back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, nji jetë e re po lulëzon gërmadhash (një kohë, një njeri dhe një temë hartimi)

Gazeta

Gjimnazi i Shkodrës
Gjimnazi i Shkodrës
Antinghauseni
A paska pasur aq guxim fshatari,/Me mjet të vet, pa ndihmë të bujarve?
Kur paska kaq besim në vetvete,/ Nuk ka nevojë, jo, për forcën tonë;
Shkujdesur mund të zbresim ne në varr,/ Duke menduar që fuqi të ra
Do rritin madhërin e njerëzisë./ (Vë duart mbi krye të djalit, i cili qëndron më gjunjë para tij.)
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,/Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,/ Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Vilhelm Teli/ Fridrih Shiler

E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, nji jetë e re po lulëzon gërmadhash

hartime nga Elez Braha, Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja
Si një drrasë e cila vumun tash sa kohe mbi një prroskë nis të kalbet prej lagështisë së tepërt, ashtu edhe ata njerëz që janë zhytur në mentalitetin e vjetër po zhgatërrohen.
Disa prej botës njerëzore të dhanë mbas fatalizmës, nuk ja nisin asnji punë të zorshme për ta krye, ata të tanë punën e kanë varë në ishallahin! Thonë: “Kështu asht thanë e kështu le të bëhet”.
Ata nuk mendojnë se me ishallah nuk qitet gja në dritë. Punën e randë jo që se fillojnë, por madje edhe s’e vrejnë me sy.
S’kanë faj, kanë gjetë batihava.
Kështu gjatë shekujve kund nëpër terr me mundime të mëdhaja erdhi njerëzia deri në ditët e sodit.
Prijësat e tyre në nji mënyrë a në nji tjetër u munduan me e lye sadopak përjashta ndërtesës shoqërore. Ata nuk menduan aspak se dikur ato themele të lujtshme do të rrënohen e se në vend të tyne do të vendoset një ndërtesë e re, e fortë, e cila do të përballonte çdo dallgë apo pengim. E me të vërtetë ato themele të lujshme po rrëzohen dita ditës. Djalëria, shpresa e ardhshme, po i ban sytë katër e po vëzhgon çdo gja që del përpara.
Ajo s’ja dëgjon me fjalën fatalistit… Djali thotë: “Na do të jemi e do ta bajmë, ç’a ju s’keni mundësi me ba”.
E fatalisti plot idhnim ja pret: “Po na kallzoni ju të rinjtë se shka batë?”
-Jo na s’kemi ba, por do ta bajmë”.
Dita ditës mentaliteti i kalbun po zhduket, krymbat e dyshimit po farojnë; mbi rrënimet e tyre po lulëzon një jetë e re.
Njeriu ka lindë i lirë e gjithkund asht ndër pranga.
Këto na i thotë Rusoi, i përmenduari dijetar e edukator frëng. E mbasi njeriu asht lindun i lirë, duhet ta gëzojë këtë liri e jo sikur deri tash. Ndryshimin e kohës dhe të shemburit e së vjetrës na i dëftejnë fletët e historisë…
Po na a thue të rrimë në terr si deri tash e të shohim rreth e rrotulltue le një jetë e re e të heshtim?
Ah! jo! Djalëria e jonë nuk do të rrijë ende në gjumin e randë të fantazmës. Duhet të zgjohet e me hapa të mëdhaja të drejtohet drejt rrugës së mbarë. Duhet të punojmë, po të punojmë me pa ia da, kështu që të fitojmë dritën e arësyes dhe të bajmë që gërmadhash të lulzojë nji jetë e re.
Shënim: Titulli i këtij hartimi do ju kujtojë Qemal Stafën po në fakt hartimi nuk është i Qemalit po i Elez Brahës shkruar në të njejtën ditë në të njejtën klasë të gjimnazit të Shkodrës me 19.06.1935
Hartimi është shkruar në në të njëjten ditë, por trajtimi i njerit dhe tjetrit është krejt origjinal. Ata i bashkon ideali i përbashkët Liria dhe përparimi i Atdheut. Shkrimi është marrë nga Revista Nëntori (nr. 8/1981)
 
***
Djalëria, shpresa e ardhshme, po i ban sytë katër e po vëzhgon çdo gjë që del përpara.
Po na kallzoni ju të rinjtë se shka batë?
Jo na s’kemi ba, por do ta bëjmë.
 
