
E Vërteta Universale dhe filozofia mbi ndëshkimin e merituar
nga Fatmir Minguli
(Një vështrim mbi librin “Ndëshkimi i spiunit” të Mark Zadesë, botimet “Shkodra”, 2022)
Por vazhdo të flesh, jeta ime,
Ndjeje gjakun tim të thyer në violina!
Kini kujdes,
sepse ka ende nga ata që na spiunojnë!
(Federico Garcia Lorca)
Spiuni gjuan në emër të të tjerëve, si qeni;
Njeriu ziliqar gjuan vetë, si macja.
(Victor Hugo)
Të trajtosh veprat e shkruara nga akademik Mark Zadeja është një nga detyrimet morale dhe shoqërore që duhet të bëjnë studjuesit, jo vetëm të letërsisë por të historisë dhe të socio-psiqikës.
Edhe në librin e tij më të fundit “Ndëshkimi i spiunit”, Mark Zadeja, ky filozof i jetës shqiptare, ky kërkues i paepur i labirintheve të shpirtrave njerëzorë, na sjell mesazhe të rëndësishme mbi një kategori që bën pjesë në jetën njerëzore, atë të spiunimit negativ, të spiunimit keqdashës. Nëpërmjët një historie që ka ndodhur ne një lagje autoktone shkodrane, Mark Zadeja si një piktor i regjur, na paraqet tabllo të kësaj lagjeje dhe të njerëzve që jetojnë aty.
Jemi në vitet e dikaturës moniste dhe pranë shtëpisë së autorit jeton familja e Toninit, një qytetar shkodran që kishte mbaruar studimet për muzikë në Itali e që kishte zgjedhur për të jetuar qytetin e Shkodrës. Një familje ku e shoqja ishte italiane që quhej Renata dhe dy vajzat Laura dhe Maria. Aty pranë shtëpive të shkodranëve të qetë në jetën e tyre, u serviret nga sigurimi i shtetit një famije nga diku larg Shkodrës, ku djali i tyre 18-vjeçar spiunon mësuesin Tonin. Tonini dënohet me dhjetë vjet burg…
Pa hyrë në detaje të këtyre ngjarjeve të cilat Mark Zadeja i përshkruan me stil krejt të veçantë, do të trajtoj këtë libër fillimisht në prizmin e dy paraleleve që ndihmojne të kuptosh më mirë jetën në Shqipërinë moniste e në veçanti në Shkodrën martire.
Dy paralele
Tek lexon në faqet e këtij libri vetja të duket sikur dhe ti je i përfshirë në listën e banorëve të kësaj lagje origjinale shkodrane dhe me dramën që shkaktoi sigurimi i shtetit. Dostojevski, duket sikur është dhe ai me përshkrimet e tij aq të holla për atë jetë plot mundime e paralelet me to, që sjell Mark Zadeja e që nuk mungojnë në librin “Ndëshkimi i spiunit”. Nuk kam ndërmend të flas për veprën madhore “Krim e ndëshkim” të Dostojevskit, por për një citim nga libri i tij “Demonët”, ku flitet për ato lloj dënimesh ndaj njerëzve të shquar. I tillë ishte dhe mësuesi i muzikës Tonin që veçse dituronte fëmijtë e të rriturit nuk bëntë asgjë të paligjshme. Atë e kishte shigjetuar sigurimi i shtetit, atë e dënoi me burgim duke internuar dhe të shoqen dhe dy vajzat e tij.
Ja si shkruan Dostojevski për shoqërinë e atëhershme: “Ai miraton spiunazhin. Secili anëtar i shoqërisë vëzhgon tjetrin dhe është i detyruar të informojë. Të gjithë u përkasin të gjithëve dhe të gjithëve u përkasin të gjithë. Të gjithë janë skllevër dhe në skllavëri janë të barabartë. Në raste ekstreme ka shpifje dhe vrasje, por thelbësore është barazia. Para së gjithash, niveli i shkencës dhe inteligjencës është ulur. Një nivel i lartë i shkencës dhe i talentit mund të arrihet vetëm me cilësi superiore, dhe nuk duhet të ketë cilësi superiore! Burrat me dhunti superiore kanë kapur gjithmonë pushtetin dhe kanë qenë despotë. Burrat me dhunti të larta nuk mund të mos jenë despotë dhe gjithmonë kanë bërë më shumë dëm sesa mirë, kështu që ata dëbohen dhe ekzekutohen. Ciceronit i kanë prerë gjuhën, Kopernikut i kanë nxjerrë sytë, Shekspirin e kanë vrarë me gurë, ja ku është shigalëvizmi! Skllevërit duhet të jenë të barabartë: pa despotizëm ende nuk ka pasur as liri as barazi, por duhet të ketë barazi në tufë, ky është shigalëvizëm! Ah, ah, ah, ju duket e çuditshme kjo? Unë jam për shigalëvizëm!”
Dhe pas kësaj paraleleje me mendimet e sjella nga Mark Zadeja në librin “Ndëshkimi i spiunit” mund të njihemi edhe me një citat të Stalinit:
“Vatikani […] është një qendër reaksionare, një instrument në shërbim të kapitalit dhe reaksionit botëror; Janë ata që mbështesin këtë organizatë ndërkombëtare të subversionit dhe spiunazhit. Fakti është se shumë priftërinj katolikë dhe misionarë të Vatikanit janë spiunë të trajnuar të klasit botëror. Përmes tyre imperializmi është përpjekur dhe po përpiqet të arrijë qëllimet e tij”.
Dhe për çudi të çudive këtë e citojnë italianët në internet marrë nga libri i Enver Hoxhës ”Me Stalinin” botuar në Romë në vitin 1984.
Mjaftojnë këta shembuj paralelë për të kuptuar rrezikshmërinë e asaj kohe, kur nuk ta prisnin gjuhën si Ciceronit… por të merrnin jetën në burgje e internime për hiç asgjë.
Mark Zadeja ka ditur që në sajë të përvojës së vet jetësore të na japë libër që i kapërcen konturet e një romani, është një libër që mpleks narrativën e subjektit me stilin e ndërmjetëm, atë të filozofisë dhe të poezisë. Është një kompleks magjik ku frymon një jetë njerëzish të thjeshtë, aty ja, në atë lagje krejt të qetë, te ajo familje intelektuale… por intelektualiteti i tërbonte demonët dhe ata vepruan. Skenat kur Tonini del nga burgu krejt i thinjur e takohet me gruan dhe vajzat janë një film bardh e zi, ku mjegullat e hidhërimit janë krejt të verdha, me të verdhën e frikës që ishte mbjellur në zemrat e njerëzve intelektualë apo jo, njerëz të ndershëm.
Forca e stilit
Nuk mund të shkruhej ndryshe ky libër, pa një stil jo të zakonshëm. Filozofia e jetës është forca motorre e stilit të këtij libri. Që në hyrje të tij autori shkruan: “I hap rrugën këtij libri të vogël, modest… Siqerisht ju thom: libri shpalos mendimin e atij që e ka provue, heqë, mbijetue, vuejtë, torturue ne burgun komunist të diktaturës.”
Me të vërtetë, të shpalosësh mendimin a nuk është filozofi!? Barbarët, spiunët, luftë klasash… janë kategoritë që Mark Zadeja i sjell me shumë kujdes e më një saktësi të madhe në faqet e librit të tij më të dashur.
Stili narrativ është një ndërthurje e ngjarjes reale me meditimin e çastit kur vetë ngjarja përbën iktus. Në këto çaste nuk mungojnë sentencat meditative të Mark Zadesë, duke i shtuar vlerat, jo vetëm ngjarjes, por dhe vetë Toninit, duke zvetënuar vlerat e spiunit Sami, një zvetënim gradual, si një rrjedhë përroi pa rrymë, duke e çuar në një vetë vrasje të merituar.
Të trajtosh me stil këtë libër të thjeshtë në pamje, por tejet të madh në mendimin që përcjell, në argumentimin e një ndëshkimi të merituar, është sa jetësore sa dhe religjioze, aq dhe e pranueshme në llogjikën e zakonshme. Por ndëshkimi i spiunit jepet në rrugë filozofike, larg lojrave të një narracioni fals. Stili, stili i shkruarjes së këtij libri është ai që e ngren shigjetën e vlerave lart e më lart. Heshtja që zotëron intelektuali Tonin në seancat me hetuesit është e madhërishme. Marku ka një sentencë për heshtjen e Toninit se “Njeriun që hesht, nuk ke se si ta kapësh” dhe se “heshtja ruen në kujtesë gjithnji të vërtetën”. Kjo mënyrë të shkruari e forcon idenë e autorit për ta dhënë të saktë figurën e njeriut të ndershëm e të pafajshëm duke e vendosur në peshoren e gjykimit social, në peshoren ku spiuni është i fundosur gjer në grykë me mëkatin e rëndë të dënimit të tjetrit.
