back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Edhe njeriut më të ndershëm, po i dhe pushtet të pakontrolluar… bëhet tiran – Reflektime tё Bedri Spahiut

Gazeta

Bedri Spahiu - Prokuror i Gjyqit Special 1945
Bedri Spahiu – Prokuror i Gjyqit Special 1945

Edhe njeriut më të ndershëm, po i dhe pushtet të pakontrolluar… bëhet tiran

Reflektime tё Bedri Spahiut Botohen për herë të parë

 
Këto refleksione të Bedri Spahiut botohen për herë të parë. Ato janë shkruar në vitet 1991-1993, kohë në të cilën ish-Sekretari i Komitetit Qendror të Partisë dhe ish-Prokurori i famshëm i Gjyqit Special në vitet 1945-45, u rishfaq pasi kishte bërë më shumë se 30 vjet burgje dhe internime.
Në fakt, ai nuk u shfaq kurrë në publik fizikisht, pasi ishte mjaft i moshuar dhe i lodhur. Ai e përshëndeti ardhjen e pluralizmit politik, por mbeti i mënjanuar dhe nuk u shpreh asnjëherë në favor të ndonjë force politike. Ndoshta ishte mosbesues… Ai botoi në shtypin e atëhershëm opozitar një shkrim të gjatë me titullin intrigues “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”.
Artikulli bëri bujë të madhe, pasi qe dhe mbeti i vetmi i këtij lloji në shtypin shqiptar. Thelbi: Ai kërkoi ndjesë për krimet në kohën e komunizmit, natyrisht për pjesën që i takonte atij si funksionar i lartë i atij shteti.
Para disa ditësh, i biri i Bedri Spahiut, Spartaku, më dha disa dorëshkrime të pabotuara që i kish lënë i ati para vdekjes. Në to përmblidhen kujtime dhe shënime të Bedriut në burg apo internim, si dhe pasi doli nga burgu në vitin 1991.
Më shumë se përjetime personale, ato janë përjetime historike për një periudhë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilat duhet t’u shërbejnë historianëve, pasi analiza për të cilën nuk e ka marrë ende vulën përfundimtare edhe 25 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist.
Për më tepër, këto refleksione të Bedri Spahiut mund t’u shërbejnë politikanëve dhe qeveritarëve aktualë, të cilët kanë paralajmëruar procesin e dekriminalizimit të politikës.
Pjesë e këtyre kujtimeve dhe shënimeve është dhe ky fragment që po botojmë sot në ‘DITA’.
.

Nëpër fazat e idealitetit

Kurbeti, papunësia dhe uria janë këshilltarë të këqinj për njeriun. Këto përbëjnë fatkeqësinë e kombeve të prapambetura. Ata që jetojnë këtë fatkeqësi përpiqen të dalin prej saj, me një anë duke kërkuar punë që të sigurojnë kafshatën e gojës, dhe nga ana tjetër duke kërkuar ndonjë ide që t’ju shpjegojë origjinën e fatkeqësisë së tyre dhe t’ju hapë perspektivën e jetës. Kur e gjejnë këtë ide dhe i përvishen punës për transformimin e shoqërisë në favor të të vobektëve dhe kur e transformojnë, shohin me habi se në shoqërinë e re riprodhohet fatkeqësia e vjetër në formë të re.
Në kurbet një vit banova në një barakë gërmadhë, të djegur nga lufta turko-greke. Një teneqe e vënë në formë strehe në murin e gërmadhës që më priste ujin e shiut. Vitin tjetër bëmë me babanë një kasolle thuprash në një luginë të Kokarjalit (lagje e jashtme e Izmirit) dhe atje kaluam kohën. Pas një viti, në korrik 1928 u gjenda në Durrës. Kalova ditën i pangrënë. Për të fjetur dola në kodrën ku u ngrit më vonë Pallati i Zogut. Të nesërmen më dhimbte koka dhe lukthi, s’më mbanin këmbët. Uria kishte bërë të sajën. Ishin vitet 1926-1928. Ishte koha kur unë kërkoja një ide shoqërore dhe përpara më doli me tërë forcën e vet tërheqëse të asaj kohe idea komuniste me të cilët rusët kishin fituar dhe kishin ngritur “pushtetin e puntorëve e të fshatarëve”. U kapa nga kjo ide siç kapet i kredhuri në det nga tapa e shpëtimit.
Idetë sociale, qofshin këto mistike si kristianizmi, qofshin laike si ato që u mishëruan në parullën “Liri, Barazi, Vëllazëri” , si socializmi e komunizmi, ia detyrojnë shtrirjen e tyre, në njërën anë karakterit të tyre opozicional ndaj rendit ekzistues e në anën tjetër përmbajtjes së tyre sociale që i referohet një pjese të caktuar të shoqërisë kundër pjesës tjetër dhe së fundi fanatizmit të partizanëve të tyre.
Kur them fanatizëm nuk kam parasysh mishërimin e idesë me qenien e partizanit, mishërim ky që e bën partizanin të japë jetën për të ruajtur idenë, pëvetimin e pakondicionuar të idesë dhe konservimin e papërlyer të saj. Kam parasysh edhe kushtimin e të gjithë forcave të partizanit në luftën për fitoren e idesë, vendosmërinë për ta mbajtur lart flamurin e kësaj ideje edhe në kushtet e represionit dhe të disfatës; besimin e paepur në fitoren përfundimtare. Kam parasysh, më së fundi, atë shoqëri pa cen që lidh partizanët, atë papajtueshmëri të vazhdueshme karshi kundërshtarëve dhe mirazhin e shoqërisë së tyre të ardhshme.
 
