
Dy nga akuzat kundër shkrimtarëve të Kosovës
nga Shaip Beqiri (fragment)
Shkrimtarët shqiptarë të Kosovës ka kohë që ndodhen midis dy akuzave tepër të vrazhda, të cilat i kanë bartur një kohë të gjatë si një peshë kolosale të mëkatit të pabërë. Të parën akuzë e ka bërë dhe vazhdon ta mbajë hapur gjithnjë një lagje jo e vogël shkrimtarësh, gjuhëtarësh e intelektualësh të tjerë nga Shqipëria dhe sidomos ata nga pika të ndryshme të rruzullit të diasporës shqiptare përkitazi me kinse mëkatin që paskan bërë shkrimtarët dhe shkencëtarët e Kosovës kur kanë pranuar përdorimin e gjithanshëm nga ana e tyre të gjuhës së njësuar letrare shqipe.
Kjo akuzë edhe qytën e ka tepër të mprehur, kurse presën veç me helm e gjak. Nuk di të jetë bërë ndonjëherë zhurmë në anën tjetër për këtë çështje, aq më pak të jetë ankuar ndokush për të hequr këtë barrë të pameritueshme.
Akuza e dytë është pak më ndryshe, ka hyrë disi ndërmjet me më shumë dinakëri dhe dredhi. Kjo është akuza që e bart ende në shpirt si një re kobtare shkrimtari i shquar I. Kadare: hermetizmi, modernizmi dhe avangardizmi i një pjese të madhe të letërsisë kosovare!
Natyrisht që nuk e kam ndër mend të zë ngoje e të përziej në këtë rast akuzat e një dore tjetër, ato të regjimit jugosllav, të cilat për gjysmë shekulli i kanë ndenjur mbi kokë letërsisë dhe kulturës shqiptare të Kosovës. Ato kanë qenë të pashmangshme, por disi më lehtë të përballueshme. Madje ajo dorë akuzash e ka forcuar dhe e ka shenjuar me saktësi udhën me rreziqe të mëdhenj të mendimit dhe shkrimit shqip, e cila me kohë është bërë ideali themelor krijues e jetësor i pjesës më vitale të shkrimtarëve të Kosovës. Po të thosha se pjesa më e madhe e asaj letërsie shqipe, apo siç parapëlqen ta quajë disi thjeshtësueshëm, diferencueshëm, denigrueshëm e injorueshëm zotëri Kadare: letërsi kosovare(!), është krijuar jo me penë në letër, por nga mishi e gjaku i krijuesve të saj, do të tingëllonte në mënyrë paksa patetike, ndonëse brenda saj është gjithë e vërteta. [1998]
Marrë nga Muri i FB, Shaip Beqiri 21 mars 2026