Poezia, pjesë e narracionit
Në librin “Ndëshkimi i spiunit”, veç aspekteve të jetës dhe ngjarjeve me spiunin e sigurimit Sami, ku një analizë psiko-sociale mbizotëron në të gjitha faqet e librit, janë dhe një sërë poezish që shoqërojnë pikërisht idetë, janë si një komplementar i prozës stilistike, si një ndriçim i ndershmërisë të qytetarit intelektual të pafajshëm Tonin dhe familjes së tij.
“Barbarët e kohës” është poezia që hap si një parathënie këtë liber, sa delikat aq dhe të fuqishëm në denoncimin e të keqes që prodhon makineria e spiunëve. Ja si shprehet Mark Zadeja në këtë poezi:
Vetëm me “grushtin: tim të shkrimit…
Koha i hodhi në koshin e mbeturinave
Barbarët e kohës.”
Poezitë e librit “Ndëshkimi i spiunit” janë me një fluiditet të paparë, një meditim që kapërcen mendimet e thjeshta, aty ku “Peizazhi shthuret, tendosun prej britmave të kohës”. Dhe përsëri heshtja ngre krye edhe në poezi, heshtja e Toninit, heshtja e të pafajshmit.
Duke pasur parasysh dhe veprat e tjera të botuara nga ky autor, i jap të drejtë për çka shpreh në poezinë “Lot gjaku”, ku ai sjell peizazhet e tokës shqiptare të përgjakur, ku imazhet e qytetit të tij janë veçse dhimbje e mjegull, ulërima të përzjera me brohoritje për diktatorin. Poezitë e librit “Ndëshkimi i spiunit” janë ndëshkimi që i bën poeti, janë “Andrra e heshtun, shfaq të vërtetën e saj.” Mark Zadeja duket krejt i qartë në këtë libër ku ndëshkimi i spiunit bëhet pa ndërmjetësi, pa hakmarrje nga jashtë, sepse ai e shpjegon fare bukur se si vetja e spiunit ndëshkon veten. Ky është dhe lajtmotivi i këtij libri.
Përfundime mbi autondëshkimin
Ja si shkruan Mark Zadeja për këtë djalë spiun që ndëshkoi veten nga frika e së ardhmes, me shpagimin e të këqiave që bëri me vetëdije: “Sensi i të drejtës e i së vërtetës, besimi nuk ekzistonin te qenia e tij. Te ky djalë, sa më tepër thellohej mendimi, aq më tepër ndihej pesha (barra), i rrotulloheshin vizionet e të bamave të kalueme (formë haluçinacionesh), të pranishme, habitje te vetja, hijet e atyne që u kishte ba keq (ata i vërsuleshin)…
Dhe me sistemin analitik të Frojdit, Mark Zadjea bën një anamnezë të plotë mbi ndërgjegjen e spiunit. Dhe shkruan: “Natyrshëm lind pyetja: ç’po ndodh në botën e brendshme të këtij “pelivani” spiun?”
Dhe autori vazhdon me analizat e tij psiqike ku shpjegon fare qartë se “me kalimin e kohës, shpirti i keq, bëhet edhe ma i keq. Diktaturat fusin të tjerët në zjarm; vetë nuk i afrohen…”
Me këto përfundime tejet filozofike për jetën njerëzore, Mark Zadeja i mëshon atij fakti plot besim se “jeta sigurohet ashtu siç e ka dhanë Zoti ynë, duhet me qenë patjetër njeri, me mbet njerëzor!
“Ndëshkimi i spiunit” nuk është thjeshtë një libër me subjekt të veçantë, ai është një libër studimor ku mësohet mbi shpirtin e njeriut. Kjo është merita e madhe e Mark Zadesë!
Durrës, 10 qershor 2024
Marrë nga Progegnishtes
Mark Zadeja u lind në Shkodër, në një familje qytetare shkodrane. Arsimin fillor e kreu në shkollën “Vasil Shanto”, ndërsa gjimnazin, në shkollën “Ali Laçej”, më 1965. Universitetin e Tiranës, fakultetin e Mjekësisë, degën stomatologji e kreu më 1971. Në vitet 1971 – 1973, ka punuar si mjek stomatolog në qytetin e “Bajram Currit”. Nga viti 1973 deri më 1991, ka punuar në rrethin e Shkodrës. Prej vitit 1992 deri më sot, jeton e punon në Gjermani dhe është nënshtetas gjerman. Ka dhënë me sukses provimet në mbrojtje të temës; “Mbrojtja kundër rrezeve atomike”. Ka studiuar për vite me radhë filozofi, privatisht. Prej kohësh është anëtar i përjetshëm i Akademisë Evropiane të Arteve; vlerësues dhe specialist i artit të vjetër. Veçanërisht është njohës e kritik i artit bashkëkohor.