Periudha e jetës time idealiste (jo “idealiste” në kuptimin filozofik; është fjala për periudhën që kam jetuar me idenë komuniste në kokë) ndahet në katër faza:
1-Faza e parë fillon në 1927 dhe mbaron në 1931. Në këtë fazë agjitacioni im komunist zhvillohej pa asnjë synim organizativ. Përhapja idenë ashtu si përhap pema farët. Isha i ndërgjegjshëm se këto farë dikur do të jepnin frytet e tyre, por nuk kisha në këtë fazë kurrfarë koncepti organizativ. Kjo ishte periudha studenteske (në Shtator 1927 – Qershor 1929 në gjimnazin e Shkodrës dhe nga Gushti 1929 – Gusht 1931 në shkollën e artilerisë në Tiranë).
 
2-Faza e dytë fillon nga Shtatori 1931 deri në Tetor 1941. Në këtë fazë unë fillova t’i jap formë organizative punës time. Rezultatin e arritur me njërin apo tjetrin individ unë e përforcoja me një punë të vazhdueshme propagandistike. Isha një gjuajtës i njerëzve që më duheshin aq sa shokët më quajtën “kaçator”. Kur unë jetova këtë periudhë, vendi u moleps nga idea Komuniste. Në Tiranë krijova grupin e Ushtarakëve (ndoshta do të ishte më egzakt të thuhej Rrethi i Ushtarakëve) dhe i dërguar në internim në Gjirokastër krijova grupin e Gjirokastrës.
Ishte kjo faza e komunistit militant të ngritur në shkallën e profesionistit. Me punën e këtyre dy grupeve unë mora kontakt me elemente të grupeve të tjera komuniste. Kështu lindi dhe u zhvillua tek unë dhe tek udhëheqësit e tjerë të grupeve nevoja e bashkimit të komunistëve të të gjithë vendit. Me anën e grupit të Shkodrës, që kishte lidhje me jugosllavët, iu kërkua ndihmë Partisë Komuniste Jugosllave për organizimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Në Korrik 1941, erdhi i deleguari Dushan Mugosha, i cili bëri mbledhjen e kryetarëve të grupeve. Në mbledhje Qemal Stafa shtroi çështjen se i deleguari nuk kishte një akt që të vërtetonte identitetin e tij si i dërguari i P. K. Jugosllave. Unë ndërhyra dhe thashë se ne nuk duhej të niseshim nga dyshimi dhe mosbesimi, se një gjë e tillë nuk do të na hapte rrugën e bashkimit. Ne duhej ta dëgjonim si të deleguar. Ne do të diskutonim jo mbi faktin nëse ishte apo jo i deleguar, por mbi çka do të na thoshte, mbi atë që do të na fliste. Qemali nuk u zbraps. Dushani i tha se ai nuk ishte mushkë dërzhave që të kishte vulën në mollaqe. Dhe mbledhja u ndërpre që Dushani të shkonte e të lajmëronte K. Q. të P. K. Jugosllave.
 
