back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

E vërtetës e diktaturës si pasqyrë për të reflektuar… nga Shkëlqim Bylykbashi

Gazeta

Autori Dine Dine
Autori Dine Dine

E vërtetës e diktaturës si pasqyrë për të reflektuar…

nga Shkëlqim Bylykbashi

Refleksione mbi romanin e Dine Dines “Mbi Varkën e Karontit”

Historia e një njeriu që ka kaluar hetuesinë dhe burgjet shqiptare e ka jetuar në internim, sado bukur që të tregohet apo të përshkruhet me elemente letrare e artistike, ajo asnjëherë nuk do të besohet nga brezat e rinj apo nipërit e mbesat e atyre që e vuajtën këtë kohë dhe tmerr së bashku!
Në gjykimin tim, të gjithë ata që viti 1991 i zuri mbi 16 vjeç, sigurisht që i mbajnë, mend mirë se çfarë kanë hequr nga sistemi komunist dhe veçanërisht nga njerëzit e sigurimit apo spiunët ordinerë të sektorëve, lagjeve apo fshatrave!
Romani i Dine Dines më ktheu pas në ato vite duke më treguar me detaje dhe imtësi shumë domethënëse e për të njohur atë pjeseë të jetës së tim eti apo shumë miqve të familjes që nuk i kam njohur kaq imtësisht dhe hollësisht siç është hetuesia dhe format apo metodat e ndryshme që përdornin strukturat e Ministrisë së Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit për të plotësuar planet e tyre për arrestime dhe dënime nëpërmjet të cilave realizonin disa objektiva, si krijimi i terrorit tek të internuarit dhe mbajtja e popullatës nën presionin e arrestimit, krijimi i një fuqie punëtore të aftë e me energji fizike, por edhe të lirë përsa u përket kostove financiare për minierat dhe veprat e ndryshme që sistemi komunist ngriti pas marrjes se pushtetit me dhune në 1945. Mjaft vepra te rëndësishme të kohës si Tharja e Kënetës së Maliqit, Aeroporti i Rinasit, Kanali i Vlashukut që shërbeu për marrjen e ujit nga Devolli dhe krijimin e rezervuarit të Thanës në Lushnje, Kampi i Tepelenës ku gratë dhe vajzat mbanin me dru furrat e bukës dhe ushtrinë në atë kohë, fabrika tullave në Kamëz, Minierat e pafund si ajo e Bulqizës, Spaçit apo Fush-arrëz dhe Qafë-bari deri tek ngritja e rafinerisë së naftës në Ballsh si dhe mjaft e majft vepra te tjera të cilat janë ngritur nga duart, djersa dhe gjaku i të burgosurve politikë.
Janë të shumtë ata të dënuar që kanë lënë kockat dhe nuk u është gjendur asnjë gjurmë pasi u trajtuan si kafshë dhe nuk ju vendos asnjë gur e jo më t’u bëhej një varr apo një shenjë sado modeste!
Dine Dine, e sjell shumë origjinale gjithe situatën e krijuar në një trekëndësh shumë interesant të shoqërisë së asaj kohe siç ishte 1- Shtresa e armiqve (ku përfshihen të përndjekur, kulakë, ish pronarë, armiq të klasës, të internuar dhe të burgosur), 2- shtresa e mesme e pafajshme dhe lehtësisht e përpunueshme (spiunët dhe bashkëpunetorët e sigurimit besnikët e pakufi të sistemit si dhe policët e gardianët, shërbëtorë për një copë bukë!!) dhe 3- të fundit në këtë listë po të fuqishmit e ata që vendosnin mbi fatet e secilit (hetues, prokurorë, gjykatës)
Dine Dine tregon qartë se në listën e gjatë të njerëzve me të cilët e lidhi fati dhe rrethanat gjatë internimit dhe hetuesisë, ai nuk harron kollaj ata të cilët në punën e tyre e kaluan cakun e profesionit dhe detyrës duke shkuar më tej deri tek shkelja e çdo të drejte që ua jepte ligji edhe bërja me pasion e detyrës si shenjë besnikërie e verbër ndaj sistemit dhe një mënyrë shumë e mirë për të marrë vemendjen e shefave për të siguruar karrierë apo privilegje të ndryshme për kohën.
.
Dine Dine, Visar Zhiti, Shkëlqim Bylykbashi - 2018
Dine Dine, Visar Zhiti, Shkëlqim Bylykbashi – 2018

.