***
Kush ia dha Qemal Stafës, Arshi Pipës, Elez Brahës etj. temën e hartimit “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë”, vargje të shkëputura nga ”Vilhelm Teli” i Shilerit? Si u ruajtën këto hartime? Historia bazohet në data e emra, pa këto nuk është histori por përrallë.
Mësuesi i letërsisë quhej Skënder Petro Luarasi, ”Nderi i Kombit”.
 
Nga kujtimet e Skënder Luarasit
 
”E vjetra shëmbet…”
Moti shkollor po mbaronte. Nxënësve të klasës së pestë, të cilëve në fillim u pata dhënë për të zhvilluar në klasë temën “Si e kaloni ditën me shi”, më 19 qershor 1935 u dhashë për hartim dy vargjet e nxjerrë nga “Vilhelm Teli” i Shilerit:
 
“E vjetra shëmbet, kohët po ndryshojnë
Një botë e re po lulëzon gërmadhash…” (*)
 
Prej mënyrës qysh e zhvilluan temën nxënësit e kësaj klase kuptova mendimet e tyre për shoqërinë. Disa e trajtuan temën duke vënë në dukje përparimin teknik të botës gjatë shekujve, disa syresh duke shënuar zhvillimin moral e filozofik të njerëzimit, të tjerë, më të pakë në numër, theksuan ndryshimet politiko-sociale që sjellin revolucionet në luftë kundër së vjetrës.
Njëri sipas njohurive të fituara nga libri, përmendte shpikjen e shtypshkronjës prej Gutembergut, zbulimin e botës së re prej Kristofor Kolombit, gjetjen e ligjit të lëvizjes së planeteve prej Keplerit dhe shpikjen e teleskopit prej Galileut. I dyti shkruante mbi luftën e Martin Luterit kundër obskurantizmit të kishës katolike, për vlerën e kulturës e të arsimit dhe rolin që luante shkolla në lulëzimin e popujve të prepambetur. I treti duke zgjeruar horizontin mbi ngjarjet e ditës, sillte shembuj nga përparimi i Turqisë së re, nga Japonija. Porse Qemal Stafa shkroi hartimin më të pasur në idera.(*)
Studjuesi Nasho Jorgaqi, shkruan:
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
nji jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Éshtë një nga hartimet e Qemalit, shkruar më 1935… Tema e hartimit u nxuar nga dy vargje të dramës ”Vilhelm Teli” të Frederik Shilerit, të përkthyera nga Prof.Skënder Luarasi që aso kohe jepte lëndën e letërsisë në klasën e Qemalit. Hartimi u lexua në klasë dhe bëri jehonë në mes të nxënësve të gjimnazit. Nxënësi 15 vjeçar u thirr në drejtorinë e shkollës dhe ju tërhoq vërejtja.
(U botua për herë të parë në gazetën ”Rinia”, 15 maj, 1949. Qemal Stafa, ”Qortimet e vjeshtës”, 1969, Redaktor N. Jorgaqi, f. 85)
 
(*)Në hartimin tjetër të Qemalit: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash” pedagogu e nxori në katedër Qemalin që ta lexonte para nxënësve, e vetë pedagogu e lexoi si shembull në klasat e tjera më të larta. Menjëherë punimi u bë objekt i drejtorisë.
(Gjimnazi i shtetit Shkodër (1922-1972), f.57-58)
 
Fragmente nga hartimi, të fotokopjohen:
(*) Qemal Stafa,
Hartimi: Provim i tre muejshit të tretë ,19.6.1935V-A…..
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë
Nji jetë e re po lulëzon gërmadhash.*)
 
