back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Edhe Burgun për veten – parabolë nga Faruk Myrtaj 

Gazeta

Faruk Myrtaj
Faruk Myrtaj
Edhe Burgun për veten
parabolë nga Faruk Myrtaj 

Vendimi i parë i kabinetit të më-në-fundmë qeveritar ishte miratimi i fondeve për ndërtimin e një burgu të ri, special. Ngaqë gjërat ‘speciale’ ishin të preferuara së fundi, edhe pse në sallë u ndje shtesë e pranisë së Gardës së Republikës mos opozita rebelohej, parlamenti e kaloi miratimin si kollajllëk, përderisa 49 % e fondeve për burgun ofrohej si kredi e butë evropiane. Në njoftimin zyrtar s’bëhej asnjë përpjekje për të fshehur që burgu special nuk do ngjante me asnjë prej të mëparshmëve, përveç njërit, ngritur shekullin e shkuar, nën kujdesen personale të njërit prej ish-kryeministrave të viteve ‘30 që, më vonë kishte përfunduar brenda tij edhe vet.
Sipas zëdhënësit, kjo ‘shtëpi e re pa qira’, do ishte respektuese e të drejtave njerëzore e qytetare. Secili aty do ndjehej po aq komod sa në vilat e tyre selitur në rrethinat e kryeqytetit që tashmë konsiderohej i ndotur pa banueshëm.
Vetëm në titullin e projektit përmendej fjala ‘burg’.
***
Megjithatë, edhe ajo pjesë e kryeqytetasve që çdo mbrëmje shëtiste në “Bulevardin e tëRënëve pa Vetëdije” duke lutur “lërna o Zot të rrojmë” dhe e avashësonte hapin te Pallati i Madh, poshtë dritares së Zyrës ku prej disa dekadash drita nuk shuhej kurrë, u rrallua paksa. Çdonjëra prej qeverive më herët ishte marrë me riparime burgjesh, dhe kishte premtuar ‘barabartësi përpara ligjit përmbi të gjithë’, hera herës kishin shpallur amnisti të pjesshme apo të plota por, asnjëra kësisoj: këta po e fillonin me version burgu special!
Për ta maturuar optimizmin e qytetarëve që përgjërohej për vazhdimësinë, të nesërmen u publikua njoftimi shtesë: një e treta e pagës së kryetarit të shtetit, kryeministrit, kryetarit të parlamentit, zv/krye/ministrave dhe të gjithë ‘drejtorëve të loteve’- ah se si përdorej tanimë kjo fjalë, “Lot”, për ta ndjerë më dhembshur paranë publike – e tëra kjo e Tretë si taksë vullnetare, u tha, do kalonte për këtë sipërmarrje, e publikuar edhe në Nju York Times.
Në mesditë u mblodh edhe Këshilli i Harmonisë, për një listë të re sipas së cilës të Tretën pa tvsh do ta dhuronin shefat e partive të pozitës, shefi i serverave në Sheshin e Protestave pa Dhunë, avokati i popullit pa zë, dhe mëtonjësi i përhershëm për ministër Drejtësie, ai individi me kahe të shpallur oksidentale super-atlantike.
Në këtë truall të bekuar PO trokiste mrekullia teksa tërë administratës do t’i mbahej “Taksë për Burg të Ri”.
Shefat e Opozitës kishin gjithë arsyet dhe pretekstet për të mbetur pa gjumë. Secili, mund të përfundonte në atë hapësirë që s’mund të mos bëhej burg, së pari për ta. Edhe pse disa opinionistë e lidhën domosdonë e këtij burgu me kriteret për të hyrë në Evropë.
Shëtitësit nisën ta mbanin pak hapin kur afroheshin, ujdisnin frymë-marrjen, prisnin sho-shoqin të qetësohej dhe pëshpëritnin: “Asnjë punë me burg s’është për t’u marrë duke qeshur, vëlla. Se, një ditë të bukur, kur të kemi mbërritur këtu, në fund të Bulevardit, dikush mund na afrohet dhe na thotë, me mirësjellje: “Në emër të popullit, a ngjitemi pak deri atje lart?!”
