back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Dy fjalë për një shkrimtar që vdiq katër vite më parë – nga Maks Rakipaj

Gazeta

Dritero Agolli (1931-2017)
Dritero Agolli (1931-2017)

Dy fjalë për një shkrimtar që vdiq katër vite më parë

nga Maks Rakipaj

…Iku edhe Dritëroi me të shumtit.
Thonë se vuajti shumë para se ta jepte shpirtin, më shumë se i madhi Havzi Nela në litar, sigurisht më shumë se poeti Trifon Xhagjika, më shumë se Genc Leka dhe Vilson Blloshmi (plumbi ta merr shpirtin tak-fak, megjithëse thonë se gjithë këta janë pushkatuar a varur pasi e patën dhënë shpirtin nën tortura)…A u kujtua se pati qënë deputet, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve, apo antar i Komitetit Qendror kur vareshin a pushkatoheshin poetë që fshehurazi bënin poezi që nuk përputheshin me përkufizimet e realizmit socialist dhe ai bashkë me të tjerë ‘shkrimtarë të talentuar’ thoshin me vete “larg bythës sime”?
…Vdiq shkrimtari i talentuar Dritëro që deri në vitin ’90 dritëroi diktaturën enveriste. Por pas vitit ’90 u tregua i zhdërvjellët shkrimtari. Duke qënë një prej të përkëdhelurve të regjimit komunist e pati marë vesh lojën që filloi të luhej ato vite. Dhe si “burë” që ishte ua përplasi dele-gatëve: -Ju nuk do të rinovoheni kurrë! Ndërsa ata shqyenin gurmazet me thirrjet e tyre histerike “parti-enver, jemi gati kurdoher” në kongresin X të PPSH (Kongresi që polli PS, ku vazhdoi të militonte shkrimtari). Të mjerët dele-gatë që patën shkuar në atë kongres me kostume marrë hua miqve, kushërijve a komshijve! Kush e di ku janë shpërndarë sot nëpër botë për të mbijetuar!…
.
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Por vetë ai u rinovua, qe “në tavë” miku, përfitoi sa mundi nga cilado qeveri e pas viteve ’90, mori për njerëzit më të afërt mijra metra katror me qera 1$ metri katror te ‘Klik expo klik’ në Tiranë etj., ky po që është rinovim! Dhe ithtarët e tij kujtojnë me nostalgji burrërinë e tij, Servet Pëllumbi madje rreket ta nxjerrë edhe disident, megjithëse të thuash të drejtën vetë Dritëroi nuk u tregua lapangjoz si Kadareja që me çdo kusht kërkon të paraqitet disident i regjimit komunist (!). Ka lënë libra, ndonjë poemë dhe vjersha për dashurinë dhe rakinë (të bukura vërtet). Sa vlejnë koha do ta tregojë. Për mua, prej librave të tij, ka për të mbetur “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një satirë e fuqishme kundër burokracisë socialiste. Kur i vjen fundi njeriut dhe peshon bëmat e veta para se të shkojë nga kjo botë, ndjen krenari për çka arriti dhe kërkon ndjesë për gabimet a fajet gjatë jetës. I ndjeri Dritëro nuk i kërkoi ndjesë kujt. As të nderuarit Sali Protopapa, me emrin e të cilit u tall sa deshi (kinostudioja bëri me vrap edhe filmin). As nënës së Visar Zhitit që nuk luajti as gishtin për ta ndihmuar, kur ajo i përgjërohej “aman o Dritëro!”. As nënave të poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që me lot ndër sy shkuan t’i luten atij (patriarkut të letrave shqipe, si e quajnë ithtarët e tij sot), që të ndërhynte për faljen e jetës së poetëve nga Librazhdi…”Jo, – qe përgjigja e tij. – Nuk ndërhyj, sepse ata janë kundër nesh”. Dhe poetët u pushkatuan, Visari mori maksimumin, 10 vite burg. Pati 26 vite kohë që të kërkonte ndjesë atyre. T’i lypte ndjesë mbretit të lirikës, Lasgush Poradecit, që nuk lejoi (me cilësinë e Kryetarit të Lidhjes) t’i bëheshin homazhe zyrtare kur vdiq i harruar prej “shtojzovalleve dhe borive të partisë”, ashtu si i qesëndiste Poeti skotën e poetëve të oborrit. Ndaj dhe do të jetë i përjetshëm Lasgush Poradeci! Sepse nuk qe përkrahja nga pushteti, që e bëri të pavdekshëm Atë. Qe arti i Tij i madh, sepse nuk e kishte në soj bythëlëpirjen Lasgushi.
Nuk i kërkoi ndjesë as popullit shqiptar, që ndihmoi në lustrimin e një pushteti që i zuri frymën këtij populli, e burgosi brenda telave me gjemba dhe e varfëroi në kulm. Lëvdoi kooperativizimin skllavërues, socializmin “fitimtar”, “njeriun e ri”, diktaturën e proletariatit, kufitarët vrasës të kufirit, mallkoi kulakët dhe armikun e “kllasës”…
Paska shkruar vjersha të bukura?! E pastaj? Ka shkruar edhe më të bukura vjersha dhe libra Mjeda, Fishta, Lasgushi, Martin Camaj, Frederik Rreshpja, Koliqi dhe kush e di sa të tjerë. Poeti i vërtetë është ai që i ndjen dhe i përjeton hallet e popullit të vet, jo ai që bëhet ortak me pushtetin dhe trullos mendjet e njerëzve; jo ai që ndihmon atë në linçimin e poetëve që nuk i shërbejnë atij regjimi. Poetë të tillë janë bashkëpuntorë në krim. Ky qe shkrimtari i veshur me pushtet Dritëro Agolli për mua. Nuk gjykoj askënd që e mendon ndryshe. As do t’i përgjigjem me fyerje një skeçe shkruesi që e bënë ambasador pas viteve ’90, që pa pikë turpi shan, mallkon dhe fyen të gjithë ata që shkruajnë keq për Dritëronë. Nuk prisja prej Dritëroit të ngrihej dhe të mbronte në ato vite poetët e varur, pushkatuar, burgosur me miratimin e tij; nuk qe Jevtushenko ai, nuk qe Shostakoviç, Paustovski, apo Ahmadulina; por mund t’i pranonte pas vitit ’90 fajet si bashkëpuntor i regjimit kriminal. Nuk e bëri. Për disa është poet i madh, dhe e quajnë madje patriarku e letrave shqipe. Me gjithë vlerat që mund të ketë si shkrimtar, kjo më duket e tepërt, pa hyrë në hollësi.
Këto qenë disa mendime të miat, që për të nderuar kujtimin e të vdekurit, prita një javë para se t’i shpreh për të tjerët.
.
Maksim Rakipaj, 10 shkurt 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.