Fjalë t’arta, fjalë plot kuptim.Tash sa vjet duelën rrjedhshëm prej pendës së një idealisti të madh, të Schillerit, shpirti i të cilit, i etshëm për gjana të reja, ndër të cilat vendin ma të parë e zente lirija e popujvet, lshonte za kushtrimi në shkretinën e thatë të idealismës s’asaj bote të vjetrueme ku rronte. Schilleri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe na e kemi kuptue.
E vjetër asht çdo gja qi kohnat e kalueme na kanë lanë. Systemi shoqnuer, arti i dikuershëm, feja, dasija mes popujvet, janë të tilla. Njeriu vetvetiu i prirun nga përparimi i shef të metat e kohënavet të kalueme, dhe dishiron t’i ndreqë. Kndej çpikjet e reja e të çuditshme në çdo lamë të kulturës.
Dëshirin e rrënimit të të vjetrës njeriu e ka dishmue ku e kur ka pas rast rancezi në Revolucionin e Math të Francës, Galileu me ligjin e tij, Lindbergu me udhtimin prej Amerikë në Francë, Rusi me ndryshimin esistemit shoqnuer…(Borgjezë hapni veshët mirë!)
Tash të vrejmë imtësisht e mitë të gjitha sendet e vjetra. Sytemi shoqnuer i sotshëm, asht ai i sa mi vjetvet, i ndryshuem në disa pika, por aq pak, sa nuk të bie në sy.
Bota asht e ndame në kontinente, kta në shtete, shtetet në qytete e krahina, deri sa mbërrimë ke njeriu e ke idenat e tija. Pasunija, qi asht pika e mbështetjes së të gjithë veprimevet, asht e ndame keq (hap sytë sa të duesh kapitalist). Njani ka miljarda e miljarda, n’sa tjetri nuk ka as nji dysh. Disa kanë tokë të gjana për mbjellje n’sa t’afërmit e tyne nuk kanë as bukë (bukë themi) të hajë. Thonë qi asht zhdukë skllavnija. Jo, nuk asht zhdukë, po ka marrë një trajtë tjetrë, atë të ndihmës. Në vend të kamxhikut të drejtuesit të robvetasht penda e bankjerit, në vend të Kesler agait asht polici qi regjstron gratë publike, viktima të vorfnisë dhe të pa-drejtësisë së shoqnisë. Nuk flas për shpatat e Jeniçierëvet të zëvendësueme me vezët në sqetulla, për Giljotinën e zavendësueme me karrikën elektrike.
Të gjitha kto i kemi trashigim prej kohvet të kalueme, pse e kanë burimin në ndamjen e pasunisë. T’ishte pasunija e ndame me drejtësi, barabar e të punojshin të gjithë njerëzit e botës për nji qëllim, sa ndryshe do t’ishte jeta!
Statistika zyrtare diftojnë haptas se gjaksinat ma të ndryshme, vjedhjet ma të mdhajat, kanë pasë për shkak vobegsinë.
Prej këndej shofim se asht gja e domosdoshme ta ndryshojmë ndamjen e sotshme të pasunis (gja e vjetër) e ta zëvendsojmë me nji ndamje të drejtë, e të njinjishme (gja e re). Rusët e kanë ba me kohë: shembull ky se e vjetra shembet.
Edhe na do ta bajmë. Arsimi, ajo dritë e popujvet si e quente Viktor Hygo – i përpara u epej vetëm princavet e bujarvet (nobles). Sot djali i puntorit rrin në nji shkoll me djalin e ministrit qi e mjel: shejë të sigurta se bota asht neveritë prej të vjetrës dhe don të ren. Të shofim fen, opiumin e popujvet. Në kohnat e vjetra populli nuk i kuptonte kshillat e drejtuevet të tij: Për me ba arabin të lahej, e të paguente taksat kalifit ishte nevoja e nji Muhammedi qi t’i predikonte popullit ignorant se asht, ekziston, nji zot qi i çon në xhenem ata qi nuk lahen, qi nuk bajnë gymnastikë, e nuk i lajnë rregullisht taksat. Deri këtu asht mirë. Por të shohim kto tjerat. Nën maskën e ktyne rregullave sa e sa poshtërsina u banë. Sa e sa herë turma e popullit e qorrueme prej drejtuesve të fesë së sajë, u bante robneshë e nji tyrani. “Jepni Çezarit, çasht e Çezarit, e zotiut ç’asht e zotit!” Sa bukur e diftojnë kto fjalë qëllimin e fesë. Ku ka nji kishë, aty ka nji mbret.
Shekulli XX, po e shkatrron të vjetrën. Në vend të sajë shton shkollat laike, të majtun prej shtetit, plotson bibliotekat; lavron shkencat (anmikët ma të mdhajat të fesë: ku je Galilei para turrës së druvet?) shndron kishat e xhamijat në muzeume antiklerikale. Të vimë ke harti. Harti i deri-tashëm, qi veç trajtës së bukur nuk kishte tjetrë cilësi, nuk i përmbushë nevojat t’onë. Ç’më duhet mue nji poezi e bukur në trajtë por e vorfën në idena, nji pikturë me bojna të bukura po pa nji ide?
Poezija e sotshme përveç trajtës, ka edhe idenë, atë ide qi lufton vuejtje e puntorit, mundin e bujkut. Piktura e sotshme nuk ka aq bukuri të trajtës se të idesë. Mos kërkon në kuadrat moderne gra të bukura, skena idyllike, shenjtorë të rrethuem prej ëngjëjsh e ku ta di unë sa prralla tjera. Kërko në to, përkundrazi të pikzuem me ngjyra të gjalla mundimin e nji hamalli kur ngren nji arkë të madhe mushë me… shishe shampanje.
Edhe na shqiptarët do ta rrënojmë të vjetrën. Mbi të do ngrefim madhnisht flamurin e kuq të vllaznimit, të kulturës e të pasunis. Kemi besim në vetvete, prandaj guxojmë.
Asht zemra e nji të riu pesëmbëdhjet vjeçar qi ju flet.
Shkodër, 19 Qershuer 1935.
 