3-Faza e tretë për idealitetin tim komunist fillon në Nëntor 1941, muaji i themelimit të Partisë dhe mbaron në 17 Qershor 1955, ditën e arrestimit dhe të përjashtimit tim nga Komiteti Qendror dhe nga Partia.
 
4-Faza e katërt është shprehur në të tre testamentet që shkrova në burg. Aty pasqyrohet ajo luftë e madhe mendore që m’u desh të zhvilloj brenda vetes time për t’u shkëputur përfundimisht nga idea komuniste.
Midis gjithë kryetarëve të grupeve, isha i vetmi që i shpëtova eliminimit që praktikoi Miladini me rastin e krijimit të Komitetit Qendror provizor dhe i vetmi ndër kryetarët që u vu në krye të një organizate partie.
 
Unë nuk u thirra në mbledhjen e dytë që konkludoi në formimin e Partisë Komuniste (8 Nëntor 1941). Kjo mungesë mund të ketë të bëjë me ndonjë intrigë të atyre që nuk ishin për një bashkim të pakondicionuar, por ndoshta mund të jetë pasojë e faktit se Dushani e njihte mendimin tim rreth bashkimit që nga mbledhje e parë dhe ishte i sigurt se unë do të pranoja pa kushte rezultatet pozitive të Konferencës.
Në Konferencën e Labinotit u zgjodha anëtar i K. Q. duke mbajtur përsëri vendin e Sekretarit Politik të Organizatës së Gjirokastrës. Në 10 Korrik 1943, u zgjodha anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe në gusht 1943, u zgjodha Komisar i Zonës së I-rë operative Vlorë-Gjirokastër, pa lënë vendin e Sekretarit Politik të organizatës së Gjirokastrës. Në Dhjetor 1943, u thirra në Shtabin e Përgjithshëm duke u shkëputur kështu nga puna në terren.
Si të gjithë shokët e mi të jerarqisë së lartë, unë dola nga lufta ne krye të Piramidës së Partisë dhe të Shtetit të ri dhe si rrjedhim në krye të Piramidës sociale të kombit shqiptar. Ishte e para herë që në krye të Parisë Nacionale u çfaqën komunistët. Kjo reformë ishte deçizive për fatin e vendit.
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Prokuror i Gjyqit Special

