back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Dy fjalë për “Orlandon e çmendun” prej përkthyesit, Prof. Guljelm Deda

Gazeta

Ariosto: "Orlandi i çmendun" 2013
Ariosto: “Orlandi i çmendun” 2013

Dy fjalë për “Orlandon e çmendun”

prej përkthyesit Prof. Guljelm Deda

I tanë Ariosti asht në këtë kryevepër të dytë (mbas Komedisë Hyjnore) të letërsisë italiane. Ky poem kalorsiak heroiko-komik, asht vazhdimi i “Orlandit Dashunues” te poetit te madh Boiardo.
Në dy tubëzat e para të poemit kemi të shenjuem në vija të përgjithshme argomentin që do të zhvillohet gjatë dyzetegjashtë kangëve:
Gratë e kalorësit, armët, dashunitë, punët e sjelljet e njerzishme, veprat guximplote, që ndodhen kur Maurët kaluene detin e i ranë Francës, ai këndon, e Orlandin që prej dashnisë krisi ndër mend e u tërbue faret.
Mbi tri fije kryesore endet e shtjellohet kjo pëlhurë e madhe, në të cilën vijnë tue u gërshetue shumë fije të tjera shumëngjyrëshe të poemit: lufta ndërmjet Lindjes Saraçene e Perëndimit të Europës; dashunija e Orlandit për Angjelikën e të çmendunit e tij për shkak të saj; dashunija e Rugjerit dhe e Bradamantes, nga të cilët do të rrjedhi shtëpia e Estenseve, së cilës i dedikohet poemi.
Prijs i ushtrive të perëndimit asht Karli i Madh (që lind në v.742 e vdiq në v.814 mbas kohës së vjetër), ndërsa i saraçinëve asht Agramanti, mbret i Tunizisë. Rreth këtyne dy figurave qendrore kemi një mori personazhesh të dorës së parë, nga njena anë Orlandi, Rugjeri, Rinaldi, Zerbini, Astolfi, Brandimarti, Olivjeri e tjerë, nga tjetra, Rodomonti, Gradasi, Mandrikardi, Ferrahu, Stodilani, Mardili, Sobrini, Tezira e një mori të tjerësh. Në mes të këtyne burrave të fortë e të guximshëm dalin në pah e shquhen për trimëni të rrallë e të pakundshoqe, dy vasha të reja, të bukura e të ndershme tejet: luftëtarja Brandimarte në fushën e Karlit, e Marfiza n’atë të Agramantit. Por gjatë poemit ndeshemi dhe ndër vasha të tjera që shquhen për urti, besniki, ndershmëni e vetmohim si janë: Gjinevra, Olimpia, Izabela, e shumë të tjera pastaj, gra e vasha që ngrihen lartë për squetësi, dije e vepra të shkëlqyeme poezije.
Aradhet mauritane, afrikane, algjeriane, libiane e ato të Portugalisë e të Spanjës arabe kanë pushtue pjesën ma të mirë të Francës. Janë tek dyert e Parisit. Arrijnë të shpërthëjnë muret e të futen mbrendë në qytet. Rodomonti mbreti i Algjerit, luftëtari ma në za e ma i fortë i Saraçinëve, ban kërdinë në atë ditë madhnore, tue gjegë e tue pjekë gjithçka që i del përpara, si një forcë shkrumbuese e natyrës në tërbim. Po mos të ndërhynte atë ditë fuqia e mbinatyrëshme tue dërgue, me anë të ëngjullit Mëhill, Dasinë, Madhështinë e Heshtimin në ndihmë të Karlit, qyteti do të binte në duar të saracinëve, e perandorija e perëndimit do të merrte fund.
Njëmijë ngjarje dhe episode të reja do të zhvillohen, vepra të ndryshme dashunije, trimnije, besnikrije, tradhëtie, marrije e xhelozie do të kryhen gjatë këtij poemi, derisa forcat saraçine të thyeme e të shpartallueme do të braktisin Francën, e në Afrikë, në qytetin e Bizertës do të mbajnë qindresën e fundit.