Xhemal Broja: ”E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash”
Provim i tre muejshit të tretë ,19.6.1935
Klasa V-A, Shkodër 19-IV-1935
 
Flamurtari plak i vendit po jepte shpirt. Të gjithë parsija ishin mbledhë në shtëpin e tij. Dojshin me pa për herën e fundit atë, qi në nji kohë i prite në luftë të gjithë kombit, qi shkonte ku ishte rreziku ma i madh… Në kjoftë se dielli nuk i hynte në shtëpi, nuk ishte i Zoti ma me dalë e me e kërkue. Po jepte shpirt ai që liri ishte fryma e tij… me dhimbje që kombin po e linte pa udhëheqës e të shkatërruem. I vinte keq se në çastin e fundit të jetës shifte rrënimin e Kombit, qi aq fort e kishte çmue.
Por kur shef se ndërmjet të parsivet, ishin edhe djelm të ri, nji dritë i shndriti syt, bahet ma i gjallë…
Për ditë po shofim se prej gërmadhash të kombeve të vjetra, po lulëzojnë jetë të reja. Shembëllën e kemi në Rusinë, e cila u sundonte prej Caravet të fëlliqët, qi kishin shtyp popullin, e nuk ia napshin të drejtën e qi i bajshin sa e sa kobe të tjera të ndyta e se nën pushtetën e tyre po shkonte Rusija dita me ditë në rrënim, sot, banë qi prej atyne gërmadhash, të lulëzojnë një jetë e re, plotë gjallni.
Gjithashtu kemi edhe në Turqinë, e cila përpara, në kohën e sulltanavet, nuk ishte në kët gjendje qi asht sot… Aty nji mendje e trashë e sulltanit, e influencueme prej baballarëve të tij ma të liq sa ai, kishte fatin e të gjith popullit në dorë.
Sot po prej atyne rrënimesh po lulëzon nji jetë e kandshme, nën nji atmosferë mendimesh të lira…
Fjalët e të famëshmit Schiller, qi i ka thanë nëpërmjet flamurtarit plak, dita e ditës e me një shpejtësi të madhe po profetizohen.
Xhemal Broja V-A
 
3. Arshi Pipa: E vjetra shëmbet/ kohët po ndryshojnë/ një jetë e re /po lulëzon gërmadhash.
Provim i tre muejshit të tretë.
Klasa V-A, Shkodër 19-IV-1935
 
