back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

E vërteta e Gushtit… – nga Kliti Kallamata

Gazeta

Gaius Julius Caesar
Gaius Julius Caesar

E vërteta e Gushtit…*

nga Kliti Kallamata

Muaji Gusht mbyll stinën e verës.
Në shqipen e vjetër quhej “Gjashtori “, ose “i Gjashti”, sikurse edhe romakët e quanin “Sextilis”, pasi ishte muaji i gjashtë sipas vitit kalendarik që fillonte në Mars. Sextilis u riemërua si “Augustus” prej Senatit romak për të nderuar perandorin e parë të Perandorisë Romake, Augustin, pasi disa nga ngjarjet më domethënëse të ngritjes së tij në pushtet rastisën të ndodhnin në këtë muaj. Madje edhe vetë Imperator Caesar Divi Filius Augustus, (lindur në 23 Shtator 63 p.K.), vdiq në këtë muaj (19 Gusht 14 ps.K.).
Augusti ka pasur shumë emra. Ai lindi si Gaius Octavius Thurinus dhe pasi u adoptua nga xhaxhai i tij, Julius Cesar, ai u quajt Gaius Julius Caesar sipas rregullave zyrtare romake. Dy vjet më pas, pasi ngriti një tempull, ai u quajt Gaius Julius Caesar Divi Filius, ku Divi Filius (Bir i Hyjnisë) ishte më tepër një titull religjioz. Pas sukseseve ushtarake ai filloi të quhej Imperator Caesar Divi Filius, ku Imperator (imperare=urdhëroj, komandoj) ishte titulli me të cilin ai nderohej nga ushtarët e tij. Kur Senati i dha titullin “Augustus” (i Nderuar) ai ia shtoi këtë emrave të tij, duke u quajtur Imperator Caesar Divi Filius Augustus deri në vdekjen e tij.
.
Simbolika e Gushtit
Simbolika e Gushtit
Augusti ishte një burrë shteti romak dhe udhëheqës ushtarak. Ai u bë Perandori i parë i Perandorisë Romake dhe mbretëroi 40 vjet (nga 27 p. K – në 14 m. K.). Me mbretërimin e Augustit filloi një epokë paqeje e njohur si “Pax Romana”, apo “Pax Augusta”, e cila zgjati për më shumë se dy shekuj. Bota romake më në fund shpëtoi nga konfliktet në shkallë të gjerë që kishin zgjatur për më shumë se 200 vjet, pa llogaritur luftërat e vazhdueshme për zgjerimin e kufijve të Perandorisë si dhe luftën civile që zgjati plot një vit. Augusti e zmadhoi ndjeshëm Perandorinë Romake në pjesën më të madhe të Europës, duke aneksuar Ilirinë dhe Pannonian, Noricumin dhe Raetian (Europa Qendrore), pushtoi Hispanian (Spanja dhe Portugalia e sotme), Egjiptin dhe pjesën veriore të Afrikës, Judenë dhe Sirinë në Lindjen e Mesme, si dhe aneksoi pa luftë Galatian (sot Turqia). Përtej kufijve, ai e siguroi Perandorinë me një brez tampon me shtete klienteliste dhe bëri paqe me Perandorinë Parthiane (Irani e Iraku i sotëm) duke përdorur diplomacinë.
Gjatë mbretërimit të tij Augusti reformoi sistemin romak të taksave, krijoi një ushtri stabël, themeloi të famshmen Gardë Praetoriane dhe krijoi Thesarin Ushtarak (aerarium militare) në shërbim të ushtarëve aktivë dhe atyre në pension. Nën Augustin qyteti i Romës u shndërrua plotësisht në një kryeqytet perandorak. Ai krijoi forcën e parë të institucionalizuar policore dhe të zjarrfikësve në shërbim të qytetit. Po ashtu ai krijoi prefektin komunal si një zyrë e përhershme në qytet. Duke përmirësuar ndjeshëm financat ai ndërtoi rrugë të reja dhe siguroi mirëmbajtjen e tyre në të gjithë gadishullin Italik, Augusti instaloi gjithashtu një sistem zyrtar ndërlidhës stacionesh postare që mbikëqyreshin nga oficerë ushtarakë të njohur si praefectus vehiculorum. Ai gjithashtu ngriti e restauroi mbi 80 ndërtime të ndryshme publike e tempuj madhështorë, duke e shndërruar Romën nga një qytet ordiner në një kryeqytet perandorak. Ishte pikërisht Augusti që i dha pamjen Romës sipas modelit të arkitekturës klasike Greke, duke e bërë stilin arkitektural Korinthik, me origjinë nga Greqia e lashtë, stilin mbizotërues arkitekturor të Romës perandorake. Por edhe pse ishte individi më i fuqishëm në Perandorinë Romake, Augusti dëshironte të mishëronte frymën e virtytit dhe normave republikane. Në vitin 29 p.K. ai i dha 400 sesterce (me 1 sesterce blije 1 kg miell) secilit prej 250.000 qytetarëve të Romës, 1.000 sesterce secilit prej 120.000 veteranëve në kolonitë dhe shpenzoi 700 milion sesterce për blerjen e tokave për të vendosur në to ushtarët e tij. Një vit më pas ai shkriu 80 statuja argjendi që ishin ngritur për nder të tij e me imazhin e tij, duke u përpjekur të dukej sa më i kursyer e modest. Poetët e epokës Augustiane, Virgjili dhe Horaci e vlerësonin Augustin si mbrojtës të Romës, përkrahës të drejtësisë morale dhe një individ që mbartte barrën e përgjegjësisë në mirëmbajtjen e perandorisë. Kanë mbetur të famshme fjalët e tij në shtratin e vdekjes: “Unë gjeta një Romë me qerpiç; dhe po ju a lë atë në mermer”.
.
Gaius Julius Ceasar
Gaius Julius Ceasar
Përveç se themelues i Perandorisë Romake ai konsiderohet gjithashtu si një nga udhëheqësit më efektivë, por dhe më të debatueshëm në të gjithë historinë njerëzore. Ai hodhi themelet e një regjimi që zgjati, në një formë ose në një tjetër, për afro 1500 vjet, ku edhe mbasi ra përfundimisht gjysma e perëndimore e perandorisë (Roma e Vjetër) gjysma tjetër, ajo lindore (Roma e Re), vazhdoi të lulëzojë deri në rënien e Kostantinopojës në 1453.
Kujtimi i Augustit u përfshi në etikën politike të epokës Perandorake si një paradigmë e perandorit të mirë. Çdo Perandor i Romës që erdhi më pas adoptoi emrin e tij Cesar Augustus dhe gradualisht ky humbi karakterin e tij si emër, duke u kthyer përfundimisht në një titull. Si mbiemri që ai adoptoi, Cesar, ashtu edhe titulli i tij, Augustus, u bënë tituj të përhershëm dhe u përdorën prej të gjithë sundimtarëve të Perandorisë Romake (të Vjetër e të Re) për më se 14 shekuj pas vdekjes së tij. Në shumë gjuhë fjala Cesar u bë sinonim i fjalës Perandor (në gjermanisht Kaiser, në bullgarisht Tsar e po e njëjta në rusisht).
Duket se kjo trashëgimi e jashtëzakonëshme e Augustit ka lënë gjurmë edhe tek populli ynë, i cili në nder të tij e ka lënë mënjanë “Gjashtën” për “Gushtin”.
.
* titulli redaksional: radiandradi.com
.
Marrë nga muri i Fb i Kliti Kallamatës, 31 gusht 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.