Në vitin 1945, unë mbrojta akuzën kundra “armiqve të popullit” në të parin gjyq special. Në këtë gjyq u dënua (17 veta me vdekje) ajo pjesë e Parisë Nacionale që kishte mbetur në vend pas luftës. Qëllimi themelor i gjyqit ishte që të mbetej pa udhëheqje ajo pjesë e popullsisë që e simpatizonte dhe të mos të kishim përballë, ne komunistët, pretendentë të pushtetit. Ky qëllim ishte thembra e Akilit të atij gjyqi.
Nga dy vezë që përpiqen njëra do të thyhet. Krerët e palës së mundur pësojnë pasojat e disfatës. Sikur të kishin fituar ata do të kishin bërë një gjyq kundër krerëve komunistë po me atë qëllim që e bënë komunistët. Kjo sepse të dy palët kundërshtare luftonin për të rrëmbyer pushtetin. Asnjëra nga palët nuk ishte në pozitat e Çinçinatit. Asnjëra nuk e shihte pushtetin si çështje që i takon popullit ta ushtrojë me shumicën e vet dhe t’i sigurojë pakicës së vet lirinë e shprehjes.
Por edhe po të pranojmë se në rast se do të fitonin kundërshtarët tanë do mund të predominonte ajo pjesë e tyre që ishte sinqerisht demokrate dhe do të mund të vendoste një regjim demokratik, unë besoj se kjo do të ishte një Demokraci kazuale, aq jetëshkurtër sa ishte edhe Demokracia e 1920-1923. Një vend i prapambetur si Shqipëria ka nevojë edhe për një regjim absolut, ka nevojë për një diktaturë. Besoj se në Shqipëri vetëm një diktaturë, qoftë e krahut të majtë ose atij të djathtë do të ishte jetë gjatë.
Nё vijim të këtij gjyqi (Gjyqi Special) kundërshtarët më cilësuan “tigër”; simpatizantët më kënduan: “Tradhëtarët porsi miu/ i dënon Bedri Spahiu”. Uroj që kundërshtarët dhe simpatizantët e mi të asaj kohё të kenë dalë nga pozitat e palëve kundërshtare, të jenë xhveshur nga urrejtja që frymëzoi periudha jonë dhe që okupacioni e bëri edhe më të rëndë dhe më të përgjithëshme, të kenë kuptuar më së fundi se mbi urrejtjen nuk ndërtohet asgjë konstruktive dhe pozitive për bashkëjetesën.
Si prokuror i Gjyqit Special asistova në ekzekutimin e të dënuarve me vdekje. Midis këtyre fatkeqëve pati të tillë, si Ismail Golemi, që e quajtën të udhës të vdesin pa thënë asnjë fjalë; të tillë si Terenc Toçi që e pritën vdekjen duke i kënduar lutje Zotit. Një pjesë tjetër si Javer Beu (Hurshiti) dhe Qafmolla kërkuan dhe u lutën që të tregohej kujdes dhe mëshirë për fëmijtë e tyre. “Familjeve tuaja – ju thashë me sinqeritetin e komunistit të padjallëzuar – nuk do t’ju ndodhë asgjë e keqe. Ata do të trajtohen si të gjithë shtetasit e lirë”.
Kur pregatitjet e kobshme muarrën fund, në momentin që do të ekzekutohej dënimi u dëgjua si bubullimë zëri i idealistit Bahri Omari: “Ktheni ballin nga pushkët! Trdhëtarët vriten nga shpina. Ne nuk jemi tradhëtarë. Historia do ta vërtetojë këtë!!”.
“Historinë do ta shkruajmë ne” – i thashë, dhe krisma e trishtueshme e breshërisë lajmëroi se po hapej një fletë e re në jetën e popullit shqiptar.
Jo! Historinë nuk e shkruajmë as ne as kundërshtarët tanë. Palët nacionale kundërshtare e bëjnë historinë duke luftuar ndërmjet tyre. Ata janë mjeshtrit e historisë. Historia është rezultantja e mjeshtërisë së tyre dhe kjo histori shkruhet nga brezat e ardhshëm që do të jenë të zhveshur nga simpatitë dhe antipatitë subjektive, pra të paanshëm në vlerësimin e fakteve e të ndodhive.
Po! Bahri Omari me shokë nuk ishin tradhëtarë, pasi nuk ishin “armiq” të popullit, sepse ne së bashku formonim tërësinë nacionale të popullsisë shqiptare. Në politikë njerëzit janë të mirë dhe të këqinj ndaj njëri tjetrit, por jo ndaj popullit që i mban në gji të dy palët.
.

Demagogjia komuniste
Demagogjia komuniste

A u shkëputa nga komunizmi?

Për komunizmin

Nga qytetar i thjeshtë dhe i papërfillur, unë, falë aktivitetit tim revolucionar u qepa, pa e aspiruar dhe pa e kërkuar, në majën e Piramidës sociale të bashkëjetesës shqiptare. Prej natyre nuk kam qënë as prepotent e as intolerant. Që në vegjëli kam qënë dashamirës i pjesës së marzhinuar të shoqërisë, i orthodoksëve, i jahudijve, i jevgjitëve të qytetit. Kjo sepse edhe vetë kam qënë nga shtresa e të vuajturve. Që në vegjëli nuk kam besuar në Zotin dhe fenë. Janë interesante konsideratat e mia mbi fetë e ndryshme, mbi të vuajturit dhe mbi fatzinjtë, prej nga dhe nxirrja konkluzione për mos egzistencën e Zotit. Vegjëlia ime ishte ajo e një agjitatori antifetar. Idetë e rilindasve, ato të historisë mbi demokracinë kundra absolutizmit gjetën në ndërgjegjen time të mitur një terren të përshtatshëm dhe zgjuan ato impulse që më karakterizuan gjithë jetën.
Në këto kushte, përqafimi nga ana ime i ideologjisë komuniste ishte i vetëdijshëm dhe i natyrshëm. Po të kisha lindur në shekullin XIII, kur nuk kishte as Shqipëri të lirë e as Bashkim Sovjetik, ndoshta do të isha bërë kaçak si Sheme Gjirokastra me shokë, për të shfryrë dufin e dhëmshurisë në ndihmë të të vobektëve.
Mora pjesë në shkatërrimin hap pas hapi të një shteti, këtij organizmi të bashkëjetesës nacionale dhe në ndërtimin paralel të shtetit që e zëvendësoi. Mora pjesë në ndërtimin nga poshtë dhe nga lart dhe e ushtrova pushtetin edhe nga poshtë edhe nga lart. E njoh shtetin siç njoh veten time, njoh atë mentalitet zyrtar që i vishet njerëzve që qepen në majën e tij dhe konkludova edhe unë si Shileri: “edhe njeriut më të ndershëm, po i dhe pushtet të pakontrolluar ai do të bëhet Tiran”. Mobilizova masat. Këtë profesion e ushtrova para dhe pas organizimit të Partisë, nga poshtë e nga lart dhe të gjitha këto në emër të komunizmit, për komunizmin, me bindjen se i shërbeja popullit.
.