…Nji provë e re hedh poshtë të vjetrën e rraskapitur, sikurse nji ndërtesë e vjetër, kalbun themelesh, rrzohet për me i lshue vendin nji tjetre ma të bukur e ma të madhnishme, ashtu pej gërmadhave të kulturës së vjetër të mbijë lulja e djelmnisë së sotme.
…Në shekullin e XX duhet me shporrë mendimet e vjetra, qi nji bar i ri të lulzojë aty ku mbinin ma parë ferrat…(*)
(*)Petro Luarasi; Një hartim i Arshi Pipës, Republika, 16.6.1991)
 
Zija Boriçi, E vjetra shëmbet/ kohët po ndryshojnë/ një jetë e re /po lulëzon gërmadhash.
Provim i tremuejshit të tretë ,
Klasa V-B,Shkodër 19-IV-1935
 
Neve do të bajmë hapat shum ma të mëdha kah ana e përparimit qi të mërrijmë të krahasohena ma shtete të Evropës. Djelmënia e sotshme asht e mushun me cilësinat e virtytet ma të mira. Sot po gëzojmë të gjithë port zëmrat t’ona nuk qëndrojnë në paqë deri qi shlirojmë vllaznit t’onë qi gjinden në Kosovë e Çamëri, vajtojnë me kenë nën kët sundim të lirë e të hareshëm. Ata nuk gëzojnë kurr të drejtat e veta. Neve djelmënia e sotshme me gjith qi gëzojmë por dot përpiqemi me gjithë shpirtë dhe me nji forçë të bashkuar dot bajmë qi të valojë ky flamur kuq e zi qi na u trashigue prej nji Fatosit shqyptar ndër ato vende dhe zbashkut të celebrojmë një gëzim dhe hare.
 
Abas Sali Shehu (Abas Sahu), E vjetra shëmbet/ kohët po ndryshojnë/ një jetë e re/ po lulëzon gërmadhash.
Provim i tremuejshit të tretë ,
Klasa V-B, Shkodër 19-IV-1935
 
…Njerzia e lashtë qi nuk dinte as me folë, dalngadalë erdhi tue u mësue me folë e ma vonë edhe me shkrue… filloi me u qytetnue e me u ba e dijshme.
Grekët e vjetër si edhe shumë fise të tjerë, n’ato kohë nga padija… përuleshin përpara çdo fuqije të sajë (natyrës) e tue e njoftëm kët’ fuqi si një Zot, kalojshin kohën e tyne herë tue lutë Zotin e tyne qi mund t’ishte: nji gurë, nji kal i bukur, nji ylber, nji prrue i rrëmbyeshëm e shumë kësisoj, e herë bajshin edhe therorina shum të mdhaja, tue pre kokën e njerëzvet për nder të këtyre zotnave të shumtë. Ma vonë këta vese dhe kto besime shumë të kota filluen të merren nëpër kambë prej popujve ma që vijshin tue u qytetërue e tue kuptue të vërtetën e fuqivet të natyrës. E pra qe se kjo kohë ku njerzit hupshin pothue se edhe jetën e tyne për besimet qi kishin rrënjosë në zemrën e tyre, u zhduk e u shëmb.
…Por mandej tue besue kush në nji mënyrë e kush në nji tjetër, filluen të dalin grindje midis njerzis… secili mundohej që besimi i tij t’u përhapte e me intriga të kota, mundohej me i mbushë mendjen tjetrit. E nji kaq u përhapën këto intriga, sa ata të ditunit qi e kuptojshin gjëndjen thojshin: Besojmë se ma me lehtësi mund të shpëtojmë një njeri të mbytun në pus se sa fanatikun prej verigave të besimit(fes), predikonjësit e së cilës i kanë verbue sytë… Dalëngadalë njerëzia u dha shkelmin vesevet dhe gjithnjë erdhi tue ba hapa kah nji përparim, kulturë ma e naltë, njashtu do të vijojë më tej: çdo zakon qi e kanë lënë trashëgim të parët, në rast se i përshtatet kohës, ta naltësojë; por në rasë se nuk ka të bëjë me ditët e soçme, t’i napi shkjelmin.
Thonë se popujt e kohnave të vjetra kanë pasë rrnue në terr. Në të vërtetë dielli i soçëm edhe atëherë ka pasë shndritë… por njeriu n’atë kohë ka qenë i padijtun, kalonte jetën dosido dhe nuk mendonte për tjetër veçse me hangër. Pra mendja e tij ka qenë krejt në terr…
Vetëm atëhere do të shofi dritë mbarë bota, kur njerëzia të kujtoj kohën në të cilën gjindet, të dijë se si me kuptue arsyenat e vërteta e të dalloj se me çfarë këmishe duhet me u veshë për me mujtë m’u ba ballë ndryshimevet të kohës.Vetëm atëherë… njerëzia do të bajë qi ndër trashëgime të plakura e ndër udha t’errëta të shkëlqejë një ide e të shndrisë një diell ma me fuqi e të ringjallet nji jetë krej t e re.
19.VI.1935
 