Pas ceremonisë madhështore të përurimit u vu re se ajo majë kodre kishte një dhè të bukur, pa lagështi. Të ndëshkuarit e ardhëm por edhe gardianët, s’do vuanin eshtrash, siç rëndom në burgjet e më-hershëm. Në këtë truall të zgjedhur, dielli do ta përkëdhelte ndërtesën e burgut prej rrezeve të hershme në agim, deri në çastet e shuarjes në mug.
Apo ç’lëndë po përdorej për muret: qelq i ëmbël, i përshkueshëm nga drita, i vështrueshëm nga brenda jashtë, por jo edhe nga jashtë-brenda. Të burgosurit do mund të kundronin qytetarët e lirë shëtitës, por njerëzit e lirë të sëkëlldiseshin nga ata aty brenda.
Robëria kishte model dhe synim lirinë atje jashtë, jo anasjelltas. Ca më vonë, kur muret e kaluan bojën e njeriut, u pa se ishte menduar që brenda rrethimit të buiste gjelbërimi.
Mos bëni naivin, ia behte një zëth. Burgu s’është ai që duket! E çfarë se mure të qelqta dhe gjelbërim me shatërvanë?! Burgu janë qelitë, kur të mbyllin në to dhe të kërkojnë t’u thuash atë që u duhet atyre! A s’e kemi lexuar, në mesjetë, gjer edhe në rilindjen e parë, zotërinjtë e robërit rronin në të njëjtën kështjellë. Lart bëhej aheng, kur atje poshtë valonte druri!
Gazetat dhe televizionet, pa-varur nga populli, botuan faqe speciale të sponsorizuara nga po ato fonde. Fjala “Burg” e shoqëruar nga cilësori “I Ri”, edhe pa u vënë në punë, po ndryshonte jetën e kryeqytetasve.
Nëse pritej si një Arkë Noe, për kë?
Kur pritja për përurimin u zgjat, kur sekush ftoi të përfytyronin mbërritjen e të burgosurit të parë, mbetën pa fjalë për pak, por tashmë s’kishte kthim. Vetëm të fillonte! Edhe sikur të pyesim si më parë: Pse ndaluat këtë? Përse nga opozita? Pse nga kabineti i tanishëm kur ata të mëparshmit s’vodhën më pak! Vetëm pse s’kishte internet? Pse tani, që kemi edhe ministre inteligjente? Aman edhe ju, cironka keni kapur! Cironka ju duken? Është produkti ynë!
***
Në mbrëmje, në pasqyrën e shtypit të ditës së nesërme, hapeshin sytë gazetën e re, atë me titull “Burgu i Ri”. Botim me ngjyra dhe letër luksi. Shpërndahej kudo, falas.
Në faqet e saj, edhe ata që shëtisnin, ata pra që dikur s’dinin se në këtë tokë të lumturish kishte pasur burgje dhe internime, filluan të mësonin për gjyqet e burgjet më të famshëm të njerëzimit. “Burgu i Ri” solli serialet e tentativave më të famshme të arrative. Secili rast kishte sjellë rregulla e masa të reja sigurie, gjersa burgjet morën trajtën moderne, kur një gardiane paskej rënë në dashuri me një të dënuar me burgim të përjetshëm!
Në këtë gazetë u botua letra e fundit e femrës së parë vdekur në burg, që kishte sjellë pastaj burg të posaçëm për gratë. Ishin lejuar takimet private bashkëshortore, pasi gruaja e një të burgosuri ishte lutur ta mbyllnin edhe atë, me amorin, atje brenda…
Prej kësaj gazete morën vesh se dikur kishte qenë e drejtë e të burgosurve për t’u këmbyer nga të afërm të tyre, pastaj edhe prej ndokujt të pa lidhje me ta, por që pranonte të mbyllej të kryente dënimin e të dënuarit, kundrejt një shpërblimi. Vetëm së fundit kishte ardhur hera që nëpunësit e shtetit angazhoheshin përpara bosëve të tyre të merrnin përsipër disa vite burg për të gëzuar pastaj paratë e mëdha të hequra mënjanë në shkelje ligji.