Gjithnjë komunist

Vdiq Stalini. U zbuluan gabimet e tij, krimet e tij, u shpjeguan të gjitha këto me të ashtuquajturin “kulti i individit”. Unë vazhdova të mbetesha ai komunist që kisha qënë. Në Komitetin Qendror ndodhen nëntë raporte të miat ku unë fshikulloja arbitraritetin në periudhën kur isha Prokuror i Përgjithshëm dhe shkeljen e vijës së Kongresit të Parë. Anulova atë biografi ku unë kaloja në heshtje punën e madhe që kisha bërë si kryetar grupi dhe denoncoja fakte si rikrijimi nga Shulja (Kristo Themelko) i Komitetit Qëndror të Qarkut të Gjirokastrës me anën e shpërndarjes arbitrare të Komitetit të parë që drejtoja unë, duke përfituar nga mungesa ime në Gjirokastër (denoncova por pa u ndalur në këtë pikë dhe pa e bërë çështje). Megjithatë unë vazhdova të jem e veproj si komunist. Ndodhi ngjarja e Sejfulla Malёshovës, çështja e largimit tim nga Shtabi i Përgjithshëm, u bë e qartë se po vazhdonte kundra meje një intrigë nga njerëzit që po zhvillonin një luftë për pushtet? Unë vazhdoja të isha i lidhur me Partinë dhe me Komunizmin si mishi me thoin. Erdhi më në fund Qershori 1955, përjashtimi im nga Partia, arrestimi në 1957, izolimi, gjyqi dhe burgosja. Unë isha përsëri komunist dhe u mbrojta si i tillë.
.

Më la komunizmi

Pra, Komunizmi kishte filluar të mos ishte ai që kisha njohur unë, ai që besova unë, ai të cilit i kushtova jetën. Nuk u ndava unë nga komunizmi por ai nga unë. Doli sheshit se Komunizmi ishte kthyer në një armë propogande e mbrojtjes së shtetit sovjetik dhe një instrument agresioni i këtij shteti. Kampi socialist, që ishte krenaria jonë dhe që e përfytyronim si një diell rreth të cilit do të konvergonin të gjitha shtetet e botës, u shpartallua. Partitë komuniste dhe shtetet komuniste u lëshuan kundra njëri tjetrit me të njejtën egërsi që lëshohen partitë dhe shtetet që nuk janë komuniste, pa u zbrapsur edhe në përdorimin e armëve. Partitë çkishëruan njëra tjetrën, i mohuan njëra tjetrës të drejtën që të quhen komuniste dhe që të jenë ato që ndërtojnë komunizmin ose socializmin…
Doktrina monolitike e Komunizmit të kohës së Stalinit u dekompozua. Sekretarët e parë të partive komuniste u bënë të gjithë doktrinarë. Seicili ndoqi rrugën e vet për ndërtimin e asaj që për të ishte Komunizmi. Emri i Komunizmit si idealitet i njerzve të thjeshtë të botës, u përdhunua dhe për partitë u konservua si një oportunitet politik. Shumë komunistë, të diziluzionuar, braktisën radhët partive dhe u persekutuan si “armiq”.
Unë bëj pjesë në grupin e atyre që nuk u deziluzionuan për atë që u çmua si katastrofë e Komunizmit. Unë nuk u deziluzionova falë burgut, i cili më mësoi të lexoj librin e Natyrës dhe të shpjegoj ndodhitë historike dhe bashkëkohore me ligjet e përgjithëshme të Natyrës.
.
Marrё http://www.gazetadita.al
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.