(*) Pjesën më të madhe të hartimeve të nxënësve të tij profesori i letërsisë Skënder Luarasi i dorëzoi në muzeumet e gjimnazeve në qytetet e Tiranës, Vlorës, Shkodrës.
……………………………………….
Edhe hartimet e tjerë të Qemal Stafa gjatë këtij vjeti shkollor qenë të pasura në idera. Në njërin ai shkruante: “Përveç trimërisë, për me qenë burrë duhet me pas edhe një cilësi tjetër: Urtësinë”; në një tjetër: “Cilësitë e shqiptarit duhet të jenë: gjithmonë fjalë pakë e punë shumë, burrni e trimni”, porse ky i fundit tregon sa shpejt i përvetësonte Qemali idetë e reja dhe burrninë me të cilën i mbronte.
Hartimin e tij e lexova në klasë si shembull. Nuk munguan nxënës që rendën të lajmërojnë drejtorin për idetë revolucionare të shprehura.(*)
(*)-Në pranverën e vitit 1933, në Gjimnazin e shtetit kishte ardhur Qemal Stafa. Në një hartim shtëpie me temë: “Të rinjtë dhe pleqtë” të dhënë nga mësuesi S. Luarasi, Qemali haptazi shkroi për Leninin. Disa nxënës ishin caktuar për të ndjekur e për të dhënë informata në drejtorinë e shkollës…
(AQSH, Fondi. “Qemal Stafa”, dosja 4, dok. nr. 30 res, Shkodër, dt.10.4.1936).
 
Drejtori e thirri në zyrë dhe e qortoi e Qemali iu përgjegj: “Unë them atë që ndjej e mendoj dhe askush nuk ka të drejtë të më imponohet, ca më pak ju zotni drejtor, që nuk jeni këtu veçse për të mbajtur disiplinën!”
Selim Shpuza shkruan: “Kur një mësuesi jo shkodran (Skënder Luarasit) filluan t’i vinin letra anonime se, po të mos hiqte dorë nga mësimet e tij jo prozogiste, ja kishin për t’ia treguar qefin Qemal Stafa dhe shokët e tij dashamirës të mësuesit përparimtar, caktuan roje, si të thuash, që kur mësuesi dilte prej konviktit ta shikonin mos e sulmonin njerëz të ligj.”
Nasho Jorgaqi: ”Mësuesi i gjuhës shqipe i Qemal Stafës, Skënder Luarasi aq herët e njohu talentin e Qemal Stafës dhe aq fort i vlerësoi punimet e tij, sa ai i mblodhi, i ruajti, dhe jemi të gëzuar që i kemi këto shënime të klasës së pestë…”
 
Éshtë një nga hartimet e Qemalit, shkruar më 1935…Tema e hartimit u nxuar nga dy vargje të dramës ”Vilhelm Teli” të Frederik Shilerit, të përkthyera nga Prof. Skënder Luarasi që asokohe jepte lëndën e letërsisë në klasën e Qemalit. Hartimi u lexua në klasë dhe bëri jehonë në mes të nxënësve të gjimnazit. Nxënësi 15 vjeçar u thirr në drejtorinë e shkollës dhe ju tërhoq vërejtja. U botua për herë të parë në gazetën ”Rinia”, 15 maj, 1949”
(Qemal Stafa, ”Qortimet e vjeshtës”, 1969, redaktor N. Jorgaqi, f. 85
 