“Burgu i Ri” botoi dokumente ca më të hershme, të një dënimi të veçantë. Për abuzime me paranë e popullit, nëpunësve u damkosej në ballë vula e shtetit, stema e mbretërisë apo e republikës, blangë që u mbetej në ballë për tërë jetën. Madje, edhe vdekur, nuk lejohej t’u vendosej ndonjë mbulesë mbi ballin e tyre si të ndjerë…
Diku dikur, ishte përdorur edhe shëtitja e detyruar, duarlidhur, e nëpunësve ligj-shkelës, nëpër rrugët më të populluara të qyteteve të mëdhenj. Turma i shoqëronte me gaz e brohori, si ariun në fshat, diku edhe duke kënduar himnin kombëtar, në ecje e sipër. Edhe më e rreptë por sërish interesante, qè goditja me shtizë të flamurit e nëpunësit të kapur me dorë në paranë publike.
Dënimi me vdekje paskej hyrë dhe dalë disa herë, dhe sërish dilema vazhdonte. Përderisa jetën na i jep Zoti, vetëm ai ka të drejtën të na e marrë! A ka dënim më të madh se ta shtysh jetën në burg?
Vdekja qe rikthyer kur qenë ngjitur në pushtet ata që s’dinin për Zotin. Këta nisën të burgosnin e vrisnin njeri-tjetrin. Më keq akoma, varrosnin e zhvarrosnin njeri-tjetrin disa herë…
Në një shtet që ishte shuar me të gjitha dhe i ishte harruar emri, si nen i parë i Ligjit paskej qenë ai që s’lejohej as edhe përfolja e sundimtarëve, pavarësisht korruptimit të tyre. Si ndjesë për ato kohë, qe kthyer në ligj e drejta për padi penale edhe përmes telefonave on line që shërbenin falas!
***
Çudia s’paskej kufi kur rrodhi lajmi se në Burgun e Ri muret, dyshemeja, tavanet e fjetoreve por edhe të qelive, po visheshin me lëndë që ngrohte në dimër dhe freskonte në verë. Në mjediset e përbashkëta, dhe në intimitetin e qelive, u vendosën aparate televizive, librari, radio, dushe, shatrivanë, pishina celularë, sky, tiko-tok dhe instagram…
Në pikun e kësaj hohorame burgologjie, që kishte rrëmbyer vëmendjen gjatë tërë legjislaturës, u miratua edhe e drejta për bashkim familjar të të burgosurve atje.
Dikush e përfoli këtë si revansh. Të burrave: prej grave kishin rënë sërish brenda, si dikur në dashuri.
Në orët e fundit të natës së fundit, teksa nisën të publikoheshin rezultatet paraprake të zgjedhjeve, u bë e ditur se kabineti qeveritar dhe tërë ata që kishin paguar paraprakisht kontribut, nën vëzhgimin e dërgatave evropiane dhe nën moderimin e mediave kombëtare (ku qenë botuar tërë reklamat për burgun special që më në fund po mbaronte), po linin zyrat.
“Të gjithë po transferohen për Atje. Edhe këta që ngjiten, atje i kanë qelitë e tyre!”
Me këtë nën titull, doli numri i fundit i gazetës “Burgu i Ri”.
Gjërat po ndodhnin aq natyrshëm, aq gëzueshëm, në harmoni ngjethëse, sa ajo pjesë e qytetarëve që ende shëtiste te “Bulevardi… pa Vetëdije” s’mund të mos e besonte, më në fund, atë që ishte pëshpëritur në nisje të punimeve:
“Këta edhe burgun do e bëjnë për vete!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.