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda Padova 1937

Qyteti pushtohet e digjet nga ushtritë të prime prej Orlandit, që mbas aq peripecish ku e ka zhytë marrija e tërbimi, me ndihmën e Astolfit ka fitue përsri mendt e humbuna. Lufta merr fund plotësisht në ujdhesën e Lipaduzës me dyluftimin mes Orlandit, Olivjerit e Brandimartit, për anën e Karlit dhe t’Agramantit, Gradasit e të Sobrinit për anën e saraçinëve.
Kjo në vija të përgjithshme drama e këtij poemi: Por thelbi kryesor, si e thotë dhe titulli, asht marrija e Orlandit, e nipit të Karlit të madh.
Angjelika, të cilën si e ka sjellë në Paris si plaçkë lufte të fitueme në arratitë e tija në Lindjen e largët, e të cilën ai dashuron me gjithë shpirt, kur sheh se ushtritë e Karlit po thehen të shpartallueme nga Saraçinët, ik nga çadra ku kishin lanë të ndryme. Rinaldi e mbas tij shumë të tjerë nga të dy anët ndërluftuese vihen me ndjekë Angjelikën. E nuk asht nevoja të shtojnë se dhe Orlandi ka hy në valle. Niset vetëm nga Parisi për të kërku vashën, të cilën s’ka për ta gjetun kurrë. E kur në bregun e Barcelonës ka për ta ndeshë për të fundit herë, s’ka për ta njohun ma, mbasi ajo ka ndrru zakon e sjellje, a ai asht i çmendun.
Për sa i përket shtjellimit të ndërlikuem të ngjarjeve rreth Rugjerit e Bradamantes, mjafton të them se mbas shumë peripecish e pengesash këta dy dashnorë ia dalin të martohen e të sigurojnë kështu farefisninë e shtëpisë d’Este së cilës i kushtohet poemi. Këndej del e qartë se ato pjesë ku madhnohet fisi i kësaj shtëpije nuk janë dhe aq tërhjekse për lexuesin, megjithse nuk mungojnë aty këtu copëza të zgjedhuna të një bukurije e vërtetësije të rrallë.
Poeti që asht një njohës e thellë i zemrës së njeriut, tallet e fishkullon me një ironi të hollë e të zgjedhun gjatë gjithë poemit, mbretën, markeza, dukë, konta e kalorës të ndryshëm, shkurt fisnikët e asaj kohe, tue zbulue kotësinë e parandësinë e titujve bujarë. E këtij drejtpërdrejtë, por bindëse e të qartë sa s’ka, tue qitë në pah e tue madhnue një njeri të thjeshtë të cilit s’ia ka dëgjue zanin kurrkush.
Me episodin e Kloridanit e te Medorit (Kanga e XVIII str.165 që vazhdon deri në kangën XIX), një ndër episodet ma prekëse e ma të bukura të mbarë poemit,poeti don të na tregojë se nuk vlejnë asnjë thërrime titujt as emnat e mëdhaj të trashiguem nga fisi,e se mbi ta ngrihen e ndriçojnë ndër shekuj virtytet e aftësitë personale të njeriut të çdo shtrese. Angjelika, bijë mbreti, që deri atëhere nuk ka përfillë asnjë ndër ata që kanë ndjekë e dashunue, e për ma tepër i ka tallë e vu në lojë, megjithse mbretën, dukë, markeza e konta, dashunohet me një njeri të thjeshtë populli, me një ushtar kambsor, me një djaloç të ri, shum të pashëm, trim të çartun, vetmohues, besnik, bujar, me zemër të pastër e të panjollë, që quhet Medor, e ka lindë në Telemaide, nga një fis i panjohun e i padëgjuem. Për hir të kësaj dashunije të kulluet, kjo vashë, që ndonëse e bukur faret, prapë ka qënë deri në atë çast, e pabesë e gënjeshtare, do të pastrohet në këtë gurrë, në këtë pasqyrë virtytesh që ka emnin Medor, do të shëndrrohet në një tjetër, për t’u ba e denjë për këtë djaloç të ri, në të cilin jam grumbullue të gjitha mirësitë morale. Nga të gjithë këta mbretën e kalorës plot tituj të lartë, vec Kloridanie e Medori do të mbesin të paharrueshëm në kujtesën e çdo lexuesit. Jo kot ky episod paraqitet në çdo antologji shkolle, si shembull miqësije vllaznore, trimënije të pakundshoqe, vetmohimi të rrallë, urrejtje të pakufi ndaj armikut, dashnije të pakrahasim për prijsin e vramë, për varrimin e të cilit dy djelmoshat e rinj rrezikojnë pa u mendue asnjë çast dhe jetën e tyne, si dikur Antigona e përjetësueme në tragedinë e përmendun të Sofokliut.