(*)Në hartimin tjetër të Qemalit: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash’’ pedagogu e nxori në katedër Qemalin që ta lexonte para nxënësve, e vetë pedagogu e lexoi si shembull në klasat e tjera më të larta. Menjëherë punimi u bë objekt i drejtorisë.
(Gjimnazi i Shtetit Shkodër (1922-1972), f.57-58
 
Migjeni, Skënder Luarasi dhe ”Vilhelm Teli” i Shilerit
(Vilhelm Teli: Friedrich von Schiller, përkthyer prej Skënder Luarasit,
botim i parë më 1934, botim i dytë më1936, ishte pranuar si tekst shkollor prej Ministris s’Arsimit.)
Skënder Luarasi shkruan në artikullin “Shileri në Shqipëri”
Dhjetë vitet e fundit, përpara çlirimit të Shqipërisë kur të gjithë fuqitë progresive të popullit u bashkuan për të shpëtuar atdheun, Shileri u bë për rininë shqiptare, pranë Shekspirit, më i njohuri dhe më i dashuri poet i letërsisë botërore. ”Vilhelm Teli” i Shilerit, krah për krah me ”Vargjet e lira” të Migjenit tonë të pavdekshëm, e entusjazmoi rininë t’u kundërshtonjë armiqve të atdheut dhe u ndihmoi partizanëvet në rrugën e fitores së tyre. Prej dramave të Shilerit, i pari përkthim identik i plotë në gjuhën shqipe është ”Vilhelm Teli” Shtypshkronja ”Gutemberg” në Tiranë e botoi më 1934; dhe nënshtypja që u bëri lexonjësve, sidomos studentëvet, ish e jashtëzakonshme.
Një mot e gjysmë më vonë, një grup studentësh u interesua për botimin e dytë të ”Vilhelm Telit” (Stamles, Durrës, 1936) dhe të pesëmijë ekzemplarët u çdukën në kohën më të shkurtër prej librarivet. Redaksia e ”Flagës”, revista e të rinjve në Korçë, e shprehu mendimin e saj në artikullin kryesor në Qershor 1935 kështu: ”Letërsia jonë e varfër u pasurua tani me shqipërimin e denjë të një vepre klasike nga më të mirat e literaturës gjermane, ”Vilhelm Telit”
”Kjo dramë e famshme është përkthyer në të gjithë gjuhët e botës me kulturë. Dhe nuk e ka humbur aspak rëndësinë e saj të, parë; se kjo është një kryevepër ku mbrohet liria dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë të vjetra sa edhe ekzistenca e njeriut vetë. ”Vilhelm Teli ka dalë kaq mirë në shqip, sa duhet të ndjejmë një farë mburrje që gjuha jonë qënka e zonja t’i japë bukur në kuptimin e tyre të plotë e të gjallë ndjenjat më të larta e më të thella të zemrës njerëzore.Kjo vepër klasike nga një prej poetëve më të mëdhenj të Gjermanisë ka dalë kaq shqip, sa na duket një vepër shqiptare. Ne ua rekomandojmë gjithë miqvet të letërsisë shqiptare, veçanërisht studentëve tanë. Atë duhet ta këndojnë dhe jemi të sigurt se do të na jenë mirënjojtës”.(*)
Me përjashtimin e shtypit klerikal në Shkodër, gjithë fletoret e tjera shqiptare e përshëndetën botimin e ”Vilhelm Teli” në shqip me gëzim të madh. Ndodhi pikërisht në atë qytet të Shqipërisë së veriut, ku Mesjeta dhe Barbaria punuan bashkë krah për krah për të shtypur që në çkallua çdo mendim humanitar e të lirë që ”Vilhelm Teli” i Shilerit e mbushi rininë e të tri feve të ndryshme dhe i ngjalli ndjenjën për detyrat e saj kundrejt atdheut të përbashkët. Në hartimin shkollor ”E vjetra shëmbet, kohët po ndryshojnë; një jetë e re po lulëzon gërmadhash”, të cilin mësonjësi i gjuhës ua dha nxënësve të tij në klasën e pestë në Gjimnazin shtetëror të Shkodrës më 19 qershor 1935, gjimnazisti Qemal Stafa, shkroi, ndër të tjera: ”Shileri e kishte kuptue të vjetrën. Edhe ne e kemi kuptue… Kemi besim në vetëvete, prandaj guxojmë”
”Vilhelm Teli” u bë libër këndimi për shkollën shqipe dhe për inteligjencën e re shqiptare Pjesë të tëra të dramës u inskenuan dhe u shfaqën në teatret e konvikteve.(**)
(*)(*)Interesant është artikulli i mësonjësit të shkollës së mesme Izet Bebeziqi në ”Kombi”, Vlorë, mars 1938, ku analizon brendinë e dramës ”Vilhelm Teli, përdor citate nga përkthimi i Skënder Luarasit, thotë se ”Vilhelm Teli është botuar në shumë gjuhë të kulturës, po nuk guxon të përmendë përkthimin shqip dhe emrin e shqipëronjësit, i cili, në Brigadat Internacionale, tani përfillej si armik i shtetit shqiptar. Bebeziqi e mbyll artikullin e tij për Shilerin me fjalët: ”Shigjetën e Telit e presin tani plot fise e popuj, që mjerisht vuajnë nën thundrën e tiranëve”.(*)
(*)
Fragmente të shkëputura nga artikulli i Skënder Luarasit: Shileri në Shqipëri.
“Fjala shqipe”, Skënder Luarasi, f.121-128.
 
