerzit që deri më sot nuk patën kurrë mundësinë ta praktikojnë politikën drejtpërdrejt! Sa të kalojnë ca muaj, shumë shqiptarë do të bëhen të urtë politikisht e do të flasin e do të veprojnë si politikanët e vendeve të përparuara. Kështu është për të shpresuar!)
Natyrisht politikani amerikan turk e gjerman e dëgjon me hare këtë fjalë (aleat natyral) dhe e pohon menjëherë, sepse në politikë mbretëron hipokrizia, sundon kurthi e mbizotëron tinëzia, për fat të keq; moralizmi i politikës është ende utopi.
Pra, mjerisht, dihet kudo në botë se çështja shqiptare është  ”ballkanike”  dhe nuk duhet kapur shumë seriozisht: shiko shembullin e ish-Jugosllavisë. Kush di edhe shumë pak se si janë politikanët amerikanë (dhe jo vetëm ata) kupton menjëherë se asnjë nga ata besojnë se shqiptarët do të ndërtojnë herët a vonë një sistem demokratik. E nëse kjo ishte e gjitha! Politikani amerikan, gjerman etj., nuk interesohen për demokracinë shqiptare: atyre u mjafton së shumti dukja e demokracisë me një qeveri mbi të cilën ata me lehtësi ushtrojnë ndikimin e tyre politiko-ekonomik. Një qeveri e mirë dhe serioze atyre do t’u pëlqente shumë, shumë pak.

Arbëria u sponsorizua nga V.G.Baffa
Arbëria u sponsorizua nga V.G.Baffa

Ky është realiteti: e unë jam i sigurt se shqiptarit nuk i nevojitet asnjë shekull për të kuptuar mirë realitetin e për të vepruar me dinjitet. Sa herë Amerika ka mbrojtur diktaturën kur ajo zbatonte politikë filoamerikane? E pra shqiptari, nuk ka të drejtën të thotë asnjë fjalë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse më parë nuk merret thellësisht me politikën në vendet e Amerikës Latine!
Me këto fjalë nuk dua të them se shqiptari duhet të jetë kundëramerikan: “proamerikan” e “kunderamerikan” janë shprehje që duhen përjashtuar nga politika e urtë. Dua të nënvizoj se shqiptari duhet të veprojë me kujdes të madh, përndryshe Shqipëria bëhet koloni e mirëfilltë. Ka njerëz që thonë prej kohësh se: Shqipëria është bërë tashmë kolonia e të gjithëve.
Me sa duket është me vënd të kujtohet se Gjermania, për shkak të së kaluarës, praktikon sot vetëm imperializmin ekonomik, kurse Turqia është vënd me demokraci formale (përparim vigan nga muhamedanët!!!), por është vend që persekuton pakicën kurde edhe më keq se serbi kosovarin. E pra sa shqiptarë turqizoi ky vend sistematikisht??
Zemra ime arbëreshe pesëqindvjeçare u drejtohet në vend të parë, shqiptarve që nuk i trëmben së vërtetës, që janë të urtë, të ndershëm e të fortë. Atyre u them sypatrembur, se në jetë fjala që u shpërdorua aq fort në të kaluarën: s’ka asnjë mësues për demokracinë e vërtetë; e qëllimit shqiptari do t’ia arrijë vetëm me forcat e veta!!
Megjithatë optimizmi im është i kushtëzuar, nëse një institucion si Banka e Shtetit në Tiranë vazhdon të punojë si ka punuar me mua deri më sot, vetëm një idiot me patentë beson se populli shqiptar ka marrë tashmë rrugën për demokracinë e vërtetë.
(VGB 30 tetor – 2 nëntor 1992)
(marrë nga Arbëria 10 prill-shtator 1993)

Qyteti i Heidelbergut
Qyteti i Heidelbergut

Vincenzo Golletti Baffa (Civti 1924 – Heidelberg 2009)

Shkruar në Arbërishte nga (a.g.)

Arbëria, do t’e kujtonjë si një autor i math, çë shkruajti më se gjithë për ruajtjen e Gjuhës Arbëreshe. Njer ndër vitet ’70, u mba llargu ka bota arbëreshë, thomi se ish mezi kundër asaj. Pra, si shën Pali, ndërroi gjithnjëherje kocë e u bë avutati më i çelur i gjuhës arbëreshe dhe i Arbërisë. Tek viti 1974, u bë bashkëpuntor i rivistës çivitjote Katundi Ynë e atjè shkruajti artikuj mbi artikuj, arbërisht, për 30 vjet. Kur tjerët vet sa mbrojen griken me gjuhën arbëreshe, ai shkruanej arbërisht. Jo vet artikuj po libre. Arbërishtja e tij ish e folmja çivitjote, e xheshur ka fjalët lëtire dhe e përzier me pak fjalë shqipe: një gjuhë e ëndshme. Burrë shumë i urtë e i mirë, ndihu me turresë, jo me fjalë – revistën Jeta Arbëreshe, kur kjo ish po t’mbullinej; e s’dish, kur ish i gjallë, se u të shkruaja një fjalë mbi dorëgjerësinë e tij. Tek viti 2002, kur duall Jeta Arbëreshe, u nëng dija ku rrij ndë Xhermaniet e rivisten ja dërgoja Çivit, e kështu aì për të parin vit s’e pa fare. Kur pra e pa e e djovasi, qe shumë i gëzuar, sepse, për të parën herë te jeta tij, kish ndër duar një rivistë mujore gjithë shkruar arbërisht. Një ëndërr. E çë ahirna zu e shkruajti edhe mbi Jeta Arbëreshe. Me hare të madhe. Po shëndeta e tij vej ture u ligësuar – e bashkë me të tijen, edhe ajo e së shoqes – e m’e thoj, e ish shumë i helmuar, sepse s’mund shkruanej më: koca e duart s’e ndihjen më. E pra s’u përgjegj më, as e-mailvet as tellefonatavet time. E, tek paravera e shkuar, na la. Kish tetëdhjetepesë vjet. Me ‘të vdiq një arbëresh i vërtetë, çë foli pak e shkruajti shumë. Vepra e tij qëndron një monument Arbërishtes dhe Arbërisë. (a.g.)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ky është një nga shkrimet që e kam lexuar me vëmendjen më të madhe, më është dashur t’i kthehem disa herë përcaktimeve mbi demokracinë që përshkruan autori. Shoh se ky artikull i përket vitit 1993, ku demokracia shqiptare ishte e sapolindur, e brishtë, por ajo që po më magjeps është fakti që: Nga ky shkrim nuk mund të lëvizësh asnjë presje për demokracinë pas më shumë se 20 vjetësh. Autori i paska parashikuar me përpikmëri rreziqet e demokracisë në një vend si Shqipëria. Frikërat e autorit për rrugën që do të përshkruan demokracia në vendin tonë janë reale, bile akoma dhe më keq.
    Komplimente autorit, komplimente zotit Radi, që na sjell në vemendje artikuj të tillë, dhe keqardhje për ne shqiptarët dhe demokracinë e shumëdëshiruar.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.