Dy shkrime për Dr. Lazër Radin në gazetën Republika (1998-2000)

Lazër Radi 1995

Lazër Radi 1995

Dy shkrime për Dr. Lazër Radin te Republika (1998-2000)

100 Vjetori i Lindjes

Pas “Një Verë me Migjenin”…

hesht edhe Lazër Radi

nga Neritan Alibali

Neritan Alibali

Neritan Alibali

“Një verë me Migjenin”, është libri i 15 i Dr. Lazër Radit, që i prezantohet lexuesit shqiptar. Një libër që vjen nga rinia e tij e hershme e që lidhet me një figurë të rëndësishme të letërsisë shqipe, Migjenin.
“Një verë me Migjenin”, autori e punoi në kohën që ai ecte drejt pleqërisë së thellë, i lodhur, i dërmuar e i sëmurë. Nga lartësitë e 83 viteve, ai ndjek gjithnjë rrugën e jetës së vet. Të përpjetat, teposhtat, kthesat, përplasjet, hendeqet, rreziqet, rëniet, ngritjet; një rrugë e gjatë të cilës asnjëherë nuk i ka munguar shpresa e mbërritjes.
Megjithëse nëpër sirtaret e tavolinës së tij të punës ende flenë vepra që mund të botohen në të ardhmen, ai në mëngjesin e 23 shtatorit duke mbyllur sytë… mbylli edhe ciklin e kontributit të vet. Një lodhje intelektuale e zhytur në vite, e ndëshkuar me të gjithë mjetet e dhunës, e lënë në heshtje, e pavlerësuar as në kufijtë e mirënjohjes.
“Një verë me Migjenin”, mbetet një vepër e ngjeshur me dashuri dhe adhurim, një vepër që vjen nga rinia e autorit, te pleqëria e tij gri e deri tek vdekja e zezë.

Lazër Radi - Nji verë me Migjenin - Kujtime Tiranë 1998

Lazër Radi – Nji verë me Migjenin
Kujtime – Tiranë 1998

Mos ma trazoni vetminë

Poezi nga Lazër Radi

Kur të vdes
kush t’mos më vajtojë
S’dua të jem
edhe nji vajë ma shumë
në lumin e Njimijë e Nji të këqijave
s’dua me rrëshqitë fytyrave t’lodhuna
me nji dhimbë të re,
s’dua me shtue asnji kokërr misër
në thesin e zbraztë të së mirës
s’dua asgja,
veç më leni vetëm…

As tufën e drandofileve mbi varr
mos m’a leni me m’ba dritë
pse edhe nderimi juej
tash ka veç vlerën e talljes.

Mbi varr asgja,
veç emnin tem të shkruem keq
me dorën e të fundmit nip…
e më lini aty në krahët e vdekjes
ta jetoj at dashni që Ju, ma munguet…

Më leni,
mos ma trazoni vetminë…
(Republika, e dielë 27 shtator 1998)

Varri i Lazër Radit

Varri i Lazër Radit

Lazër Radi,

njeriu që mposhti kohën e humbur

nga Neritan Alibali

Dy vjet më parë, mbylli sytë në Tiranë, poeti, përkthyesi dhe publicisti i shquar, Dr. Lazër Radi. Përfaqësuesi i shquar i letrave shqip të viteve ’30, publicisti aktiv i viteve të luftës, njeriu i syrgjynosur në burgjet dhe kampet e përqëndrimit në periudhën e diktaturës komuniste, deri në vitet e fundit të jetës nuk rreshti së shkruari për të fituar kohën e humbur.
I lindur në Prizren, më 1916, shkolluar në gjimnazin e Shkodrës dhe i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Romës, idealisti Radi, do të ndeshej me realietin e hidhur, por nuk do gjunjëzua kurrë.
Në vitet ’30, ai ravijëzon një penë që ka për të thënë shumë në publicistikë. Por jeta i kursen një fat absurd, 30 vjet vetmi burgu dhe jetë të vështirë në gulagët e Myzeqesë.
Deri në prag të demokracisë, Lazër Radi ishte i syrgjynosur. Në vitet ’90, ai u kthye në Tiranë në shtëpinë e dikurshme dhe iu përkushtua krijimtarisë. Botoi njëri pas tjetit 15 libra. “Një verë me Migjenin” është libri i fundit i tij. U mirëpritën edhe librat: “Njeriu i rrugës së gjatë”, “Platoni” etj.

Lazer dhe Jozef Radi - “Muret e muzgut”

Lazer dhe Jozef Radi – “Muret e muzgut”

Disa botime të dr. Lazër Radit
“Muret e Muzgut”, 1993
“Misteret e një ministri”, 1994
“Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, 1994

Disa përkthime
“Stalini Moxarti dhe Maria Judina”, të Jevrem Bërkoviç, 1993
“Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, të Mark Milanit, 1995
“Epopeja e njeriut”, të vëllezërve Ivanaj, 1996
(Republika, e dielë 23 shtator 2000)

Related Images:

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Shkrime mbi Dr. Radin  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook