
Dy vdekje, dy nderime të ndryshme
nga Laureta Petoshati
Vdiq një punonjës në krye të detyrës, një elektricist që ra nga shtylla në zonën e Himarës. Punonte me ndershmëri, vetëm për të nxjerrë bukën e fëmijëve. Shteti duhej të ishte në këmbë për të. Duhej ta nderonte si një njeri që dha jetën në shërbim të të tjerëve.
Vdiq edhe një gazetar, duke drejtuar një motor me katër rrota. Nuk ishte thjesht gazetar, por edhe biznesmen me disa shtëpi, me disa anije dhe me një mol përpara Muzeut të Pavarësisë. Ishte jetim dhe nuk vinte nga një familje e pasur, por u bë shumë më i pasur se gazetarë të luftës, madje edhe se emra të njohur të gazetarisë botërore si Tucker Carlson apo Megyn Kelly.
Pyetja nuk është kush meriton më shumë nderim. Pyetja është: pse ky diferencim në nderimin e njerëzve? Pse një vdekje e mbulon tjetrën? Pse njëri përcillet me homazhe, kurora e kamera, ndërsa tjetri largohet në heshtje, megjithëse humbi jetën duke kryer detyrën?
Sot, siç shkuat e hodhët lule te anijet flotilje të gazetarit, kur të ndizni dritën në shtëpitë tuaja, kujtohuni edhe për elektricistin që vdiq pa lënë pas pasuri, pa lënë pas emër të madh, por duke lënë pas sakrificën e një njeriu të ndershëm. Ndizni një qiri edhe për të. Drita që gëzojmë çdo mbrëmje është, shpesh, fryt i njerëzve si ai.
Marrë nga Muri i FB, Laureta Petoshati, 22 korrik 2026