
E lexova edhe unë Nenin 236 të projekt-Kodit Penal
nga Ilirjana Stankaj
Kur nji individ s’mundet me e lëshu vedin (vetpërmbahet para absurdit që e rrethon ), ai qesh.
Kur s’mundet me vepru, flet.
Kur s’mundet me i ndryshu dot padrejtësitë, i tall ato. E në këtë tallje, ai shfryn dufin që përndryshe mundet me marrë flakë…🙂
Kështu ndodh edhe me popujt!!
Qeveritë e mençura (kudo n’botë) e ndigjojnë këtë duf, se e shohin si “termometër”, jo si kërcënim. Vetëm qeveritë që kanë frikë nga fjala, dënojnë me burg për batutën, por këto u përkasin diktaturave (e këto nji kohe demode tashma)…🙂
E lexova edhe unë Nenin 236 të projekt-Kodit Penal që tenton pikërisht këtë: të ndëshkojë “përdhosjen” – nji fjalë aq e paqartë, sa mund të përfshijë çdo karikaturë, çdo zâ të lirë, çdo të qeshun që nuk u shkon për shtat atyne që ndoshta e kuptojnë pushtetin si mjet shtypës, a si artileri e randë…
Por e qeshuna nuk asht armë. Ajo asht alarm.
Tallja e anomalive nuk asht krim. Asht mënyra ma paqësore për me thanë: “Nuk jam dakord me ty.”
E kur nji pushtet (cilido qoftë ky) përpiqet me e ndalu këtë “shfrim”, nuk e ndal as talljen, as pakënaqësinë. Thjesht ia mbyll derën paqes e ia hap dritaren shpërthimit…
Të shprehunit asht “ventil i shoqnisë”. Po e mbylle, nuk ndalon zanin, ndalon frymëmarrjen e saj… 🙁
Demokracia (si sistem) nuk matet me heshtje. Matet me sa shumë fjalë të pakandshme mundesh me thanë… (ardhtë e bardhë dita kur askush t’mos ketë nji fjalë të keqe për drejtuesit e vet – këtu shihet kultura e drejtimit të nji populli).🙂
Sepse kur pushteti ka frikë nga fjalët, asht shenjë që e din sa i pambrojtun asht ndaj të vërtetës.
E kur nji popull nuk lejohet mâ me qeshë, atëherë vjen koha me pëlcitë (prej dhimbjes)… e kjo mos ardhtë kurrë për asnjenën palë!!!🙂
i.s. 2 gusht 2025