back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

E Keqja asht nji etyd pa dritë – poezi nga Eri Omari

Gazeta

Eri Omari
Eri Omari (foto nga Rozafa Shpuza)

E Keqja asht nji etyd pa dritë…

cikël poetik nga Eri Omari

 

E keqja âsht nji etyd pa dritë

Edhe pa e kundrue hiç ndíhet n’ajri
…mâ e shpejtë se zâni

Ka kohë që fmi të palindun
tranden me ardhë në jetë
e mbyllin njenin sy para se me iu falë Tokës
Koncerte të tâna janë zbritë
me triumfue mbì nji të vetëm etyd
që njerzia mbarë u msue m’e bâ të vetin.
Diku dridhen katërdhjetë zemra n’nji simfoni moxartiane
e Stinët e Vivaldit trazojnë katërdhjetë e dy minuta ândrra mes ernave
Pesë herë n’ditë shkrihen e treten miliona pasione me Bach
e pjesën tjetër të ditës
pëshpërijmë urrejtje, smirë, gjykime,
në formë etydesh
partiturat e të cilave po na i vrasin sytë
e ne i mbajmë mbyllun fort
prej frike
mos Drita mund ta kallzojë t’vërtetën
Prill  ‘15

Eri Omari
Eri Omari

Qyteti i Njimijë Lizave

Qyteti i Njimijë Lizave, asht qyteti jem
të mban në krahë lehtë e butë
e po lehtë e butë të hjedh ndër tunele shpirtnash të terratisun;
të mbështet ndër petale andrrash
mandej të zgjon pa dhimbë humnerave të kohës
e kurrkund tjetër nuk asht ma…
E ne Lizat (të vogla)
boshatisena të pashpjegueme, të pandime,
veç të përçudnueme për tan të dukunat e padukuna
që kufizojnë deri zhbamjet tona n’ajri
e jetojmë në kohë që kurrkund tjetër s’asht ma…

Hylleshë!

Hyjnishëm t’adhuroj,
e m’duket se ndër dejét tueja
rrjedhin petale të bardha
M’duket se ndër kambët tua përulen veç andrra,
e fryma jote e kjartë
ka të njejtën ngjyrë me ujin e ujvarave.
T’dashuroj mbi dashnitë,
mes lutjesh t’rruzullta t’ngujueme..
qi të díjsh me gjetë ajrin
e çmos me njehë lulet e bardha ndër déje
Tinzisht tân frikë t’adhuroj detajet,
kur pikpyetje t’pafundme ma kanë rrethue botën..
botën tonë
edhe për pak!

Eri Omari
Eri Omari

Madh’shti

Kam etjé,
etjé për ty që përçap vite dishira
E kam mâll,
mâll për ty që frymon díshira vitésh.
Madh’shti,
hap’ kanione në kujtesë
e përpíj’ imagjinatën,
ku un e ju,
kapërdís ndër prrâlla shekujsh,
gzojm’ botën me shendín tonë.
Madh’shti,
blun frymë në tânë bukurínë tande,
në histori të tâna fuqinash t’brishta,
vlon ujna e ura kulturet,
flet me gjuhna botësh..
E prap mâlli âsht mâ madh’shtor se ti
Madh’shti..

Sikur t’kisha nji vend

Sikur t’kisha nji vend ku me të mshehë
plot hir
mallshëm
t’kisha njehsu në nji tast
të bardhë
“Sol”
patjetër në maxhor.
Ah, ta dijshe ku me të mshehë
tingull
shpirtit
ambël e kishe këndu sonatën tande
at që të mblon në dritë
sa herë mbyll sytë
Ishe ba petale, aromë,
jo qiell, as diell, as hanë
ishe ba edhe tingull, edhe flakrimë, edhe gjethe vjeshte
me u përqethë n’gzimin
që ta ndrin frymën
e shenjtë
në krejt ty
sa herë i mbylli sytë.
Gisht m’gisht po t’matem
në ndriçim
simetrikisht si mandala
due me t’u përtri në paqe,
se s’mund të mshehem
as në mu as në ty
tingull polifonik
krahnor
ku buron paqja
e ku rilind çdo ditë e njikuptimta mrekulli
Ajo e të kenunit
msheftas
symbyllas
veç Dashni

Peisazh i liqenit te Shkodres
Peisazh i liqenit te Shkodres

***

Kjo poezia jote mbshtjell funda shkumsash
me shkrue dashní
e m’i fshi me fshirse sa herë të mbushet tabela
kjo poezia jote mban n’jetë edhe orkidetë
qi kanë trupin e bardhë e zemren e kuqe
sikurse un
e kanë nevojë veç për dritë
ashtu si un
poezia jote âsht natë e papërlyeme
qi flen ndër buzë e sy
të vetmisë qi âsht aty ku askush s’e shef
poezia jote âsht brymë

Saga e kukllave

Kukull e zhbirilueme deri n’grahmën e fundit,
e lindun mëkatare e mëkatëve të hueja,
épsh i orëve t’vona me libra klasikësh,
e i luftnave të stërzgjatuna t’pafitueme kurrë ndër detaje.
Ah, kukull porcelani
mâ e bukra e të zvetnuemeve
s’po doka kush me t’përqafue pak
sa me t’i hápë sytë!
Mâ e pambrojtun se kurrë
prehésh n’ishullin e kukllave t’panevojshme.
…………..
Nuk due m’u fut njitash n’botën e t’ panumruemeve!
Jam kaq rehat karshi frymve tueja kruspull,
prej ku mund të përgjoj yjet njimij herë n’ditë
e natén mund t’pengohem tuj kapërcye rreze dielli!
Sot due me e zdeshë ajrin lakuriq,
qi mos m’u përzie n’marritë e mia.
Jam kaq rehat mes virtytesh t’kalbta,
e fronesh t’palakmueme t’mallëngjyeme prej bukurish.
S’po due m’u rehatue mes spiraleve t’jetës.
Jam kaq rehat në parehatinë teme,
në ishullin e kukllave t’panjoftuna!
Shtator ’14

Simfoni dashnie
Simfoni dashnie

Andrrat janë në frymë

Andrrat janë në frymë
(kajherë edhe etnish)
qëndisë me faljë e dashni
pendestare të përhershme të andjeve
Andrrat janë ndër flokë
mshehen aty mes pritjesh
e qëllon që ndrrojnë ngjyra e shembllesa
por prap të dliruna i kande të andrrojnë.
Andrrat janë ndër gishta
që krijojnë tinguj edhe ndër harqe hejsh
e thukët hapin qiej
të zbukuruem gjithmonë me ama lulesh
Andrrat janë ndër sy
e falen mes shikimesh
treten nalt në qiell e thellë ndër ujna
përplasen retinash e qepallash
por nuk vdesin as kur sytë mbyllen
Andrrat janë edhe ndër kambë,
luejnë ndër vallzime mbi akuj
që t’falin paradoksalisht jetë e kujtime…
pafund kujtime

Ne jena t’mishnuem me andrra
E prap lypim me gjetë përditë t’reja..!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.