Profesor Guljelm Deda 1993
Profesor Guljelm Deda 1993

Jo vetëm të mëdhajt e titulluem të kohës prek e thumbon ironija e tij, por edhe klerikët, si vrehet në kangën e VIII; të str. 29-50, ku një frat me anë magjije don të shtijë në dorë e të përdhunojë Angjelikën. Por kjo ironi kthehet në një satirë të vërtetë, në një sarkazëm të idhtë, si shihet qartë në episodin ku Zoti shëndrrohet në Jovin pagan dhe ëngjulli Mëhill në Mërkurin (kanga XIV str. 75-97). Mëhilli i bindun se do ta gjejë Heshtimin ndër kishna e monastire, shkon e hyn në një kuvënd fretnish, ku në vënd të Mëshirës, Qetësisë, Përvuajnisë, Dashnisë paqes, gjen Grykësinë e Mizorinë.
Vazhdon kjo satirë me një forcë edhe ma të madhe në kangën XVIII str. 26-27 e në kangën XXVII str. 34-39, kur ëngjëlli Mëhill shkon dhe një herë të gjej Dasinë, e cila nuk ia ka plotësue si duhet porosinë e dhanun. E gjen përsëri në krye të një mbledhjes, ku do të zgjidhen zyrtarët e rinjë të kuvendit, kah kënaqej pamasë tue soditë fretnit që gjuhën e rrihen me oficet e shenjtë. Mëhilli pezmatue nga kjo pamje e shëmtueme ia ngjet Dasisë ndër flokë e i përvishet me grushta e shqelma. Pastaj merr një kryq e ia thyen tu i ra sa mundet në kokë, shpinë e krahë.
Satira e tija fshikulluese nuk kursen kurrgja që asht e ulët dhe e prapë. Zakonet prapanike, bestytnitë, veset e këqija. Me një egërsi të furishme lëshohet kundra papës, Julit të Dytë, të cilin e krahason me ujqit e tërbuem (kanga XVII str. 1-5). po në këtë kangë përmend me nderim të madh dashurinë për atdhe, tue e nxitë mëninë kundra pushtuesve të huej.
Në përshkrimet e tija mjeshtrit e të përsosuna dhe në ato më fantastiket si asht gjithnjë realist. Krahasimet, figurat, shembëlltyrat ai i nxjerr nga vrejtjet e tija personale mbi jetën e përditëshme e mbi cfaqjet e fenomenet e natyrës që rrethijnë, shkurt nga sendet e ngjarjet që ka pa me sytë e vetë.
Sishembull konkret po marr përshkrimin e marisë së rërbueme të Orlandit, e të xhelozisë ta Bradamantes, dy sëmundje këto të ngjashme me njena tjetrën…
Të parën e gjejmë në kangën XXIII str. 100-136 e në kangën XXIV str. 1-14. Zhvillimi dhe shpërthimi i marrisë së Orlandit, i përgatitun në kangët e mëparshme me atë gjëndje të posaçme shpirtnore të kreshnikut qe kërkon me ankth dashnoren e vet, përshkruhet e paraqitet me mjeshterinë e një poeti shum të madh, me një vazhdim e dendësi vrejtjesh psikologjike e çfaqjesh shpirtnore e materiale që më në fund shpërthejnë në furinë ë plotë e të tmershme të marrisë. Vetëm ai që ka vrejtë e ndjekë hapa për hap një njeri që është kah cmendet, mund të japë një kuadër kaq të përsosun e real të njeriut të kisun ndër mend.
Po me aq art e përpikmëni përshkruhen dhe xhelozinë e Bradamantës (kanga XXXII str. 74-84, kanga XXXI str. 4-6, kanga XXXII str. 10-27 e str. 35-46). Si një psikolog i mprehtë, ai ndjek e vren si si lind e zhvillohet kjo xhelozi, e këtë e ban me një mprehtësi të tillë, që na kujton atë që përdori për falisjen e Orlandit.
Në kangën XXXV str. 11-30 gjejmë të përshkrueme mjeshtërisht të fshikullueme veprën e pa vlerë të ledhatuesve e të poetëve të ulët që këndojnë në oborret e të mëdhajve. Me këtë rast poeti si në heshtje dhe indirekt i heq vërejtje e dënon dhe vetvetin që i ka thurë aq levdata shtëpisë d’Este jo aq për bindje sa sa i shtym prej nevojës jetike.
Në përshkrimin e luftimeve tokësore apo detare e të dyluftimeve ai asht mjeshtër i rrallë i pakrahasueshëm.
Ndër personifikimet e alegorive, gja shumë e vështirë, gjë që pak mund t’arrijnë ta bajnë me shije të vërtetë, a i asht artist i përsosun. Mjafton të përmendim përshkrimin e gjallë të Dasisë, të Heshtimit të Madhështisë, të Njimtisë, të Plogtisë, të shtëpisë së Gjumit, etj.
Përsa i përket poezisë së tij, ai asht artist ma i përsosun e ma muzikal i vargut në tanë letërsinë italiane. Jo më kot strofa që ai përdor, quhet “tetëshja e artë” që nuk ka e nuk njeh krahasim.

.
Prof. Guljelm Deda

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.