“Vilhelm Teli” ne Shqiperi
 
Vilhelm Teli u botua nga Shileri më 1804 dhe dramatizon luftën e popullit zvicerian për liri. Shqipërimi i Skënder Luarasit u botua më 1934 e u prit me entuziazëm nga inteligjencia e rinia.
Skënder Luarasit në prill 1935, u vlerësua me “Medaljen e argjendtë”, nga Akademia e Mynihut, për përkthimin e “Vilhelm Tel”.
Nën drejtimin e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi, fragmente të dramës u shfaqën nga gjimnazistët e Shkollës Tregëtare në Vlorë më 1932.
Episodi i anullimit të dramës “Vilhelm Tel” përgatitur nga profesor Aleks Buda dhe skenografi te Andon Kuqalit, ku spikatën aktorët e rinj, Naim Frashëri dhe Sandër Prosi (dy aktorë të adhuruar nga populli) përbën një moment të rëndësishëm. Naim Frashëri kujton se dashuria për teatrin i lindi në vitin 1943: “Nuk kisha guxim të shfaqja dëshirën time me shokët, se më tallnin, por mora kurajo në vitin 1943, kur m’u dha një nga rolet kryesore në dramën “Vilhelm Tel”. Prej asaj kohe fillova të interesohem për teatrin dhe të pregatis shfaqje në lagje” Sandër Prosit qe kur ishte adoleshent, i kishte ngelur një merak. Ishte përgatitur të luante në dramën e Shilerit “Vilhelm Tel”, por pas disa provave të lodhshme gjithçka ishte anuluar nga fashistët. Fragmente nga drama Vilhelm Teli u shfaq nga rinia progresiste edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare dhe “Teatri i Burgut”
Në muajin janar 2006, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës, studentët e Akademisë së Arteve e shfaqën të plotë dramën “Vilhelm Tell”, sipas përkthimit të Skënder Luarasit, në disa rrethe të Shqipërisë. Nën regjinë e Milto Kutalit, interpretuan studentët e Akademisë si Elis Mataj, Alban Krasniqi, Kushtrim Emërllahu, Bekim Guri, Anisa Dervishi, Klodiana Keco, Loredana Gjeçi etj.
Interesi i madh i spektatorëve të shumtë provoi që drama e Shilerit,“Vilhelm Tel” edhe në ditët e sotme çmohet dhe është e mirënjohur për vlerat universale të saj.
http://www.forumishqiptar.com/threads/16345-E-vjetra-shembet-kohet-po-ndryshojne-nji-jete-e-re-po-lulezon-germadhash
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.