Dinia sjell me një origjinalitet të admirueshëm disa elemente të përditshmërisë në ambjentet e birucave dhe marëdhëniet me abstrakten që sidoqoftë merr shpjegim në çdo situatë dhe ajo çfarë e bën interesant Dinen si protagonist është pikërisht ky origjinalitet. Komunikimi me dy figura që rrinin mbas dere në një stampë si të vënë qëllimisht për t’u bërë presion nëpër biruca si dhe dy hije që silleshin nëpër birucë duke ua ngushtuar edhe më shumë akoma hapësirën fizike dhe atë psiqike. Dy kriminelët më të mëdhenj Stalini me Enverin. Marrëdhënia me shokët ku tenton gjatë të hyjë në komunikimin me Evgjen Merlikën nëpërmjet disa kodeve që instikti i shpik në rrethana të caktuara. Dy janë meraket që e shoqërojnë Dinen në këtë proces hetuesie, parë nga këndvështrimi im.
Meraku i parë se mos nuk do t’u rezistonte torturave apo presioneve dhe kjo do ta nxirrte nga hetuesia spiun, dhe për brezin e shtresën shoqërore të Dines kjo ishte shumë e rëndë dhe e para qe do ta ndeshkonte ne kete rast ishte nena.
Meraku i dytë ai se në mënyrën se si po zhvillohej hetuesia, hera herës i krijohej përshtypja se do të merrte një dënim pak më të butë se shokët e tjerë por që nga ana tjetër kjo do të prodhonte një situatë krejt paradoksale se kur të gjithë shokët e tij dënoheshin standart me 10 vjet heqje lirie. Gjyqi, sa qesharak nga aspekti juridik po aq edhe dramatik nga aspekti njerëzor, i sjellë aq origjinal nga Dinia me të gjithë elementet e tij ku familja është e pranishme dhe vuan mungesën e djalit, bashkëshortit dhe babait por edhe ftohtësia e pandjeshmëria metalike e sistemit (policit) ku nuk te linte as të përshëndeteshe me njerëzit e tu më të dashur. Dënimi i tij me 8 vjet do të krijonte dyshime nga me të ndryshmet.
Loja e Dines me dëshmitarët si dhe maskarada e prokurorit marrin fund nga vendimi i gjyqtarit, i cili vulos përfundimisht me 10 vjet burg. Nëpërmjet lojës artistike, por edhe ngjarjes reale vihet në dukje një nga tiparet më të përhapura të Sigurimit të Shtetit në atë kohë, dalja e dëshmitarëve të rremë apo të detyruar sipas rastit.
Neni i famshëm 55/1 për Agjitacion e Propogandë nuk kish si ta përjashtonte Dine Dinen.
Një tjetër vlerësim që kam për autorin është ai i bagazhit të madh artistik që ka, i cili shfaqet edhe në fjalorin e përdorur në roman si edhe tregon qartë dëshirën e tij të madhe për letërsinë. Në kushte të një lirie të kufizuar me 30 vjet interrnim Dinia ka mundur të lexojë letërsi bashkëkohore dhe pse në kushte tejet të rrezikshme dhe i ndërgjegjshëm që një ditë do të arrestohej, ku çdo bashkëbisedues të duket si spiun i futur për të provokuar dhe marrë një informacion që një ditë do të përdorej si provë. Gjithçka pritej në koshiencën e autorit, arresti ishte thjesht çeshtje kohe.
Falenderimin e veçante për Dinen por njëherazi edhe për të gjithë bashkëvuajtësit e tjerë të cilët kanë bërë një shërbim shumë fisnik shtresës që përfaqësojnë, shoqërisë dhe historisë sonë kombëtare duke i treguar, shkruar apo filmuar të gjitha vuajtjet e persekutimet si një rrëfim për brezat e rinj dhe njohjen e tyre me sistemin dhe dikaturën më të egër komunise që ka njohur bota, sistemin e Enver Hoxhës. Mënyra aktuale e të qeverisurit në Shqipëri ka filluar të ngjallë nostalgji për atë pjesë që nuk e duan dhe nuk e kuptojnë dot demokracinë si liri dhe kapitalizmin si rend që i jep mundësi të barabarta secilit pa asnjë lloj dallimi.
Mungesa e njohurive nga brezat e rinj për krimet që ka bërë Enver Hoxha dhe sistemi komunist në Shqipëri për 45 vjet, nxjerr akoma më me vlerë romanin “Mbi Varkën e Karontit” të Dine Dines si dhe çdo vepër artistike e çfarëdo forme qoftë që në themel ka publikimin e së vërtetës si një pasqyrë për të reflektuar si komb e për të ndërtuar një shoqëri sa më të shëndoshë për të ardhmen.
Mënyra më e mirë për të luftuar komunizmin është të tregojmë se çfarë masakrash e krimesh ka bërë ai në 45 vite diktaturë në Shqipëri.
Ku shkrim u lexua në Promovimin e librit, në Vatra me 28 prill 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.